Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

«Jehovai ka qenë i mirë» me ne

«Jehovai ka qenë i mirë» me ne

BASHKË me time shoqe Danielën, sapo ishim regjistruar në hotel kur recepsionistja më tha: «Zotëri, a mund të marrësh në telefon policinë kufitare të lutem?» Pak orë më parë, kishim mbërritur në Gabon, një shtet në Afrikën Perëndimore ku vepra jonë ishte e ndaluar në vitet 70.

Daniela, si gjithmonë mendjeshkathët, më pëshpëriti në vesh: «Mos u mundo kot të telefonosh policinë, tashmë kanë ardhur.» Tamam prapa nesh, përballë hotelit ndaloi një makinë. Ca minuta më vonë, na arrestuan të dyve. Por falë paralajmërimit të Danielës, pata kohë t’i besoja një vëllai disa dokumente.

Teksa na shoqëronin për në rajonin e policisë, mendoja sa i bekuar isha me një grua aq të guximshme që e donte Jehovain dhe organizatën. Ky ishte vetëm një nga rastet e shumta kur unë dhe Daniela bashkëpunuam si një skuadër. Më lejoni t’ju shpjegoj si ndodhi që po vizitonim disa shtete ku vepra jonë e predikimit ishte e kufizuar.

JEHOVAI MË HAPI SYTË ME DASHURI

Linda në një familje katolike të flaktë në vitin 1930, në Kruá, një qytet i vogël në veri të Francës. Familja ndiqte meshën çdo javë, dhe im atë ishte goxha aktiv në punët e kishës. Mirëpo, kur isha gati 14 vjeç, ndodhi diçka që më hapi sytë për të parë hipokrizinë e kishës.

Gjatë Luftës II Botërore, Franca ishte e pushtuar nga ushtria gjermane. Në fjalimet e tij, prifti na nxiste vazhdimisht të përkrahnim qeverinë pronaziste të Vishisë. Na tronditnin fjalimet e tij. Si shumë të tjerë në Francë, edhe ne dëgjonim fshehurazi radion BBC që transmetonte lajme për forcat aleate. Por në shtator të 1944-s, prifti ndërroi pllakë dhe organizoi një shërbesë falënderimi për avancimin e forcave aleate. Kjo gjë më skandalizoi dhe minoi besimin që kisha te kleri.

Pak pas luftës, babai vdiq. Motra ime e madhe ishte tashmë e martuar dhe jetonte në Belgjikë, ndaj ndihesha përgjegjës për nënën. Fillova punë në një fabrikë tekstili. Shefi im dhe djemtë e tij ishin katolikë të devotshëm. Edhe pse kisha të ardhme të shkëlqyer në kompaninë e tyre, shpejt do të përballesha me një sprovë.

Motra ime, Simona, që ishte bërë Dëshmitare, erdhi të na vizitonte në vitin 1953. Duke përdorur Biblën e saj, ajo demaskoi me mjeshtëri mësimet e rreme të Kishës Katolike për ferrin e zjarrtë, Trinitetin dhe pavdekësinë e shpirtit. Në fillim, debatova me të duke thënë se nuk po përdorte Biblën katolike, por shpejt u binda se po më thoshte të vërtetën. Më vonë më solli disa numra të vjetër të Kullës së Rojës, që i përpiva gjatë natës në dhomën time. Menjëherë e dallova tingullin e qartë të së vërtetës, ama kisha frikë se po të merrja anën e Jehovait do të humbja punën.

Për disa muaj, vazhdova ta studioja vetë Biblën dhe artikujt e Kullës së Rojës. Si përfundim, vendosa të shkoja në një Sallë Mbretërie. Më preku atmosfera e dashur në kongregacion. Pasi studiova Biblën për gjashtë muaj me një vëlla me përvojë, u pagëzova në shtator të 1954-s. Pa kaluar shumë, edhe nëna dhe motra ime e vogël u bënë Dëshmitare, dhe kjo më gëzoi.

MBËSHTETEMI TE JEHOVAI NË SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

Mjerisht, mamaja vdiq pak javë para kongresit ndërkombëtar të vitit 1958 në Nju-Jork, që pata privilegjin të ndiqja. Kur u ktheva, nuk kisha më përgjegjësi familjare, ndaj lashë punën dhe nisa shërbimin si pionier. Ndërkohë, u fejova me një pioniere të zellshme që quhej Daniela Dëli, e cila u bë gruaja ime e shtrenjtë në maj të 1959-s.

Daniela e kishte nisur shërbimin e plotkohor në Bretanjën rurale, larg familjes së saj. I duhej guxim për të predikuar në atë zonë katolike dhe për të udhëtuar me biçikletë nëpër fshatra. Edhe atë, ashtu si mua, e motivonte një ndjenjë e fortë urgjence; nuk e dinim sa shpejt do të vinte fundi. (Mat. 25:13) Fryma e saj vetëmohuese na ndihmoi të ngulmonim në shërbimin e plotkohor.

Pak ditë pasi u martuam na caktuan në veprën qarkore. U përshtatëm me kushte jetese mjaft të thjeshta. Kongregacioni i parë që vizituam kishte 14 lajmëtarë, dhe vëllezërit atje nuk kishin shumë mundësi të na strehonin. Prandaj fjetëm në dyshekë, në podiumin e Sallës së Mbretërisë. Nuk ishte fort e rehatshme ose ideale, por ishte fantastike për shpinën.

Vizitonim kongregacionet me makinën tonë të vogël

Pavarësisht nga programi ynë i ngjeshur, Daniela u përshtat mirë me veprën udhëtuese. Shpesh i duhej të më priste në makinën tonë të vogël pas një mbledhjeje të paplanifikuar me pleqtë, por megjithatë nuk ankohej kurrë. Kaluam vetëm dy vjet në veprën qarkore dhe gjatë asaj periudhe mësuam sa i rëndësishëm është për një çift komunikimi i hapur dhe bashkëpunimi si skuadër.—Ekl. 4:9.

SHIJOJMË CAKTIME TË REJA SHËRBIMI

Më 1962 na ftuan të ndiqnim kursin dhjetëmujor të klasës së 37-të të Shkollës së Galaadit në Bruklin, Nju-Jork. Nga 100 studentë, ishim vetëm 13 çifte, ndaj ndiheshim të privilegjuar që patëm mundësi ta ndiqnim shkollën bashkë. Ende sot e kujtoj me nostalgji shoqërinë me vëllezër që ishin shtylla të besimit si Frederik Franci, Ulises Glasi dhe Aleksandër Mekmillëni.

Sa të lumtur ishim që ndoqëm bashkë Shkollën e Galaadit!

Gjatë shkollës na nxitnin të zhvillonim aftësitë vëzhguese. Disa të shtuna pasdite kur mbaronte mësimi, stërvitja përfshinte vizita turistike në qytetin e Nju-Jorkut. E dinim se të hënën do të bënim një rishikim me shkrim për atë që kishim parë. Shpesh të shtunave në mbrëmje kur ktheheshim ishim të sfilitur, por ciceroni ynë, një bethelit, na bënte disa pyetje që të na ndihmonte të kujtonim gjërat kryesore për provimin me shkrim. Një të shtunë ecëm nëpër qytet gjithë pasditen. Vizituam një observator ku mësuam për meteorët dhe meteoritët. Kurse në Muzeun Amerikan të Historisë së Natyrës mësuam dallimin mes një aligatori dhe një krokodili. Pasi u kthyem në Bethel, ciceroni na pyeti: «Atëherë, cili është ndryshimi mes një meteori dhe një meteoriti?» Daniela ishte e lodhur dhe u përgjigj: «Po ja, meteoritët kanë dhëmbë më të gjatë.»

Kënaqeshim tek vizitonim motrat e vëllezërit besnikë në Afrikë

U habitëm shumë kur na caktuan në degën e Francës, ku shërbyem bashkë për më se 53 vjet. Më 1976, u emërova koordinator i Komitetit të Degës. Veç kësaj, u caktova të vizitoja shtete në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme ku vepra jonë e predikimit ishte e ndaluar ose e kufizuar. Kjo ishte arsyeja pse udhëtuam për në Gabon, ku ndodhi ajo që përmendëm në fillim. Të jem i sinqertë, nuk ndihesha gjithmonë i aftë për t’u kujdesur për këto përgjegjësi të papritura. Por Daniela ishte një ndihmë e çmuar që t’ia dilja mbanë në thuajse çfarëdolloj caktimi.

Duke përkthyer një fjalim të vëllait Teodor Xharaz në kongresin me temë «Drejtësia hyjnore» në Paris, 1988

PËRBALLOJMË BASHKË NJË SPROVË TË RËNDË

Që në fillim u dashuruam me jetën në Bethel. Daniela, që e kishte mësuar anglishten brenda pesë muajve para se të ndiqnim Galaadin, u bë një përkthyese e zonja e botimeve tona. Puna në Bethel na sillte shumë kënaqësi, ama përfshirja në aktivitetet e kongregacionit na e dyfishonte gëzimin. Kujtoj me mall kohën kur bashkë me Danielën merrnim metronë në Paris natën vonë. Ishim të lodhur, por shumë të lumtur që kishim drejtuar bashkë studime biblike që po përparonin. Mirëpo mjerisht, një përkeqësim i papritur i shëndetit, e pengoi Danielën të ishte aq aktive sa donte.

Më 1993 u diagnostikua me kancer në gji. Trajtimi mjekësor ishte shumë i fortë, dhe përfshinte ndërhyrje kirurgjikale e kimioterapi intensive. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, u diagnostikua përsëri me kancer, me një lloj kanceri më agresiv. Ama, ajo e çmonte aq shumë caktimin e saj si përkthyese, sa e rifillonte punën kur gjendja e saj stabilizohej.

Pavarësisht nga sëmundja e tmerrshme e Danielës, s’na shkoi kurrë ndër mend të linim Bethelin. Megjithatë, të jesh i sëmurë në Bethel ka vështirësitë e veta, sidomos nëse të tjerët nuk e dinë sa i rëndë është problemi. (Prov. 14:13) Edhe kur Daniela ishte në fund të të 70-ave, fytyra e saj e ëmbël dhe eleganca e natyrshme nuk e tregonin problemin e saj fizik. Ajo nuk mëshironte veten. Përkundrazi, përqendrohej për të ndihmuar të tjerët. E dinte se një vesh i vëmendshëm mund ta ndihmojë sa s’thuhet dikë që vuan. (Prov. 17:17) Daniela nuk e mbante kurrë veten për psikologe; gjithsesi, e përdorte përvojën e saj për të ndihmuar shumë motra të mos e kishin frikë kancerin.

Gjithashtu, na u desh të përballeshim me kufizime të tjera. Kur Daniela nuk punonte dot më në kohë të plotë, vuri synim të më mbështeste në mënyra të tjera. Ajo përpiqej fort të ma bënte jetën më të lehtë, dhe kjo më ndihmoi të vazhdoja të shërbeja si koordinator i Komitetit të Degës për 37 vjet. Për shembull, bënte gati çdo gjë që përditë të hanim drekë në dhomën tonë e të pushonim pak bashkë.—Prov. 18:22.

I MARRIM DITËT NJË E NGA NJË

Daniela ishte gjithmonë shumë optimiste dhe e donte jetën. Por më vonë u sëmur me kancer për herë të tretë. Na u prenë krahët. Seancat e kimioterapisë dhe të rrezeve e sfilitën aq shumë fizikisht, sa ndonjëherë mezi ecte. Më therte në zemër kur gruaja ime e dashur, një përkthyese e zonja, luftonte që të gjente fjalët.

Ndonëse ndiheshim goxha të pështjelluar, ngulmonim në lutje, të bindur se Jehovai nuk do të lejonte kurrë të vuanim përtej asaj që mund të mbanim. (1 Kor. 10:13) Gjithmonë bënim çmos të mbeteshim mirënjohës për ndihmën që na siguronte Jehovai me anë të Fjalës së tij, stafit mjekësor të Bethelit dhe mbështetjes së dashur të vëllezërve e motrave.

I luteshim shpesh Jehovait të na drejtonte se cilin trajtim të pranonim. Në njëfarë pike, ishim pa asnjë trajtim mjekësor. Mjeku që kishte ndjekur Danielën për 23 vjet nuk e kuptonte pse asaj i binte të fikët pas çdo seance kimioterapie. Nuk na jepte dot një alternativë. U ndiemë të braktisur dhe vritnim mendjen si do të shkonin gjërat. Pastaj një onkolog tjetër pranoi të kujdesej për Danielën. Ishte sikur Jehovai siguroi rrugëdaljen që të na ndihmonte të përballonim ankthin.

Mësuam ta përballonim ankthin duke i marrë ditët një e nga një. Siç tha Jezui, «secilës ditë i mjafton e keqja e vet». (Mat. 6:34) Një gjë tjetër që na ndihmoi, ishte pikëpamja pozitive dhe sensi i humorit. Për shembull, kur Daniela mbeti pa kimioterapi për dy muaj, me buzëqeshjen e saj çapkëne më tha: «E di, s’jam ndier ndonjëherë kaq mirë!» (Prov. 17:22) Me gjithë vuajtjet, ajo gjente kënaqësi tek praktikonte këngët e reja të Mbretërisë duke i kënduar me zë të sigurt.

Qëndrimi i saj pozitiv më ndihmoi të përballoja kufizimet e mia. Të them të vërtetën, në 57 vjet martesë, ajo ishte kujdesur për nevojat e mia. Nuk donte të më mësonte as si të skuqja vezët. Prandaj kur sëmundja e kufizoi shumë, m’u desh të mësoja si të laja enët e rrobat dhe si të përgatitja një vakt të thjeshtë. Gjatë kësaj kohe kam thyer ca gota, gjithsesi kam provuar shumë gëzim kur bëja gjëra për ta kënaqur. *

MIRËNJOHËS PËR DASHAMIRËSINË E JEHOVAIT

Kur kthej kokën pas, kuptoj që kam nxjerrë mësime me vlerë nga kufizimet që na kanë sjellë problemet shëndetësore dhe mosha e shkuar. Së pari, nuk duhet të jemi kurrë tepër të zënë për të treguar sa e çmojmë shoqen a shokun e jetës. Duhet t’i shfrytëzojmë sa më mirë vitet kur jemi plot energji që të kujdesemi për njerëzit tanë të dashur. (Ekl. 9:9) Së dyti, nuk duhet të shqetësohemi tepër për çikërrima. Përndryshe, mund të mos vërejmë bekimet e shumta që gëzojmë çdo ditë.—Prov. 15:15.

Kur reflektoj për jetën tonë në shërbimin e plotkohor, s’kam pikë dyshimi se Jehovai na ka bekuar përtej asaj që mund të kishim imagjinuar. Ndihem njësoj si psalmisti që tha: «Jehovai ka qenë i mirë me [mua].»​—Psal. 116:7.

^ par. 32 Motër Daniela Bokarti vdiq në moshën 78-vjeçare ndërsa ky artikull po përgatitej.