Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 31

«Ne nuk dorëzohemi»!

«Ne nuk dorëzohemi»!

«Prandaj, ne nuk dorëzohemi.»​—2 KOR. 4:16.

KËNGA 128 Të qëndrojmë deri në fund

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë na duhet që ta çojmë deri në fund garën e jetës?

TË KRISHTERËT janë në garë për jetën. Pavarësisht nëse kemi vite në garë apo sapo kemi nisur, duhet të vazhdojmë të vrapojmë derisa të kalojmë vijën e finishit. Këshillat që u dha apostulli Pavël të krishterëve në Filipi, mund të na inkurajojnë ta çojmë deri në fund garën. Disa pjesëtarë të atij kongregacioni të shekullit të parë kishin vite të tëra që po i shërbenin Jehovait kur morën letrën e Pavlit. Ata po vraponin mirë, por Pavli u kujtoi se duhej të vazhdonin të vraponin me qëndrueshmëri. Ai donte që të vazhdonin të ndiqnin shembullin e tij e ‘të suleshin drejt qëllimit’.—Filip. 3:14.

2. Pse ishin me vend këshillat që u dha Pavli filipianëve?

2 Këshillat që u dha Pavli filipianëve ishin me vend. Kongregacioni hasi kundërshtime që kur u formua. Gjithçka nisi kur Pavli dhe Sila pranuan ftesën e Perëndisë që ‘të kalonin në Maqedoni’ dhe shkuan në Filipi rreth vitit 50 të e.s. (Vep. 16:9) Atje takuan një grua që quhej Lidia, e cila «po dëgjonte [dhe] Jehovai ia hapi plotësisht zemrën» që ta pranonte lajmin e mirë. (Vep. 16:14) Shpejt, ajo dhe njerëzit e shtëpisë së saj u pagëzuan. Megjithatë Djalli nuk flinte. Disa burra të atij qyteti i çuan zvarrë Pavlin dhe Silën te administruesit civilë me akuzën e rreme se po turbullonin qytetin. Si pasojë, Pavlin dhe Silën i rrahën, i burgosën dhe më vonë u kërkuan të iknin nga qyteti. (Vep. 16:16-40) A u dorëzuan ata? Kurrsesi! Po vëllezërit e motrat në kongregacionin e sapoformuar, çfarë bënë? Edhe ata treguan qëndrueshmëri dhe lanë një shembull të shkëlqyer! Pa dyshim që morën shumë zemër nga shembulli i Pavlit dhe Silës.

3. Çfarë kuptoi Pavli, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Pavli ishte i vendosur të mos dorëzohej. (2 Kor. 4:16) Gjithsesi e dinte se, që ta përfundonte garën, duhej t’i mbante sytë te qëllimi. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit? Cilët shembuj besimi të ditëve tona tregojnë se mund të vrapojmë me qëndrueshmëri pavarësisht nga vështirësitë? Dhe si mund të na e forcojë shpresa jonë vendosmërinë që të mos dorëzohemi kurrë?

SI NXJERRIM DOBI NGA SHEMBULLI I PAVLIT

4. Si shërbeu pa u lodhur Pavli pavarësisht nga rrethanat?

4 Të mendojmë si po përpiqej me të gjitha forcat Pavli kur u shkroi filipianëve. Ai ishte në arrest shtëpie në Romë dhe liria e tij për të predikuar ishte tepër e kufizuar. Megjithatë qëndroi aktiv duke u dhënë dëshmi atyre që i shkonin për vizitë dhe duke u shkruar letra kongregacioneve të largëta. Edhe sot, shumë Dëshmitarë që s’mund të dalin nga shtëpia, shfrytëzojnë çdo rast për t’u dhënë lajmin e mirë atyre që u shkojnë në shtëpi. Gjithashtu u shkruajnë letra inkurajuese njerëzve që lajmëtarët e tjerë nuk arrijnë t’i takojnë.

5. Sipas asaj që shkroi te Filipianëve 3:12-14, çfarë e ndihmoi Pavlin t’i mbante sytë te qëllimi?

5 Pavli nuk ia lejoi vetes të shpërqendrohej as nga arritjet, as nga gabimet e së kaluarës. Në fakt, ai tha se ishte jetësore ‘t’i harronte gjërat që kishte lënë pas’ me qëllim që ‘të synonte drejt atyre që kishte para’, pra të përfundonte me sukses garën. (Lexo Filipianëve 3:12-14.) Cilat ishin disa gjëra që mund ta shpërqendronin Pavlin? Së pari, arritjet e tij në judaizëm të linin gojëhapur. Mirëpo Pavli i shihte ato gjëra si «shumë plehra». (Filip. 3:3-8) Së dyti, ai nuk lejoi ta paralizonin ndjenjat e fajit që mund të provonte ngaqë kishte përndjekur të krishterët. Dhe së treti, nuk arsyetoi se tashmë kishte bërë goxha për Jehovain. Pavli ishte mjaft i frytshëm në shërbim ndonëse e burgosën, e rrahën, e qëlluan me gurë, iu shkallmua anija dhe ishte i uritur e i zhveshur. (2 Kor. 11:23-27) Pavarësisht nga gjërat që kishte arritur dhe nga ato që kishte vuajtur, Pavli e dinte se duhej të sulej drejt qëllimit. Kjo vlen edhe për ne.

6. Cilat janë disa ‘gjëra që kemi lënë pas’ e që mund të na duhet t’i harrojmë?

6 Si mund ta imitojmë shembullin e Pavlit dhe ‘t’i harrojmë gjërat që kemi lënë pas’? Disave prej nesh mbase u duhet të mposhtin ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës. Nëse po bën këtë luftë, pse të mos nisësh një projekt studimi personal që përqendrohet te flijimi shpërblyes i Krishtit? Kur studiojmë, meditojmë dhe lutemi për këtë temë që na ngroh zemrën, mund t’i lehtësojmë goxha ndjenjat e kota të fajit. Madje mund të mos ndihemi më fajtorë për mëkatet që Jehovai na i ka falur. Nga shembulli i Pavlit mund të nxjerrim edhe një mësim tjetër. Për të çuar para veprën e Mbretërisë, disa ndoshta kanë hequr dorë nga një karrierë që mund t’i kishte bërë të pasur. Nëse e kemi bërë këtë, a mund t’i harrojmë gjërat që lamë pas, pra të mos i dëshirojmë më shanset që kemi humbur nga ana materiale? (Num. 11:4-6; Ekl. 7:10) ‘Gjërat që lamë pas’ mund të përfshijnë edhe gjërat që kemi arritur ose sprovat që kemi hequr në të kaluarën. Natyrisht, kur kujtojmë si na ka bekuar e na ka mbështetur Jehovai në rrjedhën e viteve, mund të afrohemi më shumë me Atin tonë. Ama, nuk duam të biem kurrë në vetëkënaqësi e të mendojmë se kemi bërë boll në veprën e Jehovait.—1 Kor. 15:58.

Në garën e jetës, duhet të shmangim shpërqendrimet dhe t’i mbajmë sytë te qëllimi (Shih paragrafin 7)

7. Sipas 1 Korintasve 9:24-27, ç’duhet të bëjmë që ta fitojmë garën e jetës? Ilustrojeni.

7 Pavli i kuptonte mirë fjalët e Jezuit: «Përpiquni fuqimisht.» (Luka 13:23, 24) Ai e dinte se, ashtu si Krishti, duhej të përpiqej me të gjitha forcat deri në fund. Prandaj e krahasoi jetën e të krishterëve me një garë. (Lexo 1 Korintasve 9:24-27.) Një vrapues në garë i mban sytë te vija e finishit dhe shmang shpërqendrimet. Për shembull, nëse vrapon përmes një qyteti, rruga mund të jetë plot dyqane dhe shpërqendrime të tjera. A e përfytyron dot një vrapues të ndalet e të soditë mallrat në vitrina? Nëse dëshiron të fitojë, jo! Në garën e jetës, edhe ne duhet t’i shmangim shpërqendrimet. Nëse i mbajmë sytë te qëllimi ynë, duke u përpjekur fuqimisht si Pavli, do ta fitojmë çmimin!

TË PËRBALLOJMË SFIDAT E BESIMIT

8. Cilat janë tri vështirësi që do të shqyrtojmë?

8 Le të shqyrtojmë tani tri sfida ose vështirësi që mund të na plogështojnë: shpresat e paplotësuara ende, rënia e fuqisë fizike dhe sprovat që nuk marrin fund. Mund të nxjerrim dobi duke mësuar si i kanë përballuar këto probleme të tjerët.—Filip. 3:17.

9. Si mund të ndihemi nëse nuk është plotësuar ende diçka që shpresojmë?

9 Shpresat e paplotësuara ende. Ne i dëshirojmë me shpirt gjërat e mira që ka premtuar Jehovai. Kur profeti Habakuk shprehu dëshirën e zjarrtë që Jehovai t’i jepte fund ligësisë në Judë, Jehovai e udhëzoi ‘të rrinte në pritje’. (Hab. 2:3) Ama, kur duket se shpresat tona po vonojnë të plotësohen, mund të na venitet entuziazmi, e madje mund të na lëshojë zemra. (Prov. 13:12) Kështu ndodhi në fillim të shekullit të 20-të. Në atë kohë, shumë të mirosur pritnin të merrnin shpërblimin qiellor në vitin 1914. Mirëpo, kur kjo nuk ndodhi, si e përballuan shkurajimin këta besnikë ngaqë nuk iu plotësuan shpresat atëherë kur e pritnin?

Rojal dhe Perla Spaci nuk panë të përmbushej shpresa e tyre më 1914, por qëndruan besnikë për shumë dekada (Shih paragrafin 10)

10. Si veproi një çift pasi nuk iu plotësuan shpresat kur e pritnin?

10 Të shohim shembullin e dy besnikëve që e përballuan këtë sfidë. Vëllai Rojal Spac u pagëzua në vitin 1908 në moshën 20-vjeçare. Ishte shumë i sigurt se pas pak do të merrte shpërblimin e tij. Në fakt, më 1911, kur i bëri propozimin për martesë gruas së tij të ardhshme, Perlës, i tha: «Ti e di ç’do të ndodhë më 1914. Nëse do të martohemi, bëjmë mirë të martohemi shpejt!» A u dorëzua në garën e jetës ky çift pasi nuk e morën shpërblimin qiellor më 1914? Jo, sepse synimi i tyre kryesor ishte të bënin vullnetin e Perëndisë me besnikëri, jo të merrnin shpërblimin. Ata ishin të vendosur të vraponin me qëndrueshmëri në garë. Dhe vërtet, Rojali dhe Perla qëndruan aktivë e besnikë derisa përfunduan jetën e tyre në tokë shumë dekada më vonë. Pa dyshim, ti pret me zjarr që Jehovai të shfajësojë emrin dhe sovranitetin e tij e t’i plotësojë gjithë premtimet. Ji i sigurt se këto do të ndodhin në kohën që ka zgjedhur Jehovai. Deri atëherë, le të vazhdojmë t’i shërbejmë me zell Perëndisë tonë, pa lejuar kurrë që shpresat e paplotësuara ende të na shkurajojnë a të na plogështojnë.

Edhe në moshë të thyer, Artur Sekordi donte me zjarr t’i jepte më të mirën Jehovait. (Shih paragrafin 11)

11-12. Pse mund të vazhdojmë të shërbejmë me besnikëri edhe nëse nuk jemi të fortë si dikur? Jepni një shembull.

11 Rënia e fuqisë fizike. Ndryshe nga një vrapues i mirëfilltë, ti s’ke nevojë të jesh i fortë fizikisht që të vazhdosh ta forcosh besimin dhe zellin. Në të vërtetë, shumë nga ata që s’janë të fortë fizikisht si dikur, vazhdojnë të jenë plotësisht të vendosur që t’i japin më të mirën Jehovait. (2 Kor. 4:16) Për shembull, vëlla Artur Sekordi * ishte 88 vjeç dhe i sëmurë pasi kishte shërbyer në Bethel për 55 vjet. Një infermiere iu afrua te krevati që të kujdesej për të, e pa dhe i tha me përzemërsi: «Vëlla Sekord, ky trup ka udhëtuar kilometra të tëra në shërbim të Jehovait.» Mirëpo Arturi nuk jetonte me të shkuarën. Ai e pa me vëmendje, i buzëqeshi dhe ia ktheu: «Mirë e ke. Por nuk ka rëndësi çfarë kemi bërë. Ka rëndësi ajo që bëjmë më tej.»

12 Mbase ti i ke shërbyer Jehovait për shumë vjet, dhe tani shëndeti i dobët nuk të lejon të bësh aq sa dikur. Nëse është kështu, mos u dëshpëro. Ji i sigurt se Jehovai e kujton dhe e çmon shërbimin besnik që ke bërë në të kaluarën. (Hebr. 6:10) Sa për të tashmen, mos harro se përkushtimi me gjithë shpirt nuk matet nga sa bëjmë në shërbimin e Jehovait. Përkundrazi, tregojmë sa i thellë është përkushtimi ynë duke pasur një qëndrim pozitiv dhe duke bërë gjithë sa mundemi fizikisht. (Kolos. 3:23) Jehovai i kupton kufizimet tona dhe nuk na kërkon më tepër nga sa mund t’i japim.—Mar. 12:43, 44.

Anatoli dhe Lidia Melniku qëndruan besnikë me gjithë vështirësitë e shumta (Shih paragrafin 13)

13. Si na inkurajon përvoja e Anatolit dhe e Lidias të ngulmojmë me gjithë sprovat e shumta?

13 Sprovat që s’marrin fund. Disa shërbëtorë të Jehovait kanë duruar vështirësi dhe përndjekje për dekada të tëra. Për shembull, Anatoli Melniku * ishte vetëm 12 vjeç kur babanë e tij e arrestuan, e burgosën dhe e internuan në Siberi, mbi 7.000 kilometra larg familjes së tij në Moldavi. Pas një viti, edhe Anatolin, mamanë e tij dhe gjyshërit i internuan në Siberi. Më vonë, ata patën mundësi të ndiqnin mbledhjet në një fshat tjetër, por u duhej të çanin mes borës për 30 kilometra kur temperaturat ishin shumë gradë nën zero. Më pas, vëlla Melniku kaloi tre vjet në burg, larg së shoqes, Lidias, dhe vajzës së tyre një vjeçe. Pavarësisht nga tërë ato vite të vështira, Anatoli dhe familja e tij vazhduan t’i shërbenin Jehovait me besnikëri. Tani që është 82 vjeç, Anatoli shërben në një Komitet Dege në Azinë Qendrore. Ashtu si Anatoli dhe Lidia, le të bëjmë gjithçka mundemi në shërbim të Jehovait, duke vazhduar të qëndrojmë njësoj si në të kaluarën.—Gal. 6:9.

TË MOTIVUAR NGA SHPRESA JONË

14. Çfarë kuptoi se duhej të bënte Pavli për të arritur qëllimin e tij?

14 Pavli ishte i sigurt se do ta përfundonte garën dhe do ta arrinte qëllimin. Si i krishterë i mirosur, mezi priste të merrte «çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë». Ama e kuptonte se për ta arritur këtë, duhej të vazhdonte ‘të sulej’ drejt qëllimit. (Filip. 3:14) Pavli përdori një ilustrim interesant për t’i ndihmuar filipianët të vazhdonin të përqendroheshin te qëllimi i tyre.

15. Si e përdori Pavli ilustrimin për qytetarinë që t’i inkurajonte të krishterët në Filipi të vazhdonin ‘të suleshin’ drejt qëllimit?

15 Pavli u kujtoi filipianëve se qytetarinë e kishin në qiej. (Filip. 3:20) Pse kishte rëndësi ajo qytetari? Në atë kohë, vlerësohej tej mase qytetaria romake. * Por të krishterët e mirosur kishin një qytetari shumë më të mirë, e cila do të sillte dobi jashtëzakonisht më të mëdha. Qytetaria romake dukej një hiç para saj! Ja pse Pavli i inkurajoi filipianët ‘të silleshin [si qytetarë, shën., NWT, botimi 2013] në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit’. (Filip. 1:27) Të krishterët e mirosur sot lënë një shembull të shkëlqyer ndërsa sulen drejt qëllimit të jetës së përhershme në qiell.

16. Sipas Filipianëve 4:6, 7, çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell apo në tokë?

16 Pavarësisht nëse kemi shpresën të jetojmë përgjithmonë në qiell a në tokën parajsore, duhet të vazhdojmë të sulemi drejt këtij qëllimi. Cilatdo qofshin rrethanat tona, të mos shohim gjërat që kemi lënë pas dhe të mos lejojmë asgjë të na pengojë të ecim para. (Filip. 3:16) Shpresat tona mund të duket se po vonojnë të plotësohen ose ndoshta po na lënë fuqitë. Mund të kemi duruar për vite të tëra vështirësi e përndjekje. Sido që të jetë, ‘mos ji në ankth për asgjë’. Në vend të kësaj, shprehja kërkesat dhe përgjërimet e tua Perëndisë, e ai do të të japë një paqe që as arrin ta imagjinosh.—Lexo Filipianëve 4:6, 7.

17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Ashtu si një vrapues përpiqet fuqimisht ndërsa i afrohet vijës së finishit, le t’i mbajmë sytë të ngulitur te qëllimi për ta çuar deri në fund garën e jetës. Me aq sa na e lejojnë fuqitë dhe rrethanat, le të përpiqemi me të gjitha forcat dhe të ecim para me zell drejt gjërave të mrekullueshme që na presin. Ç’duhet të bëjmë që të ngulmojmë në drejtimin e duhur dhe me një ritëm që mund ta mbajmë? Artikulli tjetër do të na ndihmojë t’i vëmë përparësitë siç duhet dhe ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’.—Filip. 1:9, 10.

KËNGA 79 Mësojini të qëndrojnë besnikë

^ par. 5 Sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait, duam të ecim para në shërbimin e tij dhe të bëhemi më të pjekur. Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të mos dorëzoheshin kurrë! Letra që u shkroi filipianëve na jep zemër e na motivon të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën e jetës. Ky artikull do të tregojë si t’i zbatojmë fjalët e frymëzuara të Pavlit.

^ par. 11 Shih jetëshkrimin e vëlla Sekordit, «Pjesa ime për të mbështetur adhurimin e drejtë», në Kullën e Rojës të 15 qershorit 1965, anglisht.

^ par. 13 Shih jetëshkrimin e vëlla Melnikut, «Që në fëmijëri më mësuan ta dua Perëndinë», në revistën Zgjohuni! të 22 tetorit 2004.

^ par. 15 Meqë Filipia ishte koloni romake, banorët e qytetit kishin një lloj qytetarie romake. Prandaj ilustrimi i Pavlit ishte kuptimplotë për dëgjuesit e tij.