Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Bëra vetëm atë që duhej të bëja

Bëra vetëm atë që duhej të bëja

PËR më shumë se tri dekada, Donald Ridli ishte përfaqësues ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait. Ai luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e të drejtave të pacientëve për të refuzuar transfuzionet e gjakut. Puna e tij çoi në disa fitore në gjykatat e larta në Shtetet e Bashkuara. Doni, siç e quanin shkurt miqtë, ishte njeri i përulur, i sakrificës dhe punëtor i palodhur.

Në 2019-n, Doni u diagnostikua me një sëmundje neurologjike të rrallë për të cilën nuk ka kurë. Sëmundja avancoi shpejt, dhe ai vdiq më 16 gusht 2019. Kjo është historia e tij.

Linda në qytetin e Sent-Polit, në Minesotë, SHBA, në vitin 1954, në një familje katolike të shtresës së mesme. Jam i dyti nga pesë fëmijët. Kur isha i vogël, shkoja në një shkollë katolike dhe shërbeja si ndihmës i priftit. Megjithatë, kisha fare pak njohuri për Biblën. Besoja se duhej të ekzistonte një Perëndi që ka krijuar gjithçka, por nuk besoja fare te kisha.

MËSOJ TË VËRTETËN

Në vitin e parë të fakultetit të juridikut «Uilliam Miçëll», më trokitën në derë Dëshmitarët e Jehovait. Isha i zënë duke larë rrobat, prandaj çifti u tregua mirëkuptues dhe tha se do të ktheheshin një herë tjetër. Kur erdhën, kisha dy pyetje për ta: «Pse nuk u ecën në këtë botë njerëzve të mirë?» dhe «Ç’duhet të bëjmë që të jemi të lumtur?» Pranova librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme dhe Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta me një kapak të gjelbër që binte në sy. Pranova edhe të studioja Biblën, dhe kjo vërtet më hapi sytë. Më bëri shumë përshtypje ideja se Mbretëria e Perëndisë, një qeveri për të cilën kemi shumë nevojë, do të administrojë çështjet e njerëzimit në tokë. E kisha të qartë se sundimi njerëzor kishte dështuar plotësisht dhe kishte sjellë në botë dhimbje, vuajtje, padrejtësi e tragjedi pa fund.

Ia kushtova jetën Jehovait në fillim të vitit 1982 dhe u pagëzova po atë vit në kongresin «E vërteta për Mbretërinë» që u mbajt në një pallat sporti në Sent-Pol. Pas një jave u ktheva tek i njëjti vend që të jepja provimin për licensën e avokatisë. Në fillim të tetorit, mësova se e kisha marrë provimin dhe kjo më lejonte të punoja si avokat.

Në kongresin «E vërteta për Mbretërinë», takova Majk Riçardsonin, një bethelit në Bruklin. Ai më shpjegoi se ishte formuar një zyrë ligjore në selinë botërore. M’u kujtuan fjalët e eunukut etiopas te Veprat 8:36 dhe pyeta veten: «Çfarë më pengon të bëj kërkesën për të punuar në Zyrën Ligjore?» Kështu plotësova një kërkesë për shërbimin në Bethel.

Prindërit e mi nuk ishin të kënaqur që u bëra Dëshmitar i Jehovait. Im atë më pyeti nëse do të kisha ndonjë leverdi nga puna në Bethel për të bërë karrierë. I shpjegova se do të punoja si vullnetar dhe do të merrja 75 dollarë në muaj, e cila ishte dhurata mujore për bethelitët.

Nuk mund të shkoja menjëherë në Bethel, sepse kisha pranuar të punoja në një gjykatë. Prandaj e fillova shërbimin në Bethelin e Bruklinit, Nju-Jork, në vitin 1984 dhe më caktuan në Zyrën Ligjore. Doli se kjo ishte tamam koha e duhur për të filluar atë caktim.

RESTAURIMI I TEATRIT «STENLI»

Teatri «Stenli» në kohën kur e blemë

Në nëntor të vitit 1983, Dëshmitarët blenë teatrin «Stenli» në Xhersi-Siti, Nju-Xhersi. Vëllezërit aplikuan që të merrnin lejet për të zëvendësuar sistemet elektrike dhe hidraulike të ndërtesës. Kur u takuan me zyrtarët e bashkisë, i shpjeguan se kishin si synim ta përdornin teatrin «Stenli» si sallë kongresesh për Dëshmitarët e Jehovait. Kjo përbënte problem. Ligjet e urbanistikës të Xhersi-Sitit kërkonin që vendet për adhurim të ishin vetëm në zonat rezidenciale. Teatri «Stenli» ishte në një zonë biznesi në qendër, prandaj zyrtarët e bashkisë nuk pranuan të jepnin leje. Vëllezërit e apeluan vendimin, por kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Javën e parë që isha në Bethel, organizata ngriti një padi në gjykatën krahinore, duke kundërshtuar refuzimin e lejeve. Meqë kisha punuar për dy vjet në gjykatën krahinore të Sent-Polit, Minesotë, i njihja mirë argumentet që u prezantuan. Një nga avokatët tanë argumentoi se teatri «Stenli» ishte përdorur më parë për evenimente të ndryshme, si për shembull, për të shfaqur filma dhe për koncertet rok. Pse, pra, ishte e paligjshme të zhvilloheshin aktivitete fetare atje? Gjykata krahinore e shqyrtoi çështjen dhe vendosi se Xhersi-Siti kishte shkelur lirinë tonë fetare. Gjykata urdhëroi bashkinë të jepte lejet që na duheshin. Fillova të shihja si bekon Jehovai përdorimin e mjeteve ligjore nga organizata e tij për të çuar para veprën. Isha i lumtur që edhe unë mund të jepja kontributin tim.

Vëllezërit filluan një projekt rinovimi gjigant, dhe më pak se një vit më vonë, më 8 shtator 1985, në Sallën e Asambleve në Xhersi-Siti u mbajt diplomimi i klasës së 79-të të Galadit. Ndihesha i privilegjuar që kisha mundësi të mbështetja Mbretërinë e Perëndisë si pjesëtar i ekipit ligjor. Kënaqësia që ndjeva, ia kalonte çdo ndjenje që kisha provuar në ndonjë projekt ligjor para se të filloja shërbimin në Bethel. S’e kisha idenë se në të ardhmen Jehovai do të më jepte sa e sa privilegje të tilla.

MBROJMË TË DREJTAT PËR TRAJTIMIN MJEKËSOR PA GJAK

Në vitet 80, mjekët dhe spitalet shpesh nuk respektonin dëshirën e Dëshmitarëve në moshë të rritur që të mos u bëhej transfuzion gjaku. Gratë shtatzëna hasnin më shumë probleme, sepse gjykatësit shpesh mendonin se ato nuk kishin të drejtën ligjore për të refuzuar një transfuzion. Ata arsyetonin se po të mos u bëhej transfuzion, foshnja mund të mbetej pa nënë.

Më 29 dhjetor 1988, motër Denisa Nikolo pësoi hemorragji të rëndë pasi lindi djalin. Hemoglobina i ra nën 5.0, dhe mjeku kërkoi miratimin e saj për të bërë transfuzion gjaku. Motër Nikolo refuzoi. Të nesërmen në mëngjes, spitali kërkoi një urdhër gjykate që stafi i spitalit të kishte autoritet të bënte transfuzione gjaku sa herë e shihte të nevojshme. Kur i dha autorizim spitalit të bënte transfuzione, gjykatësi nuk zhvilloi asnjë seancë e madje as e informoi për këtë motër Nikolon ose burrin e saj.

Të premten, më 30 dhjetor, stafi i spitalit i bëri transfuzion motër Nikolos edhe pse burri i saj dhe pjesëtarë të familjes që ishin në spital, kundërshtuan. Atë mbrëmje, disa familjarë dhe pleq u arrestuan me akuzën se kishin rrethuar krevatin e motrës Nikolo që të mos i bënin transfuzione. Të shtunën në mëngjes, më 31 dhjetor, mediat në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Long-Ajlënd raportuan për ato arrestime.

Me Filip Bramlin vite më parë

Të hënën në mëngjes, fola me gjykatësin e një gjykate të lartë, Milton Mollen. I tregova faktet në lidhje me çështjen, duke theksuar se gjykatësi e kishte firmosur urdhrin e transfuzionit pa mbajtur ndonjë seancë. Gjykatësi Mollen më kërkoi të shkoja në zyrën e tij atë pasdite që të flisnim për ligjet dhe faktet e lidhura me çështjen. Mbikëqyrësi im, Filip Bramli, më shoqëroi te zyra e gjykatësit Mollen atë mbrëmje. Gjykatësi kishte ftuar edhe avokatin e spitalit. Diskutimi u bë i zjarrtë. Në një moment, vëlla Bramli më shkroi në bllokun e tij se duhej të qetësohesha. Tani që e mendoj, ishte këshillë me vend, sepse po acarohesha gjithnjë e më shumë ndërsa kundërshtoja argumentet e avokatit të spitalit.

Nga e majta në të djathtë: Riçard Mok, Gregori Olds, Pol Polidoro, Filip Bramli, unë dhe Mario Moreno—avokatët tanë ditën që parashtruan argumentet në Gjykatën e Lartë të SHBA-së për çështjen Watchtower kundër fshatit Straton.—Shih Zgjohuni! të 8 janarit 2003

Pas afro një ore, gjykatësi Mollen tha se çështja jonë do të ishte e para që do të shqyrtohej në gjykatë të nesërmen në mëngjes. Kur po largoheshim nga zyra, ai tha se avokati i spitalit do ta kishte «punën pisk të nesërmen». Kjo do të thoshte se s’do ta kishte të lehtë të mbronte spitalin. Ndjeva se Jehovai po më siguronte se do t’ia dilnim mbanë. Më mrekullonte mendimi që Jehovai po na përdorte për të kryer vullnetin e tij.

Punuam deri vonë atë natë që të përgatiteshim për seancën e të nesërmes. Salla e gjyqit ndodhej fare afër Bethelit të Bruklinit, prandaj shumica e atyre që punonin në zyrën tonë të vogël ligjore shkuan më këmbë atje. Pasi dëgjoi argumentet tona, paneli i përbërë nga katër gjykatës e anuloi urdhrin për transfuzion dhe vendosi në favor të motrës Nikolo. Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu se është shkelje e të drejtave themelore të njeriut të firmosësh një urdhër pa bërë më parë një seancë për të dëgjuar pikëpamjen e pacientit.

Gjykata më e lartë e Nju-Jorkut konfirmoi më pas të drejtën e motrës Nikolo të kurohej pa gjak. Ky ishte i pari nga katër vendimet që lidheshin me gjakun të marra nga gjykatat e larta në SHBA, në të cilat pata privilegjin të isha i pranishëm. (Shih kutinë « Fitoret në Gjykatat e Larta të SHBA-së».) Veç kësaj, kam bashkëpunuar me avokatë të tjerë në Bethel për çështje që kanë të bëjnë me kujdestarinë e fëmijëve, divorcin, pronat dhe planet urbanistike.

MARTESA DHE JETA FAMILJARE

Me gruan time, Denisën

Kur takova për herë të parë gruan time, Denisën, ishte e divorcuar dhe po rriste tre fëmijë. Ajo ishte në punë dhe njëkohësisht shërbente si pioniere. Kishte pasur një jetë të vështirë, dhe më la mbresa të thella vendosmëria e saj për t’i shërbyer Jehovait. Në vitin 1992, ndoqëm bashkë kongresin krahinor «Mbajtësit e dritës» në qytetin e Nju-Jorkut, dhe unë i kërkova të njiheshim më mirë me njëri-tjetrin. U martuam një vit më vonë. Ime shoqe e vë gjithmonë Jehovain të parin në jetë dhe ka një sens humori të lezetshëm, prandaj është një dhuratë për mua nga Jehovai. Gjithë ditët e jetës sonë së bashku, Denisa ‘më ka shpërblyer me të mira’.—Prov. 31:12.

Kur u martuam, fëmijët ishin 11, 13 dhe 16 vjeç. Doja të isha baba i mirë për ta, prandaj lexoja me vëmendje dhe vija në zbatim çdo gjë që gjeja në botimet tona për familjet me njerk. Në rrjedhën e viteve kemi hasur sfida, por jam i lumtur që fëmijët më kanë pranuar si një mik të besuar dhe baba të dashur. Dera jonë ishte gjithnjë e hapur për shokët e fëmijëve, dhe kënaqeshim shumë kur shtëpia mbushej me të rinj plot gjallëri.

Në 2013-n, unë dhe Denisa u transferuam në Uiskonsin që të kujdeseshim për prindërit e moshuar. Për habinë time, shërbimi në Bethel nuk mori fund me kaq. Më ftuan të shërbeja si vullnetar i përkohshëm dhe vazhdova ta ndihmoja organizatën për projekte të ndryshme ligjore.

NJË NDRYSHIM I PAPRITUR

Në shtator të 2018-s, vura re se më duhej ta pastroja zërin shpesh. U vizitova te mjeku i përgjithshëm, por ai nuk e përcaktonte dot cili ishte shkaku i problemit. Më vonë, një mjek tjetër më sugjeroi të vizitohesha te një neurolog. Në janar të 2019-s, neurologu tha se mund të kisha një çrregullim të rrallë neurologjik që quhet paraliza supranukleare progresive (PSP).

Tri ditë më vonë, ndërsa po bëja patinazh në akull, theva kyçin e dorës së djathtë. Jam marrë me patinazh gjithë jetën dhe mund ta bëja me sy mbyllur. Prandaj e kuptova se po humbja aftësinë për të kontrolluar muskujt. Më ka habitur përparimi aq i shpejtë i sëmundjes sime neurologjike. Kjo ma ka bërë gjithnjë e më të vështirë të flas, të lëviz e të gëlltitem.

Jam i lumtur që pata mundësi ta përdorja përvojën si avokat për të bërë sadopak që të mbështetja Mbretërinë. Gjithashtu jam i lumtur që kam shkruar shumë artikuj në revista profesionale dhe që kam folur në seminare mjeko-ligjore anembanë botës për të mbrojtur të drejtën e popullit të Jehovait që të zgjedhë trajtimin mjekësor dhe kirurgjikal pa gjak. Por prapë, siç thotë Luka 17:10, ‘jam veçse një skllav që nuk meritoj asgjë. Bëra vetëm atë që duhej të bëja’.