Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Tregohu mirënjohës’

‘Tregohu mirënjohës’

A E NJEH veten për njeri mirënjohës? Secili prej nesh bën mirë të mendojë për këtë pyetje. Bibla paratha se në kohët tona, shumë njerëz do të ishin «mosmirënjohës». (2 Tim. 3:2) Ndoshta të ka rastisur të takosh njerëz që mendojnë se u takon me të drejtë çdo gjë, sikur të tjerët ua kanë për borxh. Mbase mendojnë se s’ka pse të tregohen mirënjohës për gjërat që marrin. A nuk je dakord se të rrish me njerëz të tillë, është acaruese?!

Krejt ndryshe, shërbëtorët e Jehovait nxiten: «Tregohuni mirënjohës.» (Kolos. 3:15) Në fakt, na bën mirë të zhvillojmë frymën e mirënjohjes. Ka një sërë arsyesh pse themi kështu.

MIRËNJOHJA DHE PIKËPAMJA E EKUILIBRUAR PËR VETEN

Një arsye e rëndësishme pse duhet të zhvillojmë frymën e mirënjohjes, është se na ndihmon të kemi një pikëpamje pozitive për veten. Kur e kemi zakon të falënderojmë, ka të ngjarë jo vetëm të ndihemi mirë me veten, por edhe tjetri ndihet mirë. Pse mirënjohja ka këtë efekt të dyanshëm? Po ja, shqyrto këtë shembull: kur sheh se të tjerët duan të bëjnë diçka për ty, a nuk të tregon se ke vlerë në sytë e tyre? Ata të kanë për zemër. Kur ndien dashurinë e tyre, ndihesh mirë me veten. Kjo ishte e vërtetë edhe në rastin e Ruthës. Boazi u tregua bujar me Ruthën. Pa dyshim, Rutha ishte shumë e lumtur kur pa se dikush kujdesej për të.—Rutha 2:10-13.

Është veçanërisht e rëndësishme të tregohemi mirënjohës ndaj Perëndisë. (1 Sel. 5:18) Me siguri që hera-herës ke menduar për gjithë dhuratat e mira që të ka dhënë dhe vazhdon të të japë Jehovai. (Ligj. 8:17, 18; Vep. 14:17) Por, në vend se të mendosh kalimthi për mirësinë e Perëndisë, pse të mos gjesh kohë të bluash në mendje bekimet e shumta që ai ka derdhur mbi ty dhe njerëzit e tu të dashur? Kur mediton për bujarinë e Krijuesit tënd, të shtohet çmueshmëria për të dhe siguria se ai të do e të çmon pa masë.—1 Gjon. 4:9.

Megjithatë duhet jo vetëm të mendosh për bujarinë e tij e të bluash në mendje bekimet që të ka dhënë, por edhe ta falënderosh Jehovain për mirësinë e tij. (Psal. 100:4, 5) Thuhet se «shprehja e mirënjohjes të ndihmon shumë të jesh më i lumtur».

MIRËNJOHJA FORCON MIQËSITË

Një arsye tjetër pse mirënjohja na bën mirë, është se ajo i forcon miqësitë. Të gjithë kemi nevojë të ndihemi të vlerësuar. Kur falënderon nga zemra dikë për një të mirë, të dy afroheni më shumë me njëri-tjetrin. (Rom. 16:3, 4) Veç kësaj, njerëzit mirënjohës janë më të prirur t’i ndihmojnë të tjerët. Ata e dallojnë mirësinë që u tregohet, e kjo i motivon të tregohen edhe ata të mirë. E të ndihmosh të tjerët sjell lumturi. Është tamam si tha Jezui: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Vep. 20:35.

Robert Emons, bashkëdrejtues i një studimi për mirënjohjen në Universitetin e Kalifornisë, theksoi këtë pikë: «Që të kemi sy mirënjohës, kërkon të dallojmë sa të ndërvarura janë rolet tona, ku herë jemi dhënës, e herë marrës.» E vërteta është se, në shumë aspekte, jeta jonë varet nga mbështetja që na japin të tjerët. Për shembull, ata mund të na sigurojnë ushqim ose të na japin ndihmë mjekësore. (1 Kor. 12:21) Një njeri mirënjohës e çmon gjithnjë atë që bëjnë të tjerët për të. Duke mbajtur parasysh këtë, a e ke zakon ta shprehësh mirënjohjen për atë që bëjnë të tjerët për ty?

MIRËNJOHJA DHE PIKËPAMJA PËR JETËN

Një arsye tjetër pse duhet të zhvillojmë mirënjohje, është se kjo na ndihmon të përqendrohemi më shumë në gjërat pozitive se në ato negative. Në njëfarë kuptimi, mendja punon si filtër, pasi të lejon të përqendrohesh në disa aspekte të gjërave përreth dhe bllokon të tjera. Kur je mirënjohës, priresh të shohësh gjërat pozitive dhe t’u kushtosh më pak vëmendje problemeve. Sa më mirënjohës je, aq më shumë të mira dallon, e kjo të bën edhe më mirënjohës. Kur e sheh jetën me sy mirënjohës, e ke më të lehtë të bësh siç nxiti apostulli Pavël: «Gëzoni përherë në Zotërinë!»—Filip. 4:4.

Do të zbulosh se mirënjohja ka vetinë të fshijë mendimet negative. Është e vështirë të jesh mirënjohës e njëkohësisht të jesh ziliqar, i trishtuar ose plot inat. Njerëzit mirënjohës zakonisht janë më pak materialistë. Ata i çmojnë gjërat që kanë dhe nuk u punon mendja vetëm për të marrë.—Filip. 4:12.

FOKUSOHU TE BEKIMET!

Si shërbëtor i Jehovait, e kupton se Satanai dëshiron të jesh zemërlëshuar dhe i demoralizuar nga vështirësitë e këtyre ditëve të fundit. Ai do të ishte i lumtur nëse zhvillon një frymë negative dhe ankuese. Si pasojë, mund të jesh më pak i efektshëm kur predikon lajmin e mirë. Në fakt, mirënjohja është e lidhur ngushtë me frytin e frymës së Perëndisë, ku përfshihet gëzimi për të mirat që të ka dhënë dhe besimi te gjithë premtimet e tij.—Gal. 5:22, 23.

Si adhurues i Jehovait, patjetër që je dakord me atë që thuhet për mirënjohjen në këtë artikull. Megjithatë e kupton se qëndrimi mirënjohës dhe optimist nuk vjen vetvetiu. Por mos u shkurajo. Ti mund të zhvillosh e të ruash një qëndrim mirënjohës. Si? Lër kohë çdo ditë të mendosh rreth disa aspekteve të jetës për të cilat mund të jesh mirënjohës. Sa më shumë ta bësh këtë, aq më kollaj do ta kesh të jesh mirënjohës. Kjo do të të bëjë shumë më të lumtur se ata që fokusohen te vështirësitë e jetës. Bluaj në mendje të mirat që bën Perëndia dhe të tjerët, të cilat ta ngrenë zemrën peshë e të falin kënaqësi. Madje mund të mbash edhe një ditar. Në të mund të shkruash dy a tri gjëra për të cilat ndihesh mirënjohës atë ditë.

Disa që kanë bërë studime për këtë çështje, thonë se «zakoni për ta shprehur mirënjohjen, mund të ndryshojë mënyrën se si neuronet krijojnë automatikisht modele më pozitive të menduari». Një njeri mirënjohës është më i lumtur. Prandaj fokusohu te bekimet, shijoji eksperiencat pozitive në jetë dhe shprehe mirënjohjen! Në vend se ta marrësh për të mirëqenë çdo gjë të mirë që gëzon në jetë, ‘falëndero Jehovain, se ai është i mirë’. Po, ‘tregohu mirënjohës’!—1 Kron. 16:34; Kolos. 3:15.