Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 39

Kur një njeri i dashur largohet nga Jehovai

Kur një njeri i dashur largohet nga Jehovai

«Sa herë e lënduan!»—PSAL. 78:40.

KËNGA 102 «Ndihmoni të dobëtit»

PËRMBLEDHJE *

1. Si ndihen disa nga përjashtimi i një njeriu të dashur?

 A KE ndonjë njeri të dashur që është përjashtuar nga kongregacioni? Kjo mund të të ketë hapur plagë në zemër. Një motër që quhet Hilda * thotë: «Kur më vdiq burri pas 41 vitesh martesë, mendova se kjo ishte gjëja më e tmerrshme që mund të kaloja në jetë. Por, kur im bir u largua nga kongregacioni dhe nga gruaja e fëmijët e tij, dhimbja ishte shumë, shumë më therëse.»

Jehovai e kupton sa e dhimbshme mund të jetë kur një njeri i dashur largohet nga e vërteta (Shih paragrafët 2-3) *

2-3. Sipas Psalmit 78:40, 41, si ndihet Jehovai kur shërbëtorët e tij i kthejnë shpinën?

2 Mendo si duhet t’i jetë copëtuar zemra Jehovait kur mjaft engjëj, pjesëtarë të familjes së tij, i kthyen shpinën! (Jud. 6) Përfytyro edhe sa dhimbje ndiente kur populli i tij i dashur, izraelitët, ngrinin krye kundër tij sa e sa herë. (Lexo Psalmin 78:40, 41.) Të jesh i sigurt se Atit të dashur qiellor i pikon në zemër edhe kur largohet prej Tij një njeriu yt i dashur. Ai e kupton dhimbjen tënde. E ka për të të siguruar me dhembshuri inkurajimin dhe mbështetjen që të nevojitet.

3 Në këtë artikull do të shohim si mund të marrim ndihmë nga Jehovai kur vuajmë prej një humbjeje të tillë. Do të shqyrtojmë edhe si mund të ndihmojmë të tjerë në kongregacion që po kalojnë këtë sprovë. Por në fillim le të flasim për një mënyrë të menduari që duhet ta shmangim.

MOS BËJ ME FAJ VETEN

4. Si ndihen shumë prindër kur djali ose vajza e tyre largohet nga Jehovai?

4 Kur djali ose vajza e tyre e dashur largohet nga Jehovai, shpesh prindërit vrasin mendjen se ç’mund të kishin bërë më shumë për ta ndihmuar të qëndronte në të vërtetën. Pasi iu përjashtua djali, një vëlla që quhet Luka pranoi: «Bëja me faj veten dhe më mundonin ëndrrat e këqija. Kishte raste që s’i mbaja dot lotët dhe më therte zemra për të.» Elizabetën, një motër që u gjend në një situatë të ngjashme, e torturonin mendime, si: «Ku gabova si nënë? Mbase nuk bëra sa duhej për t’ia rrënjosur në zemër djalit të vërtetën.»

5. Kush është përgjegjës kur dikush largohet nga Jehovai?

5 Të mos harrojmë se Jehovai i ka dhënë secilit nga ne dhuratën e vullnetit të lirë. Kjo do të thotë se mund të zgjedhim nëse do t’i bindemi apo jo. Disa fëmijë nuk i kishin prindërit shembuj të mirë, e megjithatë zgjodhën t’i shërbenin Jehovait dhe po qëndrojnë besnikë. Të tjerë kishin prindër që bënë çmos t’i rritnin sipas parimeve të Biblës, e megjithatë më vonë i kthyen shpinën Jehovait. Me pak fjalë, secili nga ne e vendos vetë nëse do t’i shërbejë Jehovait. (Jos. 24:15) Prandaj, ju prindër që e keni zemrën plagë nga kjo tragjedi, luftojeni prirjen për të bërë me faj veten.

6. Si mund të ndihet dikush kur një nga prindërit braktis Perëndinë?

6 Në disa raste ndodh që një prind të braktisë të vërtetën, e madje edhe familjen. (Psal. 27:10) Kjo mund t’ua dërrmojë zemrën fëmijëve që e admironin dhe e shihnin si shembull atë prind. Estera, së cilës iu përjashtua babai, thotë: «Qaja shpesh ngaqë e shihja se nuk po largohej si pa kuptuar nga e vërteta. Po zgjidhte me vetëdije të braktiste Jehovain. E dua babanë, prandaj kur u përjashtua, më brente tërë kohës meraku nëse ishte mirë, e madje kisha kriza paniku.»

7. Si ndihet Jehovai për dikë që i është përjashtuar një nga prindërit?

7 Nëse të është përjashtuar një nga prindërit, na dhemb shpirti për ty! Të jesh i sigurt se edhe Jehovai e di mirë sa e thellë është dhimbja jote. Ai të do dhe e çmon besnikërinë tënde, e po njësoj ndihemi edhe ne—motrat e vëllezërit e tu. Veç kësaj mos harro se ti nuk je përgjegjës për vendimet që merr prindi. Siç u përmend më sipër, Jehovai i ka lënë në dorë çdo njeriu të zgjedhë nëse do t’i shërbejë apo jo. E çdo Dëshmitar i kushtuar dhe i pagëzuar duhet «të mbajë ngarkesën e përgjegjësive të veta».—Gal. 6:5, shën.

8. Çfarë mund të bëjnë familjarët besnikë ndërsa presin që njeriu i tyre i dashur të kthehet te Jehovai? (Shih edhe kutinë « Kthehu te Jehovai!»)

8 Patjetër që ti nuk e humb shpresën se një ditë njeriu yt i shtrenjtë do të kthehet te Jehovai. Po çfarë mund të bësh ndërsa pret? Puno për të forcuar miqësinë tënde me Jehovain. Kështu do t’u lësh një shembull të mirë pjesëtarëve të tjerë të familjes, e ndoshta edhe të përjashtuarit. Gjithashtu do të fitosh forcën e nevojshme që ta përballosh dhimbjen. Të shohim disa hapa praktikë që mund të bësh.

ÇFARË MUND TË BËSH PËR TA MBAJTUR BESIMIN TË FORTË

9. Në cilat mënyra mund të marrësh forcë nga Jehovai? (Shih edhe kutinë « Shkrime zemërdhënëse kur një njeri i dashur braktis Jehovain».)

9 Ndiq një program të mirë aktivitetesh teokratike. Është jetësore të kalitësh besimin tënd dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Si mund ta bësh këtë? Merr forcë nga Jehovai duke mbajtur një program të mirë për të lexuar e medituar rreth Fjalës së Tij dhe për të ndjekur mbledhjet. Xhoana, së cilës iu përjashtuan babai dhe motra, thotë: «Ndiej të ma pushtojë shpirtin paqja kur lexoj për personazhe të tiIla nga Bibla, si Abigaila, Estera, Jobi, Jozefi dhe Jezui. Shembulli i tyre ma ushqen mendjen e zemrën me mendime pozitive dhe ma lehtëson plagën. Inkurajohem shumë edhe kur dëgjoj këngët e programeve mujore.»

10. Sipas Psalmit 32:6-8, çfarë mund të të ndihmojë të përballosh ditët e zeza?

10 Fol hapur me Jehovain për çdo shqetësim. Kur ndihesh përtokë, mos i resht lutjet. Përgjëroju Perëndisë tënd të dashur të të ndihmojë ta shohësh situatën siç e sheh ai, ‘të të japë gjykim të thellë e të të mësojë udhën e duhur’. (Lexo Psalmin 32:6-8.) Kuptohet, mund të jetë shumë e dhimbshme t’i tregosh Jehovait çfarë ndien në skutat e zemrës. Por Jehovai e kupton plotësisht dhimbjen tënde. Ai të do pa masë dhe të fton t’ia zbrazësh zemrën.—Eks. 34:6; Psal. 62:7, 8.

11. Sipas Hebrenjve 12:11, pse duhet të kemi besim te disiplina e dashur e Jehovait? (Shih edhe kutinë « Përjashtimi—Shprehje e dashurisë së Jehovait».)

11 Bashkëpuno me vendimin e pleqve. Përjashtimi është një masë nga Jehovai. Korrigjimi i tij i dashur është për të mirën e të gjithëve, edhe të atij që ka mëkatuar. (Lexo Hebrenjve 12:11.) Nëse dëgjon komente negative për vendimin e pleqve, mos harro se shpesh ata që bëjnë komente të tilla, i lënë pa përmendur disa hollësi, që mëkatari të mos bëjë figurë të keqe. Ne nuk i dimë të gjitha faktet. Prandaj është e mençur të kemi besim te pleqtë që gjykuan çështjen, sepse ata bëjnë shumë kujdes të zbatojnë parimet e Shkrimeve dhe të gjykojnë «për Jehovain».—2 Kron. 19:6.

12. Çfarë dobish kanë nxjerrë disa ngaqë bashkëpunuan me disiplinën e Jehovait?

12 Duke bashkëpunuar me vendimin e pleqve për përjashtimin, po e ndihmon njeriun tënd të dashur të kthehet. Elizabeta, që u përmend më sipër, pranon: «Ishte tmerrësisht e vështirë të shkëputnim çdo lidhje me djalin tonë të rritur. Por pasi u kthye te Jehovai, ai e pranoi se e meritonte të përjashtohej. Me kohë shprehu çmueshmëri për mësimet që kishte nxjerrë. E unë mësova se disiplina e Jehovait është gjithnjë e drejtë.» I shoqi, Marku, shton: «Shumë kohë më vonë, djali më tha se një arsye pse donte të kthehej ishte se ne bëmë tamam atë që duhej të bënim. Sa i lumtur jam që Jehovai na ndihmoi të ishim të bindur!»

13. Çfarë mund të të ndihmojë ta përballosh dhimbjen e zemrës?

13 Hapu me miq që të kuptojnë. Shoqërohu me motra dhe vëllezër të pjekur që mund të të ndihmojnë të mbash një pikëpamje pozitive. (Prov. 12:25; 17:17) Xhoana, që u përmend më sipër, thotë: «Më mundonte një vetmi e thellë në shpirt. Por bisedat me miq të besueshëm ishin lehtësim i madh.» Po nëse dikush në kongregacion thotë fjalë që ta acarojnë plagën?

14. Pse duhet ‘të vazhdojmë të durojmë e ta falim bujarisht njëri-tjetrin’?

14 Ji i duruar me vëllezërit e motrat. Nuk mund të presim që të tjerët të reagojnë gjithmonë në mënyrë ideale. (Jak. 3:2) Të gjithë jemi të papërsosur, ndaj nuk është çudi nëse disa nuk dinë ç’të thonë ose edhe thonë pa dashje ndonjë fjalë që ta ngacmon plagën. Sill ndër mend këshillën e apostullit Pavël: «Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolos. 3:13) Një motër, së cilës iu përjashtua një familjar, thotë: «Jehovai më ka ndihmuar t’i fal ata vëllezër që përpiqeshin të bënin gjënë e duhur, por pa dashje më lëndonin.» Çfarë mund të bëjë kongregacioni për të ndihmuar pjesëtarët besnikë të familjes?

SI MUND TË NDIHMOJNË TË GJITHË NË KONGREGACION

15. Çfarë mund t’i ndihmojë familjarët besnikë që u është përjashtuar një njeri i dashur?

15 Ji i dashur dhe miqësor me familjarët besnikë. Një motër që quhet Miriam e pranon se ndihej në ankth të shkonte në mbledhje pasi iu përjashtua vëllai. «Kisha frikë se ç’do të thoshin të tjerët. Mirëpo më rrethuan miq fantastikë, që ishin të trishtuar si unë e që nuk thanë as gjysmë fjale të keqe për vëllanë e përjashtuar. Falë tyre, nuk u ndieva vetëm në dhimbjen time.» Një motër tjetër kujton: «Pasi na u përjashtua djali, miqtë e dashur na u gjendën pranë. Disa e pranuan se nuk dinin ç’të thoshin. Kishte nga ata që qanë me mua, kurse të tjerë më shkruan dy fjalë të ngrohta. Ajo që bënë, më ndihmoi sa s’thuhet!»

16. Si mund të vazhdojë t’i mbështetë kongregacioni ata që kanë një të afërm të përjashtuar?

16 Vazhdo t’i mbështetësh pjesëtarët besnikë të familjes. Ata kanë nevojë më shumë se kurrë për dashuri dhe inkurajim. (Hebr. 10:24, 25) Ka pasur raste kur familjarët e të përjashtuarve janë ndier sikur edhe ata ishin përjashtuar nga shoqëria me kongregacionin. Mos lejo të ndodhë kjo! Në veçanti duhet të lavdërojmë dhe të inkurajojmë ata që nuk kanë më prindërit në të vërtetën. Maria, burri i së cilës braktisi Jehovain dhe familjen, thotë: «Disa miq më erdhën në shtëpi e gatuan diçka për ne dhe na ndihmuan të bënim studimin familjar. U pikonte në zemër për dhimbjen time e qanin me mua. Më mbronin kur dëgjonin fjalë të pavërteta për mua. Ata ma ngrohnin shpirtin!»—Rom. 12:13, 15.

Kongregacioni mund t’i mbështetë me dashuri pjesëtarët besnikë të familjes (Shih paragrafin 17) *

17. Si mund t’i mbështetin me dhembshuri pleqtë ata që e kanë zemrën plagë?

17 Pleq, shfrytëzoni çdo mundësi për t’u dhënë forcë familjarëve besnikë. Ju keni një përgjegjësi të veçantë që të ngushëlloni bashkadhuruesit pasi largohet nga Jehovai një njeri i tyre i dashur. (1 Sel. 5:14) Merrni iniciativën t’u jepni zemër para dhe pas mbledhjeve. Shkojuni për vizitë dhe lutuni për ta. Dilni me ta në shërbim ose ftojini herë pas here në adhurimin tuaj familjar. Barinjtë në kongregacion duhet t’u kushtojnë vëmendje e të tregojnë dhembshuri e dashuri për ato dele të Jehovait që e kanë zemrën plagë.—1 Sel. 2:7, 8.

MOS E HUMB SHPRESËN DHE VAZHDO TË KESH BESIM TE JEHOVAI

18. Sipas 2 Pjetrit 3:9, çfarë dëshiron Perëndia për ata që janë larguar prej tij?

18 Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen». (Lexo 2 Pjetrit 3:9.) Edhe kur dikush bën një mëkat të rëndë, jeta e tij prapë është e çmuar për Perëndinë. Mos harro sa i lartë është çmimi që ka paguar Jehovai për secilin nga ne—flijimi shpërblyes i Birit të tij të shtrenjtë. Me dhembshuri, Jehovai përpiqet t’i ndihmojë të kthehen ata që janë larguar prej Tij. Perëndia shpreson se do të zgjedhin të kthehen tek Ai, siç e tregon qartë ilustrimi i Jezuit për djalin e humbur. (Luka 15:11-32) Shumë veta që ishin larguar nga e vërteta, më vonë u kthyen tek Ati i tyre i dashur. E kongregacioni i mirëpriti krahëhapur. Elizabetës, që u përmend më sipër, i gufonte zemra kur i biri u rivendos në kongregacion. Ajo thotë: «U jam pa fund mirënjohëse shumë vetave që më inkurajuan të mos e humbja shpresën.»

19. Pse mund të vazhdojmë të kemi besim te Jehovai?

19 Mund të kemi besim te Jehovai gjithmonë. Ai nuk na jep kurrë një drejtim a këshillë që do të na dëmtonte. Është një Atë bujar e i dhimbsur që ndien dashuri të thellë për ata që e duan dhe e adhurojnë. Ji i sigurt se Jehovai s’ka për të të braktisur në ditë të errëta. (Hebr. 13:5, 6) Marku, i përmendur më sipër, thotë: «Jehovai nuk na braktisi kurrë. Ai na gjendet gjithmonë pranë kur përplasemi me vështirësi.» Jehovai do të vazhdojë të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Po, ti mund të qëndrosh besnik e të kesh shpresë edhe kur një njeri i dashur largohet nga Jehovai!

KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit

^ par. 5 Sa e dhimbshme është kur një njeri i dashur largohet nga Jehovai! Në këtë artikull do të shohim si ndihet Perëndia ynë kur ndodh kjo. Do të ndalemi edhe te disa gjëra praktike që mund të bëjnë pjesëtarët besnikë të familjes që ta lehtësojnë plagën e ta mbajnë besimin të fortë. Gjithashtu do të shohim se si mund t’i japim zemër dhe t’i mbështetim këta familjarë të gjithë ne në kongregacion.

^ par. 1 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 79 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur një vëlla braktis familjen dhe Jehovain, gruaja dhe fëmijët vuajnë.

^ par. 81 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy pleq shkojnë t’i japin zemër nga Shkrimet një familjeje nga kongregacioni i tyre.