Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Uniteti ynë i bukur dhe Përkujtimi

Uniteti ynë i bukur dhe Përkujtimi

«Sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»​—PSAL. 133:1.

KËNGËT: 18, 14

1, 2. Cila është ajo ngjarje e vitit 2018 që nxit më shumë unitetin, dhe pse? (Shih figurën hapëse.)

NË DATËN 31 mars 2018, teksa dielli do të nisë të perëndojë, populli i Perëndisë dhe shumë të interesuar do të mblidhen si çdo vit për Darkën e Zotërisë. Ndërsa planeti rrotullohet rreth boshtit të vet, miliona veta do të mblidhen për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Vit pas viti, Përkujtimi është ngjarja më e mahnitshme që nxit unitetin në planetin tonë!

2 Mund të përpiqemi ta imagjinojmë sa shumë i gëzon zemra Jehovait dhe Jezuit, tek shohin miliona njerëz në mbarë tokën që orë pas ore marrin pjesë në këtë ngjarje kaq të veçantë derisa ajo ditë përfundon. Bibla paratha se ‘një shumicë e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët të cilën askush nuk do të ishte në gjendje ta numëronte’ do të thërriste: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.» (Zbul. 7:9, 10) Sa e mrekullueshme është që Jehovai dhe Jezui nderohen në këtë mënyrë nëpërmjet kremtimit të përvitshëm të Përkujtimit!

3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Ky artikull do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve: (1) Si mund të përgatitemi për Përkujtimin e të nxjerrim dobi prej tij? (2) Si ndikon Përkujtimi tek uniteti i popullit të Perëndisë? (3) Si mund të bëjmë pjesën tonë për të nxitur unitetin? (4) A do të ketë një Përkujtim të fundit? Nëse po, kur?

SI TË PËRGATITESH DHE TË NXJERRËSH DOBI NGA PËRKUJTIMI

4. Pse ka shumë rëndësi të jemi të pranishëm në Përkujtim, nëse është brenda mundësive tona?

4 Medito për rëndësinë e pjesëmarrjes në Përkujtim. Mos harro se mbledhjet e kongregacionit janë pjesë e adhurimit tonë. S’ka pikë dyshimi se Jehovai dhe Jezui vërejnë këdo që përpiqet të jetë i pranishëm në mbledhjen më të rëndësishme të vitit. Vërtet, dëshirojmë që ata të na shohin tek marrim pjesë në Përkujtim, nëse shëndeti dhe rrethanat na e lejojnë. Kur e tregojmë me vepra se i kemi të shtrenjta mbledhjet tona të adhurimit, i japim Jehovait një arsye më shumë që ta mbajë emrin tonë në ‘librin e tij të kujtimit’​—në «librin e jetës»—​ku janë shkruar emrat e atyre që shpresojnë të marrin jetën e përhershme.​—Mal. 3:16; Zbul. 20:15.

5. Si mund ‘ta vëmë në provë veten nëse jemi në besim’ në ditët para Përkujtimit?

5 Në ditët para Përkujtimit, mund të lëmë mënjanë kohë për të shqyrtuar me kujdes dhe në lutje marrëdhënien tonë me Jehovain. (Lexo 2 Korintasve 13:5.) Si ta bëjmë këtë? Duke ‘vënë në provë veten nëse jemi në besim’. Ndaj bëjmë mirë të pyesim: «A besoj vërtet se jam pjesë e të vetmes organizatë që Jehovai ka miratuar për të kryer vullnetin e tij? A po bëj gjithë sa kam në dorë për të predikuar e për t’u mësuar të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë? A tregoj me vepra se besoj me gjithë zemër që këto janë ditët e fundit dhe se është afër koha kur sundimi i Satanait do të zhduket njëherë e mirë? A kam të njëjtin besim te Jehovai dhe te Jezui si në kohën kur i kushtova jetën Perëndisë Jehova?» (Mat. 24:14; 2 Tim. 3:1; Hebr. 3:14) Kur meditojmë për përgjigjet e këtyre pyetjeve, kjo do të na ndihmojë të vazhdojmë të provojmë se çfarë jemi ne vetë.

6. (a) Cila është rruga e vetme që të çon në jetë? (b) Si përgatitet çdo vit një plak për Përkujtimin, dhe si mund të bësh edhe ti diçka të ngjashme?

6 Lexo botime të bazuara në Shkrime që shpjegojnë domethënien e Përkujtimit dhe medito për to. (Lexo Gjonin 3:16; 17:3.) Rruga e vetme për të marrë jetën e përhershme përfshin ‘të vazhdojmë të marrim njohuri’ për Jehovain dhe ‘të tregojmë besim’ te Jezui, Biri i tij i vetëmlindur. Që të përgatitesh për Përkujtimin, pse të mos zgjedhësh disa projekte studimi që do të të ndihmojnë të ndihesh më pranë Jehovait dhe Jezuit? Shih se çfarë ka bërë një vëlla që shërben prej shumë kohësh si plak kongregacioni. Gjatë viteve, ai ka mbledhur artikuj nga Kulla e Rojës që flasin në mënyrë specifike për Përkujtimin dhe për dashurinë që na kanë shfaqur Jehovai dhe Jezui. Në javët para Përkujtimit, i rilexon këta artikuj dhe mediton për rëndësinë që ka ky kremtim. Dhe, njëherë në ca kohë, i shton koleksionit të tij një a dy artikuj të rinj. Çdo vit mëson gjëra të reja teksa rilexon artikujt dhe ndjek programin e leximit të Biblës për Përkujtimin. E ç’është më e rëndësishmja, ndien se vit pas viti dashuria e tij për Jehovain dhe për Jezuin bëhet më e thellë. Një projekt i tillë studimi mund të të ndihmojë edhe ty të thellosh dashurinë e çmueshmërinë për Jehovain dhe për Jezuin, e kështu të nxjerrësh dobi më plotësisht nga Përkujtimi.

SI NDIKON PËRKUJTIMI TEK UNITETI MES NESH

7. (a) Për çfarë u lut Jezui herën e parë që u mbajt Darka e Zotërisë? (b) Ç’gjë tregon se Jehovai i është përgjigjur lutjes së Jezuit?

Mbrëmjen kur u mbajt për herë të parë Darka e Zotërisë, Jezui u lut që dishepujt e tij të ishin të gjithë të bashkuar dhe të kishin të njëjtin unitet që gëzonte ai me Atin. (Lexo Gjonin 17:20, 21.) Pa dyshim që Jehovai i është përgjigjur kësaj lutjeje të Birit të tij të shtrenjtë, e tani miliona njerëz besojnë se Jehovai dërgoi Birin e tij. Përkujtimi jep prova të pamohueshme të unitetit që kanë Dëshmitarët e Jehovait, më tepër se çdo mbledhje tjetër e popullit të Perëndisë. Njerëz nga çdo lloj kombi e race mblidhen së bashku në vende të përshtatshme anembanë botës. Në disa zona, s’është parë e dëgjuar që njerëz nga raca të ndryshme të mblidhen bashkë, kurse në vende të tjera nuk shihet aspak me sy të mirë. Por, sa i bukur është ky unitet në sytë e Jehovait dhe të Jezuit!

8. Cilin mesazh për unitetin i dha Jehovai Ezekielit?

8 Si populli i Jehovait nuk na çudit uniteti që gëzojmë. Vetë Jehovai e kishte parathënë një gjë të tillë. Shqyrto mesazhin që i dha profetit Ezekiel në lidhje me bashkimin e dy shkopinjve, të shkopit «për Judën» dhe të shkopit «për Jozefin». (Lexo Ezekielin 37:15-17.) Artikulli «Pyetje nga lexuesit», botuar në Kullën e Rojës korrik 2016, shpjegonte: «Jehovai i dha Ezekielit një mesazh shprese me premtimin se do ta bashkonte kombin e Izraelit pasi të rivendosej në Tokën e Premtuar. Në atë mesazh u paratha edhe bashkimi i popullit të Perëndisë që filloi gjatë ditëve të fundit.»

9. Si bëhet e qartë çdo vit gjatë Përkujtimit përmbushja e profecisë së Ezekielit?

9 Që nga viti 1919, Jehovai fillimisht riorganizoi dhe ribashkoi në mënyrë graduale të mirosurit, të cilët paraqiten në mënyrë simbolike nga shkopi «për Judën». Më vonë, ndërsa gjithnjë e më shumë persona me shpresë tokësore​—në mënyrë simbolike shkopi «për Jozefin»—​bashkoheshin me të mirosurit, dy grupet u bënë «një kope e vetme». (Gjoni 10:16; Zak. 8:23) Jehovai premtoi se do t’i bashkonte këta dy shkopinj që të bëheshin një gjë e vetme në dorën e tij. (Ezek. 37:19) Sot të dyja grupet shërbejnë në unitet nën një Mbret të vetëm​—Jezu Krishtin e lartësuar në qiell, që Perëndia e quan në profeci «shërbëtori im, Davidi». (Ezek. 37:24, 25) Uniteti i çmuar që përshkruhet tek Ezekieli bëhet çdo vit e më i qartë ndërsa mbetja e të mirosurve dhe ‘delet e tjera’, mblidhen për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Por, ç’mund të bëjë secili prej nesh që të mbrojë e të nxitë këtë unitet?

MËNYRA SI TË NXITIM UNITETIN

10. Si mund të nxitim unitetin mes popullit të Perëndisë?

10 Një mënyrë si mund të nxitim unitetin mes popullit të Perëndisë, është duke kultivuar përulësi. Kur ishte në tokë, Jezui i këshilloi dishepujt e tij të përulnin veten. (Mat. 23:12) Po të jemi të përulur në zemër, s’do të biem pre e frymës së kësaj bote që nxit lartësimin e vetes. Përkundrazi, përulësia do të na ndihmojë të jemi të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin, dhe ky qëndrim i bindur është jetësor për unitetin e kongregacionit. Mbi të gjitha, kur tregohemi të përulur, ia bëjmë zemrën mal Perëndisë, pasi ai «u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve».​—1 Pjet. 5:5.

11. Si na ndihmon meditimi për domethënien e simboleve të Përkujtimit që të nxitim unitetin?

11 Mënyra e dytë si nxitim unitetin është duke medituar për domethënien e simboleve të Përkujtimit. Para asaj mbrëmjeje speciale​—e sidomos në atë mbrëmje—​mendo seriozisht se çfarë kuptimi kanë buka pa maja dhe vera e kuqe. (1 Kor. 11:23-25) Buka përfaqëson trupin pa mëkat të Jezuit që u paraqit si flijim, kurse vera paraqet gjakun që derdhi për ne. E megjithatë, s’duhet të na mjaftojë vetëm njohuria në nivel mendor për domethënien e këtyre simboleve. Mos harro se flijimi shpërblyes i Krishtit përfshin dy shprehjet më të jashtëzakonshme të dashurisë​—dashurinë që shfaqi Jehovai kur dha Birin e tij për dobinë tonë dhe dashurinë që tregoi Jezui kur me gatishmëri flijoi jetën për ne. Kur mendojmë thellë se sa shumë na duan, kjo duhet të na motivojë t’i duam edhe ne. E kjo dashuri për Jehovain që ndiejmë ne vetë dhe bashkëbesimtarët është si një litar që na bashkon e na forcon lidhjen e unitetit.

Kur falim, nxitim unitetin (Shih paragrafët 12, 13.)

12. Si e bëri të qartë Jezui në ilustrimin e mbretit që po mbyllte llogaritë, se Jehovai pret të jemi falës?

12 Mënyra e tretë si mund ta nxitim unitetin është duke i falur bujarisht të tjerët. Kur i falim ata që na kanë fyer, tregojmë se e çmojmë faktin që Jehovai na i fal mëkatet tona me anë të flijimit shpërblyes të Krishtit. Shqyrto ilustrimin e Jezuit te Mateu 18:23-34. Pastaj pyet veten: «A jam i motivuar të zbatoj çfarë mësoi Jezui? A jam i duruar dhe a përpiqem t’i kuptoj bashkëbesimtarët? A jam gati t’i fal ata që mëkatojnë kundër meje?» Është e vërtetë se ka disa mëkate a gabime që ne si njerëz të papërsosur e kemi shumë të vështirë t’i falim. Po prapëseprapë, ky ilustrim na mëson çfarë pret Jehovai nga ne. (Lexo Mateun 18:35.) Jezui e tha hapur se Jehovai s’do të na falë në qoftë se nuk i falim vëllezërit tanë kur pendohen sinqerisht. Ç’mendim që të sjell në vete! E mbrojmë dhe e ruajmë unitetin tonë të vyer kur i falim të tjerët siç na mësoi Jezui.

13. Si nxitim unitetin kur jemi paqebërës?

13 Kur i falim të tjerët, tregojmë se jemi paqebërës. Sill ndër mend këshillën e apostullit Pavël se duhet ‘të përpiqemi me zell që të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:3) Gjatë periudhës së Përkujtimit, e sidomos mbrëmjen e Përkujtimit, ndalu e mendo mirë për mënyrën si i trajton të tjerët. Pyet veten: «A tregoj qartësisht me sjelljen time se nuk mbaj mëri? A njihem si dikush që përpiqet fort të nxitë paqen dhe unitetin?» Këto janë pyetje shumë të rëndësishme për të cilat mund të meditojmë në këtë periudhë të vitit.

14. Pse duhet ‘ta durojmë njëri-tjetrin me dashuri’?

14 Mënyra e katërt si nxitim unitetin është kur tregojmë dashuri, duke imituar kështu Jehovain, Perëndinë e dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Nuk duam kurrë të themi për bashkëbesimtarët: «Vërtet, duhet t’i dua, ama s’është e thënë t’i kem qejf!» Një mendim i tillë shkon kundër këshillës së Pavlit se duhet ‘ta durojmë njëri-tjetrin me dashuri’. (Efes. 4:2) Vër re se ai nuk tha vetëm ‘ta durojmë njëri-tjetrin’. Por shtoi se duhet ta bëjmë këtë «me dashuri». Tamam këtu qëndron ndryshimi. Në kongregacionet tona Jehovai ka tërhequr njerëz të çdo lloji. (Gjoni 6:44) E meqë Jehovai i ka tërhequr drejt vetes, me siguri që i ka për zemër. Si mund ta quajmë, pra, të padenjë për dashurinë tonë një bashkëbesimtar?! Kurrë s’duhet të kursehemi që të shfaqim dashuri, siç na ka urdhëruar Jehovai!​—1 Gjon. 4:20, 21.

PËRKUJTIMI I FUNDIT—KUR?

15. Si e dimë që një ditë Përkujtimi nuk do të mbahet më?

15 Do të vijë një ditë që Përkujtimi s’do të mbahet më. Si e dimë këtë? Në letrën e parë drejtuar korintasve, Pavli u shkroi nën frymëzim të krishterëve të mirosur se duke përkujtuar çdo vit vdekjen e Jezuit, ata ‘vazhdojnë të shpallim vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë’. (1 Kor. 11:26) Fjala «të mbërrijë» në këtë rast i referohet të njëjtës ngjarje si ‘ardhja’ që përmendi Jezui te profecia e tij për fundin. Në lidhje me shtrëngimin e madh, që tani është te pragu, ai tha: «Do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut, dhe të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin e do të vajtojnë, dhe do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. [Jezui] do të dërgojë engjëjt e vet me një trumbetë që buçet, dhe ata do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër anët, nga njëri skaj i qiellit në skajin tjetër.» (Mat. 24:29-31) ‘Mbledhja e të zgjedhurve’ i referohet kohës kur të gjithë të krishterët e mirosur që janë ende në tokë të marrin shpërblimin qiellor. Kjo do të ndodhë pas pjesës së parë të shtrëngimit të madh, por para se të nisë lufta e Harmagedonit. Pastaj 144.000 të mirosurit do të bashkëpunojnë me Jezuin për t’i mundur mbretërit e tokës. (Zbul. 17:12-14) Përkujtimi i fundit që do të kremtojmë para mbledhjes së të mirosurve në qiell do të jetë përfundimtari, duke qenë se Jezui do të ketë ‘mbërritur’.

16. Pse je i vendosur të marrësh pjesë këtë vit në Përkujtim?

16 Qofshim të vendosur të nxjerrim dobi nga Përkujtimi duke mos munguar në 31 mars 2018! Dhe le t’i kërkojmë ndihmë Jehovait që të vazhdojmë të nxitim unitetin mes popullit të tij! (Lexo Psalmin 133:1.) Mos harro se një ditë do të jemi duke kremtuar Përkujtimin e fundit. Ndërkohë le të bëjmë gjithë sa kemi në dorë që të jemi të pranishëm e të çmojmë unitetin e bukur që shijojmë gjatë Përkujtimit.