Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kam shpresë te Perëndia»

«Kam shpresë te Perëndia»

«Adami i fundit u bë një frymë jetëdhënëse.»​—1 KOR. 15:45.

KËNGËT: 151, 147

1-3. (a) Çfarë duhet të përfshijmë mes bindjeve tona themelore? (b) Pse është kaq e rëndësishme ringjallja? (Shih figurën hapëse.)

SIKUR të të pyetnin «cilat janë mësimet kryesore të besimit tënd?», çfarë do të thoshe? Patjetër që do të theksoje se Jehovai është Krijuesi dhe Jetëdhënësi. Ka shumë mundësi të përmendje edhe besimin tënd te Jezu Krishti, i cili vdiq si një shpërblesë. Pastaj plot kënaqësi do të shtoje se presim që toka të bëhet parajsë, ku do të jetojë përgjithmonë populli i Perëndisë. Por, a do të përmendje edhe ringjalljen si një nga bindjet më të çmuara për ty?

2 Kemi arsye të forta që ta përfshijmë ringjalljen mes mësimeve tona kryesore, edhe nëse personalisht shpresojmë të mbijetojmë në shtrëngimin e madh dhe të jetojmë përgjithmonë në tokë. Apostulli Pavël tregoi pse ringjallja është thelbësore për besimin tonë. Ai tha: «Nëse në të vërtetë nuk ka ringjallje të të vdekurve, atëherë as Krishti nuk është ngritur.» Sikur të mos ishte ringjallur, Krishti nuk do të ishte Mbreti ynë në fron, dhe mësimi ynë për mbretërimin e tij do të ishte një mësim bosh. (Lexo 1 Korintasve 15:12-19.) Mirëpo ne e dimë se Jezui u ringjall. Kjo bindje na dallon nga saducenjtë judenj, që e mohonin me forcë se të vdekurit mund të ringjallen. Madje edhe kur na tallin, besimi ynë te ringjallja mbetet i patundur.​—Mar. 12:18; Vep. 4:2, 3; 17:32; 23:6-8.

3 Kur shkroi për «doktrinën fillestare lidhur me Krishtin», Pavli përfshiu edhe «mësimin për . . . ringjalljen e të vdekurve». (Hebr. 6:1, 2) Veç kësaj, Pavli e vuri theksin te ringjallja si një nga gjërat ku besonte. (Vep. 24:10, 15, 24, 25) Ama fakti që ringjallja është një doktrinë fillestare, një nga «gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë», nuk do të thotë se është një mësim i cekët. (Hebr. 5:12) Pse?

4. Cilat pyetje mund të lindin rreth ringjalljes?

4 Shpesh ata që fillojnë të studiojnë Biblën, lexojnë për ringjallje që ndodhën në të kaluarën, si tregimi për ringjalljen e Lazarit. Po ashtu, mësojnë se Abrahami, Jobi dhe Danieli ishin të sigurt se të vdekurit do të jetonin sërish në të ardhmen. Megjithatë, si do të përgjigjeshe po të të kërkonin prova se premtimet për ringjalljen janë të vlefshme edhe shumë vjet, a madje shumë shekuj, pasi janë bërë? Gjithashtu, a e tregon vërtet Bibla kur do të ndodhë ringjallja? Këto aspekte ndikojnë te besimi ynë, prandaj le të shohim çfarë na zbulojnë Shkrimet.

NJË RINGJALLJE PAS SHEKUJSH

5. Te cili aspekt i ringjalljes do të ndalemi në fillim?

5 Mund të jetë e lehtë të përfytyrojmë kthimin në jetë të dikujt që ka vdekur nga pak kohë. (Gjoni 11:11; Vep. 20:9, 10) Por, ç’të themi për një premtim se dikush do të ringjallet vite, a madje edhe shekuj, në të ardhmen? A mund t’i besosh këtij premtimi afatgjatë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për dikë që ka vdekur nga pak çaste apo nga një kohë e gjatë? Në fakt, një ringjallje ndodhi vërtet shekuj pasi ishte premtuar, dhe ti ke treguar besim tek ajo. Në ç’mënyrë? Dhe si lidhet kjo me shpresën tënde për një ringjallje në të ardhmen?

6. Si u përfshi Jezui në plotësimin e Psalmit 118?

6 Psalmin 118, që disa mendojnë se e kompozoi Davidi, flitet për një ringjallje që u paratha shumë kohë para se të ndodhte. Atje gjendet ky përgjërim: «Të përgjërohem, o Jehova, na shpëto! . . . Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Jehovait!» Ka shumë mundësi që të kujtohet se njerëzit e cituan këtë fragment për Mesinë kur Jezui i hipur në një kërriç hyri në Jerusalem më 9 nisan, pak para se të vdiste. (Psal. 118:25, 26; Mat. 21:7-9) Por, si e nxirrte në pah Psalmi 118 se do të ndodhte një ringjallje në të ardhmen, shumë vjet më vonë? Të vërejmë çfarë thuhej tjetër në këtë psalm profetik: «Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes.»​—Psal. 118:22.

«Ndërtuesit e hodhën poshtë» Mesinë (Shih paragrafin 7.)

7. Deri në ç’pikë e hodhën poshtë judenjtë Jezuin?

7 «Ndërtuesit», krerët judenj, e hodhën poshtë Mesinë. Kjo ishte shumë më e rëndë sesa thjesht t’i kthenin shpinën Jezuit ose të mos e pranonin si Krishti. Shumë judenj e hodhën poshtë deri në atë pikë sa kërkuan me ngulm vdekjen e tij. (Luka 23:18-23) Po, ata patën gisht në vrasjen e Jezuit.

Jezui u ringjall që të bëhej «guri i qoshes» (Shih paragrafët 8, 9.)

8. Si mund të bëhej Jezui «guri i qoshes»?

8 Përderisa Jezuin e hodhën poshtë dhe e vranë, si mund të bëhej «guri i qoshes»? Kjo mund të ndodhte vetëm nëse kthehej prapë në jetë. Vetë Jezui e bëri këtë lidhje. Ai tregoi një ilustrim ku kultivuesit e një vreshti keqtrajtonin njerëzit që u dërgonte pronari, ashtu si izraelitët që keqtrajtonin profetët që u dërgonte Perëndia. Në fund, sipas ilustrimit, pronari dërgoi trashëgimtarin, birin e tij të dashur. A e pranuan birin e tij? Aspak. Kultivuesit arritën deri aty sa e vranë. Pas ilustrimit, Jezui citoi fjalët profetike të Psalmit 118:22. (Luka 20:9-17) Apostulli Pjetër bëri një lidhje të ngjashme kur foli me ‘krerët e judenjve, pleqtë dhe skribët e mbledhur në Jerusalem’. Ai u foli për ‘Jezu Krishtin, nazareasin, që ata e vunë në shtyllë, por që Perëndia e ngriti nga të vdekurit’. Fill pas kësaj, Pjetri tha qartë: «Ai është ‘guri që ju ndërtuesit e quajtët të pavlerë dhe që u bë guri i qoshes’.»​—Vep. 3:15; 4:5-11; 1 Pjet. 2:5-7.

9. Cilën ngjarje mbresëlënëse paratha Psalmi 118:22?

9 Pra, fjalët profetike të Psalmit 118:22 parathanë një ringjallje që do të ndodhte qindra vjet më vonë. Mesinë do ta hidhnin poshtë e do ta vritnin, por ai do të kthehej prapë në jetë që të bëhej guri i qoshes. Kështu, ky Bir i ringjallur u bë i vetmi ‘mes njerëzve që Perëndia i dha një emër, me anë të të cilit mund të shpëtojmë’.​—Vep. 4:12; Efes. 1:20.

10. (a) Çfarë u paratha në Psalmin 16:10? (b) Pse mund të jemi të sigurt se Psalmi 16:10 nuk u plotësua te Davidi?

10 Të shohim një varg tjetër ku parathuhej një ringjallje. Ai u plotësua mbi një mijë vjet pasi u shkrua. Ky fakt duhet të ta forcojë besimin se një ringjallje mund të ndodhë edhe shumë kohë pasi parathuhet ose premtohet. Te Psalmi 16, që e shkroi Davidi, lexojmë: «Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol, dhe nuk do të lejosh që shërbëtori yt besnik të shohë gropën.» (Psal. 16:10) Davidi nuk po thoshte se ai vetë nuk do të vdiste kurrë ose nuk do të përfundonte në Sheol, në varrin ku shkon gjithë njerëzimi. Fjala e Perëndisë e tregon qartë se Davidi u plak. Pasi vdiq, ai «u preh me paraardhësit e vet, dhe e varrosën në Qytetin e Davidit». (1 Mbret. 2:1, 10) Atëherë, për kë e ka fjalën Psalmi 16:10?

11. Kur e shtjelloi Pjetri Psalmin 16:10?

11 Shkrimet nuk na lënë në errësirë për këtë. Mbi një mijë vjet pasi u shkrua ky psalm dhe disa javë pasi vdiq e u ringjall Jezui, Pjetri foli para mijëra judenjve dhe prozelitëve për Psalmin 16:10. (Lexo Veprat 2:29-32.) Ai përmendi se Davidi me të vërtetë kishte vdekur dhe ishte varrosur. Dëgjuesit e tij e dinin këtë. Dhe Shkrimet nuk thonë se ndonjë prej tyre i vuri në diskutim fjalët e Pjetrit se Davidi ‘pa qysh përpara dhe foli për ringjalljen’ e Mesisë që do të vinte.

12. Si u plotësua Psalmi 16:10, dhe çfarë vërteton kjo për premtimin rreth ringjalljes?

12 Pjetri e përforcoi këtë pikë duke cituar fjalët e Davidit te Psalmi 110:1. (Lexo Veprat 2:33-36.) Falë arsyetimit të Pjetrit nga Shkrimet, turma e madhe u bind se Jezui ishte «edhe Zotëri, edhe Krisht». Ata pranuan se Psalmi 16:10 u plotësua kur Jezui u ringjall. Më vonë, apostulli Pavël përdori të njëjtin arsyetim me baza kur u foli judenjve në qytetin e Antiokisë në Pisidi. Arsyetimi i tij u la mbresa dhe donin të dëgjonin më shumë. (Lexo Veprat 13:32-37, 42.) Kjo duhet të na e forcojë edhe ne bindjen se ato profeci biblike për një ringjallje në të ardhmen dolën të besueshme, edhe pse kishin kaluar shekuj që nga koha kur u paratha ajo mrekulli.

KUR DO TË NDODHË RINGJALLJA?

13. Cila pyetje mund të lindë rreth ringjalljes?

13 Na inkurajon fakti që një ringjallje mund të ndodhë edhe shumë shekuj pasi premtohet. Mirëpo, dikush mund të pyesë: «A do të thotë kjo se mund të duhet të pres një kohë të gjatë që ta shoh njeriun tim të dashur? Kur do të ndodhë ringjallja që shpresoj unë?» Në fakt, Jezui u tha apostujve të tij se kishte gjëra që nuk i dinin e që nuk mund t’i dinin. Janë disa hollësi për ‘kohët ose stinët që Ati i ka vendosur me autoritetin e vet’. (Vep. 1:6, 7; Gjoni 16:12) Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi asnjë informacion për kohën kur do të ndodhë ringjallja.

14. Si ndryshonte ringjallja e Jezuit nga ringjalljet më të hershme?

14 Si një bazë për ta kuptuar këtë, le të kujtojmë cilat ringjallje u parathanë në Bibël. Patjetër që më e rëndësishmja është ringjallja e Jezuit. Sikur ai të mos ishte ringjallur, ne as që do të kishim shpresë t’i shihnim prapë njerëzit e dashur që kanë vdekur. Ata që u ringjallën para Jezuit, si për shembull nga Elija dhe nga Eliseu, nuk jetuan pafundësisht. Ata vdiqën prapë dhe përfunduan në varr. Krejt ndryshe, Jezui ‘është ngritur nga të vdekurit e nuk vdes më dhe vdekja nuk është më zot mbi të’. Në qiell, ai rron «në jetë të jetëve», pa vdekur kurrë.​—Rom. 6:9; Zbul. 1:5, 18; Kolos. 1:18; 1 Pjet. 3:18.

15. Pse është domethënëse që Jezui është «fryti i parë»?

15 Ringjallja e Jezuit ishte e para e atij lloji dhe, pa dyshim, është e para për nga rëndësia. (Vep. 26:23) Megjithatë, premtimi për t’u ringjallur në qiell si krijesë frymore nuk iu bë vetëm atij. Jezui i siguroi apostujt besnikë se do të qeverisnin me të në qiell. (Luka 22:28-30) Për të marrë këtë shpërblim, në fillim ata duhej të vdisnin. Pas kësaj, ashtu si Krishti, ata mund të ringjalleshin me trup frymor. Pavli shkroi se «Krishti është ngritur nga të vdekurit, si fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». Më tej Pavli tregoi se kishte edhe të tjerë që do të ringjalleshin për të jetuar në qiell, kur tha: «Secili sipas radhës: Krishti fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së Krishtit, ata që i përkasin atij.»​—1 Kor. 15:20, 23.

16. Çfarë të dhëne kemi për kohën e ringjalljes qiellore?

16 Kjo na jep një të dhënë për kohën e ringjalljes qiellore. Ajo do të ndodhte «gjatë pranisë së Krishtit». Prej kohësh, Dëshmitarët e Jehovait kanë provuar nga Shkrimet se qysh nga viti 1914 po jetojmë gjatë «pranisë» së premtuar të Jezuit. Jemi ende në këtë periudhë dhe tani fundi i këtij sistemi të lig është fare afër.

17, 18. Çfarë do të ndodhë me disa të mirosur gjatë pranisë së Krishtit?

17 Bibla shton këto hollësi për ringjalljen qiellore: «Nuk duam që të jeni në padije lidhur me ata që po flenë në gjumin e vdekjes. . . . Sepse, nëse besojmë që Jezui vdiq dhe u ngrit përsëri nga të vdekurit, po kështu edhe ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes . . . Perëndia do t’i sjellë në jetë bashkë me të. . . . Ne të gjallët që mbijetojmë deri në praninë e Zotërisë, nuk do t’u paraprijmë kurrsesi atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes, se Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, . . . e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët. Më pas, ne të gjallët që mbijetojmë, do të rrëmbehemi së bashku me ta në re, për të takuar Zotërinë në ajër, e kështu do të jemi përherë me Zotërinë.»​—1 Sel. 4:13-17.

18 Ringjallja e parë, ajo qiellore, do të ndodhte pasi të fillonte ‘prania’ e Krishtit. Të mirosurit që do të jenë gjallë në tokë gjatë shtrëngimit të madh ‘do të rrëmbehen në re’. (Mat. 24:31) Ata që ‘do të rrëmbehen’, nuk do të bien «në gjumin e vdekjes», domethënë nuk do të mbeten gjatë në gjumin e vdekjes. Ata ‘do të shndërrohen, në një çast, sa hap e mbyll sytë, gjatë trumbetës së fundit’.​—1 Kor. 15:51, 52.

19. Cilën «ringjallje më të mirë» presim në të ardhmen?

19 Sot shumica e të krishterëve besnikë nuk janë të mirosur dhe nuk kanë marrë thirrjen të shërbejnë në qiell me Krishtin. Në vend të kësaj, ata presin fundin e këtij sistemi të lig gjatë ‘ditës së Jehovait’. Askush nuk mund ta dijë momentin e saktë kur do të vijë ky fund, por dëshmitë tregojnë se është në prag. (1 Sel. 5:1-3) Pas kësaj, do të ndodhë një lloj tjetër ringjalljeje: ringjallja për të jetuar në tokën parajsore. Ata që do të kthehen në jetë, do të kenë perspektivën të bëhen njerëz të përsosur dhe të mos vdesin më kurrë. Patjetër që kjo do të jetë ‘një ringjallje më e mirë’ se ringjallja e atyre që u ngritën në të kaluarën​—kur «gratë i morën prapë të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes»—​por që më vonë vdiqën prapë.​—Hebr. 11:35.

20. Pse mund të kemi besim se ringjallja do të bëhet në mënyrë të organizuar?

20 Kur flet për ringjalljen qiellore, Bibla thotë se ata që do ta provojnë këtë ringjallje do të ngrihen «secili sipas radhës». (1 Kor. 15:23) Mund të kemi besim se edhe ringjallja tokësore do të ndodhë sipas një radhe, në mënyrë të organizuar. Kjo perspektivë mund të na ngacmojë kureshtjen. A do të ringjallen aty nga fillimi i Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit ata që vdiqën në ditët tona, e kështu t’i mirëpresin njerëzit e dashur që i njihnin? A do të kthehen në jetë herët burrat besnikë të lashtësisë me aftësi drejtuese, që të ndihmojnë në organizimin e popullit të Perëndisë në botën e re? Po ata që nuk i shërbyen kurrë Jehovait? Kur dhe ku do të ringjallen? Mund të na lindin sa e sa pyetje. Por, sinqerisht, a ka vërtet nevojë të vrasim mendjen për këto gjëra sot? A s’është më mirë që thjesht të presim e të shohim? Mund të kemi besim se do të jetë drithëruese të shohim me sytë tanë si do t’u japë drejtim Jehovai këtyre çështjeve.

21. Çfarë shpreson ti për ata që janë në gjumin e vdekjes?

21 Deri sa të vijë ajo kohë, duhet të forcojmë besimin te Jehovai, i cili na siguroi nëpërmjet Jezuit se të vdekurit që janë në kujtesën e Tij do të kthehen në jetë. (Gjoni 5:28, 29; 11:23) Jezui dëshmoi se Jehovai ka aftësinë t’i ringjallë të vdekurit edhe kur tha për Abrahamin, Isakun e Jakobin: «Të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:37, 38) Ndërkohë, kemi arsye pa fund që, ashtu si Pavli, të themi: ‘Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje.’​—Vep. 24:15.