Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërko diçka shumë më të çmuar se ari

Kërko diçka shumë më të çmuar se ari

A ke gjetur ndonjëherë një copëz ari? Pak njerëz e kanë pasur këtë shans. Megjithatë, miliona veta kanë gjetur diçka shumë më të çmuar: mençurinë hyjnore, me të cilën «ari i kulluar nuk mund të këmbehet».​—Jobi 28:12, 15.

NË DISA aspekte, studentët e sinqertë të Biblës janë si kërkuesit e arit. Që të gjejnë mençurinë e vyer, duhet të përpiqen fort për të gërmuar në Shkrime dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë. Le të shqyrtojmë tani tri mënyra se si nxirret ari dhe ç’mund të mësojmë prej tyre.

GJETE NJË COPËZ ARI!

Imagjino sikur po ecën buzë një lumi dhe sheh diçka që ngjan si guralec që vezullon nën dritën e diellit. Përkulesh dhe të ndrijnë sytë kur kupton se ke gjetur një copëz ari. Është më e vogël se një kokë shkrepseje dhe më e rrallë se një diamant i cilësisë së lartë. S’do mend që kërkon përreth se mos ka edhe të tjera.

Në mënyrë të ngjashme, një ditë të paharrueshme disa kohë më parë, mbase një shërbëtor i Jehovait trokiti në derën tënde për të të dhënë mesazhin e shpresës nga Bibla. Ndoshta të kujtohet si sot momenti kur zbulove copëzën e parë të arit nga Bibla. Kjo mund të ketë ndodhur kur pe për herë të parë në Bibël emrin e Perëndisë, Jehova. (Psal. 83:18) Ose ndoshta ishte momenti kur mësove se mund të bëheshe mik i Jehovait. (Jak. 2:23) Në çast e kuptove që kishe gjetur diçka më të çmuar se ari dhe mezi prisje të zbuloje edhe copëza të tjera ari nga Bibla.

GJETE AKOMA MË SHUMË!

Ndonjëherë në përrenj dhe lumenj grumbullohen grimca ose fijëza ari. Ky quhet ar aluvial ose depozitues. Brenda pak muajsh, kërkuesit e palodhur të arit mund të gjejnë në këto depozita disa kilogramë ar me vlerë dhjetëra mijë dollarë.

Kur fillove të studioje Biblën me një Dëshmitar të Jehovait, mund të jesh ndier si një kërkues që nxjerr një sasi të madhe ari. Ndërsa meditoje për vargje biblike njëri pas tjetrit, u pasurove duke mbledhur një bagazh gjithnjë e më të madh njohurie për Jehovain. E teksa i përvetësoje me etje ato të vërteta të çmuara nga Bibla, mësove si t’i afroheshe Jehovait dhe si të ruaje veten në dashurinë e tij duke i mbajtur sytë nga jeta e përhershme.—Jak. 4:8; Jud. 20, 21.

A përpiqesh fort të mësosh të vërteta të çmuara nga Bibla, ashtu si një kërkues që punon pa u lodhur për të gjetur ar?

Ashtu si një kërkues që përpiqet të gjejë grumbuj ari të çmuar, mbase edhe ti ngulmove për të gjetur thesare të vyera nga Fjala e Perëndisë. Pasi mësove të vërtetat themelore nga Bibla, pa dyshim kjo të nxiti të bëje hapat drejt kushtimit dhe pagëzimit.​—Mat. 28:19, 20.

VAZHDO TË KËRKOSH!

Një kërkues mund të gjejë sasi të vockla ari brenda shkëmbinjve vullkanikë. Disa pjesë të këtyre shkëmbinjve përmbajnë aq ar sa ia vlen që kërkuesi ta nxjerrë mineralin dhe ta thërrmojë që të marrë arin. Në pamje të parë, mund të jetë e vështirë ta dallosh arin në mineral. Pse? Sepse edhe mineralet me cilësi të lartë mund të përmbajnë vetëm 10 gramë ar në një ton shkëmb. Prapëseprapë, për kërkuesin e arit ia vlen barra qiranë të përpiqet ta nxjerrë mineralin.

Përpjekje të ngjashme duhen edhe kur ke lënë prapa «doktrinën fillestare lidhur me Krishtin». (Hebr. 6:1, 2) Duhet të përpiqesh fort për të nxjerrë pika të reja dhe mësime praktike kur studion Biblën. Atëherë, ç’mund të bësh që studimi personal i Biblës të vazhdojë të jetë dobiprurës, edhe pse mund të kesh vite që i studion Shkrimet?

Mbaje ndezur etjen për të mësuar. Kushtoju shumë vëmendje hollësive. Vazhdo të bësh përpjekje dhe do të gjesh në faqet e Biblës copëza ari të çmuar që përmbajnë mençuri dhe drejtim nga Perëndia. (Rom. 11:33) Që të fitosh më shumë njohuri nga Shkrimet, shfrytëzoji mirë mjetet për kërkim që ke në gjuhën tënde. Kërko me durim drejtimin që të nevojitet dhe përgjigjet për pyetjet biblike. Pyet të tjerët se çfarë shkrimesh dhe artikujsh i kanë ndihmuar dhe i kanë inkurajuar në veçanti. Bisedo për pikat interesante që ke gjetur gjatë studimit të Fjalës së Perëndisë.

Sigurisht, synimi yt nuk është thjesht të mbushësh mendjen me fakte. Apostulli Pavël paralajmëroi se «njohuria krekos». (1 Kor. 8:1) Prandaj, përpiqu pa u lodhur të qëndrosh i përulur dhe i fortë në besim. Studimi personal i Biblës dhe adhurimi familjar i rregullt do të të ndihmojnë të jetosh sipas normave të Jehovait dhe do të të motivojnë të ndihmosh të tjerët. Mbi të gjitha, do të jesh i lumtur që ke gjetur diçka shumë më të çmuar se ari.​—Prov. 3:13, 14.