Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i shpërblen ata që e kërkojnë me ngulm

Jehovai i shpërblen ata që e kërkojnë me ngulm

«Kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»​—HEBR. 11:6.

KËNGËT: 85, 134

1, 2. (a) Ç’lidhje ka mes dashurisë dhe besimit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

E DUAM Jehovain ‘sepse ai na deshi i pari’. (1 Gjon. 4:19) Një shprehje e dashurisë së ngrohtë të Jehovait është që ka marrë iniciativën t’i bekojë shërbëtorët e tij besnikë. Sa më shumë e duam Perëndinë tonë, aq më shumë na forcohet besimi—jo vetëm besimi se ai ekziston, por edhe se i shpërblen përherë ata që i do.​—Lexo Hebrenjve 11:6.

2 Jehovai është person shpërblyes, dhe kjo është pjesë e pandarë e personalitetit të tij dhe e asaj që bën. Nëse nuk kemi bindje të patundur se Perëndia do t’i shpërblejë ata që e kërkojnë me ngulm, besimi ynë nuk është i plotë, sepse «besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara». (Hebr. 11:1) Po, besimi përfshin t’i presim të sigurt bekimet që ka premtuar Perëndia. Por, si na sjell dobi shpresa se do të marrim një shpërblim? Si i ka shpërblyer Jehovai shërbëtorët e tij qoftë në të kaluarën, qoftë në ditët tona? Le të shohim.

JEHOVAI PREMTON T’I BEKOJË SHËRBËTORËT E TIJ

3. Cili premtim na jepet te Malakia 3:10?

3 Perëndia Jehova e ka vënë veten nën detyrimin që t’i shpërblejë shërbëtorët e tij besnikë, prandaj na fton të përpiqemi fort që ta marrim bekimin e tij. Në Shkrime lexojmë: «Ju lutem, më vini në provë, . . .​—ka thënë Jehovai i ushtrive,—​po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.» (Mal. 3:10) Kur e pranojmë këtë ftesë bujare të Jehovait tregojmë çmueshmëri dhe mirënjohje të thellë.

4. Pse mund të kemi besim të plotë te premtimi i Jezuit i dokumentuar te Mateu 6:33?

4 Jezui i siguroi dishepujt e tij se po të vinin në vend të parë Mbretërinë, Perëndia do t’i mbështeste. (Lexo Mateun 6:33.) Jezui ishte plotësisht i sigurt për këtë premtim pasi bazohej te fakti që Jehovai ka treguar gjithmonë se është i besueshëm. Ai e dinte mirë se premtimet e Perëndisë nuk mbeten kurrë pa u plotësuar. (Isa. 55:11) Kështu, edhe ne mund të jemi të sigurt se po të tregojmë besim me gjithë zemër te Jehovai, ai do ta mbajë këtë premtim: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebr. 13:5) Këtë deklaratë të Jehovait mund ta lidhim me fjalët e Jezuit për të kërkuar në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.

Jezui tregoi se dishepujt e tij do të shpërbleheshin për sakrificat (Shih paragrafin 5.)

5. Pse na e forcon besimin përgjigjja që i dha Jezui Pjetrit?

5 Në një rast apostulli Pjetër e pyeti Jezuin: «Ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. Vallë, ç’do të ketë për ne?» (Mat. 19:27) Në vend që ta qortonte Pjetrin për atë pyetje, Jezui u tha dishepujve se do të shpërbleheshin për sakrificat e tyre. Apostujt besnikë dhe të tjerë do të qeverisin bashkë me të në qiell. Por edhe tani shijojmë shpërblime. Jezui tha: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.» (Mat. 19:29) Bekimet që do të merrnin dishepujt e tij tejkalonin jashtë mase çfarëdo sakrifice që mund të bënin. A nuk janë baballarët, nënat, vëllezërit, motrat dhe fëmijët që kemi falë së vërtetës shumë më të çmuar se çdo gjë nga e cila kemi hequr dorë për hir të Mbretërisë?

«NJË SPIRANCË PËR SHPIRTIN»

6. Pse Jehovai u premton një shpërblim adhuruesve të tij?

6 Duke u premtuar një shpërblim adhuruesve të tij, Jehovai u jep mbështetje gjatë sprovave të integritetit. Përveçse gëzojnë tani bekime të pasura frymore, shërbëtorët besnikë të Perëndisë Jehova presin me zjarr bekimet akoma më të mëdha të së ardhmes. (1 Tim. 4:8) Po, bindja e patundur se Jehovai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm» do të na ndihmojë të qëndrojmë të palëkundur në besim.​—Hebr. 11:6.

7. Në ç’mënyrë shërben si spirancë shpresa?

7 Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.» (Mat. 5:12) Jo vetëm shpërblimi që do të marrin në qiell disa, por edhe shpresa e jetës së përhershme në tokën parajsore është vërtet arsye që ‘të gëzojmë dhe të hovim nga gëzimi’. (Psal. 37:11; Luka 18:30) Shpresa jonë, qoftë në qiell a në tokë, mund të shërbejë si ‘një spirancë për shpirtin, e sigurt dhe e patundur njëkohësisht’. (Hebr. 6:17-20) Ashtu si spiranca që e mban në vend anijen gjatë një stuhie, shpresa e sigurt për një shpërblim mund të na ndihmojë të mbajmë ekuilibrin nga ana emocionale, mendore dhe frymore. Ajo mund të na ndihmojë të kemi forcë që t’u bëjmë ballë vështirësive.

8. Pse themi që shpresa ka fuqi të lehtësojë ankthin?

8 Shpresa jonë e bazuar në Bibël ka fuqi të na lehtësojë ankthin sot. Premtimet e Perëndisë veprojnë si balsam që na qetëson zemrën e mbushur me ankth. Sa ngushëlluese është ‘t’ia hedhim barrën Jehovait’, duke qenë të sigurt se ‘ai do të na mbështetë’! (Psal. 55:22) Mund të jemi plotësisht të bindur se Perëndia mund të bëjë «shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne». (Efes. 3:20) Imagjino pak: mund të bëjë jo thjesht shumë, as tepër, por «shumë më tepër»!

9. Sa të sigurt mund të jemi se Jehovai do të na bekojë?

9 Për të marrë shpërblimin, duhet të tregojmë besim të plotë te Jehovai dhe t’u bindemi udhëzimeve që na jep. Moisiu i tha kombit të Izraelit: «Jehovai do t’ju bekojë në vendin që Jehovai, Perëndia juaj, po jua jep si trashëgimi, vetëm me kusht që ta dëgjoni zërin e Jehovait, Perëndisë tuaj, e të zbatoni me kujdes gjithë këto urdhërime që po ju jap sot. Sepse Jehovai, Perëndia juaj, do t’ju bekojë vërtet, sikurse ju premtoi.» (Ligj. 15:4-6) A je absolutisht i bindur se Jehovai do të të bekojë nëse vazhdon t’i shërbesh me besnikëri? Pa dyshim, ke arsye të forta që të jesh i bindur për këtë.

JEHOVAI ISHTE SHPËRBLYESI I TYRE

10, 11. Si e shpërbleu Jehovai Jozefin?

10 Bibla u shkrua për dobinë tonë. Brenda faqeve të saj ka plot shembuj që tregojnë si i shpërblente Perëndia shërbëtorët besnikë. (Rom. 15:4) Një shembull që spikat është Jozefi. Nga një komplot që thurën vëllezërit e tij dhe më vonë nga pabesia e gruas së pronarit, ai përfundoi në një burg të Egjiptit. A e shkëputi kjo nga Perëndia i tij? Aspak! «Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin dhe i tregonte dashamirësi. . . . Jehovai ishte me Jozefin dhe çdo gjë që bënte, Jehovai ia binte mbarë.» (Zan. 39:21-23) Gjatë atyre kohëve të mundimshme, Jozefi priti me durim Perëndinë e tij.

11 Vite më vonë, faraoni e liroi nga burgu Jozefin dhe e bëri atë skllav të thjeshtë sundimtarin e dytë për nga rëndësia në Egjipt. (Zan. 41:1, 37-43) Kur i lindën dy djem, «Jozefi e quajti të parëlindurin Manase, sepse, siç thoshte ai: ‘Perëndia më ka bërë të harroj gjithë telashet e mia dhe gjithë shtëpinë e tim eti.’ Të dytin e quajti Efraim, sepse, siç thoshte ai: ‘Perëndia më ka bërë të frytshëm në vendin e brengës sime.’» (Zan. 41:51, 52) Ngaqë Jozefi i qëndroi besnik, Perëndia e shpërbleu me bekime që i dhanë mundësi t’u shpëtonte jetën edhe izraelitëve, edhe egjiptianëve. Ajo që vlen të theksohet është: Jozefi e dalloi se ishte Jehovai ai që e shpërbleu dhe e bekoi.​—Zan. 45:5-9.

12. Çfarë e ndihmoi Jezuin të qëndronte besnik në sprova?

12 Edhe Jezu Krishti vazhdoi t’i bindej Perëndisë në mjaft sprova besimi, dhe Jehovai e shpërbleu. Çfarë e ndihmoi të qëndronte besnik? Fjala e Perëndisë shpjegon: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin.» (Hebr. 12:2) Patjetër që Jezui ndiente gëzim që kishte mundësi të shenjtëronte emrin e Perëndisë. Veç kësaj, u shpërblye me miratimin e Atit të tij dhe me plot privilegje të mrekullueshme. Bibla tregon se ai «është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë». Dhe në një varg tjetër thotë: «Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër.»​—Filip. 2:9.

JEHOVAI NUK E HARRON ATË QË BËJMË

13, 14. Si ndihet Jehovai për atë që bëjmë për të?

13 Mund të jemi të sigurt se Jehovai çmon çdo përpjekje që bëjmë për t’i shërbyer. Ai kupton çdo pasiguri ose mosbesim që mund të kemi te vetja. Na tregon dhembshuri kur na pushton ankthi nga vështirësitë ekonomike ose kur problemet shëndetësore a emocionale na kufizojnë në shërbimin e shenjtë. E mund të jemi plotësisht të sigurt se Jehovai e vëren atë që bëjnë shërbëtorët e tij për t’i qëndruar besnikë dhe i ngrohet zemra.​—Lexo Hebrenjve 6:10, 11.

14 Gjithashtu, të mbajmë në mend se mund t’i afrohemi ‘Dëgjuesit të lutjes’ të sigurt se do t’u kushtojë vëmendje shqetësimeve tona. (Psal. 65:2) «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» do të na japë dorëhapur mbështetjen emocionale dhe frymore që na nevojitet, ndoshta duke përdorur bashkadhuruesit tanë. (2 Kor. 1:3) Jehovai preket në zemër kur u tregojmë dhembshuri të tjerëve. «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» (Prov. 19:17; Mat. 6:3, 4) Pra, kur i ndihmojmë me altruizëm ata që janë në vështirësi, Jehovai e sheh veprën tonë të mirë si një hua që ia japim Atij. Dhe premton të na shpërblejë për këtë dashamirësi.

SHPËRBLIME SOT DHE NË PËRJETËSI

15. Cilat shpërblime pret me padurim? (Shih figurën hapëse.)

15 Të krishterëve të mirosur me frymë u jep forcë shpresa se i pret ‘kurora e drejtësisë, të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë, do t’ua japë si shpërblim atë ditë’. (2 Tim. 4:7, 8) Megjithatë, nëse Perëndia të ka dhënë një shpresë tjetër, shpërblimi yt s’do të jetë i mangët. Miliona «dele të tjera» të Jezuit presin me padurim shpërblimin që të jetojnë përgjithmonë në të ardhmen në tokën parajsore. Atje «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund».​—Gjoni 10:16; Psal. 37:11.

16. Si na e ngrohin zemrën fjalët e 1 Gjonit 3:19, 20?

16 Nganjëherë, mund të ndihemi sikur po bëjmë fare pak ose mund të na brejë dyshimi nëse Jehovai është i kënaqur me përpjekjet tona. Madje mund të dyshojmë se nuk jemi të denjë për asnjë lloj shpërblimi. Por, le të mos harrojmë kurrë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (Lexo 1 Gjonit 3:19, 20.) Ai shpërblen çdo vepër shërbimi të shenjtë që buron prej një zemre të motivuar nga besimi dhe dashuria, pavarësisht sa e papërfillshme mund t’i duket atij që e bën këtë sakrificë.​—Mar. 12:41-44.

17. Cilat janë disa shpërblime që gëzojmë sot?

17 Edhe në këto ditë të fundit të errëta të sistemit të lig të Satanait, Jehovai po e bekon popullin e tij. Ai sigurohet që adhuruesit e vërtetë të lulëzojnë në parajsën e tyre frymore me një bollëk të paparë. (Isa. 54:13) Ashtu siç premtoi Jezui, Jehovai na shpërblen sot duke na dhënë mundësi të jemi pjesë e një familjeje të dashur me vëllezër e motra në besim, një familje me përmasa ndërkombëtare. (Mar. 10:29, 30) Veç kësaj, ata që e kërkojnë me ngulm Perëndinë shpërblehen me paqe mendore, kënaqësi dhe lumturi, që janë bekime të pakrahasueshme.​—Filip. 4:4-7.

18, 19. Si ndihen shërbëtorët e Jehovait për shpërblimet që marrin?

18 Shërbëtorët e Jehovait përqark botës mund të dëshmojnë për shpërblimet e mrekullueshme që marrin nga ai. Për shembull, Bianka nga Gjermania thotë: «S’do ta falënderoj dot kurrë Jehovain sa duhet që më ndihmon të përballoj shqetësimet e që më rri pranë çdo ditë. Bota është në kaos dhe në gjendje të zymtë. Por, ndërsa bashkëpunoj nga afër me Jehovain, ndihem e sigurt në krahët e tij. Sa herë që bëj sakrifica për të, ai më bekon njëqindfish.»

19 Ose mendo pak për Paulën 70-vjeçare në Kanada që është tepër e kufizuar nga sëmundja e shpinës së ndarë. Ajo shprehet: «Lëvizjet e kufizuara nuk do të thonë medoemos shërbim i kufizuar. Unë shfrytëzoj format e ndryshme të shërbimit, si dëshmia me telefon dhe dëshmia joformale. Për t’u inkurajuar, mbaj një bllok me shkrime dhe mendime nga botimet tona që mund ta shoh herë pas here. E quaj ‘Blloku i mbijetesës’. Nëse përqendrohemi te premtimet e Jehovait, shkurajimi është kalimtar. Jehovai është gjithmonë gati të na ndihmojë, pavarësisht nga rrethanat ku ndodhemi.» Situata jote mund të jetë krejt ndryshe nga ajo e Biankës ose e Paulës. Sidoqoftë, patjetër që të vijnë ndër mend mënyra si të ka shpërblyer Jehovai ty dhe ata që ke pranë. Sa mirë është të bluash në mend mënyrat si po të shpërblen Jehovai sot dhe si do të të shpërblejë në të ardhmen!

20. Çfarë mund të presim me padurim nëse vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë shpirt?

20 Kurrë mos harro se lutjet e tua me gjithë zemër dhe lirshmëria kur flet me Perëndinë në lutje ‘do të sjellin një shpërblim të madh’. Mund të jesh i sigurt se ‘pasi të kesh bërë vullnetin e Perëndisë, do të marrësh përmbushjen e premtimit’. (Hebr. 10:35, 36) Prandaj, le të vazhdojmë ta forcojmë besimin tani dhe të përpiqemi me gjithë shpirt si për Jehovain. Mund ta bëjmë këtë me sigurinë se do të marrim nga Jehovai shpërblimin e duhur.​—Lexo Kolosianëve 3:23, 24.