Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Realiteti i trishtë i vdekjes

Realiteti i trishtë i vdekjes

MENDO sikur po sheh një film për një njeri të famshëm, mbase për një muzikante me emër, të cilën e admiron. Filmi nis me fëmijërinë e saj, me leksionet e muzikës dhe me orët e panumërta të praktikës. Pastaj vazhdon me koncertet, udhëtimet nëpër botë dhe me famën ndërkombëtare. Pa kaluar shumë, vijnë vitet e pleqërisë, dhe aty nga fundi i filmit, ajo vdes.

Ky film nuk është trillim, por tregon copëza jete të dikujt që nuk është më. Kushdo qoftë personazhi, muzikant, shkencëtar, atlet ose i famshëm në ndonjë fushë tjetër, historia do të ishte pak a shumë njësoj. Mbase ka bërë shumë të mira në jetë, por mendo sa më tepër do të bënte po të mos ekzistonte realiteti i hidhur i plakjes dhe i vdekjes.

Mjerisht, të gjithëve na pret i njëjti fund. (Eklisiastiu 9:5) Sado të përpiqemi, nuk i shpëtojmë dot plakjes dhe vdekjes. Përveç kësaj, jeta mund të pritet në mes nga ndonjë aksident i papritur ose sëmundje mizore. Siç e përshkruan Bibla, ne jemi si një mjegull mëngjesi që «shfaqet për pak kohë, e pastaj zhduket».—Jakovi 4:14.

Për disa njerëz, jeta është kaq e pasigurt dhe e pakuptimtë, sa motoja që i drejton, është «le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim». (1 Korintasve 15:32) Megjithatë, a nuk je dakord se ata që jetojnë në këtë mënyrë, në thelb po pranojnë realitetin e trishtë të vdekjes? Herët a vonë—sidomos kur kalon ndonjë peripeci—mund të të lindë pyetja: «Kaq është jeta?» Ku mund ta gjesh përgjigjen e kësaj pyetjeje?

Mjaft njerëz i mbajnë sytë te shkenca. Arritjet në shkencë dhe në mjekësi e kanë shtuar jetëgjatësinë. Madje, disa shkencëtarë po punojnë që ta zgjatin edhe më shumë jetën. Pavarësisht nëse do të kenë sukses, mbeten pyetjet: pse plakemi dhe vdesim? A do të mposhtet ndonjëherë vdekja armike? Artikujt vijues do të shqyrtojnë këto tema, si edhe do t’i përgjigjen pyetjes: kaq është jeta?