Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 27

Mos mendo për veten më shumë se ç’duhet

Mos mendo për veten më shumë se ç’duhet

«I them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet, por të ketë mendje të shëndoshë.»—ROM. 12:3.

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë këshille na jep Filipianëve 2:3, dhe si nxjerrim dobi kur e zbatojmë?

NE U NËNSHTROHEMI me përulësi standardeve të Jehovait, pasi e kuptojmë që Ai e di gjithmonë ç’është më e mira për ne. (Efes. 4:22-24) Përulësia na nxit ta vëmë atë që do Jehovai para asaj që duam ne dhe t’i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten. Si rezultat, gëzojmë miqësinë e Jehovait dhe marrëdhënie të mira me vëllezërit e motrat.—Lexo Filipianëve 2:3.

2. Çfarë pranoi apostulli Pavël, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Gjithsesi, po të mos bëjmë kujdes, mund të ndikohemi nga njerëzit krenarë dhe egoistë * në sistemin e Satanait. Me sa duket, disa në shekullin e parë të e.s. gjendeshin para këtij rreziku, sepse apostulli Pavël u shkroi romakëve: «I them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet, por të ketë mendje të shëndoshë.» (Rom. 12:3) Pavli e pranoi se duhet të kemi njëfarë vlerësimi për veten. Sidoqoftë, përulësia do të na ndihmojë të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri fusha ku përulësia na ndihmon të mos e shohim veten si tepër të rëndësishëm. Ato janë (1) martesa, (2) privilegjet e shërbimit dhe (3) përdorimi i rrjeteve sociale.

TREGO PËRULËSI NË MARTESË

3. Pse mund të lindin mosmarrëveshje në martesë, dhe si reagojnë disa ndaj këtyre problemeve?

3 Jehovai e krijoi martesën si burim lumturie për burrin dhe gruan. Ama askush nuk është i përsosur, prandaj ka gjasa të lindin mosmarrëveshje. Në fakt, Pavli shkroi se ata që martohen do të kenë ca vështirësi. (1 Kor. 7:28) Disa që grinden gjithë kohës me bashkëshortin mund të mendojnë se nuk janë bërë për njëri-tjetrin. E nëse janë ndikuar nga bota, nxjerrin me vrap përfundimin se zgjidhja është divorci. Për ta, gjëja më e rëndësishme është të tregohen të mirë me veten.

4. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes?

4 Duhet të bëjmë kujdes që të mos zhvillojmë një qëndrim të pakënaqur ndaj martesës. E dimë mirë se Shkrimet e lejojnë divorcin vetëm për një arsye: imoraliteti seksual. (Mat. 5:32) Prandaj kur hasim vështirësitë që përmendi Pavli, të mos e lejojmë krenarinë të na ngjallë dyshime të tilla, si: «A po i plotëson nevojat e mia kjo martesë? A po marr dashurinë që meritoj? A do të ndihesha më i lumtur me dikë tjetër?» Vër re se në qendër të këtyre pyetjeve është interesi vetjak. Mençuria e botës do të të shtyjë të dëgjosh zemrën dhe të bësh atë që të sjell lumturi ty, edhe nëse kjo do të thotë t’i vësh shkelmin martesës. Kurse mençuria e Perëndisë thotë se duhet ‘të mos kërkosh vetëm interesat e tua, por edhe të të tjerëve’. (Filip. 2:4) Jehovai do që ta ruash martesën, jo t’i vësh shkelmin. (Mat. 19:6) Ai do që të vësh në vend të parë standardet e tij, jo dëshirat e tua.

5. Sipas Efesianëve 5:33, si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët?

5 Burri dhe gruaja duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt. (Lexo Efesianëve 5:33) Bibla na mëson se meraku ynë kryesor duhet të jetë të japim, jo të marrim. (Vep. 20:35) Cila cilësi do ta ndihmojë një çift të martuar të tregojë dashuri e respekt? Përulësia. Burrat dhe gratë e përulur nuk kërkojnë të mirën e vet, por «atë të tjetrit».—1 Kor. 10:24.

Në vend që të jenë rivalë, bashkëshortët e përulur bashkëpunojnë si skuadër (Shih paragrafin 6)

6. Çfarë mëson nga komentet e Stivenit dhe të Stefanisë?

6 Përulësia i ka ndihmuar shumë çifte të krishtere të kenë një martesë më të lumtur. Për shembull, një burrë që quhet Stiven, thotë: «Në rast se jeni një skuadër, do të bashkëpunoni me njëri-tjetrin, sidomos kur lindin probleme. Në vend që të mendoni ‘çfarë është më mirë për mua?’, do të mendoni ‘çfarë është më mirë për ne?’» E shoqja, Stefania, është në një mendje. Ajo thotë: «Askush nuk dëshiron të jetojë me dikë që i kundërvihet orë e çast. Kur lind një mosmarrëveshje, përpiqemi të dallojmë ku qëndron problemi. Pastaj lutemi, bëjmë kërkime dhe bisedojmë si ta zgjidhim. Ne luftojmë problemin, jo njëri-tjetrin.» Jeta martesore bëhet më e lumtur kur bashkëshortët nuk mendojnë për veten më shumë se ç’duhet.

SHËRBEJI JEHOVAIT «ME PËRULËSI TË PLOTË»

7. Çfarë qëndrimi duhet të ketë një vëlla kur merr një përgjegjësi në organizatën e Jehovait?

7 E quajmë nder t’i shërbejmë Jehovait në çfarëdo mënyre të kemi mundësi. (Psal. 27:4; 84:10) Nëse një vëlla mund të vihet në dispozicion për një privilegj shërbimi, kjo është gjë e mirë. Në fakt, Bibla thotë: «Kush synon të jetë mbikëqyrës, dëshiron një punë të shkëlqyer.» (1 Tim. 3:1) Megjithatë, kur merr një caktim, ai nuk duhet të mendojë për veten më shumë se ç’duhet. (Luka 17:7-10) Synimi i tij duhet të jetë t’u shërbejë të tjerëve me përulësi.—2 Kor. 12:15.

8. Çfarë mësimesh nxjerrim nga Diotrefi, Uziahu dhe Absalomi?

8 Në Bibël gjejmë shembullin paralajmërues të disave që e shihnin veten si tepër të rëndësishëm. Diotrefit i mungonte modestia dhe përpiqej të ishte «i pari» në kongregacion. (3 Gjon. 9) Uziahu u orvat me krenari të kryente një detyrë që Jehovai nuk ia kishte caktuar. (2 Kron. 26:16-21) Absalomi u përpoq me dhelpëri të fitonte përkrahjen e popullit, sepse donte të bëhej mbret. (2 Sam. 15:2-6) Siç e tregojnë qartë këta shembuj nga Bibla, Jehovai nuk është i kënaqur me ata që kërkojnë lavdinë e vet. (Prov. 25:27) Me kohë, krenaria dhe ambicia sjellin pa diskutim pasoja shkatërrimtare.—Prov. 16:18.

9. Çfarë shembulli na la Jezui?

9 Në kontrast me këta shembuj paralajmërues, të mendojmë për Jezuin, «i cili, edhe pse ishte me natyrë hyjnore, as që e çoi nëpër mend të merrte diçka që nuk i takonte, domethënë të ishte i barabartë me Perëndinë». (Filip. 2:6) Jezui, që vjen i dyti pas Jehovait për nga pushteti, nuk mendon për veten më shumë se ç’duhet. Ai u tha dishepujve të tij: «Ai që e sheh veten si të vogël mes jush, pikërisht ai është i madh.» (Luka 9:48) Çfarë kënaqësie është të shërbesh përkrah pionierëve, shërbëtorëve të kongregacionit, pleqve dhe mbikëqyrësve qarkorë që imitojnë përulësinë e Jezuit! Ata që janë të përulur, u tregojnë më shumë dashuri të tjerëve. E kjo dashuri është shenja dalluese e organizatës së Perëndisë.—Gjoni 13:35.

10. Ç’duhet të bësh nëse mendon se disa probleme në kongregacion nuk po trajtohen siç duhet?

10 Po ç’të themi nëse në kongregacion duket se ka ca probleme, dhe ti mendon se nuk po trajtohen siç duhet? Në vend që të ankohesh, mund të tregosh përulësi duke mbështetur ata që marrin drejtimin. (Hebr. 13:17) Që ta arrish këtë, bëji vetes këto pyetje: «A janë problemet që shoh aq serioze sa është e nevojshme të ndreqen? A është kjo koha e duhur për t’i ndrequr? A më takon mua t’i ndreq? A mund të them sinqerisht se po përpiqem të nxit unitetin, apo po përpiqem të reklamoj veten?»

Ata të cilëve u është besuar një përgjegjësi, duhet të njihen jo vetëm për aftësitë, por edhe për përulësinë e tyre (Shih paragrafin 11) *

11. Sipas Efesianëve 4:2, 3, çfarë të mirash vijnë kur i shërbejmë Jehovait me përulësi?

11 Jehovai e vlerëson përulësinë më shumë se aftësitë, dhe unitetin më shumë se efikasitetin. Prandaj bëj çmos t’i shërbesh Jehovait me përulësi. Në këtë mënyrë, do të nxitësh unitetin në kongregacion. (Lexo Efesianëve 4:2, 3.) Puno pa u kursyer në shërbim. Kërko mënyra që t’u shërbesh të tjerëve duke bërë diçka për ta me dashuri. Ji mikpritës me të gjithë, edhe me ata që nuk kanë ndonjë përgjegjësi në kongregacion. (Mat. 6:1-4; Luka 14:12-14) Kur bashkëpunon me përulësi me vëllezërit e motrat, ata do të vërejnë aftësitë e tua, por mbi të gjitha përulësinë tënde.

TREGO PËRULËSI KUR PËRDOR RRJETET SOCIALE

12. Çfarë thotë Bibla për miqësitë?

12 Jehovai na ka krijuar në mënyrë të tillë që të ndiejmë kënaqësi nga shoqëria e miqve dhe pjesëtarëve të familjes. (Psal. 133:1) Jezui kishte miq të mirë. (Gjoni 15:15) Bibla flet për dobitë që vijnë kur kemi miq të vërtetë. (Prov. 17:17; 18:24) Gjithashtu tregon se nuk na bën mirë të veçohemi. (Prov. 18:1) Mjaft veta mendojnë se rrjetet sociale janë një mënyrë për të pasur shumë miq dhe për të mos u ndier të vetmuar. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes kur përdorim këtë metodë komunikimi.

13. Pse disa nga ata që përdorin rrjetet sociale ndihen të vetmuar dhe të dëshpëruar?

13 Studimet kanë treguar se ata që kalojnë shumë kohë duke parë postimet në rrjetet sociale, në fund mund të ndihen të vetmuar e të dëshpëruar. Pse? Një arsye mund të jetë se njerëzit shpesh postojnë në rrjetet sociale fotografi të momenteve speciale në jetën e tyre, duke treguar vetëm fotot e bukura ku kanë dalë vetë a me miqtë dhe vendet interesante ku kanë qenë. Dikush që i sheh, mund të nxjerrë përfundimin se në krahasim me to jeta e tij ose e saj është e rëndomtë, madje e mërzitshme. Një motër 19-vjeçare pranon: «Më hante përbrenda zilia kur shihja që të tjerët argëtoheshin pa masë në fundjavë, ndërsa unë rrija kot në shtëpi.»

14. Si na ndihmon këshilla te 1 Pjetrit 3:8 që t’i përdorim rrjetet sociale me mençuri?

14 Natyrisht, rrjetet sociale mund të përdoren për një qëllim të mirë, si për shembull, për të komunikuar me familjen dhe miqtë. Megjithatë, a e ke vërejtur se disa postime në rrjetet sociale bëhen me synimin për të reklamuar veten? «Më shikoni mua»,—duket sikur thonë. Disa madje postojnë komente ofenduese e të ndyra për fotot e veta ose të të tjerëve. Shërbëtorët e Perëndisë nxiten të jenë të përulur e të kenë empati, prandaj nuk do t’i përdornin kurrsesi në këtë mënyrë rrjetet sociale.—Lexo 1 Pjetrit 3:8.

Nëse poston materiale online, a krijon përshtypjen se po mburresh, apo se je i përulur? (Shih paragrafin 15)

15. Si mund të na ndihmojë Bibla të mos e reklamojmë veten si tepër të rëndësishëm?

15 Nëse përdor rrjetet sociale, pyet veten: «Mos ndoshta komentet, fotot ose videot që postoj, u japin të tjerëve përshtypjen se po mburrem? Mos po u ngjall xhelozi të tjerëve?» Bibla thotë: «Gjithçka e botës—dëshirat e trupit mëkatar, dëshirat e syve dhe mburrja me të mirat materiale—nuk vjen nga Ati, por nga bota.» (1 Gjon. 2:16) Fjala «mburrja» në këtë varg mund të përkthehet edhe «kapardisja për t’u dukur». Shërbëtorët e Perëndisë nuk kanë nevojë të duken si të rëndësishëm ose të admirohen nga të tjerët. Ata ndjekin këshillën e Biblës: «Të mos jemi egoistë, të mos ngjallim konkurrencë mes nesh e të mos kemi zili njëri-tjetrin.» (Gal. 5:26) Përulësia do të na ndihmojë të mos infektohemi nga fryma e njerëzve të botës që janë krenarë dhe duan të bien në sy.

TREGO «GJYKIM TË MIRË»

16. Pse nuk duhet të jemi krenarë?

16 Duhet të zhvillojmë përulësi, sepse ata që janë krenarë nuk kanë «mendje të shëndoshë», ose «gjykim të mirë». (Rom. 12:3, shën.) Njerëzit krenarë ndezin grindje dhe janë egoistë. Me mënyrën si mendojnë e me veprimet e tyre shpesh i hapin plagë vetes dhe të tjerëve. Po të mos e ndryshojnë mënyrën si mendojnë, mendja e tyre do të verbohet nga Satanai dhe do të mendojnë në mënyrë të pamoralshme. (2 Kor. 4:4; 11:3) Kurse njeriu i përulur ka gjykim të mirë. Ai ka një pikëpamje të ekuilibruar e të arsyeshme për veten, se e pranon që të tjerët qëndrojnë më lart se ai në shumë drejtime. (Filip. 2:3) Gjithashtu e di se «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u tregon mirësi të pamerituar të përulurve». (1 Pjet. 5:5) Kush ka gjykim të mirë, nuk dëshiron që Jehovai t’i kundërvihet.

17. Ç’duhet të bëjmë që të mbetemi të përulur?

17 Që të mbetemi të përulur, duhet të zbatojmë këshillën e Biblës: «Zhvishni personalitetin e vjetër me zakonet e tij dhe vishni personalitetin e ri.» Kjo kërkon përpjekje të palodhura. Kemi nevojë të studiojmë shembullin e Jezuit dhe t’i ndjekim sa më me kujdes gjurmët e tij. (Kolos. 3:9, 10; 1 Pjet. 2:21) Por ia vlen çdo përpjekje. Kur zhvillojmë përulësinë, familja jonë do të jetë më e lumtur, do të nxitim unitetin në kongregacion dhe nuk do t’i përdorim rrjetet sociale në mënyrë të papërshtatshme. Mbi të gjitha, do të gëzojmë bekimet dhe miratimin e Jehovait.

KËNGA 117 Të imitojmë mirësinë e Jehovait

^ par. 5 Sot jetojmë në një botë plot me njerëz krenarë dhe egoistë. Na duhet të bëjmë kujdes që të mos infektohemi nga qëndrimi i tyre. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri fusha ku nuk duhet të mendojmë për veten më shumë se ç’duhet.

^ par. 2 SHPJEGIMI I FJALËVE: Një njeri krenar mendon se qëndron më lart se të tjerët. Prandaj njeriu krenar është edhe egoist. Nga ana tjetër, përulësia e ndihmon dikë të jetë altruist. Të jesh i përulur do të thotë të mos jesh krenar ose arrogant dhe të mos mendosh se je personi më i rëndësishëm.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak që është i aftë të mbajë një pjesë në kongres dhe të mbikëqyrë vëllezërit e tjerë, vlerëson edhe privilegjin që të drejtojë një mbledhje shërbimi e të pastrojë Sallën e Mbretërisë.