Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dallon nevojën që të stërvitësh të tjerët?

A e dallon nevojën që të stërvitësh të tjerët?

«Kam për t’ju dhënë mësime të mira.»​—PROV. 4:2.

KËNGËT: 93, 96

1, 2. Pse duhet t’i stërvitim të tjerët që të marrin përsipër caktime teokratike?

PREDIKIMI i lajmit të mirë për Mbretërinë ishte caktimi kryesor i Jezuit. Gjithsesi, ai linte kohë t’i stërviste të tjerët që të bëheshin barinj e mësues. (Mat. 10:5-7) Edhe Filipi ishte i zënë si ungjillëzues, por patjetër që i ndihmoi katër vajzat e veta të bëheshin të zonjat për t’u dhënë të tjerëve të vërtetat nga Shkrimet. (Vep. 21:8, 9) Po sot, sa e rëndësishme është një stërvitje e tillë?

2 Anekënd botës, po rritet numri i atyre që pranojnë lajmin e mirë. Këta të rinj që s’janë pagëzuar ende, duhet të kuptojnë sa rëndësi ka studimi personal i Biblës. Gjithashtu, duhen stërvitur që t’u predikojnë lajmin e mirë të tjerëve dhe t’u mësojnë të vërtetën. Në kongregacionet tona, vëllezërit duhen inkurajuar të punojnë me të gjitha forcat, me qëllim që të kualifikohen për t’u emëruar shërbëtorë ndihmës dhe pleq. Me anë të ‘mësimeve të mira’, të krishterët e pjekur mund t’i ndihmojnë të rinjtë në të vërtetën që të bëjnë përparim.​—Prov. 4:2.

NDIHMOJI TË MARRIN FORCË E MENÇURI NGA FJALA E PERËNDISË

3, 4. (a) Si e lidhi Pavli studimin e Shkrimeve me shërbimin e frytshëm? (b) Çfarë zakoni duhet të kemi para se t’i nxitim studentët tanë që ta studiojnë personalisht Biblën?

3 Sa i rëndësishëm është studimi personal i Shkrimeve? Përgjigjen e gjejmë te fjalët që u shkroi apostulli Pavël bashkëbesimtarëve në Kolose. Ai tha: «Ne nuk i ndalëm lutjet për ju dhe kërkesat që ju të jeni plot me njohuri të saktë të vullnetit të [Perëndisë] me çdo mençuri dhe kuptueshmëri frymore. Kështu do të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij. Ndërkaq, do të vazhdoni të jepni fryt në çdo vepër të mirë e të rriteni në njohurinë e saktë të Perëndisë.» (Kolos. 1:9, 10) Me këtë njohuri të saktë, të krishterët në Kolose do të arrinin ‘të ecnin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht’. Kështu mund të vazhdonin ‘të jepnin fryt në çdo vepër të mirë’, sidomos në predikimin e lajmit të mirë. Për të pasur sukses në shërbim, një adhurues i Jehovait duhet të ndjekë një program për studimin e Biblës. Është e mençur t’i ndihmojmë studentët e Biblës ta kuptojnë mirë këtë.

4 Para se t’i ndihmojmë të tjerët që të nxjerrin dobi nga studimi personal i Biblës, duhet të jemi të bindur ne vetë për vlerën e tij. Në fakt, ne vetë duhet të kemi zakone të mira për studimin e Biblës. Prandaj, mund të pyesësh veten: «Kur njerëzit në territor shprehin mendime që bien ndesh me mësimet biblike ose bëjnë pyetje të vështira, a jam në gjendje t’u jap përgjigje të bazuara në Bibël? Kur lexoj se si ngulmuan në shërbim Jezui, Pavli dhe të tjerë, a meditoj si duhet të ndikojë kjo te shërbimi që i bëj unë Jehovait?» Të gjithë kemi nevojë për njohuri dhe këshilla nga Fjala e Perëndisë. E nëse u tregojmë të tjerëve sa dobi kemi nxjerrë nga studimi personal i Biblës, mund t’i nxitim që të shijojnë edhe ata dobi të tilla duke qenë studentë të zellshëm të Shkrimeve.

5. Jepni një sugjerim si t’i ndihmojmë të rinjtë në të vërtetën të kenë një program për studimin personal të Biblës.

5 Mbase pyet: «Po si ta stërvit studentin që ta studiojë Biblën rregullisht?» Një fillim i mbarë është t’i tregosh si të përgatitet për studimin që drejton me të. Mund t’i sugjerosh të lexojë pjesë nga shtojcat e librit Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe të gjejë shkrimet që përmenden. Ndihmoje të përgatitet për mbledhjet me synimin që të komentojë. Inkurajoje të lexojë çdo numër të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Nëse i keni në gjuhën tuaj Bibliotekën Watchtower ose BIBLIOTEKËN ONLINE Watchtower, mund t’i tregosh si t’i përdorë që t’u përgjigjet pyetjeve rreth Biblës. Falë kësaj ndihme, ka shumë gjasa që së shpejti studenti ta shijojë studimin personal të Fjalës së Perëndisë.

6. (a) Si mund ta ndihmosh studentin të kultivojë në zemër dashuri për Biblën? (b) Ç’do të bëjë studenti i Biblës nëse zhvillon dashuri të thellë për Shkrimet?

6 Natyrisht, nuk duhet t’i bëjmë presion askujt që të lexojë e të studiojë Biblën. Në vend të kësaj, le të përdorim mjetet që ka siguruar organizata e Jehovait për ta ndihmuar studentin të thellojë dashurinë për Biblën. Ka shumë mundësi që, me kohë, një student i sinqertë të ndihet si psalmisti që këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.» (Psal. 73:28) Patjetër, fryma e Jehovait do të veprojë te ky student që është plot përkushtim e çmueshmëri.

STËRVITI QË TË PREDIKOJNË E TË MËSOJNË

7. Si i stërviti Jezui lajmëtarët e lajmit të mirë? (Shih figurën hapëse.)

7 Në kapitullin 10 të Mateut, gjejmë udhëzimet që u dha Jezui 12 apostujve të tij. Ai nuk foli në përgjithësi, po për pika specifike. [1] Apostujt e dëgjuan me vëmendje Jezuin teksa u mësonte si të predikonin me efektshmëri. Pastaj grupi u nis për në territor. E meqë kishin pasur rast të vëzhgonin metodat që përdorte Jezui, shpejt u bënë mësues të aftë të së vërtetës biblike. (Mat. 11:1) Edhe ne mund t’i stërvitim studentët e Biblës që të bëhen lajmëtarë të zotë të lajmit të mirë. Le të shohim dy mënyra si t’i ndihmojmë.

8, 9. (a) Si fliste Jezui me njerëzit gjatë shërbimit? (b) Si mund t’i ndihmojmë lajmëtarët e rinj të bisedojnë me njerëzit ashtu si Jezui?

8 Bisedat me njerëzit. Jezui u fliste shpesh njerëzve për Mbretërinë. Për shembull, ai bëri një bisedë të gjallë e të frytshme me një grua që e takoi te burimi i Jakobit, afër qytetit të Siharit. (Gjoni 4:5-30) Po ashtu, foli me Mateu Levin, një taksambledhës. Edhe pse ungjijtë tregojnë fare pak për atë bisedë, Mateu e pranoi ftesën e Jezuit që të bëhej dishepull i tij. Gjatë një gostie në shtëpinë e Mateut, ai vetë dhe të tjerë e dëgjuan Jezuin të fliste goxha për të vërtetën.​—Mat. 9:9; Luka 5:27-39.

9 Në një rast tjetër, Jezui i foli miqësisht Natanaelit, i cili kishte pikëpamje negative për njerëzit nga Nazareti. Kjo e nxiti Natanaelin t’i shihte gjërat me sy tjetër. Ai vendosi të mësonte më shumë për mësimet e Jezuit, një burri nga Nazareti. (Gjoni 1:46-51) Pra, kemi arsye të forta që t’i stërvitim lajmëtarët e rinj të bisedojnë me njerëzit në mënyrë miqësore e të çlirët. [2] Falë kësaj ndihme, ka shumë të ngjarë që do të kenë kënaqësinë të shohin se si njerëzit me zemër të sinqertë reagojnë mirë ndaj interesit personal dhe fjalëve të ngrohta.

10-12. (a) Si e kultivonte Jezui interesin që shfaqnin të tjerët për lajmin e mirë? (b) Si mund t’i ndihmojmë lajmëtarët e rinj të bëhen mësues më të zotë të së vërtetës biblike?

10 Kultivimi i interesit. Koha që kishte Jezui për të kryer shërbimin ishte e kufizuar. Prapëseprapë, ai linte kohë të kultivonte interesin që shfaqnin njerëzit për lajmin e mirë. Për shembull, Jezui mësoi një turmë të tërë duke përdorur si podium një varkë. Në atë rast, me anë të një mrekullie, ai bëri që Pjetri të zinte jashtëzakonisht shumë peshq dhe i tha: «Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» Ç’rezultat pati ajo që tha e që bëri Jezui? Pjetri dhe shokët e tij «i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe ndoqën [Jezuin]».​—Luka 5:1-11.

11 Nikodemit, një anëtari të Sinedrit, i ngjallën kureshtje mësimet e Jezuit. Donte të mësonte më tepër, por kishte frikë se ç’do të thoshin të tjerët po të fliste me Jezuin në sy të të gjithëve. Jezui ishte elastik e i dha me bujari nga koha e vet; ai e takoi Nikodemin natën, larg turmave. (Gjoni 3:1, 2) Ç’mësim mund të nxjerrim nga këto tregime? Biri i Perëndisë linte kohë që t’u forconte besimin të tjerëve. A nuk duhet të jemi të zellshëm, pra, për t’i rivizituar të interesuarit dhe për të drejtuar studime biblike me ta?

12 Ka shumë të ngjarë që lajmëtarët e rinj të bëhen mësues më të zotë të së vërtetës biblike, nëse punojmë përkrah tyre në shërbim. Mund t’i ndihmojmë të mbajnë ndër mend njerëzit që shfaqin qoftë edhe një shenjë të vogël interesi. Mund t’i ftojmë lajmëtarët e rinj të na shoqërojnë kur bëjmë rivizita dhe kur drejtojmë studime biblike në shtëpi. Falë kësaj stërvitjeje dhe inkurajimi, lajmëtarët me më pak përvojë patjetër që do të duan t’u kultivojnë interesin të tjerëve dhe të drejtojnë vetë studime biblike. Gjithashtu, do të mësojnë të mos dorëzohen kollaj, por të jenë të duruar dhe të ngulmojnë në shërbim.​—Gal. 5:22; shih kutinë « Është jetësore të ngulmojmë».

STËRVITI QË T’U SHËRBEJNË BASHKËBESIMTARËVE

13, 14. (a) Ç’mendon për shembujt biblikë të atyre që bënin sakrifica të mëdha për të tjerët? (b) Në ç’mënyra praktike mund t’i stërvitësh më të vegjlit dhe lajmëtarët e rinj që të tregojnë dashuri për vëllezërit e motrat?

13 Tregimet biblike theksojnë se çfarë privilegji është të shfaqim «përzemërsi vëllazërore» dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit. (Lexo 1 Pjetrit 1:22; Lukën 22:24-27.) Biri i Perëndisë dha gjithçka për t’u shërbyer të tjerëve, madje edhe jetën e tij. (Mat. 20:28) Dorka «bënte plot vepra të mira dhe jepte lëmoshë me bollëk». (Vep. 9:36, 39) Maria, një motër në Romë, ‘mundohej shumë’ për pjesëtarët e kongregacionit. (Rom. 16:6) Si t’i ndihmojmë të rinjtë në të vërtetën që të kuptojnë sa rëndësi ka t’u bëhemi krah vëllezërve e motrave?

Stërviti të rinjtë të tregojnë dashuri për bashkëbesimtarët (Shih paragrafët 13, 14.)

14 Dëshmitarët e pjekur mund t’i ftojnë lajmëtarët e rinj të shkojnë me ta kur vizitojnë të moshuarit e të sëmurët. Prindërit mund t’i marrin me vete fëmijët në vizita të tilla, nëse është e përshtatshme. Pleqtë mund të bashkëpunojnë me të tjerët për t’u siguruar që të moshuarit e shtrenjtë mes nesh të kenë ushqim të shëndetshëm dhe shtëpi të mirëmbajtur. Në këto mënyra, më të vegjlit dhe të rinjtë në të vërtetën mësojnë të bëjnë vepra dashamirëse për të tjerët. Gjatë predikimit në territorin e tij në periferi, një plak kongregacioni e kishte zakon t’u bënte vizita të shkurtra Dëshmitarëve atje, për të parë si ia kalonin. Kështu, një vëlla i ri që e shoqëronte shpesh, mësoi se të gjithë në kongregacion duhet ta ndiejnë se i duan.​—Rom. 12:10.

15. Pse është e rëndësishme që pleqtë të interesohen për përparimin e burrave në kongregacion?

15 Meqë Jehovai i përdor burrat si mësues në kongregacion, është e rëndësishme që vëllezërit të zhvillojnë aftësi oratorike. Si plak kongregacioni, a mund të rrish e ta dëgjosh një shërbëtor ndihmës ndërsa praktikon një fjalim? Me ndihmën tënde, ai mund të bëhet mësues më i zotë i Fjalës së Perëndisë.​—Neh. 8:8. [3]

16, 17. (a) Si tregonte interes Pavli për përparimin e Timoteut? (b) Si mund t’i stërvitin me efektshmëri pleqtë barinjtë e ardhshëm të kongregacionit?

16 Në kongregacionin e krishterë ka jashtëzakonisht nevojë për barinj, dhe ata që do të bëjnë një punë të tillë në të ardhmen duhen stërvitur vazhdimisht. Pavli tregoi në vija të përgjithshme si mund të jepet kjo stërvitje, kur i tha Timoteut: «Ti, biri im, vazhdo të marrësh fuqi në dashamirësinë e pamerituar, në lidhje me Krishtin Jezu. Gjërat që dëgjove nga unë, në prani të shumë dëshmitarëve, besojua njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.» (2 Tim. 2:1, 2) Timoteu mësoi duke shërbyer përkrah apostullit, që ishte plak kongregacioni. Pastaj Timoteu i zbatoi metodat e Pavlit në predikim dhe në aspekte të tjera të shërbimit të shenjtë.​—2 Tim. 3:10-12.

17 Pavli nuk ia la rastësisë stërvitjen e Timoteut. Ai i rregulloi gjërat që i riu ta shoqëronte. (Vep. 16:1-5) Pleqtë mund të imitojnë shembullin e Pavlit duke marrë me vete në vizitat baritore shërbëtorë ndihmës të kualifikuar, kur kjo është e përshtatshme. Kështu u japin mundësi këtyre vëllezërve të shohin vetë se si mësojnë pleqtë dhe si shfaqin besim, durim e dashuri​—cilësi që kërkohen nga mbikëqyrësit e krishterë. Këta hapa ndihmojnë të stërviten barinjtë e ardhshëm të ‘kopesë së Perëndisë’.​—1 Pjet. 5:2.

RËNDËSIA E STËRVITJES

18. Pse duhet t’i kushtojmë rëndësi stërvitjes së të tjerëve në shërbim të Jehovait?

18 Tani ka gjithnjë e më shumë nevojë e mundësi në shërbim të Jehovait, prandaj stërvitja ka rëndësi jetësore. Shembulli që lanë Jezui dhe Pavli kur stërvitën të tjerët ka vlerë edhe në ditët tona. Jehovai do që shërbëtorët e tij sot të jenë të stërvitur mirë për caktimet teokratike. Ai na jep privilegjin t’i ndihmojmë ata me më pak përvojë që të zhvillojnë aftësitë për të kryer gjithë sa nevojitet në kongregacion. Teksa kushtet në botë keqësohen dhe krijohen mundësi të reja për të predikuar, kjo stërvitje bëhet e rëndësishme dhe urgjente.

19. Pse duhet të jesh i sigurt se përpjekjet e tua të zellshme për të stërvitur të tjerët në shërbim të Jehovait do të japin fryt?

19 Dihet, stërvitja do kohë dhe përpjekje. Por Jehovai dhe Biri i tij i dashur do të na mbështetin e do të na japin mençurinë që duhet për t’i stërvitur të tjerët. Do të na bëhet zemra mal kur të shohim se ata që ndihmojmë, vazhdojnë ‘të mundohen e të përpiqen’. (1 Tim. 4:10) E le të vazhdojmë edhe ne vetë të përparojmë ndërsa i bëjmë shërbim të shenjtë Jehovait!

^ [1] (paragrafi 7) Ndër pikat që trajtoi Jezui janë këto: (1) Predikoni mesazhin e duhur. (2) Jini të kënaqur me gjërat që siguron Perëndia. (3) Shmangni debatet me njerëzit në territor. (4) Mbështetuni me besim te Perëndia kur përballeni me kundërshtarë. (5) Mos lini t’ju mposhtë frika.

^ [2] (paragrafi 9) Libri Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, f. 62-64, ka sugjerime të shkëlqyera se si të bisedojmë me njerëzit në shërbim.

^ [3] (paragrafi 15) Libri Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, f. 52-61, shpjegon çfarë cilësish duhen për të qenë orator i efektshëm.