Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 33

«Ata që të dëgjojnë» do të shpëtojnë

«Ata që të dëgjojnë» do të shpëtojnë

«Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»​—1 TIM. 4:16.

KËNGA 67 «Prediko fjalën»

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë dëshirojmë të gjithë ne për të afërmit?

«QË NGA momenti kur njoha të vërtetën, kam dashur që çdo pjesëtar i familjes të jetë me mua në Parajsë,—thotë një motër që quhet Polina. *—Doja sidomos që im shoq, Redi, dhe djali ynë i vogël t’i shërbenin Jehovait bashkë me mua.» A ke të afërm që ende nuk e njohin Jehovain dhe nuk kanë zhvilluar dashuri për të? Me shumë gjasa, ndihesh për ta ashtu siç ndihej Polina për familjen e saj.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Ne nuk i detyrojmë dot të afërmit ta pranojnë lajmin e mirë, ama mund t’i inkurajojmë të hapin mendjen e zemrën ndaj mesazhit të Biblës. (2 Tim. 3:14, 15) Pse duhet t’u dëshmojmë të afërmve? Pse duhet të tregojmë empati? Ç’mund të bëjmë që t’i ndihmojmë të afërmit ta duan Jehovain ashtu si ne? Dhe si mund të na ndihmojnë gjithë motrat e vëllezërit në kongregacion?

PSE DUHET T’U DËSHMOJMË TË AFËRMVE?

3. Sipas 2 Pjetrit 3:9, pse duhet t’u dëshmojmë të afërmve?

3 Së shpejti, Jehovai do t’i japë fund këtij sistemi. Vetëm ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» do të shpëtojnë. (Vep. 13:48) Ne harxhojmë shumë kohë dhe energji që t’u predikojmë të panjohurve në zonën ku jetojmë, ndaj është normale të duam që edhe të afërmit tanë t’i shërbejnë Jehovait me ne. Ati ynë i dashur, Jehovai, «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin».—Lexo 2 Pjetrit 3:9.

4. Çfarë gabimi mund të bëjmë kur u dëshmojmë të afërmve?

4 Duhet të mbajmë parasysh se ka një mënyrë të drejtë dhe një mënyrë të gabuar për t’u dhënë të tjerëve mesazhin e shpëtimit. Kur i dëshmojmë një të panjohuri, ndoshta flasim me takt, ama me të afërmit mbase flasim troç.

5. Çfarë duhet të mbajmë parasysh para se t’u flasim për të vërtetën të afërmve?

5 Shumë nga ne ndihen keq kur kujtojnë herën e parë që u kanë dëshmuar të afërmve dhe do të donin të kishin vepruar ndryshe. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolos. 4:5, 6) Bëjmë mirë ta kujtojmë këtë këshillë kur flasim me të afërmit. Përndryshe, si rezultat mund t’i ofendojmë në vend se t’ua bëjmë më të lehtë të na dëgjojnë.

SI MUND T’I NDIHMOJMË TË AFËRMIT?

Empatia dhe sjellja jote e mirë mund të jenë dëshmia më e shkëlqyer (Shih paragrafët 6-8) *

6-7. Jepni një shembull që ilustron pse është e nevojshme që një Dëshmitar të tregojë empati ndaj bashkëshortit jobesimtar.

6 Trego empati. Polina, e përmendur më sipër, thotë: «Në fillim, doja t’i flisja burrit vetëm për Perëndinë e për Biblën. Nuk bënim asnjë bisedë ‘normale’.» Mirëpo burri i Polinës, Redi, nuk dinte shumë për Biblën dhe nuk i kuptonte ato që i thoshte Polina. I dukej sikur e shoqja s’mendonte për gjë tjetër veç fesë. Kishte merak se mos po hynte në ndonjë sekt të rrezikshëm dhe po e mashtronin.

7 Polina pranon se për njëfarë kohe, kalonte shumë kohë në mbrëmje e në fundjavë me vëllezërit e motrat—në mbledhje, në predikim dhe në grumbullime shoqërore. Ajo thotë: «Ndonjëherë Redi s’gjente asnjeri në shtëpi dhe ndihej i vetmuar.» Natyrisht që i mungonte gruaja dhe djali. Nuk i njihte njerëzit me të cilët shoqëroheshin dhe i dukej sikur për gruan e tij miqtë e rinj ishin bërë më të rëndësishëm se ai. Kështu Redi e kërcënoi se do ta divorconte. A të vijnë ndër mend disa mënyra si mund të kishte treguar më shumë empati Polina?

8. Sipas 1 Pjetrit 3:1, 2, çfarë mund t’u lërë më shumë mbresa të afërmve tanë?

8 Lejo të flasë sjellja jote. Shpesh, ajo që bëjmë, u lë më shumë mbresa të afërmve tanë se ajo që themi. (Lexo 1 Pjetrit 3:1, 2.) Me kohë, Polina e kuptoi këtë të vërtetë. Ajo thotë: «E dija që Redi na donte dhe nuk dëshironte vërtet të divorcohej. Por nga kërcënimi i tij kuptova se duhej të filloja t’i bëja gjërat siç do Jehovai. Në vend që të flisja tepër, duhej të lija një shembull të mirë me sjelljen time.» Polina nuk e detyroi më Redin të flisnin për Biblën dhe nisi të bisedonte me të për gjëra të jetës së përditshme. Redi vuri re se ajo u bë më paqësore dhe i ra në sy se djali i tyre sillej më mirë. (Prov. 31:18, 27, 28) Kur pa sa mirë po ndikonte mesazhi i Biblës te familja e tij, Redi hapi mendjen dhe zemrën ndaj mesazhit të Fjalës së Perëndisë.—1 Kor. 7:12-14, 16.

9. Pse duhet të ngulmojmë në përpjekjet për të ndihmuar të afërmit?

9 Ngulmo në përpjekjet për të ndihmuar të afërmit. Jehovai na ka lënë shembullin. Ai u jep «vazhdimisht» mundësi njerëzve të pranojnë lajmin e mirë dhe të fitojnë jetën. (Jer. 44:4) Gjithashtu, apostulli Pavël i tha Timoteut të ngulmonte në përpjekjet për të ndihmuar të tjerët. Pse? Sepse kështu do të shpëtonte veten dhe ata që e dëgjonin. (1 Tim. 4:16) Ne i duam të afërmit, ndaj kemi dëshirë të njohin të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Me kohë, fjalët dhe veprimet e Polinës ndikuan për mirë te familja e saj. Tani ajo është e lumtur që i shërben Jehovait bashkë me burrin. Që të dy janë pionierë dhe Redi shërben si plak.

10. Pse duhet të jemi të duruar?

10 Ji i duruar. Kur e përputhim jetën me normat e Perëndisë, të afërmit mund ta kenë të vështirë të përshtaten me këto ndryshime në bindjet dhe në jetën tonë. Shpesh, gjëja e parë që vërejnë, është se nuk bashkohemi më me ta në festat fetare dhe nuk përfshihemi më në politikë. Në fillim, disa të afërm mund të zemërohen me ne. (Mat. 10:35, 36) Por nuk duhet të dorëzohemi duke menduar se s’do të ndryshojnë kurrë. Nëse nuk përpiqemi më t’i ndihmojmë që të kuptojnë bindjet tona, është sikur t’i kemi gjykuar të padenjë për të fituar jetën e përhershme. Jehovai nuk na ka dhënë si detyrë të gjykojmë—këtë detyrë ia ka caktuar Jezuit. (Gjoni 5:22) Po të jemi të duruar, me kohë të afërmit mund të duan ta dëgjojnë mesazhin tonë.—Shih kutinë « Përdor sitin tonë për t’i mësuar».

11-13. Çfarë mëson nga mënyra si u soll Alisa me prindërit e saj?

11 Ji i vendosur, por trego takt. (Prov. 15:2) Mendo për shembullin e Alisës. Ajo mësoi për Jehovain kur jetonte larg prindërve, që ishin ateistë dhe shumë të angazhuar në politikë. Alisa kuptoi se duhej t’u tregonte sa më shpejt për gjërat e mira që po mësonte. Ajo thotë: «Sa më vonë t’u tregosh familjarëve për bindjet dhe zakonet e tua të reja, aq më shumë do të tronditen.» Alisa u shkruante letra prindërve, ku përmendte tema nga Bibla që shpresonte se do t’u interesonin, si dashuria, dhe i pyeste si mendonin. (1 Kor. 13:1-13) I falënderonte prindërit që e kishin rritur e ishin kujdesur për të dhe u dërgonte dhurata. Kur shkonte për vizitë tek ata, bënte çmos ta ndihmonte të ëmën në punët e shtëpisë. Në fillim, prindërit nuk reaguan mirë kur Alisa u tregoi për bindjet e saj të reja.

12 Kur rrinte në shtëpinë e prindërve, Alisa vazhdonte ta lexonte Biblën çdo ditë. «Kjo e ndihmoi mamanë të kuptonte sa e rëndësishme ishte Bibla për mua»,—thotë Alisa. Ndërkohë, babai vendosi të mësonte diçka për Biblën, që të kuptonte pse vajza e tij tani mendonte ndryshe dhe që të gjente kleçka te Bibla. «I dhashë një Bibël,—thotë Alisa,—ku i shkrova një dedikim personal.» Cili ishte rezultati? Në vend se të gjente kleçka, babai i Alisës u prek thellë nga ajo që lexoi në Fjalën e Perëndisë.

13 Duhet të jemi të vendosur e njëkohësisht të tregojmë takt, edhe nëse duhet të durojmë sprova. (1 Kor. 4:12b) Alisës, për shembull, iu desh të duronte kundërshtimin nga e ëma. Ajo tregon: «Kur u pagëzova, mamaja më quajti ‘vajzë e pabindur’.» Si reagoi Alisa? «Në vend që ta shmangia këtë bisedë, i shpjegova me respekt se e kisha ndarë mendjen të bëhesha Dëshmitare e Jehovait dhe nuk do të luaja nga ai vendim. U përpoqa ta siguroja mamanë se e doja vërtet. Të dyja qamë dhe unë gatova për të diçka të shijshme. Që atëherë, ajo filloi ta pranonte se Bibla po më bënte njeri më të mirë.»

14. Pse s’duhet të dorëzohemi kurrë para presionit për të bërë kompromis?

14 Mund të duhet kohë që të afërmit ta kuptojnë plotësisht sa e rëndësishme është për ne t’i shërbejmë Jehovait. Për shembull, kur Alisa vendosi të mos ndiqte karrierën që kishin zgjedhur prindërit për të, por të shërbente si pioniere, e ëma qau përsëri. Por Alisa nuk u lëkund. Ajo thotë: «Nëse dorëzohesh para presionit në një pikë, ka shumë mundësi që familja do të të bëjë presion edhe për gjëra të tjera. Por nëse tregohesh e dashur dhe njëkohësisht e vendosur me familjarët, disa mund të të dëgjojnë.» Kështu ndodhi në rastin e Alisës. Tani prindërit e saj janë pionierë dhe i ati shërben si plak.

SI MUND TË NDIHMOJNË GJITHË PJESËTARËT E KONGREGACIONIT?

Si mund t’i ndihmojë kongregacioni familjarët jobesimtarë? (Shih paragrafët 15-16) *

15. Sipas Mateut 5:14-16 dhe 1 Pjetrit 2:12, si mund t’i ndihmojnë të afërmit tanë ‘veprat e shkëlqyera’ të të tjerëve?

15 Jehovai i tërheq njerëzit drejt tij nëpërmjet ‘veprave të shkëlqyera’ të kongregacionit të krishterë. (Lexo Mateun 5:14-16; 1 Pjetrit 2:12.) Nëse gruaja ose burri yt nuk është Dëshmitar i Jehovait, a ka takuar pjesëtarë të kongregacionit? Polina, e përmendur më sipër, ftonte vëllezër e motra në shtëpi që i shoqi, Redi, të kishte mundësi t’i njihte. Redi kujton si e ndihmoi një vëlla të rrëzonte barrierat e paragjykimeve: «Ai mori një ditë pushim nga puna vetëm që të shihte një ndeshje me mua. Atëherë thashë me vete: ‘Qenka njeri normal!’»

16. Pse duhet t’i ftojmë të afërmit në mbledhje?

16 Një mënyrë e shkëlqyer për t’i ndihmuar të afërmit, është t’i ftojmë të vijnë në mbledhje bashkë me ne. (1 Kor. 14:24, 25) Redi e ndoqi mbledhjen e parë—Përkujtimin—ngaqë ishte pas orarit të punës dhe programi ishte relativisht i shkurtër. Ai thotë: «Nuk kuptova tamam ç’u tha në fjalim, ama njerëzit më lanë mbresa. Vinin të më jepnin mirëseardhjen dhe më shtrëngonin dorën me përzemërsi. E kuptova se ishin të sinqertë.» Një çift ishte treguar veçanërisht i mirë me Polinën duke e ndihmuar të mbante djalin në mbledhje dhe në shërbim. Ndaj, kur Redi në fund e ndau mendjen se kishte nevojë t’i kuptonte më mirë bindjet e reja të Polinës, i kërkoi atij vëllai të studionte Biblën me të.

17. Për çfarë nuk duhet ta fajësojmë veten dhe pse nuk duhet të dorëzohemi duke menduar se të afërmit s’do të ndryshojnë kurrë?

17 Shpresojmë që një ditë të gjithë të afërmit tanë t’i shërbejnë Jehovait bashkë me ne. Por, sado fort të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëhen shërbëtorë të Perëndisë, ata mund të mos e përqafojnë të vërtetën. Nëse ndodh kështu, nuk duhet të fajësojmë veten për vendimin e tyre. Tekefundit, nuk mund të detyrojmë askënd të pranojë bindjet tona. Prapëseprapë, mos e nënvlerëso ndikimin që mund të kesh te të afërmit kur të shohin sa i lumtur je teksa i shërben Jehovait. Lutu për ta. Folu me takt. Mos i ndal përpjekjet për t’i ndihmuar! (Vep. 20:20) Ji i sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua. E nëse të afërmit zgjedhin të të dëgjojnë, do të shpëtojnë!

KËNGA 57 T’u predikojmë njerëzve të çdo lloji

^ par. 5 Kemi dëshirë që të afërmit tanë ta njohin Jehovain, ama u takon atyre të vendosin nëse do t’i shërbejnë atij apo jo. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund t’ua bëjmë më të lehtë të afërmve të na dëgjojnë.

^ par. 1 Disa emra janë ndryshuar. Në këtë artikull, fjala «i afërm» përdoret për pjesëtarët e familjes që nuk i shërbejnë ende Jehovait.

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i ri po ndihmon të atin jobesimtar të rregullojë makinën. Në një moment të përshtatshëm, i tregon një video nga jw.org®.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër dëgjon me vëmendje teksa burri jobesimtar i tregon për ditën e ngarkuar që ka pasur. Më vonë ajo kënaqet ndërsa zbavitet me familjen.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Motra ka ftuar në shtëpi disa pjesëtarë të kongregacionit. Ata përpiqen sinqerisht ta njohin burrin e saj. Më vonë burri ndjek Përkujtimin bashkë me gruan.