Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e ka zgjatur jetën modifikimi i gjeneve njerëzore?

Në kërkim të jetëgjatësisë

Në kërkim të jetëgjatësisë

«I kam parë punët që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve me të cilat të merren. E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre.»​Eklisiastiu 3:10, 11.

KËTO fjalë të lashta të mbretit të mençur Solomon përshkruajnë më së miri si ndihen njerëzit për jetën. Prej shekujsh njerëzit kanë dëshiruar fort diçka më të mirë, ndoshta ngaqë jeta është e shkurtër dhe vdekja e pashmangshme. Historia është plot tregime e legjenda për njerëz që kanë kërkuar sekretin e jetëgjatësisë.

Të marrim shembullin e Gilgameshit, një mbret sumerian. Për të janë thënë shumë legjenda. Te njëra prej tyre, që gjendet tek Epi i Gilgameshit, pretendohet se ai ndërmori një udhëtim të rrezikshëm për të mësuar si t’i shpëtonte vdekjes, por më kot.

Një alkimist në mesjetë, në laboratorin e tij

Në shekullin e katërt p.e.s., alkimistët në Kinë u përpoqën të shpiknin një eliksir, që besohej se zgjaste jetën. Kjo pije përmbante sasi të vogla merkuri dhe arseniku dhe mendohet se u solli vdekjen disa perandorëve kinezë. Kurse në Evropën e mesjetës, disa alkimistë u përpoqën ta bënin arin të asimilueshëm, pasi besonin se vetitë e tij rezistente, mund të zgjatnin jetën.

Sot disa biologë dhe gjenetistë po mundohen të zgjidhin misterin e plakjes. Ashtu si kërkimi për «eliksirin e jetës», përpjekjet e tyre tregojnë se njerëzit ende shpresojnë të gjejnë një mënyrë për t’i shpëtuar plakjes dhe vdekjes. Por, çfarë kanë arritur?

PERËNDIA ‘KA VËNË PËRJETËSINË NË ZEMRËN E TYRE’.​—EKLISIASTIU 3:10, 11

KËRKOHEN ENDE SHKAQET E PLAKJES

Shkencëtarët që studiojnë qelizat e trupit të njeriut, kanë nxjerrë më tepër se 300 teori për të shpjeguar pse plakemi dhe vdesim. Vitet e fundit, shkencëtarët që merren me biologjinë molekulare, kanë arritur të ngadalësojnë plakjen te kafshët e laboratorit dhe te qelizat njerëzore, duke ndërhyrë te gjenet dhe te proteinat. Arritje të tilla i kanë nxitur disa njerëz të pasur të financojnë kërkimet mbi «problemin e vdekjes». Me ç’rezultate?

Përpjekje për të kthyer prapa orën biologjike. Disa biologë besojnë se telomeret janë përgjegjëse për procesin e plakjes. Telomeret janë pjesa fundore e kromozomeve dhe mbrojnë informacionin gjenetik gjatë riprodhimit të qelizave. Por, sa herë qelizat ndahen, telomeret shkurtohen. Në fund, procesi i ndarjes së qelizave ndalon, dhe ne fillojmë të plakemi.

Elizabeta Blekbërni, fituese e çmimit Nobel më 2009, dhe ekipi i saj zbuluan një enzimë që ngadalëson shkurtimin e telomereve, e si rrjedhojë edhe plakjen e qelizave. Megjithatë, në raportin e tyre pranojnë se telomeret «nuk kanë fuqi magjike për të zgjatur jetën më tepër se mesatarja».

Modifikimi i qelizave është një mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shkencëtarët po përpiqen të pengojnë plakjen. Kur qelizat tona plaken aq sa s’ndahen më, mund t’u dërgojnë sinjale të gabuara qelizave imunitare aty pranë, duke shkaktuar inflamacion, dhembje kronike e sëmundje. Së fundmi, shkencëtarët në Francë kanë modifikuar qeliza që i morën nga të moshuar, disa prej të cilëve ishin mbi 100 vjeç. Profesor Zhan-Mark Lëmetrë, drejtues i këtij studimi, tha se arritën në përfundimin se «procesi i plakjes mund të kthehet mbrapsht» te qelizat.

A MUND TË NA E ZGJATË JETËN SHKENCA?

Disa shkencëtarë mendojnë se pavarësisht nga trajtimet kundër plakjes, jetëgjatësia mesatare e njeriut s’mund të rritet më. Është e vërtetë se që prej shekullit të 19-të njerëzit jetojnë më gjatë. Por kryesisht falë një higjiene më të mirë, masave të suksesshme kundër sëmundjeve infektive dhe përdorimit të antibiotikëve dhe të vaksinave. Disa gjenetistë besojnë se jetëgjatësia e njeriut ka arritur pak a shumë kufirin e saj të natyrshëm.

Rreth 3.500 vjet më parë, Moisiu, një shkrimtar i Biblës, pranoi: «Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë. Sidoqoftë ato sjellin veç telashe e të këqija, kalojnë shpejt dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) Edhe pse njerëzit kanë bërë çmos të zgjatin jetën, në thelb, jeta i ngjan ende përshkrimit që i bëri Moisiu.

Nga ana tjetër, krijesa, si iriqi i kuq i detit ose një lloj molusku me guaskë të fortë, mund të jetojnë mbi 200 vjet, ndërsa disa pemë, si sekuoja gjigante, jetojnë me mijëra vjet. Kur krahasojmë jetëgjatësinë tonë me atë të krijesave të tjera, a nuk na lind pyetja: «Kaq qenka jeta: 70 apo 80 vjet?»