Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Kur u bë Kryeprift Jezui? Dhe a ndryshon koha kur u bë e vlefshme besëlidhja e re nga koha kur hyri në fuqi?

Dëshmitë tregojnë se Jezui u bë Kryeprift kur u pagëzua, në vitin 29 të e.s. Nga e dimë këtë? Kur u pagëzua, Jezui tregoi se ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij në altarin simbolik, që paraqet «vullnetin» e Perëndisë. (Gal. 1:4; Hebr. 10:5-10) Ky altar simbolik ka ekzistuar që nga momenti kur u pagëzua Jezui. Prandaj, në atë moment duhet të ketë ardhur në ekzistencë edhe tempulli i madh i Jehovait—që paraqet masën për adhurimin e pastër të Jehovait në bazë të shpërblesës—sepse altari është pjesë e rëndësishme e këtij tempulli.—Mat. 3:16, 17; Hebr. 5:4-6.

Tempullit të madh të Jehovait i nevojitej edhe një Kryeprift. Për ta plotësuar këtë nevojë, ‘Perëndia e mirosi Jezuin me frymë të shenjtë e i dha fuqi’. (Vep. 10:37, 38; Mar. 1:9-11) Megjithatë, pse mund të jemi të sigurt se Jezui u emërua Kryeprift para se të vdiste e të ringjallej? Një arsye bindëse e gjejmë kur shqyrtojmë shembullin e Aronit dhe pasuesve të tij që shërbyen si kryepriftërinj nën Ligjin e Moisiut.

Sipas Ligjit, vetëm Kryeprifti mund të hynte në Më të Shenjtën e tabernakullit dhe, më vonë, në Më të Shenjtën e tempullit. Më të Shenjtën e ndante nga e Shenjta një perde. Kryeprifti kalonte matanë perdes vetëm Ditën e Shlyerjes. (Hebr. 9:1-3, 6, 7) Aroni dhe pasuesit e tij miroseshin si kryepriftërinj para se të hynin në Më të Shenjtën «nëpërmjet perdes». Po njësoj, Jezui duhet të jetë emëruar Kryeprift i tempullit të madh të Jehovait para se të vdiste e të hynte në jetën qiellore, duke kaluar «nëpërmjet perdes, domethënë trupit të tij». (Hebr. 10:20) Ja pse apostulli Pavël tha se Jezui erdhi «si kryeprift» e hyri «në tendën më të rëndësishme dhe më të përsosur, jo të bërë nga duart e njeriut» e më vonë në «vetë qiellin».—Hebr. 9:11, 24.

Koha kur u bë e vlefshme besëlidhja e re nuk ndryshon nga koha kur hyri në fuqi. Pse e themi këtë? Kur u ngjit në qiell dhe paraqiti vlerën e jetës së përsosur njerëzore që kishte dhënë për ne, Jezui ndërmori dy hapat e parë të një procesi që do ta bënte të vlefshme, ose të ligjshme, besëlidhjen e re. Nëpërmjet të njëjtit proces, kjo besëlidhje do të hynte në fuqi, pra do të fillonte të funksiononte. Pra cilët ishin hapat e këtij procesi?

Së pari, Jezui doli para Jehovait; së dyti, i paraqiti Jehovait vlerën e flijimit të tij; dhe së treti, Jehovai e pranoi vlerën e gjakut të derdhur të Jezuit. Para se të përfundonin këta hapa, besëlidhja e re nuk ishte në fuqi.

Bibla nuk na e tregon momentin e saktë kur e pranoi Jehovai vlerën e flijimit të Jezuit. Prandaj nuk mund të veçojmë një moment specifik kur u bë e vlefshme dhe hyri në fuqi besëlidhja e re. Sidoqoftë, e dimë se Jezui u ngjit në qiell dhjetë ditë para Festës së Ditës së Pesëdhjetë. (Vep. 1:3) Në njëfarë momenti gjatë asaj periudhe të shkurtër, i paraqiti vlerën e flijimit të tij Jehovait, dhe Ai e pranoi. (Hebr. 9:12) Ajo që ndodhi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë ishte provë e dukshme e asaj që kishte ndodhur tashmë në qiell. (Vep. 2:1-4, 32, 33) Atëherë u bë e qartë se besëlidhja e re kishte hyrë në fuqi dhe po funksiononte.

Për ta përmbledhur, besëlidhja e re u bë e vlefshme dhe hyri në fuqi pasi Jehovai pranoi vlerën e gjakut të derdhur të Kryepriftit Jezu, i cili shërben si Ndërmjetësi i kësaj besëlidhjeje.—Hebr. 7:25; 8:1-3, 6; 9:13-15.