ARTIKULLI I STUDIMIT 30
Vazhdo të ecësh në të vërtetën
«Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3 GJON. 4.
KËNGA 54 «Kjo është udha»
PËRMBLEDHJE *
1. Sipas 3 Gjonit 3, 4, çfarë na e mbush zemrën me gëzim?
A E IMAGJINON si i gëzonte zemra apostullit Gjon kur dëgjoi se ata që kishte ndihmuar të mësonin të vërtetën, po vazhdonin t’i shërbenin Jehovait me besnikëri? Ata po hasnin shumë probleme, dhe Gjoni u përpoq me gjithë shpirt t’u forconte besimin atyre të krishterëve besnikë, që i kishte si fëmijët e vet. Edhe ne na gufon zemra nga gëzimi kur fëmijët tanë ose ata që kemi ndihmuar të mësojnë të vërtetën, ia kushtojnë jetën Jehovait dhe i shërbejnë me qëndrueshmëri.—Lexo 3 Gjonit 3, 4.
2. Cili ishte qëllimi i letrave që shkroi Gjoni?
2 Në vitin 98 të e.s., ka të ngjarë që Gjoni jetonte në qytetin e Efesit ose pranë tij. Ndoshta shkoi atje pasi u lirua nga internimi në ishullin e Patmosit. Në atë periudhë, fryma e shenjtë e Jehovait e shtyu të shkruante tri letra. Qëllimi i tyre ishte t’i nxiste të krishterët besnikë ta mbanin të fortë besimin te Jezui dhe të vazhdonin të ecnin në të vërtetën.
3. Cilave pyetje do t’u përgjigjemi?
3 Gjoni, apostulli i fundit që kishte mbetur gjallë, ishte i shqetësuar për ndikimin që po ushtronin mësuesit e rremë nëpër kongregacione. * (1 Gjon. 2:18, 19, 26) Ata apostatë pretendonin se e njihnin Jehovain, por nuk u bindeshin urdhrave të tij. Le të shqyrtojmë këshillat që dha Gjoni, i frymëzuar nga Perëndia. Ndërsa bëjmë këtë, do t’u përgjigjemi tri pyetjeve: Ç’do të thotë të ecësh në të vërtetën? Cilat pengesa hasim? Dhe si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të qëndrojmë në të vërtetën?
Ç’DO TË THOTË TË ECËSH NË TË VËRTETËN?
4. Sipas 1 Gjonit 2:3-6 dhe 2 Gjonit 4, 6, çfarë duhet të bëjmë që të ecim në të vërtetën?
4 Që të ecim në të vërtetën, kemi nevojë ta njohim të vërtetën që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Veç kësaj, duhet «të zbatojmë urdhërimet» e Jehovait. (Lexo 1 Gjonit 2:3-6; 2 Gjonit 4, 6.) Jezui iu bind përsosmërisht Jehovait duke na lënë një shembull. Prandaj, një mënyrë e rëndësishme si t’i bindemi Jehovait është të ndjekim sa më me kujdes gjurmët e Jezuit.—Gjoni 8:29; 1 Pjet. 2:21.
5. Për çfarë duhet të jemi të bindur?
5 Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, duhet të jemi të bindur se Jehovai është Perëndi i së vërtetës dhe se çdo gjë që na thotë në Fjalën e tij, Biblën, është e vërtetë. Gjithashtu duhet të jemi të bindur se Jezui është Mesia i premtuar. Sot shumë veta nuk besojnë se Jezui është mirosur si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Siç paralajmëroi Gjoni, ka «shumë mashtrues», të cilët mund t’i çojnë në rrugë të shtrembër ata që nuk janë të përgatitur të mbrojnë të vërtetën për Jehovain dhe Jezuin. (2 Gjon. 7-11) Gjoni shkroi: «Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti?» (1 Gjon. 2:22) E vetmja mënyrë që të mos mashtrohemi është të studiojmë Fjalën e Perëndisë. Vetëm atëherë do t’i njohim më thellë Jehovain dhe Jezuin. (Gjoni 17:3) Dhe vetëm atëherë do të jemi të bindur se kemi të vërtetën.
CILAT PENGESA HASIM?
6. Cila është një pengesë që hasin të rinjtë Dëshmitarë?
6 Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë syçelë që të mos mashtrohen nga filozofitë njerëzore. (1 Gjon. 2:26) Të rinjtë Dëshmitarë sidomos kanë nevojë të rrinë vigjilentë për të mos rënë në këtë grackë. Aleksa, * një motër 25-vjeçare nga Franca, tregon: «Kur isha në shkollë, idetë e botës, si teoria e evolucionit dhe filozofia, më bënin konfuze. Ndonjëherë ato mësime më tërhiqnin. Por më dukej e gabuar t’i besoja pa e vrarë mendjen ato që mësoheshin në shkollë dhe të mos dëgjoja atë që më mësonte Jehovai.» Aleksa studioi librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Brenda disa javësh, dyshimet që kishte u zhdukën. Aleksa thotë: «U sigurova se ajo që thotë Bibla është e vërtetë. Dhe kuptova se po të jetoja sipas standardeve të saj, do të kisha gëzim dhe paqe.»
7. Cilit presion duhet t’i rezistojmë, dhe pse?
7 Të gjithë shërbëtorët e Jehovait, të rinj a të moshuar qofshin, duhet t’i rezistojnë presionit për të bërë një jetë të dyfishtë. Gjoni theksoi se nuk mund të ecim në të vërtetën dhe, në të njëjtën kohë, të bëjmë një jetë imorale. (1 Gjon. 1:6) Nëse duam të kemi miratimin e Perëndisë tani dhe në të ardhmen, duhet të kujtojmë se çdo gjë që bëjmë, ndodh si mes një skene të ndriçuar. Pra, në realitet asgjë nuk është mëkat i fshehtë, sepse Jehovai sheh gjithçka që bëjmë.—Hebr. 4:13.
8. Çfarë duhet të flakim tej?
8 Duhet të flakim tej pikëpamjen e botës për mëkatin. Apostulli Gjon shkroi: «Nëse themi: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten.» (1 Gjon. 1:8) Në kohën e Gjonit, apostatët pohonin se dikush mund të ndiqte me dashje rrugën e mëkatit dhe prapë të ishte mik i Perëndisë. Sot, jemi të rrethuar nga njerëz që kanë një pikëpamje të ngjashme. Shumë pohojnë se besojnë te Perëndia, por nuk janë dakord me pikëpamjen e Jehovait për mëkatin, sidomos kur bëhet fjalë për seksin. Atë që Jehovai e sheh si sjellje mëkatare, ata e quajnë preferencë personale ose stil alternativ jete.
9. Si nxjerrin dobi të rinjtë kur u përmbahen me besnikëri bindjeve të bazuara në Bibël?
9 Të rinjtë Dëshmitarë në veçanti mund të ndihen nën presion për të përvetësuar pikëpamjet e shokëve të shkollës a të punës për sjelljen imorale. Kështu ndodhi me Aleksandrin. Ai kujton: «Disa vajza në shkollë më bënin presion që të bëja seks me to. Thoshin se, përderisa nuk kisha një të dashur, duhej të isha homoseksual.» Nëse përballesh me sprova të tilla, mos harro se, kur u përmbahesh me besnikëri bindjeve të bazuara në Bibël, ruan respektin për veten, shëndetin fizik dhe emocional e miqësinë me Jehovain. E çdo herë që i reziston një tundimi, do ta kesh më të lehtë të bësh atë që është e drejtë. Gjithashtu, mos harro se pikëpamja e shtrembëruar që ka bota për seksin, vjen nga Satanai. Prandaj, kur refuzon të bësh kompromis, ti po ‘e mund të Ligun’.—10. Si na ndihmon 1 Gjonit 1:9 t’i shërbejmë Jehovait me ndërgjegje të pastër?
10 E pranojmë se Jehovai ka të drejtën të përcaktojë se çfarë quhet sjellje mëkatare. Ne bëjmë të pamundurën të mos mëkatojmë; por në rast se mëkatojmë, ia rrëfejmë Jehovait në lutje gabimin që kemi bërë. (Lexo 1 Gjonit 1:9.) E nëse kryejmë ndonjë mëkat serioz, kërkojmë ndihmën e pleqve, që Jehovai i ka caktuar të kujdesen për ne. (Jak. 5:14-16) Sidoqoftë, nuk ka pse të na mbytin ndjenjat e fajit për gabimet e së kaluarës. Pse? Sepse Ati ynë i dashur ka siguruar flijimin shpërblyes të Birit të tij që të na falen mëkatet. Kur Jehovai thotë se do të na falë nëse jemi penduar për një mëkat, e ka me tërë mend atë që thotë. Prandaj, asgjë nuk mund të na pengojë t’i shërbejmë Jehovait me ndërgjegje të pastër.—1 Gjon. 2:1, 2, 12; 3:19, 20.
11. Si mund ta mbrojmë mendjen nga mësimet që dobësojnë besimin?
11 Duhet të flakim tej mësimet e apostatëve. Që në fillimet e kongregacionit të krishterë, Djalli ka përdorur shumë mashtrues për të mbjellë dyshime në mendjet e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Prandaj duhet të dimë si t’i dallojmë faktet nga gënjeshtrat. * Armiqtë tanë mund të përdorin Internetin ose rrjetet sociale që të na gërryejnë besimin te Jehovai dhe dashurinë për vëllezërit e motrat. Mos harro kush qëndron pas kësaj propagande, dhe flake tej!—1 Gjon. 4:1, 6; Zbul. 12:9.
12. Pse duhet ta forcojmë besimin te të vërtetat që kemi mësuar?
12 Që t’u bëjmë ballë sulmeve të Satanait, kemi nevojë të forcojmë besimin te Jezui dhe te roli i tij në qëllimin e Perëndisë. Kemi nevojë edhe t’i besojmë ‘skllavit besnik e të mençur’, të vetmit që po përdor Jehovai për të drejtuar organizatën e tij. (Mat. 24:45-47) E forcojmë besimin duke studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë. Kështu besimi ynë do të jetë si një pemë me rrënjë të thella. Pavli theksoi të njëjtën pikë kur i shkroi kongregacionit të Kolosesë: «Ashtu siç e pranuat Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të, të rrënjosur e të ndërtuar në themelin që është Krishti, të palëkundur në besim.» (Kolos. 2:6, 7) Nëse punojmë me gjithë shpirt për ta forcuar besimin, Satanai ose ata që janë ndikuar prej tij nuk do të arrijnë kurrë të na lëkundin.—2 Gjon. 8, 9.
13. Çfarë presim, dhe pse?
13 Ne presim që bota të na urrejë. (1 Gjon. 3:13) Gjoni na kujton se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut». (1 Gjon. 5:19) Sa më shumë afrohet fundi i këtij sistemi, aq më i tërbuar bëhet Satanai. (Zbul. 12:12) Ai nuk përdor vetëm sulme tinëzare, si karremi i imoralitetit ose gënjeshtrat e apostatëve, por edhe sulme të drejtpërdrejta, si përndjekjet brutale. Satanai e di mirë se i ka mbetur fare pak kohë që të orvatet të ndalojë veprën tonë të predikimit ose të na shkatërrojë besimin. Prandaj nuk habitemi që vepra jonë është e kufizuar ose e ndaluar në disa vende. Prapëseprapë, vëllezërit e motrat në ato vende po qëndrojnë të fortë. Ata po vërtetojnë se çfarëdo taktike të përdorë i ligu kundër nesh, mund të dalim fitimtarë!
TË NDIHMOJMË NJËRI-TJETRIN QË TË QËNDROJMË NË TË VËRTETËN
14. Cila është një mënyrë si t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat të qëndrojnë në të vërtetën?
14 Që t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat të qëndrojnë në të vërtetën, duhet të tregojmë dhembshuri. (1 Gjon. 3:10, 11, 16-18) Duhet ta duam njëri-tjetrin jo vetëm kur gjërat shkojnë vaj, por edhe kur lindin probleme. Për shembull, a njeh dikë që i ka vdekur një njeri i dashur dhe ka nevojë për ngushëllim ose për ndonjë ndihmë praktike? Ose a ke marrë vesh që disa vëllezër kanë pësuar dëme nga një katastrofë dhe kanë nevojë për ndihmë që të rindërtojnë Sallën e Mbretërisë a shtëpinë? Tregojmë sa e thellë është dashuria dhe dhembshuria jonë për vëllezërit e motrat jo vetëm me atë që themi, por, mbi të gjitha, me atë që bëjmë.
15. Siç thotë 1 Gjonit 4:7, 8, çfarë duhet të bëjmë?
1 Gjonit 4:7, 8.) Një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë dashurinë është duke falur njëri-tjetrin. Për shembull, nëse dikush na lëndon, duhet të tregojmë dashuri duke e falur dhe duke e hedhur pas krahëve gabimin e tij. (Kolos. 3:13) Një vëlla që quhet Aldo, u përball me këtë sprovë kur një vëlla që e respektonte, bëri një koment fyes për prejardhjen e tij etnike. Aldo thotë: «Iu luta sa e sa herë Jehovait të më ndihmonte që të mos mendoja keq për vëllanë.» Por Aldo nuk u mjaftua me kaq. Vendosi t’i kërkonte vëllait të dilnin bashkë në shërbim dhe gjatë shërbimit i shpjegoi sa e kishte lënduar komenti i tij. Ai tregon: «Kur dëgjoi sa më kishin vrarë ato fjalë, vëllai më kërkoi falje. Nga toni i zërit kuptova sa pishman ishte për komentin e tij. E hodhëm pas krahëve problemin dhe u ndamë si miq.»
15 Kur tregojmë dashuri për njëri-tjetrin, imitojmë Atin tonë të dashur. (Lexo16-17. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
16 Apostulli Gjon i donte me gjithë zemër vëllezërit dhe kishte merak që ta mbanin të fortë besimin. Dashuria dhe meraku i tij pasqyrohen te këshillat që dha në tri letrat që shkroi. Sa inkurajuese është kur mendojmë se burrat e gratë që do të mbretërojnë me Jezuin në qiell, kanë po atë dashuri dhe merak si Gjoni!—1 Gjon. 2:27.
17 Pranoji me gjithë zemër këshillat që kemi shqyrtuar. Ji i vendosur të ecësh në të vërtetën duke iu bindur Jehovait në gjithçka bën. Studio Fjalën e tij dhe ki besim tek ajo. Forco besimin te Jezui. Flaki tej filozofitë njerëzore dhe mësimet e apostatëve. Rezistoji presionit për të bërë një jetë të dyfishtë dhe tundimeve për të mëkatuar. Jeto sipas normave të larta morale të Jehovait. Të gjithë ne, le t’i ndihmojmë vëllezërit të qëndrojnë të fortë duke falur ata që na lëndojnë e duke ndihmuar ata që janë në vështirësi. Kështu, pavarësisht nga sfidat që hasim, do të vazhdojmë të ecim në të vërtetën.
KËNGA 49 Ia gëzojmë zemrën Jehovait
^ par. 5 Jetojmë në një botë ku sundon ati i gënjeshtrës, Satanai. Prandaj kemi një luftë të vazhdueshme për të ecur në të vërtetën. Të krishterët që jetonin në fund të shekullit të parë të e.s. kishin të njëjtën luftë. Për të ndihmuar ata dhe ne, Jehovai frymëzoi apostullin Gjon të shkruante tri letra. Ato do të na ndihmojnë të identifikojmë pengesat që hasim dhe do të na mësojnë si t’i kapërcejmë.
^ par. 3 Shih kutinë « Një arsye pse u shkruan letrat e Gjonit».
^ par. 6 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 11 Shih artikullin e studimit «A i njeh mirë faktet?» në Kullën e Rojës të gushtit 2018.
^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në shkollë, një motër e re bombardohet nga propaganda për homoseksualizmin. (Në disa vende, ngjyrat e ylberit përdoren për të simbolizuar homoseksualizmin.) Më pas, ajo lë kohë për të bërë kërkime që të forcojë bindjet e saj të krishtere. Kjo e ndihmon të përballojë një sprovë të vështirë.