Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 33

Ringjallja flet për dashurinë, mençurinë dhe durimin e Perëndisë

Ringjallja flet për dashurinë, mençurinë dhe durimin e Perëndisë

«Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—VEP. 24:15.

KËNGA 151 ‘Unë thërras!’

PËRMBLEDHJE *

1. Pse filloi të krijonte Jehovai?

EKZISTONTE një kohë kur Jehovai ishte vetëm. Por nuk ishte i vetmuar. Ai ishte i plotë në çdo kuptim. Gjithsesi, donte që edhe të tjerë të gëzonin jetën. I motivuar nga dashuria, Jehovai filloi të krijonte.—Psal. 36:9; 1 Gjon. 4:19.

2. Si ndiheshin Jezui dhe engjëjt për veprat që krijonte Jehovai?

2 Në fillim, Jehovai krijoi Jezuin, Birin e parëlindur. Pastaj, me anë të tij, ‘krijoi gjithçka tjetër’, përfshirë miliona krijesa qiellore me aftësi për të arsyetuar. (Kolos. 1:16) Jezuin e gëzonte pa masë mundësia që të punonte përkrah Atit. (Prov. 8:30) Edhe bijtë e tjerë të Perëndisë, engjëjt, kishin arsye të gëzonin. Ata, si të thuash, kishin vende në rreshtin e parë për të soditur se si krijonte qiellin dhe tokën Jehovai, bashkë me Kryemjeshtrin, Jezuin. Si e shprehnin gëzimin engjëjt? Ata «brohoritnin tërë ngazëllim» ndërsa krijohej toka dhe, pa dyshim, vazhduan të brohoritnin për çdo gjë që krijonte Jehovai, duke përfshirë edhe kryeveprën e fundit, njeriun. (Jobi 38:7; Prov. 8:31, shën.) Çdo vepër krijimi dëshmonte për dashurinë dhe mençurinë e Jehovait.—Psal. 104:24; Rom. 1:20.

3. Siç tregon 1 Korintasve 15:21, 22, çfarë bëhet e mundur falë flijimit të Jezuit?

3 Jehovai donte që familja njerëzore të gëzonte jetën e përhershme në planetin e bukur që kishte krijuar. Por, kur Adami dhe Eva u rebeluan kundër Atit të tyre të dashur, kthetrat e mëkatit dhe të vdekjes mbërthyen gjithë njerëzimin. (Rom. 5:12) Si veproi Jehovai? Menjëherë tregoi si do ta shpëtonte njerëzimin. (Zan. 3:15) Ai vuri si qëllim të siguronte një shpërblesë që do t’u jepte mundësi fëmijëve të Adamit dhe të Evës të çliroheshin nga mëkati dhe vdekja. Kjo do t’i hapte rrugën çdo njeriu që të zgjidhte t’i shërbente Atij dhe të kishte jetën e përhershme.—Gjoni 3:16; Rom. 6:23; lexo 1 Korintasve 15:21, 22.

4. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Mund të na lindin shumë pyetje kur mendojmë për premtimin e Perëndisë që të ringjallë të vdekurit. Për shembull, si mund të ndodhë ringjallja? A do t’i njohim dot njerëzit tanë të dashur kur të kthehen në jetë? Në ç’mënyrë do të na sjellë gëzim ringjallja? Dhe si mund të na thellohet çmueshmëria për dashurinë, mençurinë dhe durimin e Jehovait nga meditimi për ringjalljen? T’i shqyrtojmë një nga një këto pyetje.

SI MUND TË NDODHË RINGJALLJA?

5. Pse është e arsyeshme të besojmë që ringjallja do të ndodhë me rregull dhe gradualisht?

5 Kur Jehovai, me anë të Birit të tij, të kthejë në jetë miliona e miliona njerëz, mund të presim që jo të gjithë të ringjallen njëkohësisht. Pse? Sepse një rritje e vrullshme e popullsisë së tokës ka të ngjarë të shkaktojë kaos. Dhe Jehovai nuk bën kurrë diçka në mënyrë të çrregullt ose kaotike. Ai e di se, që të mbizotërojë paqja, gjërat duhet të bëhen në mënyrë të organizuar. (1 Kor. 14:33) Perëndia Jehova tregoi mençuri dhe durim kur punoi bashkë me Jezuin që ta përgatiste gradualisht tokën për njerëzit para se t’i krijonte. Edhe Jezui do të shfaqë të njëjtat cilësi gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar kur të punojë bashkë me të mbijetuarit e Armagedonit, ndërsa përgatitin tokën për të mirëpritur të ringjallurit.

Ata që i mbijetojnë Armagedonit, do t’i mësojnë të ringjallurit për Mbretërinë e Jehovait dhe për kërkesat e tij (Shih paragrafin 6) *

6. Sipas Veprave 24:15, cilët do të jenë mes atyre që do të ringjallë Jehovai?

6 Ç’është më e rëndësishmja, të mbijetuarve të Armagedonit do t’u duhet t’i mësojnë të ringjallurit për Mbretërinë e Jehovait dhe kërkesat e tij. Pse? Sepse shumica e atyre që do të kthehen në jetë, do të jenë pjesë e grupit që Bibla e quan «të padrejtët». (Lexo Veprat 24:15.) Atyre do t’u duhet të bëjnë shumë ndryshime që të nxjerrin dobi nga shpërblesa e Krishtit. Vetëm mendo çfarë pune do të jetë t’u mësosh të vërtetën për Perëndinë miliona njerëzve që nuk dinë asgjë për Jehovain. A do të studiojë secili me një instruktor, ashtu siç bëhen sot studimet e Biblës? A do të caktohen këta të rinj në të vërtetën në kongregacione dhe a do të stërviten si të mësojnë të tjerët që do të ringjallen pas tyre? Koha do ta tregojë. Gjithsesi, e dimë se në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, ‘njohuria për Jehovain do të ketë vërshuar në tokën mbarë’. (Isa. 11:9) Çfarë Mijëvjeçari plot punë dhe plot gëzime do të jetë!

7. Pse adhuruesit e Perëndisë do të kenë empati kur të mësojnë të ringjallurit?

7 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, të gjithë fëmijëve të Jehovait në tokë do t’u duhet të bëjnë ndryshime për të kënaqur Atin e tyre. Prandaj, ata do të kenë empati ndërsa i ndihmojnë të ringjallurit të luftojnë prirjet mëkatare dhe të jetojnë sipas standardeve të Jehovait. (1 Pjet. 3:8) E pa dyshim, të ringjallurit do të duan të bashkohen me adhuruesit e përulur të Jehovait, të cilët do të vazhdojnë ‘të punojnë [edhe vetë] për shpëtimin e tyre’.—Filip. 2:12.

A DO T’I NJOHIM DOT ATA QË DO TË RINGJALLEN?

8. Pse mund të presim që t’i njohim familjarët dhe miqtë tanë kur të ringjallen?

8 Ka disa arsye pse mund të besojmë se ata që do të mirëpresin të ringjallurit, do t’i njohin njerëzit e tyre të dashur. Për shembull, kur mendojmë si i ka bërë ringjalljet Jehovai në të kaluarën, mund të presim që ai do t’i rikrijojë njerëzit në mënyrë që pamja e tyre dhe mënyra si flasin e si mendojnë, të jenë njësoj siç ishin pak para se të vdisnin. Të kujtojmë se Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin, dhe ringjalljen me zgjimin nga gjumi. (Mat. 9:18, 24; Gjoni 11:11-13) Kur dikush zgjohet nga gjumi, ka po atë pamje dhe zë që kishte para se të flinte, si edhe të njëjtat kujtime. Për shembull, Lazari kishte vdekur prej katër ditësh, prandaj trupi kishte filluar t’i kalbej. Gjithsesi, kur Jezui e ringjalli, motrat e tij e njohën menjëherë, dhe Lazari pa dyshim i mbante mend.—Gjoni 11:38-44; 12:1, 2.

9. Pse të ringjallurit nuk do të kthehen në jetë me mendje dhe trup të përsosur?

9 Jehovai premton se asnjë nënshtetas i Krishtit në Parajsë, nuk do të thotë «jam sëmurë». (Isa. 33:24; Rom. 6:7) Pra, ata që do të kthehen në jetë, do të krijohen nga e para me trup të shëndetshëm. Megjithatë, nuk do të jenë menjëherë të përsosur, se përndryshe familjarët dhe miqtë ka të ngjarë të mos i njohin. Duket se i gjithë njerëzimi do të bëhet gradualisht i përsosur gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Dhe në fund të njëmijë vjetëve, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë Atit të tij. Atëherë Mbretëria do të ketë realizuar çdo gjë që donte Jehovai, përfshirë edhe qëllimin e tij që njerëzimi të arrinte përsosmërinë.—1 Kor. 15:24-28; Zbul. 20:1-3.

SI DO TË NA SJELLË GËZIM RINGJALLJA?

10. Si do të ndihesh kur të ndodhë ringjallja?

10 Imagjino si do të ndihesh kur të mirëpresësh njerëzit e tu të dashur që do të kthehen në jetë. A do të derdhësh lot gëzimi apo do të qeshësh nga lumturia? A do t’i këndosh lavde Jehovait nga thellësia e shpirtit? Një gjë është e sigurt: zemra do të të gufojë nga dashuria për Atin tënd të dhembshur dhe për Birin e tij altruist, që bënë të mundur ringjalljen, këtë dhuratë të mrekullueshme.

11. Sipas fjalëve të Jezuit te Gjoni 5:28, 29, ç’do të ndodhë me ata që jetojnë sipas standardeve të Perëndisë?

11 Përfytyro gëzimin e atyre që do të ringjallen ndërsa zhveshin personalitetin e vjetër dhe jetojnë sipas standardeve të drejta të Perëndisë. Ringjallja e atyre që do t’i bëjnë këto ndryshime, do të jetë «një ringjallje jete», pra, do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. Kurse ata që refuzojnë të ndryshojnë, Jehovai nuk do t’i lejojë të vazhdojnë të jetojnë në Parajsë dhe të prishin paqen.—Isa. 65:20; lexo Gjonin 5:28, 29.

12. Si do t’i bekojë Jehovai banorët e tokës?

12 Kur të qeverisë Mbretëria, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë do të provojnë sa të vërteta janë fjalët e Proverbave 10:22: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.» Me ndihmën e frymës së shenjtë, shërbëtorët e Jehovait do të bëhen të pasur në sytë e tij, pasi do t’i ngjajnë gjithnjë e më shumë Krishtit dhe do të bëhen të përsosur. (Gjoni 13:15-17; Efes. 4:23, 24) Çdo ditë do të ndihen më të fortë fizikisht dhe do të jenë njerëz më të mirë. Çfarë kënaqësie të jetosh në atë kohë! (Jobi 33:25) Por, si mund të na ndihmojë sot meditimi për ringjalljen?

ÇMO DASHURINË E JEHOVAIT

13. Në harmoni me Psalmin 139:1-4, si do të tregojë ringjallja sa thellë na njeh Jehovai?

13 Siç pamë më sipër, kur t’i ringjallë njerëzit, Jehovai do t’u kthejë kujtimet dhe tiparet e personalitetit që i bënin unikë. Mendo çfarë do të thotë kjo. Jehovai të do aq shumë sa vëren dhe kujton çdo gjë që mendon, ndien, thua dhe bën ti. Prandaj, nëse do t’i duhet të të ringjallë, do ta ketë fare të lehtë të të kthejë kujtimet, prirjet dhe tiparet e personalitetit. Mbreti David e dinte se Jehovai e njeh mirë secilin prej nesh. (Lexo Psalmin 139:1-4.) Si ndihemi kur kuptojmë sa thellë na njeh Jehovai?

14. Si duhet të ndihemi kur mendojmë sa thellë na njeh Jehovai?

14 Nuk ka pse të shqetësohemi kur meditojmë sa mirë na njeh Jehovai. Pse? Të mos harrojmë se Jehovai merakoset sinqerisht për ne. Ai i çmon dhe i ruan në kujtesë tiparet që e bëjnë secilin nga ne të veçantë. I kushton vëmendje çdo gjëje që kemi përjetuar dhe që ka lënë gjurmë në jetën tonë. Sa na e ngroh zemrën kjo! Kurrë të mos ndihemi sikur jemi fillikat. Në çdo çast të jetës, Jehovai është përkrah nesh, duke kërkuar mundësi për të na ndihmuar.—2 Kron. 16:9.

ÇMO MENÇURINË E JEHOVAIT

15. Si tregon ringjallja se Jehovai është i mençur?

15 Frika nga vdekja është një armë e fuqishme. Ata që janë nën pushtetin e Satanait e përdorin këtë armë për t’i detyruar njerëzit të tradhtojnë miqtë ose të heqin dorë nga bindjet e tyre. Por kjo armë nuk ka fuqi kundër nesh. E dimë se nëse armiqtë na vrasin, Jehovai do të na kthejë në jetë. (Zbul. 2:10) Jemi të bindur se çfarëdo që të bëjnë, nuk e prishin dot lidhjen tonë të ngushtë me Jehovain. (Rom. 8:35-39) Sa mbresëlënëse është mençuria që ka treguar Jehovai duke na dhënë shpresën e ringjalljes! Me anë të saj, ai çarmatos Satanain nga një prej armëve të tij më të efektshme dhe njëkohësisht na armatos ne me guxim të pathyeshëm.

A tregojnë vendimet që marrim se kemi besim te premtimi i Jehovait që të kujdeset për nevojat tona materiale? (Shih paragrafin 16) *

16. Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes, dhe si mund ta kuptosh nga përgjigjet sa besim ke te Jehovai?

16 A do të jesh i gatshëm ta lësh jetën me besim në duart e Jehovait, nëse armiqtë e tij kërcënojnë të të vrasin? Nga mund ta dish si do të reagosh në ato momente? Një mënyrë është të pyesësh veten: «A tregojnë vendimet e vogla që marr çdo ditë se kam besim te Jehovai?» (Luka 16:10) Një pyetje tjetër mund të jetë: «A tregon mënyra si jetoj se kam besim te premtimi i Jehovait që do të kujdeset për nevojat e mia materiale po të vë të parën Mbretërinë?» (Mat. 6:31-33) Nëse përgjigjet për këto pyetje janë «po», kjo tregon se ke besim te Jehovai dhe do të jesh i përgatitur për çfarëdo sprove në të ardhmen.—Prov. 3:5, 6.

ÇMO DURIMIN E JEHOVAIT

17. (a) Si tregon ringjallja se Jehovai është i duruar? (b) Si mund të tregojmë çmueshmëri për durimin e Jehovait?

17 Jehovai ka caktuar një ditë dhe një orë kur do ta shkatërrojë këtë sistem të vjetër. (Mat. 24:36) Ai nuk do të tregohet i paduruar dhe nuk do të veprojë para atij momenti. Jehovai ka dëshirë të zjarrtë t’i ringjallë të vdekurit, por është i duruar. (Jobi 14:14, 15) Ai po pret të vijë koha e duhur për t’i kthyer në jetë. (Gjoni 5:28) Kemi arsye të forta që ta çmojmë durimin e Jehovait. Mendo pak: ngaqë Jehovai është i duruar, shumë njerëz—mes të cilëve edhe ne vetë—kanë pasur kohë «të pendohen». (2 Pjet. 3:9) Jehovai do që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të marrin jetën e përhershme. Prandaj, le ta tregojmë se e çmojmë durimin e tij. Si? Duke bërë çmos të gjejmë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» dhe t’i ndihmojmë ta duan Jehovain e t’i shërbejnë. (Vep. 13:48) Kështu do të nxjerrin dobi nga durimi i Jehovait, njësoj si ne.

18. Pse duhet të tregojmë durim me të tjerët?

18 Jehovai do të presë me durim deri në fund të njëmijë vjetëve kur do të jemi të përsosur. Deri në atë kohë, ai është i gatshëm të na i falë mëkatet. Prandaj duhet të ndjekim shembullin e tij, duke u përqendruar te cilësitë e bukura të të tjerëve e duke qenë të duruar me ta. Të mendojmë për shembullin e një motre, burri i së cilës filloi të kishte kriza ankthi dhe nuk i ndiqte më mbledhjet. Ajo thotë: «Më shkaktonte shumë dhimbje ajo situatë. Krejt planet tona për të ardhmen u përmbysën.» Por mes gjithë atyre vështirësive, ajo grua e dashur vazhdoi të tregonte durim me burrin e saj. U mbështet te Jehovai dhe nuk u dorëzua kurrë. Ashtu si Jehovai, ajo shihte përtej problemit dhe përqendrohej te cilësitë e mira të të shoqit. Ajo thotë: «Burri im ka cilësi të rralla dhe po mundohet ta mposhtë ankthin, kuptohet, pak nga pak.» Sa e rëndësishme është të tregojmë durim me familjarët ose me vëllezërit e motrat që po luftojnë me probleme të vështira!

19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

19 Jezui dhe engjëjt fluturonin nga gëzimi kur u krijua toka. Por imagjino sa të lumtur do të jenë kur ta shohin tokën të mbushur me njerëz të përsosur që e duan Jehovain dhe i shërbejnë. Imagjino gëzimin e atyre që janë marrë nga toka për të qeverisur me Krishtin në qiell kur të shohin si do të nxjerrë dobi njerëzimi nga puna e tyre. (Zbul. 4:4, 9-11; 5:9, 10) Dhe imagjino të jetosh në atë kohë kur lotët e hidhur do të kthehen në lot gëzimi, kur sëmundjet, dhimbja dhe vdekja do të zhduken përgjithmonë. (Zbul. 21:4) Deri atëherë, ji i vendosur të imitosh Atin tënd të dashur, të mençur e të duruar. Nëse vepron kështu, do të ruash gëzimin përballë çdo sprove. (Jak. 1:2-4) Sa mirënjohës i jemi Jehovait për premtimin që t’i kthejë të vdekurit në jetë!—Vep. 24:15.

KËNGA 141 Mrekullia e jetës

^ par. 5 Jehovai është një Atë i dashur, i mençur dhe i duruar. Këto cilësi mund t’i shohim te mënyra si ka krijuar gjithçka dhe te qëllimi i tij që të kthejë në jetë të vdekurit. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa pyetje që mund të kemi për ringjalljen. Do të shohim edhe si të tregojmë çmueshmëri për dashurinë, mençurinë dhe durimin e Jehovait.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një indian i Amerikës që kishte vdekur prej qindra vjetësh, ringjallet gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Një vëlla që i ka mbijetuar Armagedonit, i mëson me kënaqësi burrit të ringjallur se çfarë duhet të bëjë për të nxjerrë dobi nga shpërblesa e Krishtit.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i thotë punëdhënësit se ka disa ditë të javës që nuk mund të punojë jashtë orarit. I shpjegon se ato mbrëmje i ka rezervuar për aktivitete që lidhen me adhurimin e Jehovait. Megjithatë, nëse lind ndonjë nevojë e ngutshme në ditë të tjera, është i gatshëm të punojë jashtë orarit.