Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ai i jep fuqi të lodhurit»

«Ai i jep fuqi të lodhurit»

Shkrimi i vitit për 2018-n: «Ata që shpresojnë te Jehovai do të rimarrin fuqi.»—ISA. 40:31.

KËNGËT: 3, 47

1. Me cilat presione na duhet të përballemi, por pse Jehovai ndihet i kënaqur me shërbëtorët e tij besnikë? (Shih figurat hapëse.)

SIÇ e dimë, jeta në këtë sistem nuk është aspak fushë me lule. Shumë nga ju vëllezër e motra të dashura luftoni me sëmundje serioze. Të tjerë, ndonëse janë për vete në moshë të shkuar, kujdesen për të afërm të moshuar. Të tjerë akoma rropaten për të siguruar jo gjëra luksi, por thjesht nevojat bazë të familjes. Dhe e dimë se shumë po përballen jo me një, por me disa nga këto probleme njëherazi. Kjo u merr tmerrësisht shumë kohë dhe energji emocionale​—pa folur pastaj për barrën e rëndë ekonomike. Prapëseprapë, siguria jote te premtimet e Perëndisë është absolute; besimi yt te një e ardhme më e mirë, i palëkundur. Sa i kënaqur duhet të ndihet Jehovai!

2. Çfarë inkurajimi na jep Isaia 40:29, por cilin gabim të rëndë mund të bëjmë?

2 Por, a ndihesh ndonjëherë sikur presionet e jetës të kanë çuar aty ku s’mban më? Nëse ndihesh kështu, nuk je i vetmi. Bibla tregon se shërbëtorët besnikë të së kaluarës shpesh ndiheshin sikur nuk mbanin dot më. (1 Mbret. 19:4; Jobi 7:7) Megjithatë, në vend që të dorëzoheshin, u mbështetën te Jehovai për forcë. E nuk u zhgënjyen, sepse Perëndia ynë «i jep fuqi të lodhurit». (Isa. 40:29) Mjerisht, disa shërbëtorë të Perëndisë në ditët tona kanë nxjerrë përfundimin se mënyra më e mirë për të përballuar presionet e jetës është ‘të bëjnë pak pushim nga e vërteta’, siç shprehen ata, sikur aktivitetet e krishtere të jenë një barrë e jo një bekim. Kështu, nuk e lexojnë më Fjalën e Perëndisë, nuk i ndjekin më mbledhjet e kongregacionit dhe nuk dalin më në shërbim​—tamam siç shpreson Satanai që të veprojnë.

3. (a) Si mund të bëjmë që të dështojë synimi i Satanait për të na dobësuar? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Djalli e di për bukuri se kur zhytemi në aktivitetet e krishtere mund të marrim forcë, dhe ai nuk do që të jemi të fortë. Ndaj, kur ndihesh i sfilitur fizikisht dhe emocionalisht, mos u shkëput nga Jehovai. Afrohu akoma më shumë me të, sepse ai ‘do të të bëjë të patundur, do të të bëjë të fortë’. (1 Pjet. 5:10; Jak. 4:8) Në këtë artikull do të ndalemi te dy situata që mund të na plogështojnë në shërbimin e Perëndisë dhe do të shqyrtojmë si mund të na ndihmojë zbatimi i parimeve biblike që t’i përballojmë. Por së pari le të përqendrohemi tek aftësia e Jehovait për të na dhënë forcë, siç tregon Isaia 40:26-31.

ATA QË SHPRESOJNË TE JEHOVAI DO TË RIMARRIN FUQI

4. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga Isaia 40:26?

4 Lexo Isainë 40:26. Askush nuk ka arritur t’i numërojë të gjitha yjet në univers. Shkencëtarët mendojnë se vetëm galaktika jonë Udha e Qumështit mund të ketë deri në 400 miliardë yje. E megjithatë Jehovai i vë emër çdo ylli. Ç’na mëson kjo? Nëse Jehovai interesohet për krijimin e tij të pajetë, merre me mend si ndihet për ty që i shërben, jo ngaqë je programuar ta bësh këtë, por ngaqë e do! (Psal. 19:1, 3, 14) Ati ynë i dashur të njeh thellë, me imtësi. Madje ‘edhe fijet e flokëve të tu janë të gjitha të numëruara’ prej tij. (Mat. 10:30) Gjithashtu, psalmisti na siguron se «Jehovai e njeh mirë udhën e të patëmetëve», domethënë çfarë përjetojnë ata. (Psal. 37:18) Po, ai i vëren sprovat që kalon ti dhe mund të të japë forcë që t’i bësh ballë secilës prej tyre.

5. Si mund të jemi të sigurt se Jehovai është i aftë të na japë forcë?

5 Lexo Isainë 40:28. Jehovai është Burimi i energjisë dinamike. Të mendojmë, për shembull, sa energji i jep ai vetëm diellit tonë. Një shkrimtar në fushën e shkencës, Dejvid Bodanisi, tha: «Masa e Diellit që shpërthen duke u shndërruar në energji çdo sekondë, është e barabartë me [miliarda] bomba [atomike].» Një studiues tjetër llogariti se dielli «tani rrezaton . . . në një sekondë të vetme aq energji sa të plotësojë nevojat e njerëzimit për 200.000 vjet»! A mund të dyshojë ndokush se Ai që «i jep karburantin» diellit mund të na japë forcën që na nevojitet për t’i bërë ballë çfarëdo problemi?!

6. Pse themi se zgjedha e Jezuit është e këndshme, dhe si duhet të ndikojë kjo te ne?

6 Lexo Isainë 40:29. Shërbimi i Jehovait është burim i madh gëzimi. Jezui u tha dishepujve të tij: «Merrni mbi vete zgjedhën time.» Pastaj shtoi: «Ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Sa të vërteta janë këto fjalë! Ndonjëherë kur dalim nga shtëpia për të ndjekur një mbledhje kongregacioni ose për të marrë pjesë në shërbim, mund të ndihemi të sfilitur. Por, si ndihemi kur kthehemi? Të freskuar dhe më të përgatitur për të përballuar sprovat e jetës. Vërtet, zgjedha e Jezuit është e këndshme!

7. Tregoni një përvojë që ilustron sa të vërteta janë fjalët e Mateut 11:28-30.

7 Një motre, që po e quajmë Kejla, i është dashur të luftojë me sindromën e rraskapitjes kronike, me depresionin dhe me migrenën. Merret me mend që nganjëherë e kishte të vështirë të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. Por, pasi bëri përpjekje që të ndiqte një mbledhje publike, ajo shkroi: «Fjalimi ishte për shkurajimin. Informacioni u paraqit me aq empati dhe merak për dëgjuesit, sa nuk i mbajta dot lotët. Kjo më kujtoi se mbledhjet janë vendi ku kam nevojë të jem.» Sa e lumtur ndihej që bëri përpjekje ta ndiqte mbledhjen!

8, 9. Ç’donte të thoshte apostulli Pavël me fjalët «kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm»?

8 Lexo Isainë 40:30. Sado të kualifikuar qofshim, ajo që mund të bëjmë me forcat tona ka një kufi. Ky është një mësim që duhet ta mësojmë të gjithë. Ndonëse ishte njeri i aftë, apostulli Pavël kishte kufizime që nuk e lejonin të bënte çdo gjë që dëshironte. Kur ia shprehu shqetësimet e tij Perëndisë, Ai i tha: «Fuqia ime përsoset në dobësi.» Pavli e kapi çfarë mësimi donte t’i jepte Jehovai. Ai nxori këtë përfundim: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Kor. 12:7-10) Ç’donte të thoshte me këto fjalë?

9 Pavli e kuptoi se gjërat që mund të bënte pa ndihmë nga një burim më i lartë ishin të kufizuara. Fryma e shenjtë e Perëndisë mund t’i jepte Pavlit fuqinë që i mungonte. Jo vetëm kaq, por fryma e Perëndisë mund t’i jepte fuqi të bënte gjëra që me forcat e veta s’do t’i kryente dot kurrë. Kjo është e vërtetë edhe për ne. Nëse forca jonë vjen nga Jehovai, atëherë do të jemi vërtet të fortë!

10. Si e ndihmoi Jehovai Davidin të përballonte vështirësitë që haste?

10 Psalmisti David e provoi sa e sa herë fuqinë e frymës së shenjtë të Perëndisë. Ai këndoi: «Falë teje, unë mund t’i sulem një bande kusarësh, falë Perëndisë tim, mund të kapërcej një mur.» (Psal. 18:29) Ka disa mure​—disa probleme—​që nuk ‘i kapërcejmë’ dot me forcat tona; kemi nevojë për ndihmën e Jehovait.

11. Përshkruani rolin që luan fryma e shenjtë për të na ndihmuar të përballojmë problemet.

11 Lexo Isainë 40:31. Që të ngrihet fluturim e të qëndrojë në ajër pa rrahur krahët për distanca të mëdha, shqiponjës nuk i mjafton fuqia e vet. Një rrymë ajri e ngrohtë i jep fuqinë që i nevojitet, e kështu i kursen energji. Ndaj kur përballesh me një problem që të duket si mal i madh, kujto shqiponjën. Përgjëroju Jehovait të të rigjallërojë fuqitë me anë të ‘ndihmësit, frymës së shenjtë’. (Gjoni 14:26) Sa mirë që e kemi në dispozicion frymën e tij kurdo që na nevojitet​—24 orë në ditë! E nevojën për ndihmën e Perëndisë mund ta ndiejmë edhe më thellë kur kemi një fërkim me një pjesëtar të kongregacionit. Po përse lindin këto mosmarrëveshje?

12, 13. (a) Pse lindin mosmarrëveshje mes të krishterëve? (b) Ç’na mëson për Jehovain tregimi për Jozefin?

12 Mosmarrëveshjet mes njerëzve ndodhin ngaqë të gjithë jemi të papërsosur. Prandaj do të ketë raste kur do të na acarojnë fjalët a veprimet e bashkëbesimtarëve​—ose kur ata do të mërziten nga tonat. Kjo mund të jetë një sprovë e vështirë. Ashtu si me sprovat e tjera, Jehovai na lejon të provojmë integritetin tonë duke mësuar të bashkëpunojmë në unitet me burra dhe gra të kushtuara që ai i do pavarësisht nga papërsosmëritë e tyre.

Jehovai nuk e braktisi Jozefin; ai s’do të të braktisë as ty (Shih paragrafin 13.)

13 Jehovai nuk pengon që shërbëtorët e tij të sprovohen. Këtë e ilustron tregimi për Jozefin. Kur Jozefi ishte djalosh, gjysmëvëllezërit e tij xhelozë e shitën si skllav dhe përfundoi në Egjipt. (Zan. 37:28) Jehovai e pa ç’po ndodhte dhe pa dyshim që ndiente dhimbje kur shihte si po e trajtonin mikun e tij, Jozefin e drejtë. Sidoqoftë, Ai nuk ndërhyri. Më vonë, kur Jozefin e akuzuan se ishte orvatur të përdhunonte gruan e Potifarit dhe e flakën në burg, Jehovai prapë nuk ndërhyri. Por, a e braktisi për ndonjë moment Perëndia Jozefin? Përkundrazi, «çdo gjë që bënte [Jozefi], Jehovai ia binte mbarë».​—Zan. 39:21-23.

14. Si nxjerrim dobi kur ‘e lëmë’ zemërimin?

14 Të shohim një shembull tjetër. Të rrallë janë ata njerëz që i kanë trajtuar aq keq sa Davidin. Megjithatë, ai mik i Perëndisë nuk lejoi ta brente mëria. Përkundrazi, Davidi shkroi: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi, mos u nxeh, se kjo të shtyn veç të bësh keq.» (Psal. 37:8) Arsyeja më e rëndësishme ‘për ta lënë’ zemërimin është se duam të imitojmë Jehovain, i cili «nuk vepron me ne sipas mëkateve tona». (Psal. 103:10) Por kur ‘e lëmë’ zemërimin kemi edhe dobi praktike. Zemërimi mund të shkaktojë probleme fizike, si tensioni i lartë dhe probleme me frymëmarrjen. Mund të dëmtojë mëlçinë dhe pankreasin, si edhe mund të shkaktojë probleme me tretjen. Kur jemi të zemëruar, nuk mendojmë gjithnjë kthjellët. Dhe ndonjëherë një shpërthim zemërimi mund të pasohet nga një periudhë e gjatë depresioni. Nga ana tjetër, siç thotë Bibla, «zemra e qetë është jetë për trupin». (Prov. 14:30) Po si t’i shërojmë ndjenjat e lënduara dhe si ta fitojmë vëllanë tonë? Mund t’ia dalim duke zbatuar këshillat e mençura të Biblës.

KUR NA ZHGËNJEJNË VËLLEZËRIT TANË

15, 16. Si duhet të veprojmë kur na ka fyer dikush?

15 Lexo Efesianëve 4:26. Nuk habitemi kur na trajtojnë ashpër njerëzit e botës. Ama kur një bashkëbesimtar ose pjesëtar i familjes thotë a bën diçka që na lëndon thellë, mund të ndihemi përtokë. Ta zëmë se nuk arrijmë dot që thjesht ta harrojmë atë incident. A do të lejojmë që mëria të na helmojë për vite me radhë? Apo do të ndjekim këshillën e mençur të Biblës që t’i zgjidhim shpejt problemet? Sa më shumë ta shtyjmë zgjidhjen e kësaj situate, aq më të vështirë do ta kemi të bëjmë paqe me vëllanë tonë.

16 Ta zëmë se një vëlla të ka fyer dhe nuk arrin dot ta hedhësh pas krahëve këtë gjë. Cilët hapa pozitivë mund të ndërmarrësh që të bësh paqe? Në fillim, lutju me zjarr Jehovait. Kërkoji të të ndihmojë që të bësh një bisedë ndërtuese me vëllanë tënd. Mos harro, ai është një nga miqtë e Jehovait. (Psal. 25:14) Perëndia e do. Jehovai i trajton me dashamirësi miqtë e tij, dhe pret të njëjtën gjë nga ne. (Prov. 15:23; Mat. 7:12; Kolos. 4:6) Pastaj, pesho në mendje atë që do të thuash. Mos u nis me mendimin se vëllai yt të lëndoi kastile; mos dysho për motivet e tij. Dhe ji i gatshëm të pranosh se edhe ti mund të kesh ndikuar në ndonjë mënyrë te hendeku i krijuar. Mund ta hapësh muhabetin duke thënë diçka të tillë: «Mbase po tregohem tepër i ndjeshëm, por nga fjalët që më the dje, u ndjeva . . . » Nëse biseda nuk sjell rezultatet që doje, kërko një mundësi tjetër për të bërë paqe. Ndërkohë, lutu për vëllanë tënd; kërkoji Jehovait ta bekojë. Lutju të të ndihmojë të përqendrohesh te cilësitë e mira të vëllait. Cilido qoftë rezultati, të jesh i sigurt se Jehovai do të kënaqet me përpjekjet e tua të sinqerta për ta fituar vëllanë tënd​—mikun e Perëndisë.

KUR NA TORTURON E KALUARA JONË

17. Çfarë mund të përdorë Jehovai për të na ndihmuar të marrim veten kur kemi bërë një mëkat, dhe pse duhet të përfitojmë nga kjo ndihmë?

17 Disa ndihen të padenjë t’i shërbejnë Jehovait ngaqë kanë bërë një mëkat serioz. Ndjenja e fajit mund të jetë një padron i egër. Mbreti David, që luftoi me ndjenjat e fajit, u shpreh kështu: «Meqë unë heshtja, kockat më treteshin nga rënkimi gjithë ditën e ditës, se dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë.» Por sa mirë që Davidi e përballoi problemin si burrë​—si një burrë që i sheh gjërat nga këndvështrimi i Jehovait! «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim,​—shkroi ai,—​dhe ti e fale ligësinë e mëkateve të mia.» (Psal. 32:3-5) Nëse ke bërë një mëkat të rëndë, Jehovai është i gatshëm të të ndihmojë ta marrësh veten. Ama duhet ta pranosh ndihmën që siguron ai nëpërmjet kongregacionit. (Prov. 24:16; Jak. 5:13-15) Vepro pa vonesë​—është në lojë e ardhmja jote e përhershme! Por ta zëmë se Jehovai ta ka falur një mëkat para shumë kohësh, e prapë të vret ndërgjegjja. Çfarë të bësh?

18. Si mund t’i ndihmojë shembulli i Pavlit ata që luftojnë me ndjenjat e pavlefshmërisë?

18 Kishte raste që apostullin Pavël e torturonin gabimet e së kaluarës. Ai pranoi: «Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull, ngaqë e përndoqa kongregacionin e Perëndisë.» Sidoqoftë, Pavli shtoi: «Por, falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, jam ky që jam.» (1 Kor. 15:9, 10) Jehovai e pranonte Pavlin ashtu siç ishte, dhe donte që Pavli të ishte i sigurt për këtë. Nëse je penduar sinqerisht për mëkatet e së kaluarës dhe i ke rrëfyer në masën e nevojshme, të jesh i sigurt se Jehovai do të të tregojë mëshirë. Besoje atë që thotë Jehovai dhe pranoje faljen që të jep ai!​—Isa. 55:6, 7.

19. Cili është shkrimi i vitit për 2018-n, dhe pse është me vend?

19 Ndërsa ky sistem i afrohet fundit, mund të presim që presionet e jetës të shtohen. Megjithatë, ji i sigurt se Ai që ‘i jep fuqi të lodhurit dhe i jep fuqi me bollëk atij që s’ka forcë për të bërë asgjë’ mund të të japë çfarëdo që të nevojitet për të qëndruar. (Isa. 40:29; Psal. 55:22; 68:19) Gjatë vitit 2018, kjo e vërtetë e rëndësishme do të na kujtohet sa herë të ndjekim një mbledhje në Sallën e Mbretërisë dhe të shohim këto fjalë të shkrimit të vitit: «Ata që shpresojnë te Jehovai do të rimarrin fuqi.»​Isa. 40:31.