Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 32

Shtoje pareshtur dashurinë

Shtoje pareshtur dashurinë

«Lutem vazhdimisht që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më e madhe.»​—FILIP. 1:9.

KËNGA 106 Të kultivojmë cilësinë e dashurisë

PËRMBLEDHJE *

1. Cilët ndihmuan të formohej kongregacioni i Filipisë?

KUR apostulli Pavël, Sila, Luka dhe Timoteu mbërritën në qytetin e Filipisë, një koloni romake, gjetën shumë të interesuar për mesazhin e Mbretërisë. Katër vëllezërit e zellshëm ndihmuan të formohej një kongregacion. Pastaj të gjithë dishepujt filluan të mblidheshin bashkë, ka të ngjarë në shtëpinë e një besimtareje mikpritëse që quhej Lidia.—Vep. 16:40.

2. Çfarë vështirësie hasi pas pak ai kongregacion?

2 S’kaloi shumë dhe kongregacioni i ri hasi një vështirësi. Satanai i shtyu armiqtë e së vërtetës t’i kundërviheshin egërsisht predikimit të atyre vëllezërve besnikë. Pavlin dhe Silën i arrestuan, i rrahën me thupër dhe i burgosën. Pasi u liruan nga burgu, ata shkuan te dishepujt e rinj e u dhanë zemër. Pastaj Pavli, Sila dhe Timoteu ikën nga qyteti, kurse Luka me sa duket qëndroi atje. Si vajtën gjërat me kongregacionin e sapoformuar? Me ndihmën e frymës së Jehovait, besimtarët e rinj vazhduan para në shërbimin e Jehovait. (Filip. 2:12) Pavli kishte vërtet arsye të ndihej krenar për ta!

3. Sipas Filipianëve 1:9-11, për çfarë lutej Pavli?

3 Rreth 10 vjet më vonë, Pavli i shkroi një letër kongregacionit të Filipisë. Ndërsa lexon këtë letër, është e lehtë të ndiesh dashurinë e Pavlit për vëllezërit. «Sa mall kam për të gjithë ju, me një përzemërsi të butë, si ajo që ka Krishti Jezu»,—u shkroi ai. (Filip. 1:8) Më tej u tha se lutej për ta dhe i kërkonte Jehovait t’i ndihmonte ta shtonin dashurinë, të siguroheshin për gjërat më të rëndësishme, të ishin të patëmetë, të mos pengonin të tjerët e të vazhdonin të jepnin fryt të drejtë. Pa dyshim, je dakord se fjalët e përzemërta të Pavlit mund të na sjellin dobi sot. Prandaj, le të lexojmë çfarë u shkroi Pavli filipianëve. (Lexo Filipianëve 1:9-11.) Më poshtë do të shqyrtojmë pikat që përmendi ai dhe do të shohim si mund ta zbatojmë secilën prej tyre.

SHTOJE PARESHTUR DASHURINË

4. (a) Sipas 1 Gjonit 4:9, 10, si e ka shprehur Jehovai dashurinë për ne? (b) Sa duhet ta duam Perëndinë?

4 Jehovai e shprehu dashurinë e madhe për ne duke dërguar në tokë Birin e vet që të vdiste për mëkatet tona. (Lexo 1 Gjonit 4:9, 10.) Dashuria altruiste e Perëndisë na shtyn ta duam. (Rom. 5:8) Sa duhet ta duam Perëndinë? Jezui iu përgjigj kësaj pyetjeje kur i tha një fariseu: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mat. 22:36, 37) Nuk duam që dashuria jonë për Perëndinë të jetë me gjysmë zemre. Përkundrazi, duam ta forcojmë dita-ditës dashurinë për të. Pavli u tha filipianëve se dashuria e tyre duhej ‘të ishte gjithnjë e më e madhe’. Çfarë mund të bëjmë që ta forcojmë dashurinë për Perëndinë?

5. Si mund ta forcojmë dashurinë për Perëndinë?

5 Që ta duam Perëndinë, kemi nevojë ta njohim. Bibla thotë: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:8) Apostulli Pavël theksoi se dashuria jonë për Perëndinë forcohet ndërsa fitojmë ‘njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese’ rreth Tij. (Filip. 1:9) Kur filluam të studionim Biblën, zhvilluam dashuri për Perëndinë—një dashuri që bazohej tek ajo pak njohuri që kishim për cilësitë e tij të mrekullueshme. Pastaj, sa më shumë mësonim për Jehovain, aq më e fortë bëhej dashuria për të. Ja pse studimi dhe meditimi i rregullt për Fjalën e Perëndisë janë ndër gjërat më të rëndësishme në jetën tonë!—Filip. 2:16.

6. Sipas 1 Gjonit 4:11, 20, 21, për cilët duhet të kemi gjithnjë e më shumë dashuri?

6 Dashuria e madhe që ka Perëndia për ne do të na motivojë t’i duam vëllezërit. (Lexo 1 Gjonit 4:11, 20, 21.) Mbase mendojmë se dashuria për vëllezërit e motrat do të na vijë natyrshëm. Tekefundit, ne adhurojmë Jehovain dhe bëjmë çmos të imitojmë cilësitë e tij të bukura. Ndjekim shembullin e Jezuit, dashuria e të cilit ishte aq e madhe, sa dha jetën për ne. Gjithsesi, hera-herës mund ta kemi të vështirë t’i bindemi urdhrit për të dashur njëri-tjetrin. Të shohim një shembull nga kongregacioni i Filipisë.

7. Çfarë mësojmë nga këshilla që i dha Pavli Evodisë dhe Sintikisë?

7 Evodia dhe Sintikia ishin motra të zellshme që kishin shërbyer «krah për krah» me apostullin Pavël. Por ndoshta kishin lejuar që mosmarrëveshjet personale të hapnin një hendek mes tyre. Në letrën që i shkroi kongregacionit ku shërbenin ato motra, Pavli i përmendi me emër Evodinë e Sintikinë dhe u dha këshillën e drejtpërdrejtë që ‘të ishin të një mendjeje’. (Filip. 4:2, 3) Pavli e ndjeu të nevojshme ta udhëzonte gjithë kongregacionin: «Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje dhe pa debate.» (Filip. 2:14) Pa dyshim, ato këshilla të drejtpërdrejta ndihmuan jo vetëm dy motrat besnike, por edhe krejt kongregacionin që të forconin dashurinë mes tyre.

Pse duhet të ushqejmë një pikëpamje pozitive për vëllezërit tanë? (Shih paragrafin 8) *

8. Cila mund të jetë një pengesë e madhe për t’i dashur vëllezërit, dhe si mund ta kapërcejmë?

8 Ashtu si Evodia dhe Sintikia, mund të hasim një pengesë të madhe për të zhvilluar një lidhje të fortë dashurie me të tjerët—prirja që të përqendrohemi te papërsosmëritë. Të gjithë bëjmë gabime çdo ditë. Po të fiksohemi te papërsosmëritë e të tjerëve, do të na ftohet dashuria për ta. Për shembull, nëse një vëlla nuk kujtohet të na ndihmojë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë, mund të acarohemi. E nëse fillojmë pastaj të renditim gjithë gabimet e tjera që e dimë se ka bërë, do të acarohemi akoma më tepër dhe do të na venitet dashuria për të. Nëse gjendesh në një situatë të ngjashme, bën mirë të meditosh për këtë fakt: Jehovai i sheh edhe papërsosmëritë tona, edhe ato të vëllait. E me gjithë këto papërsosmëri, e do akoma vëllanë tonë e na do akoma edhe ne. Ja pse kemi nevojë të imitojmë dashurinë e Jehovait dhe të ushqejmë një pikëpamje pozitive për vëllezërit tanë. Kur përpiqemi me të gjitha forcat t’i duam vëllezërit, forcojmë unitetin mes nesh.—Filip. 2:1, 2.

«GJËRAT MË TË RËNDËSISHME»

9. Cilat janë disa nga «gjërat më të rëndësishme», siç shprehet Pavli në letrën drejtuar filipianëve?

9 Fryma e shenjtë e frymëzoi Pavlin t’i udhëzonte të krishterët në Filipi—dhe të gjithë ne: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ (Filip. 1:10) Këto gjëra të rëndësishme përfshijnë shenjtërimin e emrit të Jehovait, plotësimin e qëllimeve të tij dhe paqen e unitetin në kongregacion. (Mat. 6:9, 10; Gjoni 13:35) Kur i kemi si bosht të jetës këto gjëra të rëndësishme, tregojmë se e duam Jehovain.

10. Çfarë duhet të bëjmë që Jehovai të na shohë si të patëmetë?

10 Pavli tha edhe se duhet ‘të jemi të patëmetë’. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi të përsosur. Është e pamundur të jemi të patëmetë në atë masë që është i patëmetë Perëndia Jehova. Ama Jehovai do të na shohë si të patëmetë nëse përpiqemi me mish e me shpirt ta thellojmë dashurinë dhe të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme. Një mënyrë si tregojmë dashuri është duke bërë të pamundurën të mos i pengojmë të tjerët, pra të mos bëhemi shkak që të dëmtohet marrëdhënia e tyre me Jehovain.

11. Pse duhet të bëjmë kujdes që të mos pengojmë të tjerët?

11 Udhëzimi që të mos pengojmë të tjerët është në të vërtetë një paralajmërim. Si mund të ndodhë që ta pengojmë dikë? Me anë të zbavitjeve, veshjes a madje edhe punës që zgjedhim. Ajo që bëjmë, mund të mos jetë e gabuar në vetvete. Mirëpo, nëse zgjedhjet tona plagosin ndërgjegjen e dikujt dhe ai ose ajo pengohet, kjo është mjaft serioze. Jezui tha se po të pengojmë një nga delet e tij, do të ishte më mirë të varnim në qafë një gur të rëndë e të hidheshim në det!—Mat. 18:6.

12. Çfarë mësojmë nga shembulli i një çifti pionier?

12 Të shohim si ia vuri veshin këtij paralajmërimi një çift pionier. Ata shërbenin në të njëjtin kongregacion me një çift të sapopagëzuar që vinin nga familje shumë konservatore. Çifti i ri në të vërtetën mendonte se të krishterët nuk duhet të shkojnë në kinema—madje as për të parë filma të pastër. Ata u skandalizuan kur morën vesh se çifti pionier kishte parë një film. Pas kësaj, çifti pionier nuk shkoi më në kinema derisa dishepujt e rinj e stërvitën ndërgjegjen dhe kishin një pikëpamje më të ekuilibruar. (Hebr. 5:14) Me sjelljen e tyre altruiste, çifti pionier e tregoi jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dashurinë për vëllanë e motrën që ishin të rinj në të vërtetën.—Rom. 14:19-21; 1 Gjon. 3:18.

13. Si mund të ndodhë që ta shtyjmë dikë të mëkatojë?

13 Një mënyrë tjetër si mund ta pengojmë dikë është duke e shtyrë të mëkatojë. Si mund të ndodhë kjo? Imagjino këtë situatë. Pas një beteje të gjatë e të vështirë, një student i Biblës ia del më në fund ta mposhtë varësinë nga alkooli. Ai e kupton se nuk duhet të vërë më fare pije në gojë. Bën përparim të shpejtë dhe pagëzohet. Më vonë, në një grumbullim me bashkëbesimtarë, mikpritësi e nxit pa të keq vëllanë e ri të pranojë një pije alkoolike, duke i thënë: «Tani je shërbëtor i Jehovait, ke frymën e tij. Një aspekt i frymës së shenjtë është vetëkontrolli. Po të tregosh vetëkontroll, s’ka pse të mos ia dalësh të pish alkool me masë.» E marrim me mend cilat do të ishin pasojat sikur vëllai i ri ta dëgjonte atë këshillë të shtrembër!

14. Si na ndihmojnë mbledhjet të zbatojmë udhëzimet që jepen te Filipianëve 1:10?

14 Mbledhjet tona na ndihmojnë në shumë mënyra të zbatojmë udhëzimet që jepen te Filipianëve 1:10. Së pari, programi me ushqim të pasur na kujton çfarë sheh Jehovai si më të rëndësishme. Së dyti, mësojmë si t’i zbatojmë ato që mësojmë, që të jemi të patëmetë. E së treti, nxitemi «për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24, 25) Sa më shumë marrim zemër nga vëllezërit, aq më shumë na rritet dashuria për Perëndinë tonë dhe për ta. Kur këto dy dashuri të mëdha na e mbushin zemrën plot, do të bëjmë çmos të mos i pengojmë vëllezërit tanë.

VAZHDONI «TË JEPNI ME BOLLËK FRYT TË DREJTË»

15. Çfarë do të thotë ‘të japim me bollëk fryt të drejtë’?

15 Pavli lutej me zjarr që filipianët ‘të jepnin me bollëk fryt të drejtë’. (Filip. 1:11) Natyrisht që ky ‘fryt i drejtë’ përfshinte dashurinë e tyre për Jehovain dhe për popullin e tij, si edhe t’u flisnin të tjerëve për besimin te Jezui dhe për shpresën e tyre të mrekullueshme. Te Filipianëve 2:15 përdoret një ilustrim tjetër kur thuhet: «Shkëlqeni si ndriçues në botë.» Kjo shprehje është me vend, sepse Jezui i ka quajtur dishepujt e tij «drita e botës». (Mat. 5:14-16) Gjithashtu i ka urdhëruar ‘të bëjnë dishepuj’ dhe u tha se ‘do të ishin dëshmitarë . . . deri në skajin më të largët të tokës’. (Mat. 28:18-20; Vep. 1:8) Ne japim «fryt të drejtë» kur marrim pjesë plot zell në këtë vepër tepër të rëndësishme.

Kur është në arrest shtëpie në Romë, Pavli shkruan letrën për kongregacionin e Filipisë. Gjatë kësaj kohe, Pavli shfrytëzon mirë edhe mundësitë për t’u predikuar rojave të tij dhe njerëzve që e vizitojnë (Shih paragrafin 16)

16. Si na tregon Filipianëve 1:12-14 se mund të shkëlqejmë si ndriçues edhe në rrethana të vështira? (Shih figurën e kopertinës.)

16 Në çfarëdo rrethanash, mund të shkëlqejmë si ndriçues. Në disa raste, diçka që duket si pengesë për të predikuar lajmin e mirë, mund të shndërrohet në një mundësi që të predikojmë. Apostulli Pavël, për shembull, ishte në arrest shtëpie në Romë kur u shkroi letrën filipianëve. Ama vargonjtë nuk e frenuan t’u predikonte atyre që e mbanin të burgosur dhe njerëzve që e vizitonin. Pavli predikoi me zell në ato rrethana, e kjo u dha vëllezërve sigurinë dhe guximin «për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë».—Lexo Filipianëve 1:12-14; 4:22.

Kërko gjithmonë mënyra si të japësh maksimumin në shërbim (Shih paragrafin 17) *

17. Jepni një shembull se si disa bashkëbesimtarë sot japin fryt në rrethana të vështira.

17 Shumë vëllezër e motra kanë mundësinë të imitojnë guximin e Pavlit. Ata jetojnë në vende ku nuk mund të predikojnë haptas ose shtëpi më shtëpi, ndaj gjejnë mënyra të tjera për të predikuar lajmin e mirë. (Mat. 10:16-20) Në një nga këto vende, një mbikëqyrës qarkor sugjeroi që çdo lajmëtar të punonte «territorin» e vet të predikimit, të përbërë nga të afërmit, fqinjët, shokët e shkollës a të punës dhe të njohurit. Brenda 2 vjetësh, numri i kongregacioneve në atë qark u rrit ndjeshëm. Ndoshta ti nuk jeton në një vend ku ndalohet të predikojmë haptas. Sidoqoftë, mund të nxjerrësh një mësim me vlerë nga vëllezërit e motrat që vënë në punë krijimtarinë: kërko gjithmonë mënyra si të japësh maksimumin në shërbim, i sigurt se Jehovai do të të japë fuqinë e nevojshme për të kapërcyer çdo pengesë.—Filip. 2:13.

18. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

18 Në këto kohë historike, le të jemi të vendosur të zbatojmë këshillat e frymëzuara që u dha Pavli filipianëve. Le të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme, të jemi të patëmetë, të mos pengojmë të tjerët dhe të japim fryt të drejtë. Kështu dashuria jonë do të shtohet pareshtur dhe do t’i japim lavdi Atit tonë të dashur, Jehovait.

KËNGA 17 «Po, dua!»

^ par. 5 Tani kemi nevojë më shumë se kurrë të thellojmë dashurinë për vëllezërit tanë. Letra drejtuar filipianëve na ndihmon të kuptojmë si ta shtojmë dashurinë, edhe kur kjo është e vështirë.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë pastrimit të Sallës së Mbretërisë, një vëlla, Dani, e ndërpret punën që të bisedojë me një vëlla dhe djalin e tij. Kjo e acaron Mikelin, vëllanë që po pastron me fshesë korrenti. Ai mendon: «Dani duhet të punojë, jo të bëjë muhabet.» Më vonë, Mikeli sheh se Dani ndihmon me dhembshuri një motër të moshuar. Kjo pamje që të ngroh zemrën i kujton Mikelit të mendojë më tepër për cilësitë e mira të vëllait të tij.

^ par. 58 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në një vend ku Dëshmitarët nuk mund të predikojnë haptas, një vëlla i flet me maturi për mesazhin e Mbretërisë një të njohuri. Më vonë, gjatë pushimit në punë, vëllai i dëshmon një shoku të punës.