Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A vdiq vërtet për mua Jezui?

A vdiq vërtet për mua Jezui?

BIBLA është plot fjalë nga zemra që i shkruan njerëz «me ndjenja si tonat». (Jak. 5:17) Për shembull, e kemi të lehtë t’i kuptojmë ndjenjat e Pavlit kur rrëfeu me sinqeritet te Romakëve 7:21-24: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje. . . . Ç’njeri i mjerë që jam!» Ndjenja të tilla të çiltra na japin zemër kur luftojmë me papërsosmëritë tona.

Pavli shprehu edhe ndjenja të tjera të sinqerta. Te Galatasve 2:20, ai tha me bindje se Jezui ‘e deshi dhe e dorëzoi veten për të’ personalisht! A mund të themi se këto ndjenja të Pavlit janë «ndjenja si tonat»? Ndoshta jo gjithmonë.

Nëse luftojmë me ndjenjat e pavlefshmërisë nga mëkatet e së kaluarës, hera-herës mund ta kemi të vështirë ta pranojmë se Jehovai na do dhe na ka falur, e jo më ta shohim flijimin shpërblyes si një dhuratë personale. A do vërtet Jezui ta shohim kështu shpërblesën? Nëse po, çfarë mund të na ndihmojë ta shohim shpërblesën si dhuratë personale? Le t’i shqyrtojmë këto dy pyetje.

SI E SHEH JEZUI FLIJIMIN E TIJ

Po, Jezui do që ta shohim flijimin e tij si një dhuratë personale. Si mund të jemi të sigurt për këtë? Përfytyro ngjarjen e dokumentuar te Luka 23:39-43. Një burrë e kanë vënë në një shtyllë torture pranë Jezuit. Ai e pranon se është fajtor për një krim. Duhet të ketë qenë diçka e rëndë, sepse ai ndëshkim mizor u jepej vetëm kriminelëve më të këqij. Gjithë ankth për gjendjen ku është katandisur, burri i përgjërohet Jezuit: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.»

Si reagon Jezui? Imagjino sa dhimbje ndien ai ndërsa kthen kokën për ta parë në sy atë burrë. Me gjithë dhimbjet therëse, gjen forca t’i buzëqeshë me ngrohtësi dhe e siguron: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» Jezui mund të ishte mjaftuar duke i kujtuar atij burri se ‘Biri i njeriut erdhi që të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mat. 20:28) Por në vend të kësaj, Jezui theksoi me dashuri se flijimi i tij do të kishte vlerë për atë burrë personalisht. I foli me një ton miqësor kur përdori përemrat «ti» dhe «mua». Pastaj tregoi çfarë dobie do të kishte personalisht ai burrë kur i tha se do të jetonte në tokën parajsore.

Pa dyshim, Jezui donte që ai ta pranonte flijimin e tij si një dhuratë personale. Nëse Jezui ndihej ashtu për një kriminel që as kishte pasur mundësi t’i shërbente Perëndisë, pa diskutim që ndihet kështu për një të krishterë të pagëzuar që i shërben Perëndisë. Çfarë mund të na ndihmojë, pra, të besojmë vërtet se flijimi i Krishtit do të na sjellë dobi personalisht, pavarësisht nga mëkatet e së kaluarës?

ÇFARË E NDIHMOI PAVLIN

Shërbimi ndikonte te mënyra si e shihte Pavli flijimin e Jezuit. Si? Ai shpjegoi: «I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotërisë tonë, që më dha fuqi, sepse më konsideroi të besueshëm dhe më caktoi një shërbim, ndonëse më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i pacipë.» (1 Tim. 1:12-14) Shërbimi që i caktoi Jezui e siguroi Pavlin për mëshirën, dashurinë dhe besimin që kishte Jezui tek ai personalisht. Jezui i ka besuar një shërbim edhe secilit nga ne. (Mat. 28:19, 20) A mund të na ndihmojë kjo ta shohim edhe ne flijimin e tij si dhuratë personale?

Alberti, i cili ka pak kohë që është kthyer te Jehovai pasi ishte i përjashtuar për gati 34 vjet, shpjegon: «Mëkatet e mia më rrinë gjithmonë para syve. Por kur jam në shërbim, ndiej, ashtu si apostulli Pavël, se Jezui më ka caktuar një shërbim mua personalisht. Kjo më ngre shpirtërisht dhe më ndihmon ta shoh me sy më pozitiv veten, jetën dhe të ardhmen time.»—Psal. 51:3.

Ndërsa studion me njerëz të çdo lloji, siguroji se Jezui ndien mëshirë dhe dashuri për ta

Aleni, që ishte futur në rrugën e krimit dhe kishte qenë goxha i dhunshëm para se të njihte të vërtetën, pranon: «Akoma mendoj për gjithë dëmet që u kam shkaktuar të tjerëve. Ndonjëherë kjo më zhyt në dëshpërim. Por falënderoj Jehovain që lejon një mëkatar si unë t’u çojë lajmin e mirë të tjerëve. Shoh si reagojnë njerëzit ndaj lajmit të mirë, e kjo më kujton sa i mirë dhe sa i dashur është Jehovai. E ndiej se ai më përdor për të ndihmuar të tjerë që po luftojnë me një të kaluar të ngjashme.»

Kur jemi në shërbim, kemi mundësi t’i përqendrojmë energjitë që të bëjmë e të mendojmë gjëra të bukura. Shërbimi na siguron për mëshirën, dashurinë dhe besimin e Jezuit te ne.

JEHOVAI ËSHTË MË I MADH SE ZEMRA JONË

Derisa të shkatërrohet sistemi i lig i Satanait, zemra jonë mund të vazhdojë të na dënojë për gabimet e së kaluarës. Ç’do të na ndihmojë t’i luftojmë këto ndjenja?

«Sa e lehtësuar ndihem që ‘Perëndia është më i madh se zemra jonë’»,​—thotë Xhina, që lufton shpesh me ndjenjat e fajit për jetën e dyfishtë që bënte në rini. (1 Gjon. 3:19, 20) Edhe ne mund të marrim zemër kur kujtojmë se Jehovai dhe Jezui e kuptojnë shumë më mirë se ne gjendjen tonë mëkatare. Mos harro, ata e siguruan me dashuri shpërblesën jo për njerëz të përsosur, por për mëkatarët e penduar.​—1 Tim. 1:15.

I sigurojmë zemrat për këtë të vërtetë të çmuar kur meditojmë thellë për mënyrën si i trajtonte Jezui njerëzit e papërsosur dhe kur bëjmë më të mirën për të kryer shërbimin që na ka caktuar. Duke vepruar kështu, mund të thuash edhe ti si Pavli: Jezui «më deshi dhe e dorëzoi veten për mua».