Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dallon nevojën që të bësh përparim?

A e dallon nevojën që të bësh përparim?

«Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies.»​—1 TIM. 4:13.

KËNGËT: 45, 70

1, 2. (a) Si është plotësuar Isaia 60:22 në këto ditë të fundit? (b) Çfarë nevojash ka sot pjesa tokësore e organizatës së Jehovait?

«I PAKTI do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm.» (Isa. 60:22) Këto fjalë profetike po bëhen realitet në këto ditë të fundit. Në fakt, gjatë vitit të shërbimit 2015, anembanë botës kanë predikuar 8.220.105 lajmëtarë të Mbretërisë. Pjesa e fundit e kësaj profecie duhet të prekë secilin nga shërbëtorët e Jehovait, sepse Ati ynë qiellor thotë: «Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.» Ashtu si pasagjerët në një automjet që e shton shpejtësinë, edhe ne e ndiejmë se vepra e bërjes së dishepujve ka marrë më tepër hov. Si po reagojmë personalisht ndaj këtij ritmi më të shpejtë? A po bëjmë maksimumin tonë si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë? Mjaft vëllezër e motra po plotësojnë kërkesën që të shërbejnë si pionierë të rregullt ose ndihmës. E a nuk na gëzon zemra kur shohim sa shumë po i përgjigjen thirrjes për të shërbyer ku ka më tepër nevojë ose po përfshihen në fusha të tjera të aktivitetit teokratik?

2 Në të njëjtën kohë, vërejmë se është shtuar nevoja për punëtorë. Çdo vit formohen afro 2.000 kongregacione. Sikur në çdo kongregacion të ri të shërbenin 5 pleq, duhet që çdo vit të kualifikohen si pleq 10.000 shërbëtorë ndihmës. Kjo nënkupton se ka nevojë që mijëra vëllezër të plotësojnë kualifikimet e nevojshme për të shërbyer si shërbëtorë ndihmës. Veç kësaj, qofshim vëllezër a motra, pa diskutim që kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».​—1 Kor. 15:58.

Ç’DO TË THOTË TË BËSH PËRPARIM

3, 4. Çfarë synimesh personale mund të vësh që të përparosh?

3 Lexo 1 Timoteut 3:1. Folja greke e përkthyer «synon» ka kuptimin të zgjatesh për të kapur diçka, që ndoshta normalisht s’do ta arrije dot. Duke përdorur këtë fjalë, apostulli Pavël theksoi se përparimi kërkon përpjekje. Përfytyro një vëlla që mendon për të ardhmen e tij në kongregacion. Mbase për momentin nuk është shërbëtor ndihmës, por e kupton se duhet të kultivojë cilësitë e krishtere. Fillimisht, bën çmos të kualifikohet si shërbëtor ndihmës. Me kalimin e kohës, shpreson të kualifikohet për të shërbyer si plak kongregacioni. Çdo herë, ai punon pa përtuar që të plotësojë kualifikimet e nevojshme për të mbajtur mbi supe më shumë përgjegjësi në kongregacion.

4 Po njësoj, vëllezërit e motrat që duan të shërbejnë si pionierë, si bethelitë ose si vullnetarë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë bëjnë mirë t’i përqendrojnë gjithë forcat për të arritur synimet e tyre. Le të shohim si na nxit Fjala e Perëndisë të gjithëve që të përparojmë në adhurimin e vërtetë.

BËJ ÇMOS TË PËRPAROSH MË TEJ

5. Si mund ta përdorin të rinjtë fuqinë në shërbimin e Mbretërisë?

5 Të rinjtë kanë fuqi të bëjnë shumë në shërbim të Jehovait. (Lexo Proverbat 20:29.) Disa të rinj që shërbejnë në Bethel ndihmojnë në shtypjen dhe libralidhjen e Biblave e të literaturës biblike. Plot motra e vëllezër të rinj marrin pjesë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë. Kur godasin katastrofa natyrore, të rinjtë bashkohen me Dëshmitarët që kanë më shumë përvojë për të dhënë ndihmë. Gjithashtu, mjaft të rinj pionierë ndihmojnë që lajmi i mirë të përhapet edhe mes komuniteteve indigjene dhe atyre që flasin një gjuhë të huaj.

6-8. (a) Si e ndryshoi një i ri pikëpamjen për shërbimin ndaj Perëndisë, dhe cili ishte rezultati? (b) Si mund ‘ta provojmë dhe ta shijojmë se sa i mirë është Jehovai’?

6 S’do mend që ti e di mirë sa rëndësi ka t’i shërbesh Perëndisë me gjithë zemër. Po nëse ndihesh ashtu siç ndihej dikur një vëlla që quhet Aron? Ndonëse u rrit në familje Dëshmitarësh, ai pranoi: «Mbledhjet dhe shërbimi më dukeshin të mërzitshme.» Ai donte t’i shërbente Perëndisë me gëzim, por vriste mendjen pse nuk ishte i lumtur. Çfarë bëri?

7 Aroni ndoqi një program që përfshinte leximin e Biblës, përgatitjen për mbledhje dhe komentet në to. Në veçanti, nisi të lutej rregullisht. Dora-dorës që i shtohej dashuria për Jehovain, filloi të bënte përparim të shkëlqyer. Që atëherë, Aroni ka shijuar shërbimin si pionier, ka punuar bashkë me të tjerë për të ndihmuar në rast katastrofash dhe ka predikuar në një vend të huaj. Sot Aroni shërben në Bethel dhe është plak kongregacioni. Si ndihet për jetën që ka zgjedhur? Ai thotë: «Kam ‘provuar dhe shijuar se sa i mirë është Jehovai’. Bekimet që më ka dhuruar, më bëjnë të ndihem borxhli ndaj tij dhe më nxitin të bëj më shumë për t’i shërbyer. Kjo sjell akoma më shumë bekime.»

8 Psalmisti këndoi: «Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.» (Lexo Psalmin 34:8-10.) Vërtet, Jehovai nuk i zhgënjen kurrë ata që i shërbejnë me zell. Ndërsa bëjmë gjithë sa mundemi në shërbim, ‘provojmë dhe shijojmë’ personalisht «se sa i mirë është Jehovai». E kur e adhurojmë Perëndinë me gjithë shpirt, provojmë një lumturi që s’ka të krahasuar.

NGULMO E MOS U LODH

9, 10. Pse është e rëndësishme ‘të rrish në pritje’?

9 Teksa punon që të arrish synimet e tua, «rri në pritje». (Mik. 7:7) Jehovai i mbështet përherë shërbëtorët e tij besnikë, edhe pse mund të lejojë të presin derisa të marrin ndonjë privilegj ose derisa rrethanat e tyre të ndryshojnë për mirë. Ai i premtoi Abrahamit një bir, po patriarku duhej të tregonte besim dhe durim. (Hebr. 6:12-15) Ndonëse e priti vite të tëra lindjen e Isakut, Abrahamin nuk e lëshoi zemra, dhe Jehovai nuk e zhgënjeu.​—Zan. 15:3, 4; 21:5.

10 S’është e lehtë të presësh. (Prov. 13:12) Po të bluajmë në mendje zhgënjimet, mund të shkurajohemi shumë. Në vend të kësaj, është e mençur ta përdorim kohën që të kualifikohemi për privilegjet. Të shohim tri mënyra si ta bëjmë këtë.

11. Çfarë cilësish mund të përpiqesh të zhvillosh, dhe pse janë të rëndësishme ato?

11 Zhvillo cilësitë e nevojshme. Ndërsa lexojmë Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë për të, mund të fitojmë mençuri, gjykim të thellë, urtësi, njohuri, aftësi për të menduar dhe mendje të shëndoshë. Cilësi të tilla janë të domosdoshme për ata që marrin drejtimin në adhurimin e vërtetë. (Prov. 1:1-4; Titit 1:7-9) E teksa lexojmë botimet e bazuara në Bibël, mund të dallojmë si mendon Perëndia për shumë çështje. Ditë për ditë përballemi me çështje që përfshijnë zbavitjen, mënyrën si vishemi e si mbahemi, administrimin e parave dhe se si të shkojmë mirë me të tjerët. Kur i zbatojmë ato që mësojmë nga Bibla, mund të marrim vendime që i pëlqejnë Jehovait.

12. Si mund ta tregojnë pjesëtarët e kongregacionit se janë të besueshëm?

12 Ji i besueshëm. Qofshim vëllezër a motra, duhet të bëjmë gjithë sa mundemi për të përmbushur çfarëdo caktimi teokratik që marrim. Si guvernator, Nehemia duhej të vinte në pozita me përgjegjësi disa burra mes popullit të Perëndisë. Kë caktoi? Ata që i frikësoheshin Perëndisë dhe që ishin të besueshëm. (Neh. 7:2; 13:12, 13) Edhe sot, «nga kujdestarët kërkohet që secili të gjendet i besueshëm». (1 Kor. 4:2) Veprat e shkëlqyera nuk mbeten pa u vënë re.​—Lexo 1 Timoteut 5:25.

13. Si mund ta ndjekësh shembullin e Jozefit nëse të trajtojnë padrejtësisht?

13 Lejoje Jehovain të të rafinojë. Ç’mund të bësh nëse të trajtojnë padrejtësisht? Mbase edhe arrin ta sqarosh shpejt çështjen. Por ndonjëherë, nëse e mbron veten me ngulm, e keqëson problemin. Jozefin e keqtrajtuan vëllezërit e vet, por ai nuk ushqeu mëri. Më vonë, e akuzuan dhe e burgosën padrejtësisht. Megjithatë, Jozefi lejoi që ta udhëhiqte Jehovai mes atyre kohëve të vështira. Rezultati? «Thënia e Jehovait e rafinoi.» (Psal. 105:19) Kur ato sprova morën fund, Jozefi ishte i kualifikuar për një caktim të veçantë. (Zan. 41:37-44; 45:4-8) Ndërsa përballon probleme delikate e të dhimbshme, lutu për mençuri, vepro e fol me butësi dhe mbështetu te Perëndia për forcë. Jehovai do të të ndihmojë.​—Lexo 1 Pjetrit 5:10.

BËJ PËRPARIM NË SHËRBIM

14, 15. (a) Pse duhet ‘t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme’ mënyrës si predikojmë? (b) Si mund të përshtatesh me rrethanat që ndryshojnë? (Shih figurën hapëse dhe kutinë « A je i gatshëm të provosh një metodë tjetër?»)

14 Pavli e nxiti Timoteun: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate.» (1 Tim. 4:13, 16) Timoteu ishte tashmë lajmëtar me përvojë. Sidoqoftë, do të kishte sukses në shërbim vetëm po ‘t’i kushtonte vëmendje të vazhdueshme’ mësimdhënies së tij. S’duhej të shkonte me mendjen se njerëzit do të vazhdonin të reagonin mirë ndaj metodës që përdorte zakonisht. Që të vazhdonte t’u prekte zemrën, duhej t’i përshtaste metodat e mësimdhënies me nevojat e tyre. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne si lajmëtarë të Mbretërisë.

15 Shpesh na ndodh të mos i gjejmë njerëzit në shtëpi kur predikojmë derë më derë. Ka zona ku s’mund të hyjmë në disa lagje dhe pallate që kanë porta sigurie. Nëse është kështu në territorin tënd, pse të mos mendosh për mënyra të ndryshme që të predikosh lajmin e mirë?

16. Si mund të jetë e efektshme dëshmia në vende publike?

16 Dëshmia në vende publike është një metodë e shkëlqyer për të përhapur lajmin e mirë. Shumë Dëshmitarë kanë goxha rezultate dhe bekime ndërsa marrin pjesë në këtë vepër. Ata lënë kohë që t’u flasin njerëzve në stacione treni e autobusi, në tregje e parqe dhe në vende të tjera publike. Duke përdorur gjykim të mirë, një Dëshmitar mund ta hapë bisedën me dikë me anë të një komenti rreth lajmeve, me disa fjalë të ngrohta vlerësimi për fëmijët e tij ose me ndonjë pyetje për punën. Në bisedë e sipër, lajmëtari mund të përmendë një pikë nga Shkrimet dhe ta nxitë tjetrin të shprehet. Shpesh komentet e bashkëbiseduesit hapin rrugën për të diskutuar më tej rreth Biblës.

17, 18. (a) Si mund të fitosh më shumë siguri për të dhënë dëshmi në vende publike? (b) Pse ia vlen ta imitosh në shërbim frymën që shfaqi Davidi kur lëvdonte Jehovain?

17 Nëse dëshmia në vende publike të duket e vështirë, mos u dorëzo. Edi, një pionier në qytetin e Nju-Jorkut, ngurronte të bisedonte me njerëzit në publik. Por, me kohë, fitoi siguri. Çfarë e ndihmoi? Ai thotë: «Gjatë adhurimit familjar, unë dhe ime shoqe bëjmë kërkime që të gjejmë përgjigje për kundërshtimet dhe për mendimet që shprehin njerëzit. Gjithashtu, u kërkojmë sugjerime Dëshmitarëve të tjerë.» Tani Edi e pret tërë qejf dëshminë në vende publike.

18 Teksa bëhesh më i zoti dhe fiton siguri në predikimin e lajmit të mirë, përparimi yt do të duket qartë. (Lexo 1 Timoteut 4:15.) Për më tepër, patjetër që do t’i japësh lavdi Atit tonë qiellor ashtu si Davidi, që këndoi: «Unë do ta bekoj Jehovain përherë; goja ime gjithnjë do ta lëvdojë. Shpirti im do të krenohet me Jehovain, zemërbutët do të dëgjojnë e do të gëzojnë.» (Psal. 34:1, 2) E fare mirë mund të ndodhë që si rezultat i shërbimit tënd, zemërbutët të bashkohen plot gëzim me ty në adhurimin e vërtetë.

JEPI LAVDI PERËNDISË DUKE BËRË PËRPARIM

19. Pse duhet të jetë i lumtur një shërbëtor besnik i Jehovait, edhe nëse ka rrethana që e kufizojnë?

19 Davidi këndoi gjithashtu: «O Jehova, të gjitha veprat e tua do të të përlëvdojnë, dhe besnikët e tu do të të bekojnë. Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate, dhe do të tregojnë për fuqinë tënde. Do t’u shpallin bijve të njerëzve veprat e fuqishme dhe lavdinë e shkëlqimin e mbretërisë sate.» (Psal. 145:10-12) Patjetër që këto fjalë shprehin ndjenjat e gjithë Dëshmitarëve besnikë të Jehovait. Po nëse sëmundjet ose mosha e shkuar e kufizojnë disi atë që arrin të bësh në shërbim? Kurrë mos harro se ndërsa u jep lajmin e mirë atyre që kujdesen për ty dhe të tjerëve, shërbimi yt i shenjtë i jep lavdi Perëndisë tonë të mrekullueshëm. Nëse je në burg për hir të besimit, ka shumë të ngjarë që flet për të vërtetën aq sa ta lejojnë rrethanat, dhe kjo ia mbush zemrën me gëzim Jehovait. (Prov. 27:11) Zemra e tij gëzon edhe kur ti ndjek besnikërisht programin që ke për ta adhuruar, ndonëse jeton në një familje të ndarë nga ana fetare. (1 Pjet. 3:1-4) Edhe kur je në rrethana të vështira, mund ta lëvdosh Jehovain e të përparosh.

20, 21. Si mund të bëhesh bekim për të tjerët nëse të besohet më shumë punë në organizatën e Jehovait?

20 Pa dyshim, Jehovai do të të bekojë nëse vazhdon të përparosh. Ndoshta po të bësh disa ndryshime në programin ose në jetën tënde, do të kesh më shumë mundësi t’u japësh të vërtetën e çmuar të Perëndisë atyre që kanë nevojë për shpresë. Veç kësaj, përparimi dhe jeta jote vetëmohuese mund t’u sjellin bashkëbesimtarëve dobi që s’kanë të çmuar. E falë përpjekjeve që bën me përulësi në kongregacion, do të marrësh si shpërblim dashurinë, mirënjohjen dhe mbështetjen e të tjerëve që e duan Jehovain.

21 Pavarësisht nëse kemi shumë vjet a vetëm pak muaj në shërbim të Jehovait, të gjithë mund të përparojmë në adhurimin e tij. Por, si mund t’i ndihmojnë të krishterët e pjekur më të rinjtë në të vërtetën që të bëjnë përparim? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.