U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Mjanmar
«TË KORRAT janë vërtet të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» (Luka 10:2) Këto fjalë që i tha Jezui rreth 2.000 vjet më parë, përshkruajnë fare mirë situatën në Mjanmar sot. Pse? Në Mjanmar ka vetëm nja 4.200 lajmëtarë që po përhapin lajmin e mirë mes 55 milionë njerëzve.
Mirëpo, ‘Zotëria i të korrave’, Jehovai, ka motivuar qindra vëllezër e motra nga vende të ndryshme që të shkojnë në këtë shtet të Azisë Juglindore për të ndihmuar në veprën e korrjes. Çfarë i shtyu të linin vendlindjen? Çfarë i ndihmoi të transferoheshin? Dhe ç’bekime po shijojnë? Le ta zbulojmë.
«EJANI, KEMI NEVOJË PËR PIONIERË!»
Disa vjet më parë, Kazuhiro, një pionier në Japoni, pësoi një krizë epileptike, ra pa ndjenja dhe e çuan në spital. Mjeku i tha se për dy vjet nuk duhej të ngiste makinën. Kazuhiro u trondit. Ai vriste mendjen: «Si mund të vazhdoj ta bëj atë që e dua aq shumë—veprën e pionierit?» U lut me zjarr duke iu përgjëruar Jehovait t’i jepte mundësinë që të vazhdonte shërbimin si pionier.
Kazuhiro tregon: «Një muaj më vonë, shoku im që po shërbente në Mjanmar dëgjoi për hallin tim. Më telefonoi dhe më tha: ‘Në Mjanmar mjeti kryesor i transportit është autobusi. Po të vish këtu, mund ta vazhdosh shërbimin pa pasur nevojë për makinë.’ Pyeta mjekun nëse gjendja ime shëndetësore më lejonte të shkoja në Mjanmar. Për habinë time, mjeku tha: ‘Një neurolog nga Mjanmari është për vizitë në Japoni pikërisht tani. Do të të prezantoj me të. Nëse pëson ndonjë krizë tjetër, mund të kujdeset ai për ty.’ Përgjigjen e mjekut e konsiderova si përgjigje nga Jehovai.»
Menjëherë, Kazuhiro i dërgoi një email zyrës së degës në Mjanmar dhe shprehu dëshirën e tij e të së shoqes për të shërbyer në atë vend si pionierë. Vetëm pesë ditë më vonë, zyra u përgjigj: «Ejani, kemi nevojë për pionierë!» Kazuhiro dhe e shoqja, Maria, shitën makinat, morën vizat dhe blenë biletat e avionit. Sot shërbejnë të lumtur në grupin e gjuhës së shenjave në Mandalai. Kazuhiro thotë: «Gjatë gjithë kësaj përvoje, na është forcuar besimi te premtimi i Perëndisë që gjendet te Psalmi 37:5: ‘Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë.’»
JEHOVAI HAP RRUGËN
Më 2014, Dëshmitarët e Jehovait në Mjanmar patën privilegjin të organizonin një kongres special. Në atë eveniment morën pjesë shumë delegatë të huaj. Një prej tyre, Monika, një motër në mes të të 30-ave nga Shtetet e Bashkuara, thotë: «Pasi u ktheva nga kongresi, iu luta Jehovait për hapin tjetër që duhej të hidhja në jetë. Veç kësaj, bisedova me prindërit për synimet e mia në shërbim. Ishim të gjithë të mendimit se duhej të kthehesha në Mjanmar, mirëpo u desh ca kohë dhe shumë lutje para se ta ndaja mendjen përfundimisht.» Monika shpjegon arsyen.
«Jezui i nxiti dishepujt e tij ‘të llogaritnin shpenzimet’. Ndaj pyeta veten: ‘A mund ta përballoj financiarisht këtë transferim? A do të jem në gjendje të mbaj veten në atë shtet pa i kushtuar më shumë kohë punës në botë?’» Monika pranon: «Shpejt kuptova se nuk kisha mjaft pará për t’u transferuar në anën tjetër të botës.» Atëherë, si ia doli ta bënte atë transferim?—Luka 14:28.
Monika tregon: «Një ditë, më thirri punëdhënësja. Isha pak në ankth se mendova që do të më pushonte nga puna. Mirëpo, në vend të kësaj, më falënderoi për punën e mirë. Pastaj më tha se kishte planifikuar që të merrja një bonus: ishte fiks shuma e parave që më duhej për të shlyer detyrimet e mia financiare!»
Monika po shërben në Mjanmar që nga dhjetori i vitit 2014. Si ndihet tani që shërben ku ka më shumë nevojë? Ajo thotë: «Jam shumë e lumtur që shërbej këtu. Po drejtoj tri studime biblike. Një nga studentet e mia është 67 vjeçe. Gjithmonë më pret me një buzëqeshje dhe përqafim të ngrohtë. Kur mësoi se emri i Perëndisë është Jehova, iu mbushën sytë me lot. Më tha: ‘Për herë të parë në jetën time po dëgjoj se emri i Perëndisë është Jehova. Edhe pse je fëmija im në moshë, më ke mësuar gjënë më të rëndësishme në botë.’ Kuptohet, edhe mua m’u mbushën sytë me lot. Përvoja të tilla bëjnë që të gëzosh një jetë vërtet të bukur ndërsa shërben atje ku ka më shumë nevojë.» Kohët e fundit, Monika pati privilegjin të ndiqte Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.
Një gjë tjetër që i nxiti disa të transferoheshin në Mjanmar ishte Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2013 që fliste për këtë vend. Një motër në fillim të të 30-ave, që quhet Li, jetonte tashmë në Azinë Juglindore. Kishte një punë në kohë të plotë, por Libri vjetor e nxiti të mendonte rreth mundësisë për të shërbyer në Mjanmar. Ajo thotë: «Më 2014, kur ndoqa kongresin special në Jangun, takova një çift që ishin transferuar ku ka më shumë nevojë dhe shërbenin në fushën e gjuhës kineze në Mjanmar. Meqë e flas këtë gjuhë, vendosa të transferohesha në Mjanmar për të mbështetur grupin kinez. U bashkova me Monikën dhe u transferuam në Mandalai. Jehovai na bekoi me një punë me orar të reduktuar si mësuese në të njëjtën shkollë, e gjetëm edhe një apartament aty pranë. Pavarësisht nga vapa dhe disa vështirësi, po e shijoj shërbimin këtu. Njerëzit në Mjanmar bëjnë një jetë të thjeshtë, por njëkohësisht janë të sjellshëm e të gatshëm të kalojnë kohë për të dëgjuar lajmin e mirë. Është emocionuese të shohësh se si po e përshpejton veprën Jehovai. S’kam pikë dyshimi se është vullneti i Jehovait të jem tamam këtu, në Mandalai.»
JEHOVAI DËGJON LUTJET
Shumë nga ata që shërbejnë ku ka më tepër nevojë kanë përjetuar fuqinë e lutjeve. Të marrim rastin e Xhumpeit dhe të gruas së tij, Naos, të dy në mes të të 30-ave. Tashmë ata shërbenin në një kongregacion
të gjuhës së shenjave në Japoni. Atëherë pse u transferuan në Mjanmar? Xhumpei tregon: «Bashkë me gruan kemi pasur gjithmonë synim të shërbejmë ku ka më shumë nevojë në një vend tjetër. Një vëlla nga kongregacioni ynë i gjuhës së shenjave në Japoni u transferua në Mjanmar. Në maj të 2010-ës u transferuam edhe ne, ndonëse kishim vetëm pak kursime. Vëllezërit dhe motrat në Mjanmar na pritën me ngrohtësi.» Çfarë mendon ai për fushën e gjuhës së shenjave në Mjanmar? Xhumpei thotë: «Ka interes të jashtëzakonshëm. Kur u tregojmë atyre që s’dëgjojnë video në gjuhën e shenjave, mrekullohen. Jemi shumë të lumtur që vendosëm të vinim këtu për t’i shërbyer Jehovait!»Si ia kanë dalë ekonomikisht Xhumpei dhe Nao? Ai shprehet: «Pas tre vjetësh, kishim harxhuar shumicën e kursimeve dhe nuk kishim pará mjaftueshëm që të paguanim qiranë për vitin e ardhshëm. Unë dhe gruaja u lutëm shumë herë me zjarr. Papritur, na erdhi një letër nga zyra e degës që na ftonte të nisnim shërbimin si pionierë specialë të përkohshëm. U mbështetëm plotësisht te Jehovai, dhe ai nuk na braktisi. Ai është kujdesur për ne në çdo aspekt.» Kohët e fundit, Xhumpei dhe Nao ndoqën edhe Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.
JEHOVAI MOTIVON SHUMË VETA
Çfarë i shtyu të transferoheshin në Mjanmar Simonen, një vëlla në mes të të 40-ave, me origjinë nga Italia, dhe gruan e tij, Anën, një motër në fund të të 30-ave, me origjinë nga Zelanda e Re? Ana përgjigjet: «Ishte Libri vjetor 2013 që fliste për Mjanmarin.» Simone thotë: «Është një privilegj i madh të jesh në Mjanmar. Këtu jeta është shumë më e thjeshtë, dhe mund t’i kushtoj më tepër kohë veprës së Jehovait. Është drithëruese kur provon vetë se si kujdeset Jehovai për ty, ndërsa shërben atje ku ka më tepër nevojë.» (Psal. 121:5) Ana shprehet: «Jam e lumtur si asnjëherë më parë. Bëjmë një jetë të thjeshtë. Kaloj më tepër kohë me tim shoq dhe jemi afruar më shumë me njëri-tjetrin. Gjithashtu, kemi lidhur miqësi të çmuara. Njerëzit nuk kanë paragjykime për Dëshmitarët, dhe interesi për të vërtetën të lë pa fjalë.» Pse shprehet kështu?
Ana shpjegon: «Një ditë, i dëshmova një studenteje në treg dhe lamë të takoheshim përsëri. Kur u takuam, ajo kishte marrë edhe një shoqe me vete. Herën tjetër, solli edhe disa të tjera. Më vonë, solli akoma më shumë shoqe. Tani unë studioj me pesë prej tyre.» Simone pohon: «Njerëzit në territor janë miqësorë dhe kureshtarë. Shumë veta kanë interes për të vërtetën. Thjesht s’na del koha të ndjekim gjithë interesin që gjejmë.»
Por ç’të themi për hapat praktikë që duheshin bërë para vendimit për t’u transferuar në Mjanmar? Mizuho nga Japonia tregon: «Unë dhe im shoq, Saçio, kemi dashur gjithmonë të shërbejmë në një
shtet ku ka më shumë nevojë—po ku? Pasi lexuam Librin vjetor 2013 për Mjanmarin, na prekën aq shumë përvojat inkurajuese sa nisëm të shqyrtonim nëse do të ishte e mundur të shërbenim atje.» Saçio shton: «Vendosëm të vizitonim për një javë Jangunin, kryeqytetin e Mjanmarit, për ta njohur më mirë. Ai udhëtim i shkurtër eksplorues na bindi se duhej të transferoheshim këtu.»A MUND T’I PËRGJIGJESH THIRRJES?
Rodni dhe e shoqja Xhejni nga Australia, të dy në të 50-at, bashkë me djalin e tyre Xhordanin dhe vajzën Danikën, kanë shkuar të ndihmojnë në Mjanmar që nga viti 2010. Rodni thotë: «U prekëm shumë kur pamë sa etje kanë njerëzit të mësojnë për Perëndinë. Do t’ia rekomandoja me gjithë shpirt edhe familjeve të tjera që të provojnë të shërbejnë në një vend si Mjanmari.» Pse? «Aq shumë na ka afruar si familje me Jehovain ky lloj shërbimi, sa s’ka të çmuar! Mjaft të rinj e kanë mendjen te celularët, makinat, puna e kështu me radhë. Kurse fëmijët tanë janë të dhënë pas mësimit të fjalëve të reja që t’i përdorin në shërbim. Përpiqen të mësojnë si të arsyetojnë me ata që s’kanë shumë njohuri për Biblën e si të bëjnë komente në mbledhje, dhe janë të zhytur në plot aktivitete të tjera emocionuese që lidhen me adhurimin.»
Oliveri, një vëlla në fund të të 30-ave nga Shtetet e Bashkuara, shpjegon pse e rekomandon këtë lloj shërbimi: «T’i shërbej Jehovait jashtë zonës sime të rehatisë, më ka sjellë shumë dobi. Transferimi larg vendlindjes më ka forcuar besimin te Jehovai në çfarëdo rrethane të gjendem. Falë shërbimit përkrah bashkëbesimtarëve që s’i njihja më parë, por që kanë të njëjtat bindje si unë, kam kuptuar se asgjë në botë nuk është më e rëndësishme se Mbretëria e Perëndisë.» Sot Oliveri dhe e shoqja, Ana, vazhdojnë të shërbejnë me zell në fushën e gjuhës kineze.
Trejzela, një motër në fillim të të 50-ave nga Australia, shërben në Mjanmar që nga 2004-a. Ajo thotë: «Atyre që ua lejojnë rrethanat, ua rekomandoj me gjithë shpirt shërbimin atje ku ka më shumë nevojë. Kam provuar se po të kesh vërtet dëshirë të shërbesh, Jehovai i bekon përpjekjet e tua. As e kisha ëndërruar një jetë të tillë. Është jeta më shpërblyese dhe më e bukur që mund të shpresoja.»
Këto fjalë nga zemra të atyre që kanë shkuar të ndihmojnë në Mjanmar, urojmë të të nxitin të shqyrtosh mundësinë për të ndihmuar njerëzit me zemër të sinqertë në territore të papredikuara! Po, ata që shërbejnë ku ka më shumë nevojë po thërrasin: «Ju lutemi, kaloni në Mjanmar dhe na ndihmoni!»