Zhvillo dhembshuri për «njerëz të çdo lloji»
KUR u mësoi dishepujve si ta predikonin lajmin e mirë, Jezui e pranoi se mesazhi për Mbretërinë nuk do të mirëpritej gjithnjë. (Luka 10:3, 5, 6) Në shërbim mund të takojmë disa që reagojnë vrazhdë ose edhe që tregohen agresivë. Merret me mend se reagime të tilla mund të na e bëjnë të vështirë të vazhdojmë të ndiejmë dhembshuri për ata që u predikojmë.
Një njeri i dhembshur i kupton nevojat dhe problemet e të tjerëve, i vjen keq për ta dhe dëshiron t’i ndihmojë. Mirëpo, nëse fillon të na shuhet dhembshuria për ata që takojmë në shërbim, mund të fillojë të na shuhet edhe zelli dhe të jemi më pak të frytshëm. Nga ana tjetër, kur zhvillojmë dhembshuri, është sikur i hedhim dru zjarrit dhe kështu e mbajmë ndezur zellin për shërbimin!—1 Sel. 5:19.
Si mund të zhvillojmë dhembshuri edhe kur kjo është e vështirë? Le të shqyrtojmë tre shembuj të denjë për t’u imituar—shembullin e Jehovait, të Jezuit dhe të apostullit Pavël.
IMITO DHEMBSHURINË E JEHOVAIT
Për mijëra vjet, Jehovai ka duruar ndërsa është hedhur baltë mbi emrin e tij. Megjithatë, ai vazhdon të jetë «mirëdashës edhe me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë». (Luka 6:35) Kjo mirëdashje shfaqet te durimi i tij. Jehovai do që «njerëz të çdo lloji» të shpëtojnë. (1 Tim. 2:3, 4) Edhe pse e urren ligësinë, Perëndia i sheh njerëzit si të çmuar dhe nuk dëshiron që ndonjëri të humbë jetën.—2 Pjet. 3:9.
Jehovai e kupton sa keq i ka verbuar Satanai jobesimtarët. (2 Kor. 4:3, 4) Shumë vetave u kanë ushqyer që nga fëmijëria bindje dhe qëndrime të gabuara, dhe kjo ua bën të vështirë të pranojnë të vërtetën. Jehovai do me gjithë zemër t’i ndihmojë. Nga e dimë këtë?
Të mendojmë pak si i shihte Jehovai ninevitët e lashtë. Ndonëse kishin sjellje të dhunshme, Jehovai i tha Jonait: «A nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta?» (Jon. 4:11) Jehovai i shihte ninevitët si njerëz në rrethana të pafavorshme ngaqë s’njihnin të vërtetën për Të, ndaj me mëshirë ngarkoi Jonain që t’i paralajmëronte.
Ashtu si Jehovai, edhe ne i shohim njerëzit si të çmuar. Mund ta imitojmë Jehovain duke u përpjekur me gjithë zemër të ndihmojmë këdo që mund të dëgjojë, edhe nëse duket sikur nuk ka gjasa ta pranojë të vërtetën.
IMITO DHEMBSHURINË E JEZUIT
Ashtu si Ati i tij, Jezui ndiente mëshirë për njerëzit që kishin nevojë të afroheshin me Perëndinë. «Kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari.» (Mat. 9:36) Jezui shihte përtej sipërfaqes; ai e dallonte se ata që shkonin ta dëgjonin kishin mësuar gënjeshtra dhe ishin keqtrajtuar nga udhëheqësit e tyre fetarë. Ndonëse e dinte se shumë prej tyre do të lejonin t’i pengonin shkaqe të ndryshme që të mos bëheshin dishepuj të tij, Jezui prapë vazhdoi «t’u mësonte shumë gjëra».—Mar. 4:1-9.
Kur njerëzit reagojnë keq ndaj mesazhit tonë, duhet të shohim përtej sipërfaqes dhe të pyesim veten pse reagojnë ashtu. Disa mund të kenë një qëndrim negativ karshi Biblës ose krishterimit si pasojë e shembullit të keq të atyre që pohojnë se janë të krishterë. Disa të tjerë mbase kanë dëgjuar gënjeshtra për bindjet tona. Të tjerë akoma ndoshta u tremben talljeve të njerëzve përreth ose të familjarëve, po të na mirëpresin.
Disa nga ata që takojmë në shërbim, mund të reagojnë keq për shkak të përvojave tronditëse që u kanë lënë plagë emocionale. Një misionare që quhet Kim, thotë: «Në një pjesë të territorit tonë, shumë njerëz janë viktima të një lufte ku humbën gjithë sa kishin. Ata nuk kanë asnjë shpresë të vërtetë për të ardhmen. Janë të acaruar dhe shumë mosbesues. Në atë zonë, takojmë shpesh njerëz që i kundërvihen mesazhit tonë. Një herë ndodhi që më sulmuan teksa predikoja.»
Si e ruan Kimi dhembshurinë, pavarësisht se e trajtojnë në këtë mënyrë? Ajo thotë: «Kur sillen egër me mua, përpiqem të mbaj në mendje Proverbat 19:11, që thotë: ‘Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.’ Sjell ndër mend çfarë kanë kaluar njerëzit në territorin tonë, e kjo më ndihmon të zhvilloj dhembshuri për ta. Dhe jo të gjithë ata që takojmë janë armiqësorë. Në po atë zonë, kemi disa rivizita të bukura.»
Mund të pyesim veten: «Si do të reagoja ndaj mesazhit të Mbretërisë, po të isha në vend të atyre që u predikoj?» Për shembull, si do të silleshim sikur të kishim dëgjuar gënjeshtra pa fund për Dëshmitarët e Jehovait? Në rrethana të tilla, edhe ne ndoshta do të reagonim keq dhe do të kishim nevojë për dhembshuri. Kur sjellim ndër mend urdhrin e Jezuit për t’i trajtuar të tjerët siç do të donim të na trajtonin, motivohemi të tregojmë empati, edhe kur kjo është e vështirë.—Mat. 7:12.
IMITO DHEMBSHURINË E PAVLIT
Apostulli Pavël tregonte dhembshuri madje edhe për kundërshtarët e dhunshëm. Pse? Se kujtonte të kaluarën e vet. Pavli tha: «Më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i pacipë. Megjithatë, m’u tregua mëshirë, sepse isha në padije dhe veproja me mungesë besimi.» (1 Tim. 1:13) Ai e pranonte se Jehovai dhe Jezui i kishin treguar mëshirë të madhe. Ka shumë të ngjarë që disa nga njerëzit të cilëve u predikonte, t’i kujtonin Pavlit veten e tij.
Hera-herës Pavli përballej me bindje të rreme të ngulitura thellë. Si reagonte? Veprat thotë se kur ishte në Athinë, ai «ziente përbrenda tek shihte se qyteti ishte plot me idhuj». Por, tamam atë gjë që e bëri të ziente përbrenda, Pavli e shfrytëzoi për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. ( 17:16Vep. 17:22, 23) Ai i përshtaste metodat e predikimit sipas formimit dhe prejardhjes së njerëzve, që ‘medoemos të shpëtonte disa’.—1 Kor. 9:20-23.
Mund ta imitojmë Pavlin duke kuptuar cilat janë qëndrimet negative ose bindjet e gabuara të njerëzve, e pastaj duke e përdorur me mjeshtëri këtë për t’u dhënë «lajmin e mirë për diçka më të mirë». (Isa. 52:7) Një motër që quhet Doroti, thotë: «Në territorin tonë, shumë vetave u është mësuar se Perëndia është i ashpër dhe kritikues. Pasi i lavdëroj që kanë besim të fortë te Perëndia, ua drejtoj vëmendjen tek ajo që thotë Bibla për personalitetin e dashur të Jehovait dhe te premtimet e tij për të ardhmen.»
«VAZHDO TA MUNDËSH TË KEQEN ME TË MIRËN»
Teksa hyjmë më thellë në «ditët e fundit», mund të presim që qëndrimet e disa prej atyre që u predikojmë «të shkojnë keq e më keq». (2 Tim. 3:1, 13) Por nuk duhet të lejojmë që kjo të na gërryejë dhembshurinë për njerëzit ose të na heqë gëzimin. Jehovai mund të na japë forcë që ‘të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’. (Rom. 12:21) Një pioniere që quhet Xhesika, tregon: «Takoj shpesh njerëz që s’janë të përulur e që na shohin me përçmim ne dhe mesazhin tonë. Kjo mund të jetë acaruese. Kur hap një bisedë, i lutem në heshtje Jehovait të më ndihmojë ta shoh bashkëbiseduesin siç e sheh ai. Pas kësaj, nuk jam më e fiksuar te ndjenjat e mia, por vras mendjen si të ndihmoj tjetrin.»
Gjithashtu, duhet të mendojmë si t’u japim zemër bashkëpunëtorëve tanë. Xhesika thotë: «Nëse njëri nga ne ka një përvojë të keqe, përpiqem të mos përqendrohem tek ajo. Në vend të kësaj, e kthej bisedën te gjëra pozitive, si për shembull te të mirat që sjell shërbimi ynë, pavarësisht nga reagimi negativ i disave.»
Jehovai e di fare mirë çfarë vështirësish hasim në shërbim. Ndaj imagjino si i gufon zemra kur imitojmë mëshirën e tij! (Luka 6:36) Sigurisht, Jehovai nuk do të tregojë dhembshuri pafundësisht. Mund të jemi të sigurt se ai e di saktësisht cili është momenti i duhur që ky sistem të marrë fund. Deri atëherë, është urgjente të predikojmë. (2 Tim. 4:2) Le të vazhdojmë ta kryejmë caktimin tonë me zell e me dhembshuri të butë për «njerëz të çdo lloji»!