Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpiqu me gjithë shpirt në caktimin tënd!

Përpiqu me gjithë shpirt në caktimin tënd!

SI NDIHESH kur merr një letër inkurajuese nga një mik i dashur? Një letër të tillë mori dishepulli Timote nga apostulli Pavël. Këtë letër e njohim sot si Letra e dytë drejtuar Timoteut. Me siguri Timoteu mezi priste të gjente një vend të qetë që të lexonte fjalët e mikut të tij të shtrenjtë. Mbase po mendonte: «Si është Pavli? Mos ka ndonjë këshillë për caktimet e mia? A mund të më ndihmojë kjo letër të kem sukses në shërbim dhe t’u bëhem krah të tjerëve?» Siç do ta shohim, Timoteu gjeti në këtë letër të çmuar jo vetëm përgjigjet e këtyre pyetjeve, por edhe këshilla të tjera të vlefshme. Le të shohim disa prej tyre.

«VAZHDOJ TË DUROJ GJITHÇKA»

Që në fjalët e para të letrës, Timoteu mund të ndiente sa shumë merakosej Pavli për të. Me përzemërsi, ai e quante ‘bir të dashur’. (2 Tim. 1:2) Rreth vitit 65 të e.s. kur mori atë letër, Timoteu mund të ishte në të 30-at, por tashmë ishte një plak me përvojë. Ai kishte bashkëpunuar me Pavlin për më shumë se një dekadë dhe kishte mësuar goxha.

Timoteu duhet të jetë inkurajuar jashtë mase kur mori vesh se Pavli po i duronte sprovat me besnikëri. Pavli ishte i burgosur në Romë dhe e priste vdekja. (2 Tim. 1:15, 16; 4:6-8) Timoteu mund të dallonte qëndrimin e guximshëm të apostullit nga fjalët: «Vazhdoj të duroj gjithçka.» (2 Tim. 2:8-13) Ashtu si Timoteu, të gjithë ne mund të marrim forcë nga qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e Pavlit.

‘MBAJE TË NDEZUR SI ZJARR DHURATËN’

Pavli e nxiti Timoteun ta shihte caktimin e tij në shërbim të Perëndisë si një thesar. Ai donte që Timoteu ‘ta mbante të ndezur si zjarr dhuratën nga Perëndia’. (2 Tim. 1:6) Për fjalën e përkthyer «dhuratë», Pavli përdori fjalën greke khárisma që përcjell idenë e një dhurate falas, e cila i jepet dikujt që nuk e ka fituar dhe nuk e ka merituar. Timoteu e mori këtë dhuratë kur u zgjodh për një caktim të veçantë në kongregacion.—1 Tim. 4:14.

Çfarë duhej të bënte Timoteu me këtë dhuratë? Ndërsa lexonte shprehjen «ta mbash të ndezur si zjarr», mund të ketë menduar për një zjarr në vatër, nga i cili mbeteshin thjesht ca thëngjij. Që zjarri të rindizej e të lëshonte më shumë nxehtësi, thëngjijtë duheshin trazuar. Një fjalor thotë se folja greke që përdori Pavli (anazopyréo), mbart idenë «të rindezësh, të rigjallërosh, t’u frysh flakëve», pra në kuptimin e figurshëm, do të thotë të ngjallësh entuziazmin dhe zellin për diçka. Me fjalë të tjera, Pavli po e këshillonte Timoteun: ‘Përpiqu me gjithë shpirt në caktimin tënd!’ Edhe ne kemi nevojë të bëjmë të njëjtën gjë—të përpiqemi me zell në shërbimin tonë.

‘RUAJE KËTË GJË TË SHKËLQYER QË TË ËSHTË BESUAR’

Duke lexuar më tej letrën e mikut të tij të shtrenjtë, Timoteu hasi një shprehje tjetër që do ta ndihmonte të kishte sukses në shërbim. Pavli shkroi: «Këtë gjë të shkëlqyer që të është besuar, ruaje nëpërmjet frymës së shenjtë që është te ne.» (2 Tim. 1:14) Çfarë ishte ajo ‘gjë e shkëlqyer që i ishte besuar’ Timoteut? Një varg më sipër, Pavli përmendte ‘fjalët e dobishme’, pra të vërtetën që gjendet në Shkrime. (2 Tim. 1:13) Si shërbëtor i lajmit të mirë, Timoteu duhej t’u mësonte të vërtetën vëllezërve e motrave në kongregacion dhe njerëzve në territor. (2 Tim. 4:1-5) Veç kësaj, ai ishte emëruar plak që të kulloste kopenë e Perëndisë. (1 Pjet. 5:2) Thesarin që i ishte besuar—të vërtetën që duhej t’u mësonte të tjerëve—Timoteu mund ta ruante duke u mbështetur te fryma e shenjtë e Jehovait dhe te Fjala e tij.—2 Tim. 3:14-17.

Edhe ne sot na është besuar e vërteta, që e predikojmë dhe ua mësojmë të tjerëve në shërbim. (Mat. 28:19, 20) Mund ta ruajmë çmueshmërinë për këtë thesar që na është besuar, duke ngulmuar në lutje dhe duke e bërë zakon ta studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë. (Rom. 12:11, 12; 1 Tim. 4:13, 15, 16) Veç kësaj, mund të na jenë besuar edhe caktime të tjera, si për shembull, të shërbejmë si pleq ose në kohë të plotë. Caktime të tilla të çmuara duhet të na bëjnë të ndihemi të përulur e të na shtyjnë të mbështetemi te Jehovai për t’i përmbushur. Kështu mund ta ruajmë atë gjë të shkëlqyer që na është besuar.

«BESOJUA BURRAVE TË BESUESHËM»

Caktimet e Timoteut përfshinin edhe të stëviste të tjerë që të kryenin të njëjtën vepër. Ja pse Pavli e nxiti Timoteun: «Gjërat që dëgjove nga unë . . . besojua burrave të besueshëm, të cilët pastaj do të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.» (2 Tim. 2:2) Pra, Timoteu duhej edhe të mësonte nga vëllezërit, edhe t’u përcillte gjërat që kishte mësuar. Edhe sot është e rëndësishme që çdo mbikëqyrës në kongregacion të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Një mbikëqyrës i mirë nuk e mban për vete me xhelozi njohurinë se si kryhet një caktim. Përkundrazi, i mëson vëllezërit se si të bëhen të aftë ta kryejnë atë detyrë. Nuk ka frikë se mos të tjerët ia kalojnë për nga njohuria dhe aftësia. Prandaj nuk u mëson të tjerëve vetëm gjërat bazë të një caktimi. Ai dëshiron t’i ndihmojë ata që po stërvit, të jenë të matur dhe të zhvillojnë gjykim të thellë, domethënë të bëhen të krishterë të pjekur. Kështu, ‘burrat e besueshëm’ që ka stërvitur, do të jenë akoma më të dobishëm për kongregacionin.

Pa dyshim, ajo letër inkurajuese nga Pavli ishte shumë e çmuar për Timoteun. Mund ta imagjinojmë teksa i lexonte shumë e shumë herë këshillat e mençura dhe meditonte si t’i zbatonte sa më mirë në caktimet e tij.

Edhe ne duam t’ua vëmë veshin atyre këshillave. Si? Duke u përpjekur fort që ta mbajmë të ndezur si zjarr dhuratën tonë, duke e ruajtur thesarin që na është besuar dhe duke ua përcjellë të tjerëve përvojën e njohurinë që kemi fituar. Në këtë mënyrë, siç i shkroi Pavli Timoteut, mund ‘ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë’.—2 Tim. 4:5.