ARTIKULLI I STUDIMIT 37
«Do të shkund gjithë kombet»
«Do të shkund gjithë kombet, dhe thesaret e të gjitha kombeve do të vijnë në shtëpinë time.»—HAG. 2:7.
KËNGA 24 Eja ngjitu në malin e Jehovait
PËRMBLEDHJE *
1-2. Cila shkundje e figurshme ishte parathënë për kohën tonë?
«BRENDA pak minutash u shembën njëra pas tjetrës dyqanet dhe ndërtesat e vjetra.» «Të gjithë i mbërtheu paniku . . . Shumë njerëz thanë se zgjati rreth dy minuta. Mua m’u duk një përjetësi.» Kështu u shprehën disa që i mbijetuan një tërmeti që goditi Nepalin më 2015. Sikur të përjetoje një ngjarje kaq traumatike, nuk do të të shlyhej kollaj nga mendja.
2 Megjithatë, në këtë moment po ndodh një lloj tjetër «tërmeti», ose shkundjeje—një shkundje që nuk përfshin një qytet a vend të vetëm. Ajo përfshin gjithë kombet dhe po vazhdon prej dekadash. Profeti Hagé e paratha se do të ndodhte një shkundje e tillë, kur shkroi: «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Pas pak, unë do t’i shkund edhe një herë qiejt, dheun, detin dhe tokën e thatë.’»—Hag. 2:6.
3. Si ndryshon shkundja që përmendi Hageu nga një tërmet i mirëfilltë?
3 Hageu nuk po fliste për një tërmet të mirëfilltë, që sjell vetëm shkatërrim. Kjo shkundje sjell rezultate të mira. Vetë Jehovai na thotë: «Do të shkund gjithë kombet, dhe thesaret [gjërat e çmuara] e të gjitha kombeve do të vijnë në shtëpinë time, e unë do ta mbush atë me lavdi.» (Hag. 2:7) Ç’kuptim kishte kjo profeci për ata që jetonin në ditët e Hageut? Ç’kuptim ka për ne sot? Tani do të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe do të mësojmë si marrim pjesë ne në një vepër që po shkund kombet sot.
NJË MESAZH ZEMËRDHËNËS NË DITËT E HAGEUT
4. Pse e dërgoi Jehovai profetin Hagé te populli i Tij?
4 Jehovai i ngarkoi një detyrë të rëndësishme profetit Hagé. Të mendojmë ç’kishte ndodhur para kësaj. Ka të ngjarë që Hageu të kishte qenë mes të mërguarve që u kthyen nga Babilonia në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. Pak pasi mbërritën në qytetin e tyre, ata adhurues besnikë hodhën themelet e shtëpisë, ose të tempullit të Jehovait. (Ezd. 3:8, 10) Por s’kaloi shumë dhe situata në Jerusalem u katandis në një gjendje të trishtueshme. Judenjtë u shkurajuan dhe, si pasojë e kundërshtimeve, e ndërprenë punën për atë projekt. (Ezd. 4:4; Hag. 1:1, 2) Prandaj, në vitin 520 p.e.s. Jehovai ngarkoi Hageun që t’u rindizte zellin dhe t’i motivonte ta përfundonin tempullin. *—Ezd. 6:14, 15.
5. Pse duhet të ketë qenë zemërdhënës për popullin e Perëndisë mesazhi i Hageut?
5 Mesazhi i Hageut kishte si qëllim t’u forconte judenjve besimin te Jehovai. Plot guxim, profeti u tha judenjve të shkurajuar: «‘Ji i fortë, mbarë ti popull dhe futju punës’,—thotë Jehovai.—‘Se unë jam me ju’,—thotë Jehovai i ushtrive.» (Hag. 2:4) Shprehja «Jehovai i ushtrive» duhet t’u ketë dhënë zemër. Jehovai ka nën komandë një ushtri tepër të madhe engjëjsh, prandaj nëse donin t’ia dilnin mbanë, judenjtë duhej të mbështeteshin tek Ai.
6. Çfarë do të ndodhte si rezultat i shkundjes që paratha Hageu?
6 Jehovai e frymëzoi Hageun të përcillte një mesazh që fliste për një shkundje të figurshme të të gjitha kombeve. Ai mesazh profetik i siguroi ndërtuesit e shkurajuar të tempullit se Jehovai do të shkundte Persinë, fuqinë botërore që në atë kohë përbëhej nga shumë kombe. Çfarë do të sillte ajo shkundje? Në radhë të parë, populli i Perëndisë do të përfundonte ndërtimin e tempullit. Pastaj, në tempullin e rindërtuar do ta adhuronin Jehovain bashkë me ta edhe shumë jojudenj. Patjetër që ky mesazh duhet t’ia ketë ngritur zemrën peshë popullit të Perëndisë!—Zak. 8:9.
NJË VEPËR QË PO SHKUND BOTËN SOT
7. Në cilën vepër që po shkund botën jemi përfshirë sot? Shpjegoni.
7 Çfarë kuptimi ka profecia e Hageut për ne sot? Jehovai po i shkund prapë të gjitha kombet, e kësaj here jemi përfshirë edhe ne në shkundjen e kombeve. Mendo për këtë fakt: Më 1914, Jehovai vuri në fron si Mbret të Mbretërisë së Tij qiellore Jezu Krishtin. (Psal. 2:6) Për udhëheqësit e botës, lajmi se kjo Mbretëri filloi të qeveriste, ishte lajm i keq. Kjo nënkuptonte se ishin përmbushur, ose kishin marrë fund, «kohët e caktuara të kombeve»—periudha gjatë së cilës asnjë qeveritar nuk përfaqësonte Jehovain. (Luka 21:24) Për këtë arsye, veçanërisht që nga viti 1919, populli i Jehovait ua ka drejtuar vëmendjen të gjithëve te Mbretëria e Perëndisë si shpresa e vetme për njerëzimin. Predikimi i këtij ‘lajmi të mirë për Mbretërinë’ ka shkundur mbarë botën.—Mat. 24:14.
8. Sipas Psalmit 2:1-3, si ka reaguar ndaj këtij mesazhi shumica e kombeve?
8 Si kanë reaguar njerëzit ndaj këtij mesazhi? Shumica e ka hedhur poshtë. (Lexo Psalmin 2:1-3.) Kombet «ziejnë» dhe nuk duan ta pranojnë Mbretin që ka caktuar Jehovai. Për ta, mesazhi i Mbretërisë që predikojmë ne nuk është «lajm i mirë». Disa qeveri madje e kanë ndaluar veprën e predikimit! Shumë qeveritarë të këtyre kombeve pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, e megjithatë nuk duan të heqin dorë nga pushteti i tyre. Prandaj, tamam si qeveritarët në ditët e Jezuit, edhe shumë qeveritarë sot i kundërvihen të Mirosurit të Jehovait duke sulmuar dishepujt e tij besnikë.—Vep. 4:25-28.
9. Si po vepron Jehovai përballë reagimit negativ të kombeve?
9 Si po vepron Jehovai përballë reagimit negativ të kombeve? Psalmi 2:10-12 përgjigjet: «Tani, o mbretër, veproni me mend! Pranoni ndreqjen, o gjykatës të tokës! Shërbejini Jehovait me nderim të thellë! Gëzoni gjithnjë, me frikë dhe dridhma! Nderoni birin, që Perëndia të mos indinjohet me ju e të zhdukeni nga udha e drejtë, sepse zemërimi i Tij mund të ndizet flakë në çast. Lum të gjithë ata që gjejnë strehë tek Ai!» Me dashamirësi, Jehovai po u jep një mundësi tjetër këtyre kundërshtarëve. Ata kanë ende kohë të ndërrojnë mendje dhe të pranojnë Mbretërinë e Jehovait. Megjithatë, koha që ka mbetur, po pakësohet me shpejtësi. Jetojmë «në ditët e fundit» të këtij sistemi. (2 Tim. 3:1; Isa. 61:2) Nuk ka qenë kurrë më urgjente se sot që çdo njeri të sigurohet vetë për faktet dhe të marrë vendimin e duhur.
NJË REAGIM POZITIV NDAJ SHKUNDJES SË KOMBEVE
10. Sipas Hageut 2:7-9, si ndikon për mirë te disa vepra që po shkund kombet?
10 Shkundja e figurshme që paratha Hageu ndikon për mirë te disa njerëz. Si rezultat i saj, ‘thesaret [njerëzit me zemër të sinqertë] e të gjitha kombeve vijnë’ të adhurojnë Jehovain. * (Lexo Hageun 2:7-9.) Edhe Isaia e Mikea parathanë se do të ndodhte një gjë e tillë «në ditët e fundit».—Isa. 2:2-4; Mik. 4:1, 2.
11. Si reagoi një vëlla kur dëgjoi për herë të parë mesazhin për Mbretërinë?
11 Të shohim si ndikoi ky mesazh që shkund botën te Keni, një vëlla që shërben në selinë botërore. Ai e ka të gjallë në kujtesë edhe sot momentin kur dëgjoi për herë të parë mesazhin për Mbretërinë rreth 40 vjet të shkuar. Keni thotë: «Kur dëgjova për herë të parë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë dhe mësova se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi, u ndieva i lumtur. Kuptova se, që të fitoja miratimin e Perëndisë dhe të jetoja përgjithmonë, duhej të mos përzihesha më me këtë të botë të paqëndrueshme dhe të merrja me vendosmëri anën e Jehovait. U luta për këtë dhe veprova menjëherë. E lashë pas botën dhe pranova në çast mbrojtjen që siguron Mbretëria e Perëndisë, e cila nuk mund të lëkundet.»
12. Si është mbushur me lavdi tempulli i Jehovait gjatë ditëve të fundit?
12 Ka prova të qarta se Jehovai po vazhdon ta bekojë popullin e tij. Gjatë këtyre ditëve të fundit, kemi parë një rritje marramendëse në numrin e atyre që e adhurojnë. Në vitin 1914 kishte vetëm pak mijëra adhurues të Jehovait. Kurse sot ka mbi 8 milionë veta që e adhurojnë Perëndinë me fjalë e vepra, dhe miliona të tjerë janë bashkë me ne çdo vit në Përkujtim. Kështu, «thesaret e të gjitha kombeve» kanë mbushur oborret tokësore të tempullit të Jehovait—masa e Tij për adhurimin e pastër. Emri i Jehovait merr lavdi edhe nga ndryshimet që bëjnë ata ndërsa veshin personalitetin e ri.—Efes. 4:22-24.
13. Cilat profeci të tjera ka plotësuar rritja e numrit të adhuruesve të Jehovait? (Shih figurën e kopertinës.)
13 Kjo rritje emocionuese ka plotësuar edhe profeci të tjera. Një prej tyre gjendet te kapitulli 60 i Isaisë. Vargu 22 thotë: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë në kohën e vet.» Nga ky vërshim i adhuruesve të vërtetë, ndodh diçka e mrekullueshme. Këta njerëz ose ‘gjëra të çmuara’ sjellin me vete një larmi talentesh e aftësish, bashkë me gatishmërinë për të marrë pjesë në predikimin e ‘lajmit të mirë për Mbretërinë’. Falë kësaj, populli i Jehovait po përdor «qumështin e kombeve», siç u shpreh Isaia. (Isa. 60:5, 16) Me ndihmën e këtyre burrave e grave që janë ‘thesare’, vepra e predikimit po kryhet në 240 vende dhe po dalin botime në mbi 1.000 gjuhë.
KOHA PËR TË MARRË NJË VENDIM
14. Çfarë vendimi duhet të marrin njerëzit sot?
14 Në këto ditë të fundit, shkundja e kombeve po i detyron njerëzit të marrin një vendim: do të mbështetin Mbretërinë e Perëndisë apo do të kenë besim te qeveritë e kësaj bote? Çdo njeri duhet ta bëjë këtë zgjedhje. Ndërkohë që u binden ligjeve të vendosura nga qeveria e vendit ku jetojnë, shërbëtorët e Jehovait qëndrojnë plotësisht asnjanës në lidhje me politikën e kësaj bote. (Rom. 13:1-7) Ata e dinë se Mbretëria është zgjidhja e vetme e vërtetë për problemet e njerëzimit. E kjo Mbretëri nuk është pjesë e kësaj bote.—Gjoni 18:36, 37.
15. Si e tregon libri i Zbulesës se besnikëria e shërbëtorëve të Perëndisë do të sprovohet?
15 Libri i Zbulesës tregon se besnikëria e shërbëtorëve të Perëndisë në këto ditë të fundit do të sprovohet. Prandaj do të vazhdojmë të përballemi me kundërshtime dhe përndjekje të egra. Qeveritë ose sistemet politike të kësaj bote do të kërkojnë t’i adhurojmë dhe do të përndjekin këdo që refuzon t’i mbështetë. (Zbul. 13:12, 15) Ato ‘do t’i detyrojnë të gjithë njerëzit, të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër, të lirë dhe skllevër, që të marrin një damkë në dorën e djathtë ose në ballë’. (Zbul. 13:16) Në kohët e lashta, skllevërve u vihej një damkë për të treguar kush ishte pronari i tyre. Po njësoj, nga të gjithë njerëzit sot do të pritet të kenë një damkë të figurshme në dorë ose në ballë. Mendimet dhe veprimet e tyre do të tregojnë se i përkasin dhe mbështetin një sistem politik.
16. Pse është urgjente ta forcojmë sot besnikërinë ndaj Jehovait?
16 A do ta pranojmë këtë damkë të figurshme duke mbështetur qeveritë e botës? Ata që refuzojnë të marrin damkën, do të përballen me vështirësi dhe rreziqe. Libri i Zbulesës thotë më tej: ‘Askush nuk mund të blejë ose të shesë, përveç atij që ka damkën.’ (Zbul. 13:17) Por shërbëtorët e Perëndisë e dinë si do të veprojë Ai me këdo që ka damkën, siç e tregon Zbulesa 14:9, 10. Ata do të refuzojnë të marrin damkën dhe, në kuptimin e figurshëm, do të shkruajnë mbi dorë «i përkas Jehovait». (Isa. 44:5) Tani është koha të sigurohemi që besnikëria jonë ndaj Jehovait është e patundur. Nëse është kështu, Jehovai do ta pranojë me kënaqësi se i përkasim atij!
NJË SHKUNDJE PËRFUNDIMTARE
17. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për durimin e Jehovait?
17 Jehovai ka treguar durim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre ditëve të fundit. Ai nuk dëshiron të shkatërrohet askush. (2 Pjet. 3:9) Prandaj u ka dhënë të gjithëve një mundësi të pendohen e të marrin vendimin e duhur. Ama, durimi i tij ka një kufi. Ata që e hedhin poshtë këtë mundësi, do të përfundojnë në një situatë të ngjashme me atë të faraonit në ditët e Moisiut. Jehovai i tha faraonit: «Po ta kisha ngritur dorën kundër teje dhe popullit tënd me plagë vdekjeprurëse, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut. Por, pikërisht për këtë arsye të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në mbarë tokën.» (Eks. 9:15, 16) Si përfundim, të gjitha kombet kanë për ta marrë vesh se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. (Ezek. 38:23) Si do të ndodhë kjo?
18. (a) Për ç’lloj tjetër shkundjeje flitet te Hageu 2:6, 20-22? (b) Nga e dimë se fjalët e Hageut do të kenë një përmbushje në të ardhmen?
18 Shekuj pas kohës së Hageut, apostulli Pavël u frymëzua të shkruante se profecia e dokumentuar te Hageu 2:6, 20-22 do të kishte një përmbushje në të ardhmen. (Lexoje.) Pavli shkroi: «Tani ai ka premtuar: ‘Unë do të shkund edhe një herë, jo vetëm tokën, por edhe qiellin.’ Shprehja ‘edhe një herë’ tregon se Perëndia do të heqë gjërat që shkunden, gjëra që nuk i ka bërë vetë, që të mbeten gjërat që nuk shkunden.» (Hebr. 12:26, 27) Ndryshe nga shkundja e përmendur te Hageu 2:7, kjo shkundje do të nënkuptojë shkatërrim të përhershëm për ata që, njësoj si faraoni, nuk duan ta pranojnë se Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani.
19. Çfarë nuk do të shkundet nga vendi, dhe nga e dimë këtë?
19 Po çfarë nuk do të shkundet ose ‘nuk do të hiqet’? Pavli tha më tej: «Meqë do të marrim një Mbretëri që nuk mund të shkundet, le të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga mirësia e pamerituar e Perëndisë, nëpërmjet së cilës mund t’i bëjmë shërbim të shenjtë e të pranueshëm, me frikë e nderim të thellë.» (Hebr. 12:28) Pra, kur të mbarojë shkundja përfundimtare, vetëm Mbretëria e Perëndisë nuk do të jetë ‘shkundur’ nga vendi. Ajo do të qëndrojë përgjithmonë!—Psal. 110:5, 6; Dan. 2:44.
20. Çfarë vendimi duhet të marrin njerëzit sot, dhe si mund t’i ndihmojmë?
20 S’ka kohë për të humbur! Çdo njeri duhet të marrë një vendim: A do të vazhdojë të mbështetë këtë botë me mënyrën si jeton, e kështu të përfundojë në shkatërrim? Apo do të bëjë ndryshime për të jetuar sipas vullnetit të Perëndisë, e kështu të jetojë përgjithmonë? (Hebr. 12:25) Me anë të veprës së predikimit, mund t’i ndihmojmë njerëzit të bëjnë zgjedhjen e duhur në këtë çështje të rëndësishme. Le të ndihmojmë, pra, që edhe shumë njerëz të tjerë ‘të çmuar’ të vendosin të përkrahin Mbretërinë e Perëndisë. E le të mbajmë në mendje fjalët e Zotërisë sonë Jezu: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»—Mat. 24:14.
KËNGA 40 Kujt i përket?
^ par. 5 Në këtë artikull përditësohet shpjegimi i Hageut 2:7. Do të tregohet si mund të marrim pjesë në një vepër emocionuese që po shkund gjithë kombet. Gjithashtu do të mësojmë se kjo vepër shkakton edhe një reagim pozitiv edhe një reagim negativ.
^ par. 4 E dimë se misioni i Hageut pati sukses, ngaqë tempulli përfundoi në vitin 515 p.e.s.
^ par. 10 Ky është një ndryshim në mënyrën si e kuptojmë këtë shkrim. Në disa raste kemi thënë se ajo që i nxit njerëzit me zemër të sinqertë të adhurojnë Jehovain, nuk është shkundja e të gjitha kombeve. Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 majit 2006.
^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Hageu e nxiti popullin e Perëndisë t’i futej punës me zell për të rindërtuar tempullin; populli i Perëndisë në kohët tona ka përhapur me zell mesazhin e Tij. Një çift merr pjesë në veprën që po shkund botën duke predikuar mesazhin për një shkundje përfundimtare në të ardhmen.