Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dalloje ndryshimin mes njerëzve

Dalloje ndryshimin mes njerëzve

«Keni për ta parë . . . dallimin mes të drejtit dhe të ligut.»​—MAL. 3:18.

KËNGËT: 127, 101

1, 2. Çfarë sfide hasin shërbëtorët e Perëndisë sot? (Shih figurën hapëse.)

SHUMË profesionistë të mjekësisë punojnë mes njerëzve të infektuar nga sëmundje ngjitëse. Ata kujdesen për pacientët e tyre se duan t’i ndihmojnë. Por, teksa punojnë, duhet të mbrohen për të mos u infektuar nga sëmundja që po përpiqen të kurojnë. Po kështu, mjaft prej nesh jetojmë e punojmë me njerëz të infektuar nga qëndrime e karakteristika që bien ndesh me cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë. Kjo është një sfidë për ne.

2 Në këto ditë të fundit, shoqëria është në kaos nga ana morale. Në letrën e dytë që i shkroi Timoteut, apostulli Pavël përshkruan karakteristikat e njerëzve të ndarë nga Perëndia, karakteristika që do të bëheshin më të dukshme dita-ditës. (Lexo 2 Timoteut 3:1-5, 13.) Vërtet, përhapja e cilësive të tilla mund të na trondisë, por prapë mund të ndikohemi nga sjellja dhe qëndrimet e atyre që i shfaqin këto cilësi. (Prov. 13:20) Në këtë artikull do të shqyrtojmë se si cilësitë që karakterizojnë njerëzit në ditët e fundit dallojnë si nata me ditën nga cilësitë e shërbëtorëve të Perëndisë. Gjithashtu, do të shohim si mund të mbrohemi për të mos u infektuar nga karakteristikat negative ndërkohë që i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain.

3. Cilët përfshin lista e cilësive që gjejmë te 2 Timoteut 3:2-5?

3 Apostulli Pavël shkroi se «ditët e fundit» do të ishin «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Më pas, ai renditi 19 cilësi negative që do të karakterizonin njerëzit në këtë periudhë. Kjo listë ngjan me atë që gjejmë te Romakëve 1:29-31. Por, lista në letrën që i shkroi Timoteut përfshin terma që nuk përmenden askund tjetër në Shkrimet e Krishtere Greke. Pavli e nis listën e cilësive të papëlqyeshme për Perëndinë me fjalët «njerëzit do të jenë . . . ». Megjithatë, këto cilësi nuk do t’i shfaqnin të gjithë njerëzit. Shërbëtorët e Perëndisë kanë cilësi krejt të ndryshme.—Lexo Malakinë 3:18.

SI E SHOHIM VETEN

4. Si do ta përshkruaje një njeri të krekosur?

4 Pasi tha se shumë veta do të ishin të dashuruar me veten dhe me paratë, Pavli shkroi se njerëzit do të ishin edhe mendjemëdhenj, fodullë dhe të krekosur. Shpesh këto tipare pasqyrojnë një ndjenjë superioriteti për shkak të aftësive, pamjes, pasurisë a pozitës shoqërore. Njerëz me tipare të tilla vdesin që të tjerët t’i admirojnë dhe t’i adhurojnë. Ja çfarë shkroi një studiues për dikë që e ka pushtuar krenaria: «Në zemrën e tij ka një altar të vogël ku përkulet para vetes.» Disa thonë se krenaria e tepruar është kaq e shpifur, sa edhe vetë krenarët s’e honepsin te të tjerët.

5. Si kanë rënë pre e krenarisë edhe disa shërbëtorë besnikë?

5 As diskutohet që Jehovai ndien neveri për krenarinë. Ai i urren «sytë krenarë». (Prov. 6:16, 17) Krenaria e pengon njeriun t’i afrohet Perëndisë. (Psal. 10:4) Ajo është tipar dallues i Djallit. (1 Tim. 3:6) Mirëpo, mjerisht krenaria ka infektuar edhe disa shërbëtorë besnikë të Jehovait. Uziahu, një mbret i Judës, qëndroi besnik për vite të tëra. «Por,​—siç thotë Bibla,—​me t’u bërë i fortë, zemra e tij u bë fodulle aq sa e rrënoi, kështu që ai veproi me pabesi kundër Jehovait, Perëndisë së tij, dhe hyri në tempullin e Jehovait për të djegur temjan mbi altarin e temjanit.» Më vonë, edhe mbreti Hezekia ra pre e fodullëkut, ndonëse vetëm përkohësisht.​—2 Kron. 26:16; 32:25, 26.

6. Çfarë mund ta kishte bërë krenar Davidin, por pse nuk u bë i tillë?

6 Disa bëhen krenarë për shkak të pamjes tërheqëse, popullaritetit, dhuntive muzikore, aftësive fizike ose pozitës së lartë. Davidi nuk kishte vetëm një nga këto veçori, por të gjitha bashkë; prapëseprapë ai mbeti i përulur gjatë gjithë jetës. Pasi vrau Goliadin dhe mbreti Saul i premtoi për grua të bijën, Davidi tha: «Kush jam unë e kush është farefisi im, familja e tim eti, në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?» (1 Sam. 18:18) Si arriti Davidi të mbetej i përulur? Çdo cilësi, aftësi dhe privilegj Davidi e kishte vetëm ngaqë Perëndia ishte ‘përkulur’, ose kishte treguar përulësi, për t’i kushtuar vëmendje. (Psal. 113:5-8) Davidi e dinte se çdo gjë të mirë e kishte marrë nga Jehovai.​—Krahaso 1 Korintasve 4:7.

7. Çfarë do të na ndihmojë të shfaqim përulësi?

7 Ashtu si Davidi, edhe shërbëtorët e Jehovait sot përpiqen fort të shfaqin përulësi. Mahnitemi nga fakti që Jehovai, Personi më i lartë në univers, shfaq cilësinë tërheqëse të përulësisë. (Psal. 18:35) Ne bëjmë çmos ta zbatojmë këtë këshillë të frymëzuar: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.» (Kolos. 3:12) Gjithashtu, dimë se dashuria «nuk mbahet me të madh, nuk krekoset». (1 Kor. 13:4) Kur tregojmë përulësi, njerëzit mund të tërhiqen drejt Jehovait. Ashtu si burrat mund të fitohen pa fjalë falë sjelljes së grave të tyre, edhe të tjerët mund të tërhiqen drejt Perëndisë falë përulësisë që shfaqim si shërbëtorë të tij.​—1 Pjet. 3:1.

SI I TRAJTOJMË TË TJERËT

8. (a) Si e konsiderojnë disa sot mosbindjen ndaj prindërve? (b) Çfarë udhëzimi u japin Shkrimet fëmijëve?

8 Pavli përshkroi si do ta trajtonin njëri-tjetrin njerëzit në ditët e fundit. Ai shkroi se në ditët e fundit fëmijët do të ishin të pabindur ndaj prindërve. Ndonëse sot një sjellje e tillë nganjëherë pranohet e madje inkurajohet në libra, filma e në programe televizive, mosbindja gërryen stabilitetin e njësisë më të rëndësishme të shoqërisë​—familjes. Njerëzit e kanë kuptuar prej kohësh këtë parim. Është interesante se në Greqinë e lashtë, nëse një burrë godiste prindërit, humbiste gjithë të drejtat civile; sipas ligjit romak, të goditje babanë ishte po aq e rëndë sa të bëje një vrasje. Si Shkrimet Hebraike, ashtu edhe Shkrimet e Krishtere Greke i udhëzojnë fëmijët të nderojnë prindërit.​—Dal. 20:12; Efes. 6:1-3.

9. Çfarë do t’i ndihmojë fëmijët që t’u binden prindërve?

9 Fëmijët mund ta mbrojnë veten që të mos infektohen nga fryma e mosbindjes duke reflektuar se çfarë kanë bërë prindërit për ta. Qëndrimi mirënjohës thellohet kur kuptojmë se bindja është një kërkesë e Perëndisë, Atit të të gjithëve. Kur flasin pozitivisht për prindërit e tyre, të rinjtë mund të ndihmojnë të rinj të tjerë t’i shohin prindërit në dritë pozitive. Sigurisht, nëse prindërit nuk kanë përzemërsi të natyrshme për fëmijët e tyre, mund të jetë e vështirë për këta fëmijë të binden nga zemra. Nga ana tjetër, kur fëmija ndien dashurinë e thellë të prindërve, nxitet t’u pëlqejë atyre edhe para tundimit për të mos u bindur. Një vëlla që quhet Ostin thotë: «Shpesh më vinte të bëja gjëra që s’duhej t’i bëja. Mirëpo prindërit më jepnin drejtime të arsyeshme, më shpjegonin arsyet e rregullave dhe mbanin gjithnjë një komunikim të hapur. Kjo më ndihmoi të isha i bindur. E dalloja se prindërit më donin të mirën, prandaj kisha dëshirë t’i kënaqja.»

10, 11. (a) Cilat cilësi negative tregojnë se njerëzit s’kanë dashuri për njëri-tjetrin? (b) Deri në ç’masë i duan të tjerët të krishterët e vërtetë?

10 Pavli rendit edhe cilësi të tjera negative që tregojnë se njerëzit nuk kanë dashuri për njëri-tjetrin. Me të drejtë, pas ‘mosbindjes ndaj prindërve’ përmendet mosmirënjohja, sepse ajo përshkruan qëndrimin e atyre që s’kanë çmueshmëri për mirësinë që u tregojnë të tjerët. Njerëzit do të ishin edhe të pabesë. Nuk do të ishin të gatshëm për asnjë marrëveshje, domethënë s’do të kishin pikë dëshire për të bërë paqe me të tjerët. Do të ishin blasfemues dhe tradhtarë, pra do të përdornin fjalë sharëse e lënduese ndaj njerëzve e madje edhe ndaj Perëndisë. Do të kishte edhe shpifës, njerëz që përhapin fjalë të dëmshme me synimin për të shkatërruar reputacionin e mirë të të tjerëve. *

11 Krejt ndryshe nga njerëzit që shfaqin këtë mungesë dashurie kaq të përhapur sot, adhuruesit e Jehovait kanë dashuri të sinqertë për të tjerët. Kështu ka qenë gjithmonë. Jezui tha se dashuria për të afërmin, një formë e dashurisë agápe, ishte urdhërimi i dytë më i rëndësishëm në Ligjin e Moisiut, fill pas urdhërimit për të dashur Perëndinë. (Mat. 22:38, 39) Gjithashtu, Jezui tha se dashuria për njëri-tjetrin do të ishte cilësia identifikuese e të krishterëve të vërtetë. (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Madje këtë dashuri të krishterë do ta shfaqnin edhe ndaj armiqve.​—Mat. 5:43, 44.

12. Si tregoi Jezui dashuri për të tjerët?

12 Jezui tregoi dashuri të jashtëzakonshme për të tjerët. Ai shkoi qytet më qytet e u dha lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Shëroi të verbrit, të çalët, të lebrosurit e të shurdhrit dhe ngriti të vdekurit. (Luka 7:22) Madje Jezui dha jetën në dobi të njerëzimit, ndonëse shumë veta e urryen. Dashuria e Jezuit pasqyroi në mënyrë të përsosur dashurinë që shfaq Ati i tij. Në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë për të tjerët dashuri hyjnore.

13. Si mund t’i tërheqë njerëzit drejt Jehovait dashuria që tregojmë?

13 Dashuria që tregojmë, i tërheq njerëzit drejt Atit tonë qiellor. Për shembull, një burrë në Tajlandë u prek nga dashuria që pa mes vëllezërve në një kongres rajonal. Me t’u kthyer në shtëpi, kërkoi të studionte Biblën dy herë në javë. U predikoi gjithë të afërmve dhe, vetëm gjashtë muaj pas kongresit, mbajti caktimin e parë në mbledhje, leximin e Biblës. Për të kuptuar si është dashuria që tregojmë për të tjerët, duhet të pyesim veten: «A bëj çmos t’i ndihmoj pjesëtarët e familjes, të kongregacionit dhe njerëzit në shërbim? A përpiqem t’i shoh të tjerët siç i sheh Jehovai?»

UJQËR DHE QENGJA

14, 15. Çfarë cilësish shtazarake shfaqin shumë veta, por si kanë ndryshuar për mirë disa?

14 Disa cilësi të tjera që shfaqin njerëzit në ditët e fundit u japin shërbëtorëve të Perëndisë arsye të mëtejshme që t’u rrinë larg. Ishte parathënë se njerëzit që s’duan t’ia dinë për Perëndinë do të ishin pa dashuri për mirësinë ose, siç thonë disa përkthime, «urrejtës të së mirës» ose «armiq të çfarëdo mirësie». Do të ishin pa vetëkontroll, të egër. Disa do të ishin kokëkrisur, pra impulsivë e kokëshkretë.

15 Shumë veta që dikur shfaqnin cilësi të tilla shtazarake kanë ndryshuar për mirë. Ky transformim parathuhej bukur në një profeci të Biblës. (Lexo Isainë 11:6, 7.) Aty lexojmë se kafshë të egra, si ujqërit e luanët, jetojnë në paqe me kafshë të buta, si qengjat e viçat. Pse mbretëron kjo qetësi e paqe? Bibla thotë: «Sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.» (Isa. 11:9) Meqë kafshët s’mund të mësojnë për Jehovain, kjo profeci plotësohet në kuptimin e figurshëm për njerëzit.

Zbatimi i parimeve biblike transformon jetë! (Shih paragrafin 16.)

16. Si i ka ndihmuar Bibla njerëzit të transformojnë personalitetin e tyre?

16 Shumë njerëz që dikur ishin të egër si ujqërit, tani jetojnë në paqe me të tjerët. Disa nga përvojat e tyre mund t’i lexojmë në rubrikën «Bibla të ndryshon jetën», që gjendet në jw.org te MËSIME BIBLIKE. Ata që e njohin Jehovain dhe i shërbejnë, nuk janë si njerëzit që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij, pra që hiqen sikur adhurojnë Perëndinë ndërkohë që sjellja e tyre flet ndryshe. Përkundrazi, njerëz dikur të egër ‘kanë veshur personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Efes. 4:23, 24) Teksa mësojnë për Perëndinë, njerëzit kuptojnë se duhet ta përputhin jetën me standardet e tij. Pastaj zemra i shtyn të bëjnë ndryshime në bindjet, qëndrimet dhe sjelljen e tyre. Këto ndryshime s’janë të lehta, por mund të bëhen ngaqë fryma e Perëndisë do t’i ndihmojë ata që duan me gjithë shpirt të bëjnë vullnetin e Tij.

«NGA KËTA LARGOHU»

17. Ç’mund të bëjmë që të mos ndikohemi nga ata që shfaqin cilësi të papëlqyeshme për Perëndinë?

17 Dallimi mes atyre që i shërbejnë Perëndisë dhe atyre që nuk i shërbejnë, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Ne që i shërbejmë Perëndisë duhet të bëjmë kujdes që të mos ndikohemi nga qëndrimet e korruptuara të njerëzve. Me mençuri, i vëmë veshin këshillës së frymëzuar që të largohemi nga ata lloj njerëzish që përmend 2 Timoteut 3:2-5. Kuptohet, nuk i shmangim dot plotësisht njerëzit me cilësi që s’i pëlqejnë Perëndisë. Mbase na duhet të punojmë me ta, të ndjekim shkollën me ta ose të jetojmë me ta. Por është e mundur të mos përvetësojmë mënyrën si mendojnë dhe të mos imitojmë karakteristikat e tyre. Këtë e bëjmë duke forcuar marrëdhënien me Jehovain përmes studimit të Biblës dhe shoqërimit të ngushtë me ata që janë të vendosur t’i shërbejnë Atij.

18. Si mund t’i ndihmojë i foluri dhe sjellja jonë të tjerët që të duan ta njohin Jehovain?

18 Gjithashtu duhet të përpiqemi fort që të ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain. Kërko raste për të dëshmuar, duke iu lutur Jehovait për ndihmë që të thuash fjalët e duhura në momentin e duhur. Është mirë t’u tregojmë të tjerëve se jemi Dëshmitarë të Jehovait. Kështu, sjellja jonë e shkëlqyer do t’i japë lavdi Perëndisë dhe jo neve. Ai na ka mësuar si «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote». (Titit 2:11-14) Nëse sillemi ashtu siç i pëlqen Perëndisë, të tjerët do ta vënë re, e madje disa mund të thonë: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»​—Zak. 8:23.

^ par. 10 Fjala greke e përkthyer «shpifës» ose «paditës» është diábolos, term që në Bibël përdoret si një titull për Satanain, shpifësin e lig kundër Perëndisë.