Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Praslin, ishujt Sejshel, ku gjeneral Gordoni gjeti kopshtin e tij të Edenit më 1881

Parajsa në tokë—Ëndërr apo realitet?

Parajsa në tokë—Ëndërr apo realitet?

Parajsë! Broshurat e udhëtimit ngjyra-ngjyra bëjnë oferta tunduese për të shkuar në ndonjë «parajsë» të largët, që të çlodhemi e të harrojmë hallet e telashet. Mirëpo, siç e dimë fare mirë, kur të kthehemi në shtëpi, do të përballemi prapë me të njëjtin realitet.

Prapëseprapë, ideja e parajsës na magjeps. Ndaj, vështirë të mos na vijnë në mendje pyetje, si: «A është vetëm një ëndërr e bukur ‘parajsa’? Nëse po, pse na tërheq kaq shumë? Dhe a mund të bëhet ndonjëherë realitet?»

KONCEPTI I PARAJSËS NDËR SHEKUJ

Ideja e parajsës ka ngjallur interesin e njerëzve prej shekujsh. Shumë vetave u ka zgjuar kureshtjen tregimi i Biblës për «një kopsht në Eden, drejt lindjes». Pse ishte aq tërheqës ai kopsht? Tregimi thotë: «Perëndia Jehova bëri të mbinte nga toka çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim.» Ai kopsht ishte i këndshëm e i mirë, dhe në mes të tij spikaste «pema e jetës».​—Zanafilla 2:8, 9.

Përveç kësaj, tregimi i Zanafillës përmend katër lumenj që dilnin nga kopshti. Dy prej tyre njihen edhe sot​—Tigri (ose Hidekeli) dhe Eufrati. (Zanafilla 2:10-14) Këta dy lumenj kalojnë nëpër Gjirin Persik, përmes Irakut të sotëm, që ishte pjesë e Persisë së lashtë.

Nuk habitemi që parajsa tokësore spikat goxha në trashëgiminë kulturore të Persisë. Një qilim pers i shekullit të 16-të, në Muzeun e Artit të Filadelfias në Pensilvani, SHBA, tregon një kopsht të rrethuar me mure, ku ishin endur pemë e lule. Fjala perse për «kopsht të rrethuar me mure» do të thotë edhe «parajsë», dhe ky qilim pasqyron përshkrimin biblik të kopshtit të bukur e të begatë të Edenit.

Faktikisht, histori për parajsën janë ritreguar në shumë gjuhë e kultura anembanë botës. Ndërkohë që njerëzit emigronin në pjesë të ndryshme të tokës, merrnin me vete variante të tregimit fillestar, të cilat përgjatë shekujve u përzien me besime e legjenda vendëse. Edhe sot, gati instinktivisht njerëzit i quajnë parajsë vendet me një bukuri të rrallë natyrore.

NË KËRKIM TË PARAJSËS

Disa eksplorues pohuan se kishin gjetur vendndodhjen e parajsës së humbur. Për shembull, Çarls Gordoni, një gjeneral britanik që vizitoi ishujt Sejshel më 1881, u mrekullua kaq shumë nga bukuria natyrore e Vale-dë-Meit​—tani pjesë e Trashëgimisë Botërore—​saqë e shpalli si kopshtin e Edenit. Në shekullin e 15-të kur zbuluesi italian Kristofor Kolombi zbriti në ishullin Hispaniola, tani Republika Domenikane dhe Haiti, mendoi se ishte afër rizbulimit të kopshtit edenik.

Mapping Paradise, një libër historik modern, përmban detaje të mbi 190 hartave të lashta, shumë prej të cilave tregojnë Adamin dhe Evën në Eden. Mes tyre ndodhet një hartë e pazakontë e shekullit të 13-të, një kopje e dorëshkrimit të Beatit të Liebanës. Në pjesën e saj të sipërme ka një drejtkëndësh të vogël që ka në qendër parajsën. Prej atje dalin katër lumenj me emrat «Tigër», «Eufrat», «Pishon» dhe «Geon», një për çdo kënd. Supozohet se ata përfaqësojnë përhapjen e krishterimit në katër cepat e tokës. Figura të tilla tregojnë se, ndonëse vendndodhja e Parajsës së vërtetë nuk dihet, kujtimet për të mbeten po aq tërheqëse.

Xhon Miltoni, poet anglez i shekullit të 17-të, njihet për poemën Parajsa e humbur, bazuar te tregimi i Zanafillës për mëkatin dhe për dëbimin e Adamit nga Edeni. Në të theksonte premtimin se njerëzit do të jetonin sërish përgjithmonë në tokë, me këto fjalë: «Sepse atëherë e gjitha toka do të jetë parajsë.» Më pas ai shkroi vëllimin e dytë Parajsa e rifituar.

ZHVENDOSET VËMENDJA

Kuptohet se ideja e parajsës së humbur tokësore ka qenë ndër më të pëlqyerat në historinë njerëzore. Atëherë, pse shpërfillet tani? Kryesisht sepse, si vëren Mapping Paradise, «teologët . . . e kanë lënë fare pas dore çështjen e vendndodhjes së parajsës».

Shumicës së anëtarëve të kishës u mësohet se destinacioni i tyre i fundit është qielli, jo jeta në parajsën në tokë. Megjithatë, Bibla thotë te Psalmi 37:29: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» Meqë bota e sotme vështirë të quhet parajsë, a ka shpresë se ky premtim do të plotësohet ndonjëherë? *

PARAJSA NË TOKË​—REALITET

Perëndia Jehova, që krijoi Parajsën e vërtetë, ka premtuar të rikthejë Parajsën e humbur. Si? Kujtojmë se Jezui na mësoi të lutemi: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Kjo Mbretëri është një qeveri botërore në duart e Jezu Krishtit, e cila do të zëvendësojë gjithë sundimin njerëzor. (Danieli 2:44) Nën qeverisjen e Mbretërisë ‘do të bëhet’ vullneti i Perëndisë për një tokë parajsore.

Më parë profeti Isaia ishte frymëzuar të përshkruante kushtet në Parajsën e premtuar ku nuk do të ketë më tensione e konflikte që sot po mundojnë njerëzit. (Isaia 11:6-9; 35:5-7; 65:21-23) Të nxitim që t’i kushtosh ca minuta leximit të këtyre shkrimeve në Biblën tënde. Kështu do të jesh i sigurt se ajo që ka premtuar Zoti për njerëzimin e bindur është e vërtetë. Ata që do të jetojnë në atë kohë, do të shijojnë parajsën dhe do të kenë miratimin e Zotit, gjëra që Adami i humbi.​—Zbulesa 21:3.

Pse mund të jemi të sigurt se shpresa për Parajsën në tokë nuk është ëndërr, por realitet? Sepse Bibla thotë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» Parajsa në tokë është një shpresë të cilën, «Perëndia që nuk mund të gënjejë, e premtoi përpara kohëve shumë të hershme». (Psalmi 115:16; Titit 1:2) Ç’të ardhme të jashtëzakonshme ofron Bibla​—Parajsë të përhershme!

^ par. 15 Është interesant fakti se edhe Kurani thotë: «Tokën do ta trashëgojnë robtë e Mij të mirë.» (Sura 21, El Enbija [Profetët], ajeti 105.)