Durimi—Qëndrueshmëri me një qëllim
MEQË presionet e ‘ditëve të fundit’ sa vijnë e shtohen, shërbëtorëve të Jehovait u duhet më shumë durim se kurrë më parë. (2 Tim. 3:1-5) Rrethohemi nga një botë ku njerëzit në përgjithësi janë të dashuruar me veten, nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje dhe s’kanë vetëkontroll. Shpesh ata që shfaqin karakteristika të tilla nuk kanë fare durim. Prandaj, çdo i krishterë duhet të pyesë veten: «A jam infektuar nga padurimi i kësaj bote? Ç’do të thotë të jesh vërtet i duruar? Dhe si mund ta bëj pjesë të pandashme të personalitetit tim këtë cilësi të shkëlqyer të krishterë?»
ÇFARË ËSHTË DURIMI
Në Bibël, fjala «durim» nuk ka thjesht kuptimin të durosh një situatë të vështirë. Kush ka durimin që vjen nga Perëndia, tregon qëndrueshmëri me një qëllim. Ai sheh përtej nevojave të veta dhe mban parasysh mirëqenien e atij që ka shkaktuar situatën e pakëndshme. Ja pse, kur e lëndojnë ose e provokojnë, një njeri i duruar nuk pranon të heqë dorë nga shpresa se marrëdhënia e tensionuar do të përmirësohet. S’është çudi pra që Bibla e rendit durimin, ose shpirtgjerësinë, të parën në listën e cilësive të shumta të shkëlqyera që burojnë nga dashuria. * (1 Kor. 13:4) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë e përfshin durimin mes aspekteve të ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Por, ç’duhet të bëjmë ne për të zhvilluar këtë cilësi hyjnore?
SI TË ZHVILLOSH DURIM
Që të zhvillojmë cilësinë e durimit, duhet të lutemi për ndihmën e frymës së Jehovait, të cilën ai ua jep atyre që i besojnë dhe mbështeten tek ai. (Luka 11:13) Megjithatë, ndonëse fryma e Perëndisë është shumë e fuqishme, ne duhet të bëjmë pjesën tonë dhe të veprojmë në harmoni me lutjet tona. (Psal. 86:10, 11) Me fjalë të tjera, duhet të përpiqemi fort që të tregojmë durim çdo ditë, me qëllim që kjo cilësi të hedhë rrënjë në zemër. Ama, edhe pas kësaj, mund të kemi nevojë të punojmë akoma që durimi të bëhet pjesë e pandashme e personalitetit tonë. Ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë?
Mund të zhvillojmë durim duke shqyrtuar shembullin e përsosur të Jezuit dhe duke e imituar. Në harmoni me shembullin e Jezuit, apostulli Pavël përshkroi nën frymëzim «personalitetin e ri», i cili përfshin durimin, e pastaj na nxiti që të lejojmë ‘të mbretërojë në zemrat tona paqja e Krishtit’. (Kolos. 3:10, 12, 15) Mund ta lëmë këtë paqe «të mbretërojë» në zemrat tona duke imituar besimin e pathyeshëm të Jezuit se Perëndia do t’i ndreqë në kohën e duhur që ka caktuar Ai gjërat që na shqetësojnë. Po të ndjekim shembullin e Jezuit, nuk do ta humbasim durimin, pavarësisht se çfarë ndodh rreth nesh.—Gjoni 14:27; 16:33.
Edhe pse na digjet zemra të shohim botën e re të premtuar të Perëndisë, mësojmë të 2 Pjet. 3:9) Teksa meditojmë për durimin që tregon Jehovai me ne, a nuk na nxit kjo të jemi më të duruar me të tjerët? (Rom. 2:4) Duke pasur ndër mend këtë, cilat janë disa rrethana që kërkojnë durim?
jemi më të duruar kur meditojmë për durimin që tregon Jehovai me ne. Shkrimet na sigurojnë: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (SITUATA QË KËRKOJNË DURIM
Në jetën e përditshme ka plot situata që mund të na e sprovojnë durimin. Për shembull, kur mendon se ke diçka të rëndësishme për të thënë, mund të të duhet të tregosh durim që të mos i ndërpresësh të tjerët. (Jak. 1:19) Po ashtu, mund të të duhet të shfaqësh durim kur shoqërohesh me bashkëbesimtarë që kanë disa zakone që ty të acarojnë. Në vend që të reagosh pa u përmbajtur në situata të tilla, është e mençur të meditosh si reagojnë Jehovai dhe Jezui ndaj dobësive tona. Ata nuk përqendrohen për të parë me sy kritik të metat ose gabimet tona të vogla. Përkundrazi, shohin cilësitë tona të mira dhe vëzhgojnë me durim përpjekjet që bëjmë për t’u përmirësuar.—1 Tim. 1:16; 1 Pjet. 3:12.
Një situatë tjetër që mund të na sprovojë durimin është kur dikush nënkupton se thamë ose bëmë diçka të gabuar. Shpesh mund të ndodhë që të fyhemi shpejt dhe të shfajësojmë veten. Por Fjala e Perëndisë rekomandon një reagim të ndryshëm. Ajo thotë: «Më mirë kush është i durueshëm, se ai që ka frymën e fodullëkut. Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.» (Ekl. 7:8, 9) Prandaj, edhe nëse një akuzë është absolutisht e pavërtetë, duhet të peshojmë me durim se si do të reagojmë. Këtë parim ndiqte Jezui kur të tjerët e tallnin pa të drejtë.—Mat. 11:19.
Prindërit në veçanti duhet të tregojnë durim kur e shohin të udhës të kujdesen për ndonjë qëndrim, dëshirë ose prirje të gabuar që mund të zhvillohet te fëmijët e tyre. Të marrim rastin e Matiasit, i cili shërben si pjesëtar i familjes Bethel të Skandinavisë. Në adoleshencë, Matiasin e tallnin orë e çast në shkollë për bindjet e tij. Në fillim, prindërit as që e kishin idenë se çfarë po kalonte. Mirëpo iu desh të përballeshin me efektin që pati ai kundërshtim te djali i tyre. Matiasi filloi të dyshonte nëse kishte të vërtetën. «Ajo situatë kërkonte goxha durim»,—kujton Jilisi, babai i Matiasit. Djali pyeste shpesh: «Kush është Perëndia? Po sikur Bibla të mos jetë Fjala e Perëndisë? Nga e dimë se iks gjë na e kërkon vërtet Perëndia?» Gjithashtu i thoshte të atit: «E pse duhet të ndihem i gjykuar nëse nuk mendoj dhe nuk besoj si ti?»
Jilisi shpjegon: «Nganjëherë pyetjet e djalit tonë ishin si një shfrim inati, jo kundër mamasë së tij ose kundër meje, por kundër së vërtetës, që atij i dukej se ia bënte jetën tepër të vështirë.» Si e përballoi Jilisi atë situatë? Ai tregon: «Unë dhe djali uleshim e bisedonim për orë të tëra. Unë më tepër dëgjoja dhe bëja pyetje tek-tuk, për ta kuptuar plotësisht pse kishte ato ndjenja ose pikëpamje. Ndonjëherë i jepja një shpjegim që ta mendonte për nja dy ditë para
se t’i ktheheshim bisedës sonë. Herë të tjera i thosha se kisha nevojë ta mendoja për pak ditë një pikëpamje që kishte shprehur ai. Falë këtyre bisedave të rregullta, Matiasi dalëngadalë nisi t’i kuptonte e t’i pranonte gjithnjë e më shumë mësime të tilla si shpërblesa, sovraniteti i Perëndisë dhe dashuria e Jehovait. U desh kohë, dhe shpesh ishte e vështirë, por avash-avash në zemrën e tij u rrit dashuria për Jehovain. Unë dhe gruaja jemi të lumtur sa s’thuhet që përpjekjet tona të duruara për ta ndihmuar djalin gjatë adoleshencës u shpërblyen dhe prekën zemrën e tij.»Jilisi dhe e shoqja kishin besim të patundur se Jehovai do t’i mbështeste ndërsa ndihmonin me durim djalin e tyre. Teksa hedh vështrimin pas, Jilisi kujton: «I thosha shpesh Matiasit se dashuria e thellë për të na shtynte mua dhe mamanë e tij të luteshim akoma më me zjarr që Jehovai ta ndihmonte të kuptonte.» Sa të lumtur ndihen këta prindër që shfaqën cilësinë jetësore të durimit!
Përveç rasteve kur ndihmojnë dikë të forcojë marrëdhënien me Perëndinë, të krishterët e vërtetë duhet të mësojnë të durojnë me dashuri edhe kur kujdesen për familjarë ose miq me një sëmundje kronike. Të mendojmë për shembullin e Elenës, * që jeton po ashtu në Skandinavi.
Afro tetë vjet më parë, burri i Elenës pësoi dy iktuse që i dëmtuan funksionet e trurit. Si pasojë, ai s’është më në gjendje të ndiejë dhembshuri, lumturi ose pikëllim. Kjo është një situatë sfilitëse për Elenën. Ajo thotë: «Më është dashur një mal me durim dhe lutje të shumta.» Pastaj shton: «Shkrimi im i preferuar që më ngushëllon zemrën është Filipianëve 4:13, ku thuhet: ‘Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.’» Falë kësaj fuqie, Elena po qëndron me durim, duke pasur besim absolut te mbështetja e Jehovait.—Psal. 62:5, 6.
IMITO DURIMIN E JEHOVAIT
Patjetër që shembulli më i shkëlqyer për ne në shfaqjen e durimit është vetë Jehovai. (2 Pjet. 3:15) Në Fjalën e Perëndisë gjejmë sa e sa raste kur Jehovai tregoi durim të madh. (Neh. 9:30; Isa. 30:18) Për shembull, si reagoi Jehovai kur Abrahami vuri në pikëpyetje vendimin e Tij për të shkatërruar Sodomën? Në radhë të parë, Jehovai nuk e ndërpreu Abrahamin ndërsa fliste. Përkundrazi, dëgjoi me durim çdo pyetje që ngriti dhe çdo merak që shprehu Abrahami. Pastaj, Jehovai tregoi se e kishte dëgjuar me vëmendje kur përsëriti çdo merak që shprehu Abrahami, si edhe e siguroi se nuk do ta shkatërronte Sodomën sikur në atë qytet të gjendeshin edhe vetëm dhjetë të drejtë. (Zan. 18:22-33) Çfarë shembulli të shkëlqyer na lë Jehovai që dëgjon me durim dhe nuk reagon në mënyrë të ekzagjeruar!
Durimi që vjen nga Perëndia është pjesë jetësore e personalitetit të ri që duhet ta veshin të gjithë të krishterët. Le të përpiqemi me të gjitha forcat ta zhvillojmë këtë cilësi të çmuar që na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri. Kështu nderojmë Atin tonë të dashur e të durueshëm dhe do të jemi mes «atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet».—Hebr. 6:10-12.
^ par. 4 Cilësia e dashurisë u shqyrtua në artikullin e parë të kësaj serie me nëntë pjesë për frytin e frymës së shenjtë të Perëndisë.
^ par. 15 Emri është ndryshuar.