Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | KU MUND TË GJESH NGUSHËLLIM?

Ngushëllim në kohë vështirësish

Ngushëllim në kohë vështirësish

Vështirësitë janë të llojeve të ndryshme. Sigurisht, këtu nuk mund të flasim për çdo lloj, por le t’i shohim më nga afër katër shembujt që kemi përmendur. Shih se si njerëz me probleme shumë të ndryshme kanë gjetur ngushëllim të vërtetë te Perëndia.

KUR HUMBET PUNËN

«Mësova të pranoja çdo lloj pune dhe nuk bënim më shpenzime të panevojshme.»​—Xhonatani

Seti * kujton: «Unë dhe gruaja e humbëm punën në të njëjtën kohë. Për dy vjet mbijetuam me ato që na jepte familja dhe me ndonjë punë tek-tuk. Si rrjedhojë, gruaja ime, Prishila, ndihej përtokë, kurse unë ndihesha i pavlerë.

Si ia bëmë? Prishila i kujtonte vetes vazhdimisht fjalët e Jezuit te Mateu 6:34. Ai tha se nuk duhet të jemi në ankth për të nesërmen, pasi çdo ditë ka ankthet e veta. Dhe lutjet nga zemra i jepnin forcë të vazhdonte. Kurse unë gjeja ngushëllim te Psalmi 55:22. Ashtu si psalmisti, ia hodha barrën Jehovait dhe ndjeva se ai më mbështeti vërtet. Edhe pse tani kam gjetur punë, bëjmë një jetë të thjeshtë në përputhje me këshillën e Jezuit te Mateu 6:20-22. Mbi të gjitha, jemi lidhur më ngushtë me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin.»

Xhonatani tregon: «Kur falimentoi biznesi i vogël i familjes, më hyri frika për të ardhmen. Për shkak të krizës ekonomike, 20 vite pune të palodhur përfunduan në hiç. Unë dhe gruaja filluam të grindeshim për paratë. As kartën e kreditit nuk e përdornim nga frika se nuk e shlyenim dot.

Por, Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij na ndihmuan të merrnim vendime të mira. Mësova të pranoja çdo lloj pune dhe nuk bënim më shpenzime të panevojshme. Si Dëshmitarë të Jehovait, kishim edhe mbështetjen e bashkëbesimtarëve. Na ndihmuan të kishim më tepër besim te vetja dhe na dhanë një dorë kur kishim vërtet nevojë.»

KUR NJË MARTESË MERR FUND

Rakela kujton: «Kur burri më la papritur, u lëndova shumë dhe u inatosa. Më pushtoi një trishtim i thellë. Por u mbështeta te Perëndia dhe ai ma lehtësoi dhembjen. Çdo ditë që i lutesha, më mbronte zemrën. Më dukej sikur më mbyllte plagët e hapura.

Falë Fjalës së tij, Biblës, mposhta zemërimin dhe mërinë. Ua vura veshin fjalëve të apostullit Pavël te Romakëve 12:21: ‘Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.’

«Ka një kohë kur duhet ‘të heqim dorë’. . . . Tani kam synime të reja.»​—Rakela

Një mik i mençur më këshilloi të vazhdoja jetën. Më tregoi Eklisiastiun 3:6 dhe me dashamirësi më tha se ka një kohë kur duhet ‘të heqim dorë’. Ishte këshillë e fortë, por pikërisht për të kisha nevojë. Tani kam synime të reja.»

Elizabeta pohon: «Kur prishet një martesë, ke nevojë për mbështetje. Kisha një shoqe të shtrenjtë që më jepte mbështetjen e duhur, ditë pas dite. Qante me mua, më ngushëllonte dhe më bënte të ndihesha e denjë për dashurinë e të tjerëve. Jam e bindur se Jehovai e përdori për të më shëruar plagët.»

KUR SËMURESH OSE PLAKESH

«Pasi i lutem Zotit, ndiej që fryma e tij më jep forcë.»​—Luisi

Luisi, që cituam në artikullin e parë, vuan nga një problem i rëndë në zemër dhe dy herë gati sa s’vdiq. Tani duhet të marrë oksigjen 16 orë në ditë. Ai thotë: «I lutem pa pushim Jehovait. Dhe pasi i lutem Zotit, ndiej që fryma e tij më jep forcë. Lutja më jep kurajë të vazhdoj përpara, sepse kam besim tek ai dhe e di se kujdeset për mua.»

Petra në të 80-at, shpjegon: «Dua të bëj shumë gjëra, por nuk mundem. Është goxha e vështirë të shohësh se po të shterin fuqitë. Ndihem e sfilitur dhe jetoj me ilaçe. Shpesh mendoj për mënyrën si i kërkoi Jezui të Atit t’ia hiqte vështirësitë, nëse ishte e mundur. Por, Jehovai i dha forcë Jezuit, e po kështu më forcon edhe mua. Lutja është terapia ime e përditshme. Ndihem shumë më mirë pasi flas me Perëndinë.»​—Mateu 26:39.

Njësoj ndihet edhe Huliani, që ka luftuar me sklerozën e shumëfishtë për gati 30 vjet: «E kam shkëmbyer karrigen e drejtorit me karrocën e invalidit, por jeta ime është vërtet më e mirë tani, sepse është plotësisht e përkushtuar në shërbim të të tjerëve. Dhënia mund ta lehtësojë vuajtjen dhe Jehovai e mban premtimin për të na forcuar në kohë nevoje. Ashtu si Pavli, mund të them pa dyshim: ‘Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.’»​—Filipianëve 4:13.

KUR TË VDES NJË I AFËRM

Antonio sjell ndër mend: «Kur më vdiq babai në një aksident rrugor, në fillim nuk arrija ta besoja. Më dukej kaq e padrejtë; ishte veçse një kalimtar i pafajshëm. Mirëpo s’kisha gjë në dorë. Qëndroi në koma për pesë ditë para se të vdiste. Në sy të mamasë e mbaja veten, por ia plasja të qarit kur isha vetëm. Pyesja veten: ‘Pse? Pse?’

Gjatë atyre ditëve të tmerrshme i lutesha Jehovait pa pushim që t’i mbaja nën kontroll emocionet dhe të më jepte paqe. Si rezultat, pak nga pak fillova të ndihesha më i qetë. Sillja ndër mend shpjegimin biblik se të gjithëve mund të na ndodhin ‘ngjarje të paparashikuara’. Zoti nuk gënjen, prandaj jam i bindur se do ta takoj përsëri tim atë kur të ringjallet.»​—Eklisiastiu 9:11; Gjoni 11:25; Titit 1:2.

«Megjithëse djali ynë humbi jetën në një aksident ajror, prapëseprapë kemi shumë kujtime të bukura me të.»​—Roberti

Roberti që përmendëm në artikullin e parë, mendon po njësoj: «Falë lutjeve që i bënim Jehovait, unë dhe gruaja, Maribela, ndiem paqen mendore për të cilën flitet te Filipianëve 4:6, 7. Kjo paqe e brendshme na ndihmoi t’u flitnim gazetarëve për shpresën tonë të ringjalljes. Megjithëse djali ynë humbi jetën në një aksident ajror, prapëseprapë kemi shumë kujtime të bukura me të. Përpiqemi të përqendrohemi te kujtimet.

Kur Dëshmitarët e tjerë na thanë se na kishin parë shumë të qetë në televizor teksa flitnim për besimin tonë, iu përgjigjëm se ishte pa dyshim falë lutjeve të tyre të shumta. Besoj vërtet se Jehovai na mbështeti nëpërmjet mesazheve të tyre ngushëlluese të panumërta.»

Siç e tregojnë edhe këta shembuj, Perëndia i ngushëllon ata që kalojnë një sërë problemesh e vështirësish. Po ty? Pavarësisht nga vështirësitë që mund të kesh, nuk do të të mungojë ngushëllimi. * Prandaj, pse të mos i drejtohesh Jehovait për ndihmë? Ai është «Perëndia i çdo ngushëllimi».​—2 Korintasve 1:3.

^ par. 5 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 23 Nëse ke nevojë për ndihmë që të afrohesh me Perëndinë dhe të gjesh ngushëllim tek ai, të lutemi kontakto me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose shkruaji zyrës së tyre të degës që ke më afër.