Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 52

Si mund ta luftosh shkurajimin

Si mund ta luftosh shkurajimin

«Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai do të të mbështetë.»—PSAL. 55:22.

KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time

PËRMBLEDHJE *

1. Si mund të ndikojë te ne shkurajimi?

ÇDO DITË ndeshim probleme dhe mundohemi t’i përballojmë sa më mirë. Por a nuk je dakord se kur jemi të shkurajuar, nuk e kemi kollaj t’i përballojmë vështirësitë? Prandaj duhet ta shohim shkurajimin si një «mysafir» të paftuar që mund të na vjedhë vlerësimin për veten, guximin dhe gëzimin. Proverbat 24:10 dhe shënimi thotë: «Po të shkurajohesh në kohë të vështira, fuqia jote do të jetë e paktë.» Pra, shkurajimi mund të na shterë forcën që na nevojitet për t’u bërë ballë problemeve të jetës.

2. Cilat janë disa arsye pse mund të shkurajohemi, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Shkurajimi mund të ketë shumë shkaqe—disa të brendshme, disa të jashtme. Ndër to janë papërsosmëritë e dobësitë tona dhe shëndeti i dobët. Gjithashtu, mund të shkurajohemi kur nuk marrim një caktim që e duam në shërbim të Jehovait ose kur predikojmë në një territor që duket indiferent. Në këtë artikull do të shohim disa gjëra që mund të na ndihmojnë ta luftojmë shkurajimin.

KUR PËRPLASEMI ME PAPËRSOSMËRI E DOBËSI

3. Çfarë mund të na ndihmojë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për të metat dhe gabimet tona?

3 Fare lehtë mund të zhvillojmë një pikëpamje të paekuilibruar për papërsosmëritë dhe dobësitë tona. E si pasojë mund të besojmë se Jehovai nuk do të na dojë kurrë në botën e tij të re për shkak të të metave dhe gabimeve që bëjmë. Ky qëndrim mund të jetë goxha i rrezikshëm. Si duhet t’i shohim papërsosmëritë tona? Bibla tregon qartë se, me përjashtim të Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit «kanë mëkatuar». (Rom. 3:23) Por Autori i Biblës nuk fiksohet pas gabimeve tona e as pret përsosmëri nga ne. Përkundrazi, është një Atë i dashur që dëshiron të na ndihmojë. Është edhe i duruar. Ai e sheh si luftojmë për t’i mposhtur dobësitë dhe pikëpamjen negative për veten, e është i gatshëm të na ndihmojë.—Rom. 7:18, 19.

Jehovai vlerëson edhe të mirat që kemi bërë në të kaluarën, edhe çdo gjë të mirë që bëjmë tani (Shih paragrafin 5) *

4-5. Në përputhje me 1 Gjonit 3:19, 20, çfarë i ndihmoi dy motra të mos dorëzoheshin para shkurajimit?

4 Të shohim shembullin e Deborës dhe të Marisë. * Kur ishte e vogël, Deborën shpesh e trajtonin ashpër dhe e bënin të ndihej pa pikë vlere. Rrallëherë dëgjonte ndonjë lavdërim. Kështu zhvilloi një pikëpamje negative për veten. Kur bënte gabime të vogla, ndihej sikur kishte dështuar në çdo gjë. Maria kishte një problem të ngjashëm. Të afërmit e bënin të ndihej një hiç, e si pasojë luftonte me ndjenjat e pavlefshmërisë. Pasi u pagëzua, ndihej e padenjë madje edhe të mbante emrin e Perëndisë!

5 Megjithatë, këto dy motra nuk u dorëzuan, por vazhduan t’i shërbenin Jehovait. Pse? Sepse ia hidhnin barrën Atij me lutje të zjarrta. (Psal. 55:22) Kuptuan se Ati ynë i dashur e di si ndikojnë te ne përjetimet e së kaluarës dhe pikëpamja negative për veten. Por ai sheh te ne edhe anët e mira—cilësi që ndoshta ne vetë nuk arrijmë t’i shohim.—Lexo 1 Gjonit 3:19, 20.

6. Si mund të ndihet dikush që bie prapë në të njëjtin gabim?

6 Dikush që lufton kundër një vesi të ngulitur thellë, mund të bjerë prapë në të njëjtin gabim e mund të zhgënjehet me veten. Është normale të ndihemi në faj kur gabojmë. (2 Kor. 7:10) Gjithsesi, nuk duhet ta ekzagjerojmë dhe të dënojmë veten, duke menduar: «Jam kot fare. Jehovai nuk mund të më falë kurrë.» Kjo nuk është aspak e vërtetë, dhe mendime të tilla negative mund të na shtyjnë të mos i shërbejmë më Jehovait. Të kujtojmë atë që thotë Proverbat 24:10—po të shkurajohemi, fuqia jonë do të jetë e paktë. Në vend të kësaj, le «t’i ndreqim gjërat» me Jehovain duke folur me të në lutje dhe duke i kërkuar të na falë. (Isa. 1:18) Kur të shohë pendimin tonë të sinqertë, ai do të na falë me mëshirë. Veç kësaj, të flasim me pleqtë. Ata do të na ndihmojnë me durim të rimëkëmbim marrëdhënien me Jehovain.—Jak. 5:14, 15.

7. Nëse për ne është një luftë të veprojmë drejt, pse nuk duhet të shkurajohemi?

7 Zhan-Luk, një plak në Francë, u thotë atyre që luftojnë me një dobësi: «I drejtë në sytë e Jehovait nuk është ai që s’gabon kurrë, por ai që ndien keqardhje për gabimet e tij dhe gjithnjë pendohet.» (Rom. 7:21-25) Prandaj, nëse po lufton me ndonjë dobësi, mos e shih veten si të pavlerë. Mbaj në mend se asnjë nga ne nuk mund të jetë i drejtë në sytë e Perëndisë falë meritave të veta. Të gjithë kemi nevojë për mirësinë e pamerituar që na tregon Jehovai falë shpërblesës.—Efes. 1:7; 1 Gjon. 4:10.

8. Te kush mund të mbështetemi kur ndihemi përtokë?

8 Mund të mbështetemi për inkurajim te vëllezërit e motrat, që janë familja jonë. Ata mund të na dëgjojnë me dhembshuri kur kemi nevojë të flasim dhe mund të na thonë fjalë që na çelin e na ngrenë zemrën peshë. (Prov. 12:25; 1 Sel. 5:14) Xhoi, një motër në Nigeri që ka luftuar me shkurajimin, thotë: «As e imagjinoj dot ku do të isha pa vëllezërit e motrat! Inkurajimi që më japin ata është përgjigjja e Jehovait për lutjet e mia. Prej tyre kam mësuar edhe si t’u jap zemër të tjerëve që ndihen përtokë.» Ama duhet të mbajmë në mendje se vëllezërit e motrat nuk e dinë gjithmonë se kur kemi nevojë për inkurajim. Prandaj mund të jetë e nevojshme të marrim iniciativën të flasim me një vëlla a motër të pjekur dhe t’i tregojmë hapur se kemi nevojë për ndihmë.

KUR LUFTOJMË ME SHËNDETIN E DOBËT

9. Si na japin zemër Psalmi 41:3 dhe 94:19?

9 Të mbështetemi për ndihmë te Jehovai. Kur luftojmë me probleme shëndetësore, e sidomos me një sëmundje kronike, mund ta kemi të vështirë t’i shohim gjërat me optimizëm. Edhe pse sot Jehovai nuk na shëron me një mrekulli, gjithmonë na e ngushëllon zemrën dhe na jep forcën e nevojshme për ta përballuar sëmundjen. (Lexo Psalmin 41:3; 94:19.) Për shembull, ai mund të nxitë vëllezërit e motrat të na bëhen krah kur na nevojitet ndihmë për punët e përditshme ose pazarin. Mund t’i nxitë edhe të luten bashkë me ne. Ose mund të na kujtojë gjëra inkurajuese nga Fjala e tij, siç është shpresa e mrekullueshme e një jete pa sëmundje e dhembje së shpejti në botën e re.—Rom. 15:4.

10. Çfarë e ndihmoi Isangun ta mposhtte shkurajimin pas aksidentit?

10 Isangu, që jeton në Nigeri, pësoi një aksident që e la të paralizuar. Mjeku i tha se nuk do të ecte kurrë më. Isangu pranon: «Isha zemërthyer dhe shpirtvrarë.» Por a vazhdoi të ishte shpirtvrarë? Jo! Çfarë e ndihmoi? Ai tregon: «Unë dhe ime shoqe nuk i reshtëm kurrë lutjet dhe studimin e Fjalës së Jehovait. Gjithashtu nuk lejuam të na zbehej mirënjohja për bekimet tona, mes të cilave shpresa për të jetuar në botën e re të Perëndisë.»

Edhe ata që kanë kufizime fizike, mund të gjejnë mënyra për të predikuar e mund ta shijojnë shërbimin (Shih paragrafët 11-13)

11. Si gjeti gëzim Sindi ndërsa luftonte me një sëmundje të rëndë?

11 Sindi, që jeton në Meksikë, u diagnostikua me një sëmundje që mund të ishte vdekjeprurëse. Çfarë e ndihmoi ta përballonte atë situatë? Pasi filloi terapinë, vuri si synim të jepte dëshmi çdo ditë. Ajo shkruan: «Falë kësaj, arrija të përqendrohesha te të tjerët, e jo tek operacioni, te dhimbjet e mia ose te vuajtjet që hiqja. Ndiqja këtë metodë: kur bisedoja me mjekët ose infermieret, i pyesja për familjen e tyre. Më tej i pyesja pse kishin zgjedhur atë profesion me aq përgjegjësi. Pas kësaj, e kisha të lehtë të zgjidhja një temë që mund t’u interesonte. Disa thoshin se ishte gjë e rrallë që një pacient t’i pyeste: ‘Si po ia kalon?’ Dhe shumë prej tyre më falënderonin për interesimin. Madje disa më dhanë adresën ose numrin e telefonit. Kështu, gjatë asaj periudhe të vështirë të jetës, Jehovai më dha një gëzim aq të thellë në shpirt, sa u habita edhe vetë!»—Prov. 15:15.

12-13. Si kanë arritur t’u predikojnë të tjerëve disa të sëmurë a të moshuar, dhe çfarë rezultatesh kanë pasur?

12 Ata që janë të sëmurë, mund të ndihen të shkurajuar ngaqë nuk bëjnë dot më aq sa do të donin në shërbim. Por, shumë prej tyre kanë gjetur mënyra për të dhënë dëshmi. Në Shtetet e Bashkuara, një motër që quhej Lorela, ishte e mbyllur në një mushkëri çeliku për 37 vjet! Ajo luftoi me kancerin, bëri operacione të vështira, si edhe vuante nga sëmundje kronike të lëkurës. Por të gjitha këto sprova të rënda nuk ia mbyllën gojën për të predikuar. Ajo u jepte dëshmi infermiereve dhe të tjerëve që e vizitonin në shtëpi. Cili ishte rezultati? Lorela ndihmoi të paktën 17 veta të përqafonin të vërtetën! *

13 Rishardi, një plak në Francë, u jep këtë sugjerim praktik atyre që s’mund të dalin nga shtëpia ose nga një qendër shëndetësore a institucion. «U sugjeroj të kenë një stendë a tryezë të vogël literature. Kjo ngjall kureshtje dhe u çel rrugën bisedave. E këto biseda u japin zemër vëllezërve e motrave që nuk janë më në gjendje të predikojnë shtëpi më shtëpi.» Veç kësaj, ata që nuk mund të dalin nga shtëpia, mund të japin dëshmi me telefon ose duke shkruajtur letra.

KUR NUK MARRIM NJË PRIVILEGJ SHËRBIMI

14. Çfarë shembulli të shkëlqyer na la mbreti David?

14 Kufizimet e moshës, shëndeti i dobët a shkaqe të tjera ndoshta e bëjnë të pamundur të kemi një caktim që na pëlqen shumë në shërbim të Jehovait. Nëse gjendemi në këtë situatë, mund të mësojmë nga shembulli i mbretit David. Ai donte me shpirt të ndërtonte tempullin e Perëndisë. Si veproi kur mori vesh se nuk ishte zgjedhur për atë caktim? Davidi mbështeti plotësisht atë që kishte zgjedhur Perëndia, e madje dhuroi me bujari për atë projekt. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne!—2 Sam. 7:12, 13; 1 Kron. 29:1, 3-5.

15. Si e mposhti shkurajimin Hugoja?

15 Për shkak të problemeve me shëndetin, Hugoja, një vëlla në Francë, e ndërpreu shërbimin si plak. Ai as nuk bënte dot më disa punë të thjeshta në shtëpi. Hugoja shkruan: «Në fillim, ndihesha i pavlerë dhe krejt i shkurajuar. Por me kohë, kuptova sa e rëndësishme ishte t’i pranoja kufizimet e mia. Pas kësaj arrita të gjeja gëzim në shërbim të Jehovait brenda atyre kufizimeve. Jam i vendosur të mos dorëzohem. Ashtu si Gideoni dhe 300 luftëtarët e tij—që nuk u dorëzuan ndonëse ishin të lodhur—edhe unë do ta vazhdoj luftën!»—Gjyk. 8:4.

16. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i engjëjve?

16 Engjëjt besnikë janë një shembull i shkëlqyer. Gjatë mbretërimit të Akabit, Jehovai i ftoi engjëjt të sugjeronin mënyra si t’ia prishnin mendjen atij mbreti të lig. Kishte disa engjëj që dhanë sugjerime. Por Perëndia zgjodhi vetëm njërin dhe i tha se do t’ia dilte mbanë. (1 Mbret. 22:19-22) A u shkurajuan engjëjt e tjerë besnikë dhe a thanë me vete: «Ç’m’u desh?! E mora mundimin kot!» Patjetër që jo. Engjëjt janë vërtet të përulur dhe duan që Jehovai të marrë lavdinë për çdo gjë.—Gjyk. 13:16-18; Zbul. 19:10.

17. Ç’duhet të bëjmë nëse ndihemi të shkurajuar ngaqë nuk kemi një privilegj shërbimi që na pëlqen?

17 Mos harro se privilegji më i madh është të mbajmë emrin e Perëndisë dhe të predikojmë për Mbretërinë e tij. Caktimet shkojnë e vijnë, por nuk janë ato që na bëjnë të çmuar për Perëndinë. Janë modestia dhe përulësia ato që na bëjnë të shtrenjtë për Jehovain dhe për vëllezërit e motrat. Prandaj përgjëroju Jehovait të të ndihmojë të mbetesh i përulur dhe modest. Medito për gjithë ata shembuj të bukur përulësie dhe modestie që janë ruajtur në Fjalën e tij. Shërbeju me gatishmëri vëllezërve të tu në çfarëdo mënyre të mundesh.—Psal. 138:6; 1 Pjet. 5:5.

KUR TERRITORI DUKET INDIFERENT

18-19. Si mund të gjesh gëzim në shërbim edhe kur territori duket indiferent?

18 A ndihesh ndonjëherë i shkurajuar ngaqë territori yt duket jomikpritës ose s’para gjen njeri në shtëpi? Ç’mund të bësh që ta ruash ose ta shtosh gëzimin në një situatë të tillë? Te kutia «Mënyra si ta shijosh shërbimin» jepen disa sugjerime praktike. Veç kësaj, është e rëndësishme të kesh pikëpamjen e duhur për shërbimin. Çfarë do të thotë kjo?

19 Ki si merak kryesor të bësh të njohur emrin e Perëndisë dhe të flasësh për Mbretërinë. Jezui e tha qartë se relativisht pak veta do të ecnin në rrugën e jetës. (Mat. 7:13, 14) Kur jemi në shërbim, kemi nderin të bashkëpunojmë me Jehovain, Jezuin dhe engjëjt. (Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 3:9; Zbul. 14:6, 7) Jehovai tërheq ata që kanë dëshirë t’i shërbejnë. (Gjoni 6:44) Pra, nëse dikush nuk dëshiron ta dëgjojë mesazhin tonë, nuk ka pse të shkurajohemi. Ndoshta herën tjetër që do të përpiqemi t’i japim dëshmi, do të kushtojë vëmendje.

20. Në përputhje me Jereminë 20:8, 9, si mund ta luftojmë shkurajimin?

20 Mund të mësojmë shumë nga profeti Jeremia. Ai ishte caktuar në një territor jashtëzakonisht të vështirë, ku e poshtëronin dhe e tallnin «tërë ditën». (Lexo Jereminë 20:8, 9.) Jeremia u shkurajua aq shumë, sa në një moment donte të dorëzohej. Por nuk hoqi dorë. Pse? Sepse «fjala e Jehovait» ishte si një zjarr brenda tij, prandaj nuk rrinte dot në heshtje! Njësoj ndodh me ne kur e mbushim mendjen dhe zemrën me Fjalën e Perëndisë duke e studiuar çdo ditë dhe duke menduar thellë për të. Atëherë do të provojmë më tepër gëzim në shërbim, e ndoshta më shumë njerëz do të kenë dëshirë të na dëgjojnë.—Jer. 15:16.

21. Si mund ta fitojmë luftën kundër shkurajimit?

21 «Satanai e përdor shkurajimin si një armë të fuqishme kundër nesh»,—thotë Debora, e përmendur më sipër. Por Satanai dhe armët e tij nuk mund t’i bëjnë ballë kurrsesi Perëndisë Jehova. Prandaj kur ndihesh i shkurajuar—për çfarëdo arsye—përgjëroju Jehovait që të të mbështetë. Ai do të të ndihmojë t’i përballosh papërsosmëritë dhe dobësitë e tua. Do të të bëhet krah kur të vuash nga ndonjë sëmundje. Do të të ndihmojë të mbash një pikëpamje të ekuilibruar për caktimet teokratike. Do të të ndihmojë edhe ta shohësh me sy pozitiv shërbimin. Prandaj, hapja zemrën Atit tënd qiellor dhe foli për çdo merak. Me ndihmën e tij, mund ta fitosh luftën kundër shkurajimit.

KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!

^ par. 5 Të gjithë shkurajohemi hera-herës. Në këtë artikull do të ndalemi te disa gjëra specifike që mund të bëjmë kur na lëshon zemra. Siç do të shohim, me ndihmën e Jehovait mund ta fitojmë luftën kundër shkurajimit.

^ par. 4 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 12 Lexo jetëshkrimin e Lorel Nisbetit në revistën Zgjohuni! të 22 janarit 1993, anglisht.

^ par. 69 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër po kalon një periudhë shkurajuese, por mediton për shërbimin e saj në të kaluarën dhe i lutet Jehovait. Ajo është e sigurt se ai nuk harron çdo gjë të mirë që ka bërë dhe po bën.