Pyetje nga lexuesit
Kur Satanai i tha Evës se nuk do të vdiste po të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, a po i shtinte në mendje idenë e pavdekësisë së shpirtit kaq të përhapur sot?
Me sa duket, jo. Djalli nuk i tha Evës se, po të hante frytin e ndaluar nga Perëndia, thjesht do të dukej sikur kishte vdekur dhe një pjesë e padukshme e saj (që disa sot e quajnë «shpirt i pavdekshëm») do të vazhdonte të jetonte diku tjetër. Me anë të gjarprit, Satanai i tha Evës se, po të hante nga fryti i asaj peme, ‘s’kishte për të vdekur aspak’. Ai la të kuptohej se ajo do të vazhdonte të jetonte e të gëzonte një jetë më të mirë në tokë, një jetë të pavarur nga Perëndia.—Zan. 2:17; 3:3-5.
Atëherë, nëse nuk e pati origjinën në kopshtin e Edenit, kur lindi doktrina e rreme e pavdekësisë së shpirtit që mësohet sot? Nuk mund ta themi me siguri. Ama dimë se të gjitha fetë e rreme u zhdukën gjatë Përmbytjes, në kohën e Noesë. Asnjë ide e rreme fetare nuk i mbijetoi Përmbytjes, sepse të vetmit që mbijetuan, ishin Noeja dhe familja e tij, të gjithë adhurues të vërtetë të Perëndisë.
Prandaj mësimi i pavdekësisë së shpirtit që njohim sot, duhet të ketë zënë fill pas Përmbytjes. Kur Perëndia ngatërroi gjuhët në Babel dhe njerëzit u shpërndanë «në mbarë faqen e dheut», pa dyshim që përhapën edhe idenë se njeriu ka shpirt të pavdekshëm. (Zan. 11:8, 9) Pavarësisht se kur zuri fill ky koncept i rremë, mund të jemi të sigurt se pas tij qëndronte «ati i gënjeshtrës», Satana Djalli, dhe se ai kënaqej kur shihte që ideja e tij përhapej gjithandej.—Gjoni 8:44.