Pyetje nga lexuesit
Proverbat 24:16 thotë: «Edhe në rëntë i drejti shtatë herë, do të ngrihet përsëri.» A e ka fjalën ky varg për dikë që mëkaton shpesh por pastaj Perëndia e fal?
Jo, vargu nuk përcjell këtë ide. Këtu bëhet fjalë për dikë që ‘bie’ në kuptimin që has shpesh probleme ose vështirësi, dhe që ‘ngrihet’ në kuptimin që merr forcë t’u bëjë ballë.
Ta shohim vargun në kontekst: «O i pabesë, mos zër pusí afër shtëpisë së të drejtit, mos ia shkatërro vendin ku gjen prehje, se edhe në rëntë i drejti shtatë herë, do të ngrihet përsëri, kurse i ligu do të shembet përdhe nga të këqijat që do t’i bien. Mos gëzo kur armiku yt bie, dhe zemra jote të mos gëzohet kur ai rrëzohet.»—Prov. 24:15-17.
Disa mendojnë se vargu 16 flet për dikë që mund të kryejë mëkat, por pastaj rimëkëmbet. Siç shkruanin dy klerikë britanikë, «predikuesit në të kaluarën dhe sot e kanë përdorur gjerësisht» vargun 16 në këtë kuptim. Ata klerikë shtonin se ky shpjegim nënkupton që «një njeri i mirë mund të kryejë . . . mëkate të rënda, por nuk e humb kurrë dashurinë për Perëndinë dhe në çdo rast ngrihet prapë duke u penduar». Kjo pikëpamje mund t’i duket tëheqëse dikujt që nuk dëshiron t’i rezistojë tundimit për të mëkatuar. Ai mund të shkojë me mendimin se, edhe po të mëkatojë shpesh, Perëndia gjithmonë ka për ta falur.
Por nuk është kjo ideja që përcjell vargu 16.
Fjala hebraike e përkthyer «rëntë» dhe «bie» në vargjet 16 dhe 17 mund të përdoret në kuptime të ndryshme. Ajo mund të nënkuptojë një rënie ose rrëzim të mirëfilltë—si për shembull, një dem që rrëzohet në rrugë, dikush që bie nga tarraca ose një guralec që bie përtokë. (Ligj. 22:4, 8; Amo. 9:9) Kjo fjalë mund të përdoret edhe në kuptim të figurshëm, si në këtë shkrim: «Jehovai ia drejton hapat njeriut kur i sjell kënaqësi udha e tij. Edhe nëse bie, ai nuk do të shembet përtokë, sepse Jehovai e mban për dore.»—Psal. 37:23, 24; Psal. 62:2; Ekl. 4:10.
Gjithsesi, profesor Eduard Plamptri thekson këtë pikë: «Fjala hebraike e përkthyer [«bie; rënie»] nuk përdoret kurrë për rënien në një mëkat.» Prandaj një studiues tjetër e përmbledh kështu vargun 16: «Është e kotë dhe vetëshkatërruese të keqtrajtosh shërbëtorët e Perëndisë, se ata ia dalin gjithmonë—ndërsa të ligjtë jo!»
Me një fjalë, Proverbat 24:16 nuk flet për një rënie morale, pra për dikë që kryen mëkate, por për dikë që i bien halle a vështirësi, madje shumë e shumë herë. Në këtë sistem të lig, i drejti mund të kalojë probleme shëndetësore ose telashe të tjera. Mund të bëhet edhe shënjestër e përndjekjeve të egra nga qeveria. Por mund të jetë i sigurt se Perëndia është mbështetja e tij dhe do ta ndihmojë të qëndrojë e t’ia dalë mbanë. Ndalu dhe mendo për gjithë ato raste kur ke parë se si gjërat përfundojnë mirë për shërbëtorët e Perëndisë. Pse ndodh kështu? Sepse, siç na sigurojnë Shkrimet, «Jehovai u bëhet krah të gjithë atyre që po bien; ai i ngre të gjithë ata që janë kërrusur nga hallet».—Psal. 41:1-3; 145:14-19.
«I drejti» nuk merr zemër nga fakti që të tjerët kalojnë probleme. Përkundrazi, merr zemër nga siguria se «atyre që kanë nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë, do t’u dalë për mirë, pikërisht ngaqë kanë nderim të thellë për të».—Ekl. 8:11-13; Jobi 31:3-6; Psal. 27:5, 6.