BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Dështova shumë herë derisa ia dola mbanë
-
LINDUR: 1953
-
VENDI I LINDJES: AUSTRALI
-
MË PARË: I VARUR NDAJ PORNOGRAFISË
E KALUARA IME:
Im atë emigroi nga Gjermania në Australi më 1949. Vajti për të punuar në miniera dhe në industrinë për prodhimin e energjisë e u vendos në zonat rurale të Viktorias. Atje u martua me mamanë, dhe unë linda në vitin 1953.
Vetëm pak vite më vonë mamaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kështu që mësimet biblike u bënë pjesë e kujtimeve të mia të hershme. Megjithatë, babai nuk donte asnjë fe. U bë i dhunshëm e i frikshëm, dhe mamaja e kishte tmerr. Ajo vazhdoi të studionte Biblën fshehurazi dhe filloi t’i donte mësimet e saj. Kur babai nuk ishte në shtëpi, na fliste mua e motrës për ato që mësonte. Na tregonte për tokën e ardhshme parajsore dhe na shpjegonte sa të lumtur do të ishim po të zbatonim normat biblike.—Psalmi 37:10, 29; Isaia 48:17.
Kur isha 18 vjeç, u detyrova të ikja nga shtëpia, ngaqë im atë ishte i dhunshëm. Edhe pse e besoja atë që më kishte mësuar mamaja nga Bibla, nuk e çmoja. Prandaj nuk jetoja në përputhje me të. Nisa të punoja si elektricist në një minierë qymyrguri. U martova kur isha 20 vjeç. Vajza jonë e parë lindi pas tre vjetësh dhe në atë kohë fillova të rishqyrtoja çfarë ishte më e rëndësishme për mua. E dija se Bibla mund ta ndihmonte familjen time, ndaj nisa të studioja Biblën me një Dëshmitar të Jehovait. Mirëpo, gruaja nuk i donte fare Dëshmitarët. Kur shkova në një nga mbledhjet e tyre, ajo më dha ultimatum: o të lija studimin e Biblës, o të ikja nga shtëpia. U ndjeva i pafuqishëm e iu nënshtrova kërkesës së saj: i shkëputa lidhjet me Dëshmitarët. Më vonë nisa të ndihesha keq se s’po bëja dot atë që e dija se ishte e drejtë.
Një ditë shokët e punës më ftuan të shihja pornografi. Edhe më tërhoqi, edhe m’u neverit, e më pas më mbytën ndjenjat e fajit. Kur kujtoja atë që kisha mësuar nga Bibla, mendoja se Zoti do të më ndëshkonte. Mirëpo, ndërsa shihja gjithnjë e më shumë imazhe të pështira, fillova të ndryshoja pikëpamjen për pornografinë. Me kohë u bëra i varur ndaj saj.
Gjatë 20 viteve të mëpasshme u largova gjithnjë e më tepër nga normat që ishte përpjekur të më mësonte mamaja. Sjellja ime pasqyronte ato që po futja në kokë. Kisha një të folur vulgar dhe bëja shaka të ndyra. M’u shtrembërua fare pikëpamja për seksin. Edhe pse jetoja me gruan, kisha lidhje edhe me gra të tjera. Një ditë pashë veten në pasqyrë dhe mendova: «Sa poshtë ke rënë!» Respekti për veten ishte zëvendësuar me urrejtjen për veten.
Martesa mori fund dhe jeta ime kishte marrë të tatëpjetën. Iu luta Jehovait me gjithë shpirt. Rifillova studimin e Biblës, megjithëse isha shkëputur për dy dekada. Në atë kohë babai kishte vdekur dhe mamaja ishte pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Ekzistonte një hendek i thellë mes jetës që bëja dhe normave të larta të Biblës. Por këtë herë isha i vendosur të fitoja paqen mendore që premton Bibla. Fillova të pastroja fjalorin dhe të zbutja temperamentin. Vendosa edhe të hiqja dorë nga imoraliteti, lojërat e fatit, teprimi në të pirë dhe të mos e vidhja më pronarin.
Shokët e punës nuk e kuptonin dot pse doja të bëja ndryshime kaq drastike. Për tre vjet s’më lanë të qetë; më shtynin t’i kthehesha jetës së mëparshme. Nëse gaboja prapë qoftë edhe në gjëra të vogla, si për shembull, kur shpërtheja në zemërim a thosha ndonjë fjalë të keqe, brohoritnin gjithë qejf: «Më në fund! Ky është Xhoi që njohim!» Sa më lëndonin ato fjalë! Shpesh ndihesha dështak.
Vendi i punës ishte tejmbushur me pamje pornografike në format elektronik a të shtypur. Zakonisht shokët e punës dërgonin me kompjuter imazhe të fëlliqura, siç bëja edhe unë dikur. Po përpiqesha ta lija këtë ves, por ata bënin çmos të më vinin shkopinj nën rrota. Fola me atë që studioja Biblën që të më ndihmonte e të më inkurajonte. Më dëgjoi me durim ndërsa i zbrazja zemrën. Me shkrime specifike nga Bibla më tregoi si ta hiqja këtë ves dhe më inkurajoi t’i kërkoja ndihmë Jehovait duke iu lutur me këmbëngulje.—Psalmi 119:37.
Një ditë mblodha shokët e punës dhe u thashë t’u jepnin birrë dy shokëve që ishin të alkoolizuar. Të gjithë protestuan me forcë: «Mos, mor burrë! Këta po luftojnë që ta heqin këtë ves!» Iu përgjigja: «E di, po kështu edhe unë.» Që nga ajo ditë, e kuptuan se po luftoja ta lija pornografinë dhe nuk më bënë më presion t’i kthehesha jetës së mëparshme.
Me kalimin e kohës dhe me shumë ndihmë nga Jehovai, e mposhta vesin e pornografisë. Më 1999 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait, mirënjohës për mundësinë e dytë për një jetë të ndershme e të lumtur.
Tani e kam të qartë pse Jehovai i urren gjërat që i kisha dashur prej vitesh. Si një Atë i dashur, donte të më mbronte nga pasojat e pornografisë. Sa të vërteta janë fjalët e Proverbave 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» Normat e Biblës kanë qenë jo vetëm mbrojtje, por edhe garanci për sukses.—Psalmi 1:1-3.
DOBITË:
Dikur më neveritej vetja, por tani kam respekt për veten dhe paqe të brendshme. Bëj një jetë të pastër dhe e ndiej se Jehovai më ka falur e më mbështet. Në vitin 2000 u martova me Karolinën, një të krishterë që e do Jehovain po aq sa unë. Shtëpia jonë është një liman paqeje. Ndihemi vërtet të privilegjuar që jemi pjesë e një vëllazërie të krishterë mbarëbotërore, që është e pastër dhe e dashur.