Pse modestia ka ende vlerë
«Mençuria është me modestët.»—PROV. 11:2.
1, 2. Pse e hodhi poshtë Perëndia një njeri që më parë ishte modest? (Shih figurën hapëse.)
SAULI, mbreti i Izraelit të lashtë, ishte një njeri modest dhe i respektuar kur filloi të mbretëronte. (1 Sam. 9:1, 2, 21; 10:20-24) Mirëpo, pak pasi u bë mbret, kreu një sërë veprimesh që tregonin arrogancë. Kur profeti i Perëndisë, Samueli, nuk u paraqit në Gilgal në kohën e caktuar, Saulit iu sos durimi. Filistinët po bëheshin gati të luftonin, dhe izraelitët po e braktisnin Saulin. Ai duhet të ketë thënë me vete: «Më duhet të bëj diçka—dhe shpejt madje.» Kështu, i paraqiti Perëndisë një flijim, çka nuk ishte i autorizuar ta bënte. Kjo nuk i pëlqeu Jehovait.—1 Sam. 13:5-9.
2 Kur Samueli arriti në Gilgal, e qortoi Saulin. Në vend që ta pranonte korrigjimin, Sauli nxori justifikime, u përpoq t’ia hidhte fajin të tjerëve dhe e minimizoi atë që kishte bërë. (1 Sam. 13:10-14) Kjo ishte zanafilla e një vargu ngjarjesh të tmerrshme që në fund i kushtuan Saulit mbretërimin dhe, ç’është më e rëndësishmja, miratimin e Jehovait. (1 Sam. 15:22, 23) Me gjithë fillimet premtuese, jeta e Saulit u mbyll për faqe të zezë.—1 Sam. 31:1-6.
3. (a) Ç’mendojnë shumë njerëz për modestinë? (b) Cilat pyetje kërkojnë përgjigje?
3 Në botën e sotme konkurruese, shumë veta mendojnë se duhet të spikatin mes të tjerëve me qëllim që të çajnë para. Për ta arritur këtë, mund ta sakrifikojnë fare modestinë. Për shembull, një yll kinemaje që u bë politikan, tha një herë: «Modestia është një fjalë që nuk zbatohet për mua në asnjë kuptim—dhe shpresoj të mos zbatohet kurrë.» Megjithatë, pse ka ende vlerë modestia? Çfarë është modestia e çfarë nuk është? Dhe si mund ta ruajmë modestinë pavarësisht nga situatat e vështira ose presionet e të tjerëve? Në këtë artikull, do t’u përgjigjemi dy pyetjeve të para. Pyetja e tretë do të shqyrtohet në artikullin vijues.
PSE ËSHTË E RËNDËSISHME MODESTIA?
4. Ç’do të thotë të veprosh me arrogancë?
4 Bibla e vë modestinë në kontrast me arrogancën. (Lexo Proverbat 11:2.) Me mençuri, Davidi i kërkoi Jehovait ‘ta ruante që të mos vepronte me arrogancë’ duke kaluar caqet. (Psal. 19:13) Ç’do të thotë ‘të veprosh me arrogancë’? Kjo shprehje ka kuptimin të bësh në mënyrë impulsive ose me guxim të pavend diçka që nuk je i autorizuar ta bësh. Për shkak të mëkatit të trashëguar, hera-herës të gjithë veprojmë me arrogancë duke i kaluar caqet. Por siç e tregon shembulli i mbretit Saul, po ta bëjmë zakon të shkojmë përtej caqeve tona, herët a vonë do të kemi probleme serioze me Perëndinë. Psalmi 119:21 thotë për Jehovain: «Ti i qorton arrogantët.» Po përse?
5. Pse veprimet arrogante janë gabime serioze?
5 Veprimet arrogante janë më serioze se gabimet pa dashje. Së pari, kur veprojmë pa modesti, nuk nderojmë Jehovain si Sovrani ynë i ligjshëm. Së dyti, nëse shkojmë përtej caqeve të autoritetit tonë, ka shumë të ngjarë të kemi konflikte me të tjerët. (Prov. 13:10) Dhe së treti, kur del në shesh se kemi vepruar me arrogancë, mund të ndihemi të turpëruar ose edhe të poshtëruar. (Luka 14:8, 9) Veprimet arrogante nuk dalin për mirë. Siç e tregojnë Shkrimet, modestia është gjithmonë rruga e duhur.
ÇFARË PËRFSHIN MODESTIA?
6, 7. Çfarë është përulësia, dhe si lidhet modestia me të?
6 Modestia dhe përulësia janë cilësi që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Në Bibël, fjala «përulësi» nënkupton të mos jesh krenar ose arrogant. Ajo quhet edhe «përulësi mendjeje». (Filip. 2:3.) Në përgjithësi, një njeri i përulur është edhe modest, i zoti t’i vlerësojë drejt aftësitë dhe arritjet e veta, të pranojë gabimet e tij dhe të mirëpresë sugjerime e ide të reja. Përulësia i pëlqen jashtë mase Jehovait.
7 Në mënyrë të ngjashme, në Bibël fjala «modesti» nënkupton të kesh vlerësimin e duhur për veten dhe të jesh i vetëdijshëm për kufizimet e tua. Në gjuhën origjinale të Shkrimeve, duket se theksi bie te mënyra si duhet të ndikojë kjo vetëdije te sjellja ndaj të tjerëve.
8. Cilat janë disa shenja paralajmëruese se po mendojmë ose po sillemi pa modesti?
8 Si mund të ndodhë që të fillojmë të mendojmë a të sillemi pa modesti? Të shohim disa shenja paralajmëruese. Ndoshta kemi mendim tepër të lartë për veten ose për privilegjet tona. (Rom. 12:16) Ndoshta e tërheqim vëmendjen te vetja në mënyra të papërshtatshme. (1 Tim. 2:9, 10) Ose ndoshta imponojmë opinione të rrënjosura duke u bazuar vetëm te pozita jonë, te lidhjet që kemi ose tek idetë personale. (1 Kor. 4:6) Shpesh, kur veprojmë kështu, ka të ngjarë që as të mos jemi të vetëdijshëm se kemi kapërcyer kufirin mes modestisë dhe arrogancës.
9. Çfarë i ka shtyrë disa të bëhen arrogantë? Jepni një shembull nga Bibla.
9 Kushdo mund të veprojë pa modesti nëse lejon që ta vënë poshtë përkohësisht dëshirat e mishit. Ambicia egoiste, zilia dhe zemërimi i pakontrolluar i kanë shtyrë shumë veta t’i kalojnë caqet me arrogancë. Personazhe biblike si Absalomi, Uziahu dhe Nabukodonosori u dorëzuan para këtyre veprave të mishit dhe Jehovai i përuli për arrogancën e tyre.—2 Sam. 15:1-6; 18:9-17; 2 Kron. 26:16-21; Dan. 5:18-21.
10. Pse nuk duhet t’i gjykojmë motivet e të tjerëve? Jepni një shembull nga Bibla.
10 Por ka edhe arsye të tjera pse dikush mund të sillet pa modesti. Të mendojmë, për shembull, për tregimet biblike që gjejmë te Zanafilla 20:2-7 dhe te Mateu 26:31-35. A u motivuan nga dëshirat mëkatare veprimet e Abimelekut dhe të Pjetrit, që dukeshin arrogante? Apo mos ndoshta ata thjesht nuk i dinin të gjitha faktet ose u zunë në befasi? Meqë nuk i lexojmë dot zemrat, është edhe e mençur edhe e dashur të mos nxjerrim me vrap përfundime për motivet e të tjerëve.—Lexo Jakovin 4:12.
TË PRANOJMË VENDIN TONË
11. Si lidhet modestia me pranimin e vendit tonë në organizatën e Perëndisë?
11 Modestia në të vërtetë zë fill duke pranuar vendin tonë në organizatën e Perëndisë. Si Perëndi i rregullit, Jehovai i cakton secilit nga ne një vend, ose fushë veprimi, brenda familjes së Tij. Ndonëse çdokush ka një rol unik në kongregacion, të gjithë jemi të nevojshëm. Me dashamirësinë e tij të pamerituar, Jehovai i ka dhënë secilit nga ne dhurata, të mira, aftësi ose talente. Këto mund t’i përdorim për t’i dhënë lavdi atij dhe për dobinë e të tjerëve. (Rom. 12:4-8) Jehovai na ka besuar një kujdestari, e kështu na nderon, tregon besim te ne dhe na jep përgjegjësi.—Lexo 1 Pjetrit 4:10.
12, 13. Pse nuk duhet të çuditemi nëse vendi ynë në organizatën e Perëndisë ndryshon herë pas here?
12 Megjithatë, vendi që kemi në organizatën e Perëndisë nuk është i vulosur. Me kalimin e kohës ai mund të ndryshojë. Të mendojmë për rastin e Jezuit. Në fillim, ai ishte vetëm me Jehovain. (Prov. 8:22) Pastaj ndihmoi në krijimin e engjëjve të tjerë, të universit fizik dhe në fund të njerëzve. (Kolos. 1:16) Kohë më vonë, Jezui mori një rol të ri në tokë, në fillim si një foshnje e brishtë dhe pastaj si një i rritur. (Filip. 2:7) Pas vdekjes së tij flijuese, Jezui u kthye në qiell si krijesë frymore që të bëhej Mbret i Mbretërisë së Perëndisë më 1914. (Hebr. 2:9) Dhe ky s’do të jetë ndryshimi i fundit i caktimit për të. Pas Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë e tij Jehovait, që «Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë».—1 Kor. 15:28.
13 Edhe ne mund të presim që caktimet tona të ndryshojnë herë pas here, shpesh për shkak të vendimeve që marrim. Për shembull, mos ndoshta ishe beqar, por pastaj u martove? Mbase tani je bërë me fëmijë? Apo mos ndoshta ke thjeshtuar jetën në moshë të shkuar që të nisësh shërbimin e plotkohor? Secili nga këto vendime ka sjellë disa privilegje dhe përgjegjësi. Ndryshimi i rrethanave Hebr. 6:10.
mund ta zgjerojë ose ta kufizojë aktivitetin tonë. A je i ri apo në moshë të thyer? A ke shëndet të mirë apo të dobët? Jehovai mban parasysh gjithmonë si mund të përdoret secili nga ne në mënyrën më të mirë në shërbimin e tij. Ai pret nga ne vetëm atë që është e arsyeshme dhe e çmon jashtëzakonisht çfarëdo gjëje që bëjmë.—14. Si mund të na ndihmojë një qëndrim modest të gjejmë kënaqësi në çdo situatë dhe të mos humbim gëzimin?
14 Jezui gjeti gëzim në secilin nga caktimet e tij, e po njësoj mund të gjejmë gëzim edhe ne. (Prov. 8:30, 31) Një njeri modest nuk ndihet i pakënaqur nga caktimet ose përgjegjësitë që ka tani në kongregacion. Nuk shqetësohet që si e si të fitojë privilegje në të ardhmen ose për atë që po arrijnë të tjerët. Në vend të kësaj, i përqendron energjitë që të gjejë kënaqësi e gëzim në rolin që ka, sepse e sheh si një rol që ia ka dhënë Jehovai. Në të njëjtën kohë, e respekton sinqerisht vendin ose rolin që u ka caktuar Jehovai të tjerëve. Modestia na ndihmon t’u japim me kënaqësi të tjerëve nderimin dhe mbështetjen e duhur.—Rom. 12:10.
ÇFARË NUK ËSHTË MODESTIA
15. Ç’mund të mësojmë nga modestia e Gideonit?
15 Gideoni është një shembull i shkëlqyer që tregon si shprehet modestia. Kur iu shfaq në fillim engjëlli i Jehovait, Gideoni e pranoi menjëherë se kualifikimet Gjyk. 6:15) Pasi e pranoi caktimin nga Jehovai, ai u sigurua ta kuptonte plotësisht çfarë pritej prej tij dhe kërkoi drejtim nga Jehovai. (Gjyk. 6:36-40) Gideoni ishte i guximshëm dhe me kurajë. Megjithatë, veproi me maturi dhe mprehtësi. (Gjyk. 6:11, 27) Ai nuk e shfrytëzoi caktimin e tij për të bërë emër. Përkundrazi, u kthye me kënaqësi sa më shpejt që mundi në vendin e mëparshëm.—Gjyk. 8:22, 23, 29.
dhe prejardhja e tij ishin modeste. (16, 17. Çfarë merr parasysh një njeri modest kur mendon për të përparuar frymësisht?
16 Të jemi modestë nuk do të thotë të mos synojmë ose të mos pranojmë kurrë privilegje të tjera shërbimi. Shkrimet na nxitin të gjithëve të bëjmë përparim. (1 Tim. 4:13-15) Por, a nevojitet gjithmonë një ndryshim caktimi për këtë? Jo medoemos. Falë bekimit të Jehovait, ne mund të përparojmë në çfarëdo roli ku shërbejmë tani. Mund të vazhdojmë të kultivojmë aftësitë që na ka dhënë Perëndia dhe të pasurojmë veprat e mira.
17 Para se të pranojë një caktim të ri, një njeri modest do të mësojë në fillim se çfarë pritet nga ai. Pastaj mund të vlerësojë me sinqeritet rrethanat e tij. Për shembull, a do të jetë në gjendje të mbajë mbi supe më shumë punë a përgjegjësi pa lënë pas dore gjëra të tjera të rëndësishme? A mund t’u delegohet të tjerëve një pjesë e punës që ka, për t’i bërë vend përgjegjësisë së re? Nëse përgjigjja për njërën ose të dyja këto pyetje është jo, atëherë ndoshta dikush tjetër është më në gjendje ta përmbushë këtë caktim tani për tani. Një analizë realiste dhe me anë të lutjeve do të na ndihmojë të mos shkojmë përtej aftësive dhe kufizimeve që kemi. Modestia mund të na shtyjë të themi jo.
18. (a) Ç’do të na nxitë të bëjmë modestia kur kemi një rol ose caktim të ri? (b) Si zbatohet Romakëve 12:3 për një njeri modest?
18 Kur e pranojmë një caktim të ri, shembulli i Gideonit na kujton se nuk mund t’ia dalim mbanë pa drejtimin e pa bekimin e Jehovait. Tekefundit, Perëndia ynë na ka ftuar ‘të jemi modestë ndërsa ecim me të’. (Mik. 6:8) Prandaj, sa herë që marrim përsipër përgjegjësi të reja, duhet të mendojmë thellë duke u lutur për çdo gjë që na thotë Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij dhe organizatës së tij. Duhet të mësojmë t’i përshtatim hapat tanë të paqëndrueshëm që të ecim sipas drejtimit të qëndrueshëm të Jehovait. Le të mos harrojmë se ajo që ‘na bën të mëdhenj’ është përulësia e Jehovait, jo aftësia jonë. (Psal. 18:35) Ndaj, kur zgjedhim të ecim me modesti me Perëndinë, kjo do të na ndihmojë të mos mendojmë për veten as më shumë e as më pak nga ç’duhet.—Lexo Romakëve 12:3.
19. Për cilat arsye duhet të kultivojmë modesti?
19 Një njeri modest i jep Jehovait nderimin që meriton, pasi Jehovai është Krijuesi ynë dhe Sovrani i universit. (Zbul. 4:11) Modestia na ndihmon të jemi të kënaqur dhe të frytshëm në vendin ku jemi caktuar në organizatën e Perëndisë. Modestia na frenon që të mos veprojmë me pandershmëri, dhe nxit unitetin mes popullit të Jehovait. Ajo na motivon të mendojmë së pari për të tjerët, si edhe na nxit të jemi të kujdesshëm, e kështu të mos bëjmë gabime serioze. Për këto arsye, modestia ka ende vlerë për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, dhe për Jehovain janë të çmuar ata që e kultivojnë këtë cilësi. Por, si i bëhet kur jemi nën presion? Artikulli tjetër do të na tregojë si ta ruajmë modestinë në situata stresuese.