Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ta mbash mendjen te fryma do të thotë jetë dhe paqe’

‘Ta mbash mendjen te fryma do të thotë jetë dhe paqe’

«Ata që janë sipas frymës, e kanë mendjen te gjërat e frymës.»​—ROM. 8:5.

KËNGËT: 57, 52

1, 2. Pse kapitulli 8 i Romakëve vlen sidomos për të krishterët e mirosur?

MOS ndoshta e ke lexuar Romakëve 8:15-17 gjatë periudhës së Përkujtimit të përvitshëm të vdekjes së Jezuit? Ka shumë të ngjarë që po. Ky fragment i rëndësishëm shpjegon nga e dinë të krishterët se janë të mirosur​—fryma e shenjtë jep dëshmi bashkë me frymën e tyre. Dhe vargu i parë i këtij kapitulli përmend «ata që janë në unitet me Krishtin Jezu». Por, a zbatohet kapitulli 8 i Romakëve vetëm për të mirosurit? Apo vlen edhe për të krishterët që shpresojnë të jetojnë në tokë?

2 Ky kapitull u shkrua kryesisht për të krishterët e mirosur. Këta marrin «frymën» si ata që ‘presin birësimin, çlirimin nga trupat e tyre [prej mishi]’. (Rom. 8:23) Në të ardhmen ata presin të jenë bij të Perëndisë në qiell. Kjo është e mundur sepse u pagëzuan si të krishterë dhe Perëndia zbatoi për ta vlerën e shpërblesës, ua fali mëkatet e i shpalli të drejtë si bij frymorë.​—Rom. 3:23-26; 4:25; 8:30.

3. Pse nxjerrim përfundimin se kapitulli 8 i Romakëve duhet të jetë me vlerë për ata që kanë shpresë tokësore?

3 Megjithatë, kapitulli 8 i Romakëve është me vlerë edhe për ata që kanë shpresë tokësore, sepse në njëfarë kuptimi Perëndia i sheh si të drejtë. Kjo duket për shembull nga fjalët që shkroi më sipër Pavli në letrën e tij. Në kapitullin 4, ai foli për Abrahamin. Ky burrë me besim të fortë jetoi para se Jehovai t’i jepte Izraelit Ligjin dhe shumë kohë para se Jezui të vdiste për mëkatet tona. Prapëseprapë, Jehovai e vërejti besimin e tij të jashtëzakonshëm dhe e llogariti Abrahamin si të drejtë. (Lexo Romakëve 4:20-22.) Në mënyrë të ngjashme, Jehovai mund t’i konsiderojë të drejtë sot të krishterët besimplotë që kanë shpresën e bazuar në Bibël të jetojnë përgjithmonë në tokë. Prandaj, ata mund të nxjerrin dobi nga këshilla që u jepet të drejtëve te kapitulli 8 i Romakëve.

4. Për cilën pyetje duhet të na shtyjë të mendojmë Romakëve 8:21?

4 Te Romakëve 8:21 gjejmë një garanci se bota e re do të vijë pa pikë dyshimi. Ky varg premton se «vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». Pyetja është nëse do të jemi atje, nëse do ta fitojmë atë shpërblim. A ndihesh i sigurt se do ta gëzosh shpërblimin? Kapitulli 8 i Romakëve jep këshilla që do të të ndihmojnë ta arrish këtë.

‘MBAJTJA E MENDJES TE MISHI’

5. Cilën çështje serioze trajtoi Pavli te Romakëve 8:4-13?

5 Lexo Romakëve 8:4-13. Kapitulli 8 i Romakëve flet për ata që ecin «sipas mishit» në kontrast me ata që ecin «sipas frymës». Disa mund të pandehin se ky është një kontrast mes atyre që nuk janë në të vërtetën dhe atyre që janë, mes atyre që nuk janë të krishterë dhe atyre që janë. Mirëpo Pavli tha se po u shkruante «atyre që janë në Romë, që Perëndia i do dhe i ka thirrur për të qenë të shenjtë». (Rom. 1:7) Pra, Pavli po bënte dallimin mes të krishterëve që ecnin sipas mishit dhe të krishterëve që ecnin sipas frymës. Ku qëndronte kontrasti mes tyre?

6, 7. (a) Cilat janë disa kuptime që ka në Bibël fjala «mish»? (b) Në ç’kuptim e përdori Pavli fjalën «mish» te Romakëve 8:4-13?

6 Të ndalemi në fillim te termi «mish». Për çfarë e kishte fjalën Pavli? Në Bibël fjala «mish» ka kuptime të ndryshme. Hera-herës ajo përdoret në kuptimin e mirëfilltë për mishin e trupit fizik. (Rom. 2:28; 1 Kor. 15:39, 50) Gjithashtu, kjo fjalë mund të nënkuptojë lidhjet e gjakut. Jezui ishte «nga fara e Davidit sipas mishit», dhe Pavli i konsideronte judenjtë ‘farefisin e tij sipas mishit’.​—Rom. 1:3; 9:3.

7 Megjithatë, ajo që shkroi Pavli në kapitullin 7 na jep një ide për kuptimin që ka fjala «mish» te Romakëve 8:4-13. Ai e lidhi jetën «sipas mishit» me «pasionet mëkatare» që ‘vepronin në gjymtyrët e tyre’. (Rom. 7:5) Kjo hedh dritë mbi kuptimin e shprehjes «ata që janë sipas mishit», për të cilët Pavli tha se «e kanë mendjen te gjërat e mishit». Pavli e kishte fjalën për ata që përqendrohen ose drejtohen nga dëshirat dhe prirjet e tyre si njerëz të papërsosur. Këta janë kryesisht njerëz që rendin pas dëshirave të forta, impulseve dhe pasioneve të tyre, qofshin këto seksuale a të një natyre tjetër.

8. Pse ishte me vend të paralajmëroheshin edhe të krishterët e mirosur që të mos ecnin «sipas mishit»?

8 Por ndoshta vret mendjen pse Pavli u theksoi të krishterëve të mirosur rrezikun se mos jetonin «sipas mishit». Dhe a mund t’u kanoset sot një rrezik i ngjashëm të krishterëve, që Perëndia i ka pranuar si miq të tij dhe i sheh si të drejtë? Mjerisht, çdo i krishterë mund të fillojë të ecë sipas mishit mëkatar. Për shembull, Pavli shkroi se disa nga vëllezërit në Romë ishin skllevër «të barkut [ose dëshirave] të tyre». Kjo mund të nënkuptonte se për ta gjërat më të rëndësishme në jetë ishin seksi, ushqimi ose kënaqësi të tjera. E disa prej tyre ‘po joshnin njerëzit e patëkeq’. (Rom. 16:17, 18; Filip. 3:18, 19; Jud. 4, 8, 12) Të kujtojmë edhe se për njëfarë kohe, një vëlla në Korint ‘shkonte me gruan e të atit’. (1 Kor. 5:1) Pra, kuptohet pse Perëndia i paralajmëroi të krishterët me anë të Pavlit që të mos ‘mbanin mendjen te mishi’.​—Rom. 8:5, 6.

9. Për çfarë nuk zbatohet paralajmërimi i Pavlit te Romakëve 8:6?

9 Ky paralajmërim ka po aq vlerë edhe sot. Pasi i ka shërbyer Perëndisë për vite të tëra, një i krishterë mund të fillojë ta mbajë mendjen te gjërat e mishit. Këtu nuk është fjala për një të krishterë që hera-herës mendon për ushqimin, punën, zbavitjet ose edhe romancën. Në përgjithësi, këto janë aspekte normale të jetës për një shërbëtor të Perëndisë. Edhe Jezui e shijonte ushqimin dhe u siguroi për të ngrënë të tjerëve. Ai e kuptonte se njeriu ka nevojë për çlodhje. Gjithashtu, Pavli shkroi se pasioni dhe marrëdhëniet intime kanë vendin e duhur në martesë.

A tregojnë bisedat e tua se e mban mendjen te fryma apo te mishi? (Shih paragrafët 10, 11.)

10. Ç’kuptim ka shprehja «të mbash mendjen» që përdoret te Romakëve 8:5, 6?

10 Atëherë, ç’donte të thoshte Pavli me shprehjen «të mbash mendjen te mishi»? Ai përdori një fjalë greke që ka kuptimin «ta fiksosh mendjen ose zemrën te diçka, të vësh në punë aftësinë për të planifikuar me kujdes, dhe këtu theksi është te qëndrimi ku bazohet kjo». Ata që jetojnë sipas mishit lejojnë që në thelb udha që ndjekin në jetë të përcaktohet nga natyra njerëzore mëkatare. Një studiues thotë për këtë fjalë te Romakëve 8:5: «Ata e mbajnë mendjen te gjërat që i përkasin mishit​—pra interesohen tej mase për to, orë e çast flasin për to, jepen pas tyre dhe janë të marrosur e krenohen me to.»

11. Ç’lloj gjërash mund të përfshijmë kur pyesim veten: «Çfarë më intereson mbi gjithçka?»

11 Ishte me vend që të krishterët në Romë të analizonin se ku përqendrohej në të vërtetë jeta e tyre. Mos ndoshta «gjërat e mishit» mbizotëronin ose ishin boshti i jetës së tyre? Është me vend që edhe ne të bëjmë të njëjtin shqyrtim për jetën tonë. Çfarë na intereson më tepër dhe rreth cilave tema vërtiten bisedat tona? Cilat janë në të vërtetë gjërat pas të cilave rendim ditë për ditë? Disa mund të vërejnë se gjëja ku po përqendrohen është të provojnë lloje të ndryshme verërash, të dekorojnë shtëpinë, të gjejnë stile të reja veshjesh, të bëjnë investime, të planifikojnë udhëtime për pushime e të tjera si këto. Gjëra të tilla nuk janë të këqija në vetvete; ato mund të jenë aspekte normale të jetës. Për shembull, Jezui në një rast bëri verë, dhe Pavli i tha Timoteut të përdorte «pak verë». (1 Tim. 5:23; Gjoni 2:3-11) Por, mos vallë Jezui dhe Pavli ‘flitnin orë e çast’ për verën, ‘jepeshin pas saj dhe ishin të marrosur e krenoheshin me të’ pareshtur? A ishte ajo pasioni i tyre, gjëja për të cilën ‘flitnin orë e çast’? Aspak. Ç’të themi për ne? Çfarë na intereson mbi gjithçka në jetë?

12, 13. Pse është një çështje serioze se te cilat gjëra e mbajmë mendjen?

12 Është e rëndësishme të shqyrtojmë veten. Përse? Pavli shkroi: «Po të mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë vdekje.» (Rom. 8:6) Pasoja është serioze​—vdekje frymore, duke humbur marrëdhënien me Jehovain sot, dhe vdekje fizike, duke humbur jetën në të ardhmen. Sidoqoftë, Pavli s’donte të thoshte që nëse dikush fillon ‘ta mbajë mendjen te mishi’, fundi i tij do të jetë se s’bën vdekja. Njeriu mund të bëjë ndryshime. Të mendojmë për atë burrë imoral në Korint që shkonte pas «mishit» dhe u desh të përjashtohej. Por, ai mund të ndryshonte, dhe ndryshoi vërtet. Nuk vazhdoi të ecte pas mishit dhe u kthye në rrugë të drejtë.​—2 Kor. 2:6-8.

13 Nëse ishte e mundur që ai të ndryshonte, është e mundur të ndryshojë edhe një i krishterë sot, sidomos dikush që nuk ka shkuar pas mishit gjer në atë pikë sa ai burrë në Korint. Pa dyshim, paralajmërimi i Pavlit për pasojën që mund të kemi në fund po ‘ta mbajmë mendjen te mishi’ duhet të na nxitë të bëjmë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm.

‘MBAJTJA E MENDJES TE FRYMA’

14, 15. (a) Çfarë mundësie tjetër kemi përveçse ‘ta mbajmë mendjen te mishi’? (b) Çfarë nuk do të thotë «ta mbash mendjen te fryma»?

14 Pasi na paralajmëron që të mos ‘mbajmë mendjen te mishi’, apostulli na jep këtë garanci të sigurt: ‘Ta mbash mendjen te fryma do të thotë jetë dhe paqe.’ Çfarë rezultati ose bekimi i madh​—jetë dhe paqe! Si mund ta fitojmë këtë shpërblim?

15 «Ta mbash mendjen te fryma» nuk do të thotë të jetosh si në një botë tjetër, i shkëputur nga realiteti. Nuk do të thotë të mos mendosh e të mos flasësh për asgjë tjetër veç Biblës, dashurisë tënde për Perëndinë dhe shpresës për të ardhmen. Le të kujtojmë se në shekullin e parë Pavli dhe të tjerë që i pëlqenin Perëndisë bënin një jetë mjaft normale në shumë drejtime. Hanin e pinin, shumë martoheshin, gëzonin jetën familjare, si edhe punonin për të mbajtur veten.​—Mar. 6:3; 1 Sel. 2:9.

16. Ndonëse merrte pjesë në shumë aspekte normale të jetës, ku përqendrohej Pavli?

16 Sidoqoftë, ata shërbëtorë të Perëndisë nuk lejuan që këto aspekte normale të jetës të bëheshin boshti i jetës së tyre. Pasi thonë se Pavli punonte si bërës tendash, Shkrimet tregojnë ku përqendrohej jeta e tij: ai i kushtonte vëmendje rregullisht veprës së predikimit e të mësimdhënies. (Lexo Veprat 18:2-4; 20:20, 21, 34, 35.) E tamam këto ishin aktivitetet që u rekomandoi vëllezërve e motrave në Romë. Po, jeta e Pavlit përqendrohej tek aktivitetet teokratike dhe të mirat që vinin nga Perëndia. Romakët duhej ta imitonin, e po ashtu edhe ne.​—Rom. 15:15, 16.

17. Ç’lloj jete mund të kemi nëse ‘mbajmë mendjen te fryma’?

17 Cili do të jetë rezultati po të mbetemi të përqendruar te gjërat frymore? Romakëve 8:6 përgjigjet qartë: ‘Ta mbash mendjen te fryma do të thotë jetë dhe paqe.’ Kjo nënkupton të lejojmë që mendja jonë të ndikohet dhe të jetë nën kontrollin e frymës së shenjtë, si edhe të jemi në harmoni me Perëndinë dhe me mendimet e tij. Mund të jemi të sigurt që, nëse «fryma» është vërtet boshti i jetës sonë, do të kemi sot një jetë domethënëse që na mbush me kënaqësi. Gjithashtu, shpërblimi që do të gëzojmë pafundësisht është jeta e përhershme, qoftë në qiell a në tokë.

18. Si mund të kemi paqe kur ‘mbajmë mendjen te fryma’?

18 Le të meditojmë për garancinë se ‘ta mbash mendjen te fryma do të thotë paqe’. Shumë njerëz luftojnë që të gjejnë paqe mendore. Ndërkohë që ata kërkojnë me etje paqe të brendshme, ne tashmë e gëzojmë këtë paqe. Një aspekt i saj vjen nga fakti që bëjmë çmos të jemi në paqe me pjesëtarët e familjes dhe të kongregacionit. Me gjykim të shëndoshë, mbajmë parasysh se edhe ne, edhe motrat e vëllezërit tanë jemi të papërsosur. Si pasojë, herë pas here mund të lindin probleme. Nëse ndodh kjo, kemi mësuar të ndjekim këshillën e Jezuit: «Bëj . . . paqe me vëllanë tënd.» (Mat. 5:24) Kur mbajmë ndër mend se edhe vëllai a motra i shërben ‘Perëndisë që jep paqe’, e kemi më të lehtë këtë.​—Rom. 15:33; 16:20.

19. Cilën paqe të veçantë mund të gëzojmë si rrjedhojë e gjërave ku mbajmë mendjen?

19 Veç kësaj, është edhe një paqe tjetër që ka vlerë të pallogaritshme. Kur ‘mbajmë mendjen te fryma’ gëzojmë paqe me Krijuesin tonë. Isaia shkroi këto fjalë që zbatoheshin për kohën e tij, por që po plotësohen në një shkallë akoma më të madhe sot: «Ata që kanë një zemër të patundur, ti [Jehova] do t’i ruash në paqe të vazhdueshme, sepse te ti tregojnë besim.»​—Isa. 26:3; lexo Romakëve 5:1.

20. Pse je mirënjohës për këshillën që jepet në kapitullin 8 të Romakëve?

20 Prandaj, pavarësisht nëse jemi të mirosur me frymë apo kemi shpresën të jetojmë përherë në tokën parajsore, mund të jemi mirënjohës për këshillën e frymëzuar në kapitullin 8 të Romakëve. Sa shumë e vlerësojmë nxitjen për të mos lejuar që «mishi» të bëhet gjëja kryesore në jetën tonë! Në vend të kësaj, e kuptojmë sa e mençur është të jetojmë sipas kësaj garancie që na jep Perëndia: ‘Ta mbash mendjen te fryma do të thotë jetë dhe paqe.’ Nëse veprojmë kështu, shpërblimi do të jetë i përhershëm, sepse Pavli shkroi: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»​—Rom. 6:23.