Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 30

Çmoje rolin tënd në familjen e Jehovait

Çmoje rolin tënd në familjen e Jehovait

«Ti e bëre pak më të ulët se engjëjt dhe e kurorëzove me lavdi e shkëlqim.»—PSAL. 8:5.

KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat pyetje mund të na lindin kur mendojmë për gjithë sa ka krijuar Jehovai?

KUR mendojmë për universin e paanë që ka krijuar Jehovai, ndoshta ndihemi si psalmisti David. Ndërsa i lutej Perëndisë, ai bëri këto pyetje: «Kur shoh qiejt, veprën e duarve të tua, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?! Ç’është biri i njeriut që të kujdesesh për të?!» (Psal. 8:3, 4) Ashtu si Davidi, mbase na duket vetja të papërfillshëm mes universit të pafund dhe mahnitemi që Jehovai na mban në mendje. Megjithatë, siç do ta shohim, Jehovai jo vetëm u kushtoi vëmendje njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, por edhe i bëri pjesë të familjes së tij.

2. Çfarë qëllimi kishte Jehovai për fëmijët e tij të parë në tokë?

2 Adami dhe Eva ishin fëmijët e parë të Jehovait në tokë, dhe Jehovai ishte Ati i tyre i dashur në qiell. Ai u dha një caktim si pjesëtarë të familjes së tij, kur i urdhëroi: «Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën e zotërojeni.» (Zan. 1:28) Perëndia donte që të kishin fëmijë e të kujdeseshin me merak për shtëpinë e tyre, tokën. Po t’i ishin bindur Jehovait e të kishin jetuar në harmoni me qëllimin e tij, Adami dhe Eva me gjithë pasardhësit e tyre do të kishin qenë përjetë pjesë e familjes së Perëndisë.

3. Pse mund të themi se Jehovai u dha Adamit dhe Evës një vend të nderuar në familjen e tij?

3 Adami dhe Eva zinin një vend të nderuar në familjen e Jehovait. Te Psalmi 8:5, Davidi tha për mënyrën si e krijoi Jehovai njeriun: «Ti e bëre pak më të ulët se engjëjt dhe e kurorëzove me lavdi e shkëlqim.» Vërtet, njerëzve nuk iu dha e njëjta fuqi, inteligjencë dhe aftësi si e engjëjve. (Psal. 103:20) Gjithsesi, njeriu është vetëm ‘pak më i ulët’ se ato krijesa qiellore të fuqishme. Sa drithërues është ky mendim! Pra, kur krijoi prindërit tanë të parë, Jehovai u dhuroi një jetë të mrekullueshme.

4. Ç’ndodhi si pasojë e mosbindjes së Adamit dhe Evës, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 4 Mjerisht, Adami dhe Eva e humbën vendin e tyre në familjen e Jehovait. Kjo u ka sjellë pasoja katastrofike pasardhësve të tyre, siç do ta shohim më tej në artikull. Sidoqoftë, qëllimi i Jehovait s’ka ndryshuar. Ai do që njerëzit e bindur të jenë përgjithmonë fëmijët e tij. Së pari, le të shohim në ç’mënyra na ka nderuar Jehovai. Pastaj do të shohim ç’mund të bëjmë sot për të treguar se duam të jemi pjesë e familjes së Perëndisë. Në fund do të flasim për bekimet që do të shijojnë përjetësisht fëmijët e Jehovait në tokë.

SI I KA NDERUAR JEHOVAI NJERËZIT

Në cilat mënyra na ka nderuar Jehovai? (Shih paragrafët 5-11) *

5. Si mund t’i tregojmë Perëndisë se jemi mirënjohës që na ka bërë sipas imazhit të tij?

5 Jehovai na ka nderuar duke na bërë sipas imazhit të tij. (Zan. 1:26, 27) Ngaqë jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë, mund të kultivojmë e të shfaqim shumë nga cilësitë e tij të mrekullueshme, si dashuria, dhembshuria, besnikëria e drejtësia. (Psal. 86:15; 145:17) Kur zhvillojmë cilësi të tilla, i shprehim mirënjohjen Jehovait dhe i japim lavdi. (1 Pjet. 1:14-16) E kur sillemi në një mënyrë që e gëzon Atin tonë qiellor, ndihemi të lumtur. Veç kësaj, duke na krijuar sipas imazhit të vet, Jehovai na ka dhënë aftësinë të bëhemi ata lloj njerëzish që dëshiron t’i ketë në familjen e tij.

6. Si i nderoi Jehovai njerëzit kur krijoi tokën?

6 Jehovai bëri gati për ne një shtëpi unike. Shumë kohë para se të krijonte njeriun e parë, Jehovai bëri gati për njerëzit planetin tokë. (Jobi 38:4-6; Jer. 10:12) Me mirësinë dhe bujarinë e tij, Jehovai përgatiti një pafundësi gjërash të mira për të na kënaqur zemrën. (Psal. 104:14, 15, 24) Herë pas here, ai ndalej të mendonte për veprën e duarve të tij dhe shihte që «ishte e mirë». (Zan. 1:10, 12, 31) Jehovai i nderoi njerëzit duke ‘u besuar’ gjithë veprat e bukura që kishte krijuar në tokë. (Psal. 8:6) Qëllimi i Perëndisë është që njerëzit e përsosur të provojnë gëzim ndërsa kujdesen për këto vepra të mahnitshme gjatë gjithë përjetësisë. A e ke bërë zakon ta falënderosh Jehovain për këtë premtim të mrekullueshëm?

7. Si e tregon Josiu 24:15 se njeriu ka vullnet të lirë?

7 Jehovai na ka dhuruar vullnetin e lirë. Ne mund të zgjedhim çfarë rruge do të ndjekim në jetë. (Lexo Josiun 24:15.) Aftësia për të zgjedhur quhet vullnet i lirë. Perëndisë tonë të dashur i gëzon zemra kur zgjedhim t’i shërbejmë. (Psal. 84:11; Prov. 27:11) E në jetën e përditshme ka plot raste kur mund ta përdorim siç duhet vullnetin e lirë. Të mendojmë për shembullin që na ka lënë Jezui.

8. Si e përdori Jezui në një rast aftësinë për të zgjedhur?

8 Jezui i vinte interesat e të tjerëve para të vetave, e shembulli i tij mund të na motivojë të bëjmë të njëjtën zgjedhje. Një ditë, kur ishin goxha të lodhur, Jezui dhe apostujt u nisën për në një vend të qetë ku shpresonin të pushonin pak. Por ishte e pamundur. Një turmë njerëzish të etur të mësonin nga Jezui, e morën vesh ku do të shkonin dhe mbërritën atje para tyre. Megjithatë, Jezui nuk u acarua. Përkundrazi, u prek thellë dhe, nga keqardhja për ta, «nisi t’u mësonte shumë gjëra». (Mar. 6:30-34) Kur imitojmë Jezuin duke sakrifikuar kohë dhe energji për të ndihmuar të tjerët, i japim lavdi Atit tonë qiellor. (Mat. 5:14-16) Gjithashtu i tregojmë se kemi dëshirë të jemi pjesë e familjes së tij.

9. Cilën dhuratë speciale u ka dhënë Jehovai njerëzve?

9 Jehovai u ka dhënë njerëzve aftësinë të kenë fëmijë, si edhe përgjegjësinë që t’i mësojnë ta duan Perëndinë e t’i shërbejnë. Nëse je prind, a je mirënjohës për këtë dhuratë speciale? Engjëjt, edhe pse gëzojnë bekime të jashtëzakonshme nga Jehovai, nuk e kanë këtë privilegj. Prandaj, nëse je prind, çmoje privilegjin që ke për të rritur fëmijë. Prindërve u është besuar një detyrë e shenjtë—t’i rritin fëmijët «me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait». (Efes. 6:4; Ligj. 6:5-7; Psal. 127:3) Për të ndihmuar prindërit, organizata e Perëndisë siguron me bollëk mjete të bazuara në Bibël, si botime, video, muzikë dhe materiale online. S’ka pikë dyshimi se të vegjlit janë të shtrenjtë për Atin tonë qiellor dhe për Birin e tij. (Luka 18:15-17) Kur prindërit mbështeten te Jehovai dhe përpiqen fort që të kujdesen për fëmijët e tyre të dashur, Jehovai kënaqet. E këta prindër u çelin rrugën fëmijëve të tyre që të jenë përgjithmonë pjesë e familjes së Jehovait!

10-11. Çfarë mundësie na ka krijuar Jehovai nëpërmjet shpërblesës?

10 Jehovai dha Birin e tij të shtrenjtë që të bëhemi prapë pjesëtarë të familjes së Tij. Siç u përmend në  paragrafin 4, Adami dhe Eva humbën vendin e tyre në familjen e Jehovait, e njëkohësisht humbën vendin që do të zinin fëmijët e tyre. (Rom. 5:12) Ata nuk iu bindën Perëndisë me dashje, prandaj e kishin hak që Ai t’i dëbonte nga familja e tij. Po ç’do të ndodhte me pasardhësit e tyre? Me dashuri, Jehovai krijoi mundësinë t’i birësonte e t’i bënte pjesë të familjes së Tij ata që do t’i bindeshin. Këtë e bëri nëpërmjet flijimit të Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16; Rom. 5:19) Falë flijimit të Jezuit, 144.000 njerëz besnikë janë birësuar si fëmijë të Perëndisë.—Rom. 8:15-17; Zbul. 14:1.

11 Veç kësaj, miliona e miliona besnikë të tjerë po i binden Perëndisë duke bërë vullnetin e tij. Ata kanë perspektivën që, pas provës përfundimtare në fund të Mijëvjeçarit, të bëhen pjesëtarë të familjes së Perëndisë në kuptimin e plotë. (Psal. 25:14; Rom. 8:20, 21) Ngaqë kanë këtë perspektivë, e thërrasin që sot «Atë» Jehovain, Krijuesin e tyre. (Mat. 6:9) Edhe të ringjallurve do t’u jepet mundësia të mësojnë çfarë pret Jehovai prej tyre. Ata që zgjedhin t’i binden drejtimit të Perëndisë, si përfundim do t’i bashkohen familjes së tij.

12. Cilës pyetje do t’i përgjigjemi tani?

12 Siç e kemi parë, Jehovai ka marrë iniciativën që t’i nderojë njerëzit në sa e sa mënyra. Të mirosurit i ka birësuar dhe pjesëtarëve të ‘shumicës së madhe’ u ka dhënë perspektivën që në botën e re të jenë fëmijët e tij në kuptimin e plotë. (Zbul. 7:9) Çfarë mund të bëjmë sot për t’i treguar Jehovait se duam të jemi përgjithmonë pjesë e familjes së tij?

TREGOJI JEHOVAIT SE DËSHIRON TË JESH PJESË E FAMILJES SË TIJ

13. Çfarë mund të bëjmë që të jemi pjesë e familjes së Perëndisë? (Marku 12:30)

13 Trego dashuri për Jehovain duke i shërbyer me gjithë zemër. (Lexo Markun 12:30.) Me dashuri, Perëndia na ka bërë dhurata pa fund. E një ndër dhuratat më të mëdha është aftësia për ta adhuruar. I tregojmë Jehovait se e duam kur «zbatojmë urdhërimet e tij». (1 Gjon. 5:3) Si zëdhënësi i Atit, Jezui na dha urdhrin të bëjmë dishepuj duke i pagëzuar. (Mat. 28:19) Gjithashtu na urdhëroi ta duam njëri-tjetrin. (Gjoni 13:35) Ata që i binden, Jehovai i mirëpret në familjen mbarëbotërore të adhuruesve të tij.—Psal. 15:1, 2.

14. Si mund të tregojmë dashuri për të tjerët? (Mateu 9:36-38; Romakëve 12:10)

14 Trego dashuri për të tjerët. Dashuria është cilësia mbizotëruese e Jehovait. (1 Gjon. 4:8) Ai tregoi dashuri për ne që para se ta njihnim. (1 Gjon. 4:9, 10) E imitojmë Jehovain kur tregojmë dashuri për të tjerët. (Efes. 5:1) Një nga mënyrat më të mira si të tregojmë dashuri për njerëzit, është duke i ndihmuar të mësojnë për Jehovain sa ka ende kohë. (Lexo Mateun 9:36-38.) Kështu u japim mundësinë të bëhen pjesëtarë të familjes së Perëndisë. Pasi dikush pagëzohet, duhet të vazhdojmë ta duam dhe ta respektojmë. (1 Gjon. 4:20, 21) Çfarë përfshin kjo? Përfshin të mos e shohim me sy dyshues, të mos i veshim motive të këqija ose egoiste. Përkundrazi, duam ta nderojmë vëllanë a motrën tonë duke e konsideruar më të lartë se veten.—Lexo Romakëve 12:10; Filip. 2:3.

15. Ndaj kujt duhet të tregohemi të mëshirshëm dhe zemërmirë?

15 Ji i mëshirshëm dhe zemërmirë me të gjithë. Nëse duam të jemi mes atyre që do ta quajnë përgjithmonë Jehovain «Atë», duhet të zbatojmë Fjalën e Perëndisë në jetën e përditshme. Për shembull, Jezui na mësoi se duhet të tregohemi të mëshirshëm dhe zemërmirë ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj armiqve tanë. (Luka 6:32-36) Po nëse ka raste që na duket e vështirë ta bëjmë këtë? Atëherë duhet të mësojmë të mendojmë e të sillemi si Jezui. Kur përpiqemi me të gjitha forcat t’i bindemi Jehovait dhe të imitojmë Jezuin, i tregojmë Atit tonë qiellor se duam të jemi përgjithmonë pjesë e familjes së tij.

16. Si mund ta mbrojmë reputacionin e familjes së Jehovait?

16 Mbro reputacionin e familjes së Jehovait. Një djalë i vogël shpesh imiton vëllanë e madh. E nëse vëllai i madh jeton sipas parimeve të Biblës, do të jetë shembull i mirë për vëllanë e vogël. Por nëse i madhi merr rrugë të shtrembër, vëllai i vogël mund të ndjekë shembullin e tij të keq. Po njësoj ndodh në familjen e Jehovait. Nëse një Dëshmitar dikur besnik bëhet apostat ose zgjedh një jetë imorale a të korruptuar, kjo mund të shtyjë edhe të tjerë të marrin rrugë të keqe. Ata që veprojnë kështu, njollosin reputacionin e familjes së Jehovait. (1 Sel. 4:3-8) Të mos i imitojmë kurrë shembujt e këqij dhe të mos lejojmë asgjë të na dëmtojë marrëdhënien me Atin tonë të dashur.

17. Cilin mentalitet nuk duhet të zhvillojmë, dhe pse?

17 Ki besim te Jehovai, jo te gjërat materiale. Jehovai premton se do të na sigurojë ushqimin, veshjen dhe strehimin e nevojshëm, nëse kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë dhe jetojmë sipas normave të tij të drejta. (Psal. 55:22; Mat. 6:33) Po të kemi besim te ky premtim, nuk do të zhvillojmë mentalitetin se gjërat materiale që ofron bota do të na mbrojnë dhe do të na bëjnë të lumtur. E dimë se e vetmja mënyrë për të pasur paqe të vërtetë mendore është të bëjmë vullnetin e Jehovait. (Filip. 4:6, 7) Edhe nëse na e mban xhepi të blejmë shumë gjëra, duhet të shqyrtojmë nëse kemi vërtet kohë ose energji që t’i përdorim e t’i mirëmbajmë. A ka rrezik të lidhemi tepër me gjërat që zotërojmë? Të mos harrojmë, Perëndia na ka dhënë një caktim si pjesë e familjes së tij. Prandaj të mos lejojmë asgjë të na shpërqendrojë. S’do mend, nuk duam të jemi si ai i ri që refuzoi ftesën për t’i shërbyer Jehovait dhe humbi mundësinë që Perëndia ta birësonte—e gjithë kjo vetëm ngaqë ishte tepër i lidhur me gjërat që zotëronte!—Mar. 10:17-22.

BEKIMET QË DO TË GËZOJNË PËRHERË FËMIJËT E JEHOVAIT

18. Çfarë privilegji dhe bekimesh do të gëzojnë përgjithmonë njerëzit e bindur?

18 Njerëzit e bindur do të kenë nderin me të madh që ekziston—ta duan dhe ta adhurojnë Jehovain përgjithmonë! Veç kësaj, ata që kanë shpresën të jetojnë në tokë do të kenë kënaqësinë të kujdesen për këtë planet të bukur, që Jehovai e krijoi si shtëpinë e tyre të përsosur. Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të përtërijë mbarë tokën dhe krijesat e saj. Jezui do të zgjidhë të gjitha problemet që hapën Adami dhe Eva kur vendosën të largoheshin nga familja e Perëndisë. Jehovai do të ringjallë miliona veta dhe do t’u japë mundësinë të jetojnë pafundësisht me shëndet të përsosur në tokën e shndërruar në parajsë. (Luka 23:42, 43) Dora-dorës që pjesëtarët e familjes së Jehovait në tokë bëhen të përsosur, secili do të pasqyrojë atë «lavdi e shkëlqim» që përmendi në lutje Davidi.—Psal. 8:5.

19. Çfarë duhet të mbajmë në mendje?

19 Nëse je pjesë e ‘shumicës së madhe’, ke një shpresë të mrekullueshme. Perëndia të do; ai dëshiron të jesh pjesë e familjes së tij. Prandaj bëj çmos t’ia gëzosh zemrën. Çdo ditë të jetës mbaj në mendje e në zemër premtimet e Perëndisë. Vlerësoje privilegjin që të adhurosh Atin e dashur qiellor dhe çmoje si thesar mundësinë që ta lëvdosh jetë e mot!

KËNGA 107 Modeli i praruar i dashurisë

^ par. 5 Që një familje të jetë e lumtur, secili pjesëtar duhet të dijë çfarë pritet prej tij dhe duhet të bashkëpunojë me të tjerët. Babai merr drejtimin me dashuri, mamaja e mbështet dhe fëmijët u binden prindërve e bashkëpunojnë me ta. Po njësoj ndodh në familjen e Jehovait. Perëndia ynë ka një qëllim për ne dhe po të jetojmë në harmoni me qëllimin e tij, do t’i përkasim në përjetësi familjes së adhuruesve të Jehovait.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ngaqë janë bërë sipas imazhit të Perëndisë, këta bashkëshortë kanë mundësi të tregojnë dashuri e dhembshuri për njëri-tjetrin dhe për djemtë e tyre. Të dy si çift e duan Jehovain. Meqë kanë fëmijë, që janë dhuratë nga Perëndia, kanë edhe mundësinë t’i rritin në një mënyrë që ta duan Jehovain dhe t’i shërbejnë. Me anë të një videoje, prindërit u shpjegojnë fëmijëve pse Jehovai dha Jezuin si shpërblesë. Gjithashtu u mësojnë se së shpejti në Parajsë, do të kujdesemi përgjithmonë për tokën e për kafshët.