Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër​—Ndihmojini fëmijët të fitojnë ‘mençurinë që sjell shpëtimin’

Prindër​—Ndihmojini fëmijët të fitojnë ‘mençurinë që sjell shpëtimin’

«Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin.»—2 TIM. 3:15.

KËNGËT: 141, 134

1, 2. Pse mund të jenë në merak disa prindër kur fëmijët duan të hedhin hapat e kushtimit dhe të pagëzimit?

ÇDO vit, mijëra studentë të Biblës ia kushtojnë jetën Jehovait dhe pagëzohen. Shumë prej tyre janë fëmijë a të rinj që janë rritur në të vërtetën dhe kanë zgjedhur rrugën më të mirë në jetë. (Psal. 1:1-3) Nëse je një prind i krishterë, pa dyshim që mezi pret ditën kur djali a vajza jote të pagëzohet.​—Krahaso 3 Gjonit 4.

2 Megjithatë, mund të jesh në merak. Ndoshta ke parë të rinj që pagëzohen, por më vonë u lindin dyshime nëse është e mençur të jetojnë sipas normave të Perëndisë. Madje disa e kanë lënë udhën e së vërtetës. Prandaj, mbase je i shqetësuar se mos fëmija yt nis të ecë në udhën e krishterë, por më vonë ndryshon dhe e humb dashurinë që kishte në fillim për të vërtetën. Ai ose ajo mund të bëhet si disa në kongregacionin e shekullit të parë në Efes, të cilëve Jezui u tha këto fjalë: «E ke lënë dashurinë e fillimit.» (Zbul. 2:4) Ç’mund të bësh që ta shmangësh një përfundim të tillë dhe ta ndihmosh fëmijën ‘të rritet drejt shpëtimit’? (1 Pjet. 2:2) Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë shembullin e Timoteut.

«I KE NJOHUR SHKRIMET E SHENJTA»

3. (a) Cilat ishin rrethanat kur Timoteu u bë i krishterë, dhe si reagoi ndaj mësimeve të krishtere? (b) Cilat ishin tri aspekte të mësimit për të cilat e nxiti Pavli Timoteun?

3 Ka shumë mundësi që Timoteu ta ketë njohur krishterimin në vitin 47 të e.s., gjatë vizitës së parë të apostullit Pavël në Listër. Ndonëse ka të ngjarë që në atë kohë të ketë qenë adoleshent, Timoteu duhet të jetë dhënë me zell pas së vërtetës. Dy vjet më vonë u bë shok udhëtimi i Pavlit. Rreth 16 vite pas kësaj, Pavli i shkroi Timoteut: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje, duke ditur se nga cilët i mësove dhe se që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta [Shkrimet Hebraike], të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.» (2 Tim. 3:14, 15) Pra, Pavli përmend këto aspekte: (1) të njohësh shkrimet e shenjta, (2) të bindesh t’i besosh gjërat që mëson dhe (3) të fitosh mençurinë që sjell shpëtimin nëpërmjet besimit te Krishti Jezu.

4. Cilat mjete të duken të efektshme kur mëson fëmijët e tu të vegjël? (Shih figurën hapëse.)

4 Si prind i krishterë, ti dëshiron që fëmija yt të njohë shkrimet e shenjta, që sot përfshijnë Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke. Sipas aftësisë së tyre, edhe fëmijët fare të vegjël mund të marrin njohuri bazë për personazhe dhe ngjarje biblike. Organizata e Jehovait ka siguruar një sërë mjetesh që prindërit mund t’i përdorin për të ndihmuar fëmijët. A të vijnë ndër mend disa që janë në dispozicion në gjuhën tënde? Mos harro se njohuria për Shkrimet është themeli mbi të cilin ndërtohet një marrëdhënie e fortë me Jehovain.

«U BINDE TË BESOJE»

5. (a) Ç’do të thotë ‘të bindesh të besosh’? (b) Nga e dimë se Timoteu u bind ta besonte lajmin e mirë për Jezuin?

5 Njohuria për shkrimet e shenjta është e rëndësishme. Mirëpo, që t’i mësosh fëmijët për të vërtetën nuk mjafton thjesht t’u japësh njohuri për personazhe dhe ngjarje biblike. Timoteu edhe ‘u bind të besonte’. Në gjuhën origjinale, kjo shprehje do të thotë «të sigurohesh» ose «të të mbushet mendja dhe të jesh i sigurt se diçka është e vërtetë». Timoteu i njihte Shkrimet Hebraike që nga foshnjëria. Por erdhi një moment që u bind nga dëshmi të pakundërshtueshme se Jezui ishte Mesia. Me fjalë të tjera, njohuria e tij u përforcua nga bindja. Në fakt, siguria ose bindja e Timoteut për lajmin e mirë ishte aq e fortë sa u bë dishepull i pagëzuar dhe shoqëroi Pavlin në veprën misionare.

6. Si mund t’i ndihmosh fëmijët që të binden ta besojnë atë që mësojnë nga Fjala e Perëndisë?

6 Si t’i ndihmosh fëmijët që ta forcojnë këtë siguri, e kështu të binden të besojnë si Timoteu? Së pari, ji i duruar. Bindja nuk krijohet sa hap e mbyll sytë; as nuk trashëgohet automatikisht nga ti te fëmijët vetëm ngaqë ti je bindur të besosh. Secili fëmijë duhet të përdorë ‘fuqinë e vet për të arsyetuar’ që të zhvillojë bindjen për të vërtetën e Biblës. (Lexo Romakëve 12:1.) Ti si prind luan një rol të rëndësishëm në këtë proces, sidomos kur fëmija bën pyetje. Le të shohim një shembull.

7, 8. (a) Si tregon durim një baba i krishterë teksa mëson vajzën e tij? (b) Si e ke provuar ti vetë se është i nevojshëm një durim i tillë?

7 Tomasi, që ka një vajzë 11-vjeçare, tregon: «Ndonjëherë vajza mund të më bëjë pyetje të tilla, si: ‘A mund të ketë përdorur evolucionin Jehovai për të zhvilluar jetën në tokë?’ ose ‘Pse nuk përfshihemi edhe ne në komunitet​—si për shembull për zgjedhjet—​që të përpiqemi t’i përmirësojmë gjërat?’ Ndonjëherë më duhet të kafshoj gjuhën që të mos i jap një përgjigje dogmatike. Në fund të fundit, bindja nuk vjen si rezultat i një blloku të madh të së vërtetës. Ajo krijohet nga shumë copëza të vogla dëshmish.»

8 Siç e ka provuar edhe Tomasi, të mësosh fëmijën kërkon durim. Në fakt, durimi është i rëndësishëm për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë. (Kolos. 3:12) Tomasi e kupton se mund të duhen shumë biseda gjatë një periudhe kohe. I duhet të arsyetojë nga Shkrimet që vajza e tij të krijojë bindje për atë që mëson. Ai thotë: «Sidomos për çështje të rëndësishme, unë dhe gruaja duam të dimë nëse vajza jonë e beson vërtet atë që mëson dhe nëse i duket logjike. Nëse ka pyetje, është gjë e mirë. Të them të drejtën, do të shqetësohesha po ta pranonte diçka pa bërë pyetje.»

9. Si mund t’ua ngulitësh fëmijëve Fjalën e Perëndisë?

9 Ndërsa prindërit i mësojnë me durim, fëmijët do të fillojnë të kuptojnë gradualisht se cila është «gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia» e besimit. (Efes. 3:18) Mund t’i mësojnë në një mënyrë që përshtatet me moshën dhe aftësitë e tyre. Ndërsa zhvillojnë bindje për atë që mësojnë, do të jenë gjithnjë e më shumë në gjendje ta mbrojnë besimin para të tjerëve, përfshirë edhe shokët e shkollës. (1 Pjet. 3:15) Për shembull, a mund të shpjegojnë nga Bibla fëmijët tuaj çfarë ndodh kur dikush vdes? A u duket logjik shpjegimi i Biblës? * Po, duhet durim që t’i ngulitësh fëmijës Fjalën e Perëndisë, ama përpjekjet ia vlejnë.​—Ligj. 6:6, 7.

10. Cila duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e mësimdhënies sate?

10 Sigurisht, që fëmija ta forcojë bindjen është i rëndësishëm edhe shembulli yt. Stefania, që ka tri vajza, thotë: «Që kur vajzat ishin shumë të vogla, më është dashur të pyes veten: ‘A flas me fëmijët për arsyet pse unë jam e bindur se Jehovai ekziston, se na do dhe se udhët e tij janë të drejta? A e dallojnë qartë fëmijët se unë e dua vërtet Jehovain?’ S’mund të pres që fëmijët ta kenë këtë bindje nëse nuk jam e bindur unë.»

‘MENÇURIA QË SJELL SHPËTIMIN’

11, 12. Çfarë është mençuria, dhe pse mund të nxjerrim përfundimin se ajo nuk matet vetëm nga mosha?

11 Siç e pamë, Timoteu kishte (1) njohuri për Shkrimet dhe (2) bindje për ato që besonte. Por, çfarë donte të thoshte Pavli kur tha se nga shkrimet e shenjta Timoteu mund të fitonte ‘mençurinë që sjell shpëtimin’?

12 Në vëllimin 2 të botimit Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (anglisht) shpjegohet se në Bibël fjala «mençuri» ka kuptimin «aftësia për të përdorur me sukses njohurinë dhe kuptueshmërinë që të zgjidhësh probleme, që të shmangësh ose të parandalosh rreziqe, që të arrish disa synime ose që të këshillosh të tjerët si ta bëjnë këtë. Ajo është e kundërta e marrëzisë.» Bibla thotë se «marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali», ose të një fëmije. (Prov. 22:15) Është logjike, pra, që mençuria​—e kundërta e marrëzisë—​të jetë një tregues i pjekurisë. Pjekuria e krishterë nuk përcaktohet kryesisht nga mosha, por nga frika e shëndetshme ndaj Jehovait dhe nga gatishmëria për t’iu bindur urdhërimeve të tij.​—Lexo Psalmin 111:10.

13. Si mund të tregojë një i ri se ka mençurinë që sjell shpëtimin?

13 Të rinjtë që janë të krishterë të pjekur në një masë të arsyeshme ‘nuk lëkunden nga dallgët e nuk çohen andej-këtej’ nga dëshirat e tyre ose nga presioni i shoqërisë. (Efes. 4:14) Përkundrazi, ata përparojnë në ‘stërvitjen e aftësive perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebr. 5:14) Tregojnë se po përparojnë drejt pjekurisë duke marrë vendime të mençura​—edhe kur prindërit a të rritur të tjerë nuk i shohin. (Filip. 2:12) Kjo lloj mençurie është e nevojshme për të shpëtuar. (Lexo Proverbat 24:14.) Si mund t’i ndihmosh fëmijët ta fitojnë këtë mençuri? Pikësëpari, sigurohu që t’ua bësh të qarta fëmijëve vlerat e tua të bazuara në Bibël. Me fjalët dhe me shembullin tënd, tregoju se vlerat që gjenden në Fjalën e Perëndisë janë edhe vlerat e tua.​—Rom. 2:21-23.

Pse është e rëndësishme që prindi të përpiqet pareshtur? (Shih paragrafët 14-​18.)

14, 15. (a) Cilat çështje të rëndësishme duhet të shqyrtojë një i ri që po mendon të pagëzohet? (b) Si mund t’i ndihmosh fëmijët të meditojnë për bekimet që vijnë kur u binden ligjeve të Perëndisë?

14 Sidoqoftë, nuk mjafton thjesht t’u thuash fëmijëve çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Është mirë edhe t’i ndihmosh të arsyetojnë rreth pyetjeve të tilla si: «Pse i ndalon Bibla disa gjëra që mund të jenë tërheqëse për mishin? Çfarë më bind mua se normat e Biblës janë gjithmonë për të mirën time?»​—Isa. 48:17, 18.

15 Një fëmijë që shpreh dëshirën për t’u pagëzuar duhet ndihmuar që të arsyetojë edhe për një çështje tjetër​—si ndihet për përgjegjësitë që vijnë kur je shërbëtor i Perëndisë. Cilat janë dobitë? Cilat janë sakrificat? Pse mendon se dobitë janë ku e ku më të mëdha se sakrificat? (Mar. 10:29, 30) Dikush që pagëzohet ka shumë të ngjarë të përballet me këto çështje. Prandaj, është jetësore t’i peshojë mirë para se të hedhë këtë hap serioz. Kur i ndihmojmë fëmijët t’i shqyrtojnë thellë bekimet e bindjes dhe pasojat e mosbindjes, ka më shumë mundësi që të zhvillojnë një bindje të fortë. Bindje për çfarë? Se normat e Biblës janë gjithnjë për të mirën e tyre.​—Ligj. 30:19, 20.

KUR I RIU I PAGËZUAR KA NJË LUFTË TË BRENDSHME

16. Çfarë duhet të mbajnë parasysh prindërit nëse një fëmije të pagëzuar fillon t’i lëkundet besimi?

16 Por, ç’të themi nëse djali a vajza jote fillon të shprehë dyshime ca kohë pas pagëzimit? Për shembull, një adoleshent të pagëzuar mund të duket se e tërheqin gjërat e botës ose ndoshta nis të dyshojë nëse është e mençur të jetojë sipas parimeve biblike. (Psal. 73:1-3, 12, 13) Si prind, duhet të kuptosh se mënyra si reagon ti ndaj dyshimeve të djalit a vajzës mund të ndikojë te zgjedhja që do të bëjë fëmija: t’i afrohet udhës të së vërtetës apo të largohet prej saj. Ji i vendosur të mos i shpallësh luftë për këtë çështje, pavarësisht nëse është i vogël në moshë a është bërë adoleshent. Synimi yt duhet të jetë t’i sigurosh mbështetje të dashur dhe ta ndihmosh në një mënyrë që i fiton zemrën.

17, 18. Si mund ta ndihmojnë prindërit një të ri që ka dyshime?

17 S’diskutohet, një i ri që është pagëzuar ka bërë një betim solemn për t’iu kushtuar Jehovait. Ky kushtim është një premtim për ta dashur Perëndinë dhe për të vënë vullnetin e tij mbi çdo gjë tjetër. (Lexo Markun 12:30.) Jehovai nuk e merr lehtë këtë premtim, dhe askush që e ka bërë këtë premtim nuk duhet ta marrë lehtë. (Ekl. 5:4, 5) Kujtoja këto fakte fëmijës në një moment të përshtatshëm dhe në mënyrë të dashur. Por, para se ta bësh këtë, shfrytëzoji mirë materialet që ka siguruar organizata e Jehovait për prindërit. Kështu, mund të hedhësh themelin për të theksuar sa serioze është t’i kushtohesh Jehovait e të pagëzohesh dhe çfarë bekimesh vijnë nga kjo.

18 Për shembull, disa këshilla praktike mund të gjenden në shtojcën me titull «Prindërit pyesin . . . » në fund të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1. Aty thuhet: «Mos u nxitoni të nxirrni përfundimin se fëmija juaj ka hedhur poshtë besimin tuaj. Shpesh ka një arsye tjetër.» Një arsye mund të jetë presioni i shoqërisë. Arsye të tjera mund të jenë vetmia ose mendimi se të rinjtë e tjerë po ecin më mirë në të vërtetën. Më tej në shtojcë thuhet: «Është e qartë, pra, se arsye si këto s’kanë lidhje me bindjet tuaja fetare. Më shumë kanë lidhje me rrethanat që e bëjnë të vështirë praktikimin e fesë​—të paktën tani për tani.» Pastaj në shtojcë jepen disa sugjerime se si prindërit e krishterë mund ta ndihmojnë një të ri që po i lëkundet besimi.

19. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të fitojnë ‘mençurinë që sjell shpëtimin’?

19 Si prind, ke përgjegjësinë e madhe​—dhe privilegjin e madh—​që t’i rritësh fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Siç e pamë, për këtë nuk mjafton vetëm t’i mësosh çfarë thotë Bibla; duhet edhe t’i ndihmosh të zhvillojnë bindjen për atë që mësojnë. Vërtet, atyre u duhet një bindje aq e fortë sa t’i shtyjë t’ia kushtojnë jetën Jehovait dhe t’i shërbejnë me gjithë zemër. Fjala e Jehovait, fryma e tij dhe përpjekjet e tua si prind i ndihmofshin fëmijët e tu të fitojnë ‘mençurinë që sjell shpëtimin’!

^ par. 9 Udhëzuesit për studim të serisë «Çfarë mëson vërtet Bibla?» janë mjete të shkëlqyera për t’i ndihmuar si fëmijët, edhe të rriturit të kuptojnë e të shpjegojnë të vërtetat biblike. Ato gjenden në shumë gjuhë në sitin jw.org. Shko te MËSIME BIBLIKE > MJETE PËR STUDIMIN E BIBLËS.