Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

«Kujt i është besuar vepra»

«Kujt i është besuar vepra»

PAS ditësh të tëra me erë e me shi, e hëna e 1 shtatorit 1919 agoi e ngrohtë dhe plot diell. Atë pasdite u mblodhën më pak se 1.000 delegatë në auditorin prej 2.500 vendesh për të ndjekur sesionin hapës të kongresit në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Por në mbrëmje mbërritën 2.000 të tjerë me varka, me makina e me trena të posaçëm. Të martën, turma u bë aq e madhe sa u desh që pjesa tjetër e programit të kongresit të mbahej përjashta, nën pemët hijerënda.

Përmes «çatisë» së gjetheve, rrezet e diellit dukej sikur i vishnin me dantella redingotat e burrave. Flladi i lehtë që frynte nga liqeni Erie përkundte kapelat me pendë të zonjave. Një vëlla kujtonte: «Mes atij ambienti të bukur si një kopsht, larg zhurmës së botës së vjetër, ishte vërtet si në një parajsë.»

Ama bukuria e ambientit venitej para gëzimit që rrezatonin fytyrat e të pranishmëve. Një gazetë lokale komentonte: «Të gjithë duken goxha të devotshëm, por edhe njerëz tepër të qeshur e të hareshëm.» Studentëve të Biblës u dukej akoma më e ëmbël shoqëria me bashkëbesimtarët pas sprovave të rënda të viteve të fundit: përndjekjet e kohës së luftës; mosmarrëveshjet e hidhura brenda kongregacionit; mbyllja e Bethelit të Bruklinit; burgosja e shumë vetave për hir të Mbretërisë, ndër të cilët tetë vëllezër që drejtonin e që u dënuan deri me 20 vjet pas hekurave të burgut. *

Të shkurajuar e të pështjelluar gjatë atyre viteve të vështira, disa Studentë të Biblës e kishin ndërprerë veprën e predikimit. Ama shumica kishin ngulmuar me të gjitha forcat përballë kundërshtimit nga autoritetet. Një rast tipik ishte ai kur një hetues raportoi se Studentët e Biblës që merrte në pyetje këmbëngulnin se ‘do të vazhdonin ta predikonin fjalën e Perëndisë gjer në fund’, pavarësisht nga paralajmërimet e prera.

Gjatë gjithë asaj periudhe sprovash, Studentët besnikë të Biblës kishin qenë «vigjilentë ndaj drejtimit të Zotit, . . . duke u lutur pareshtur që Ati t’u tregonte udhën». E tani ishin sërish të bashkuar në këtë kongres të gëzueshëm në Sidër-Point. Një motër pasqyroi ndjenjat e shumë të tjerëve që pyetnin veten se si do t’ia bënin që «vepra të merrte prapë hov». Mbi gjithçka, ata donin t’i përvisheshin punës.

«GA»​—NJË MJET KREJT I RI

Tërë atë javë, delegatët hamendeshin për germat «GA» që ishin shtypur në programin e kongresit, në kartolinat e mirëseardhjes dhe në tabelat përqark vendit të kongresit. Ditën e premte, që u quajt «Dita e bashkëpunëtorëve», Xhozef F. Radhërfordi ua zbuloi më në fund misterin 6.000 delegatëve. «GA» ishte shkurtimi i emrit të një reviste të re për shërbim, Epoka e artë (anglisht The Golden Age). *

Vëlla Radhërfordi tha për të krishterët e tjerë të mirosur: «Përtej kohës plot trazira, ata shohin me sytë e besimit Epokën e artë të mbretërimit të lavdishëm të Mesisë. . . . Ata e quajnë detyrën dhe privilegjin e tyre kryesor t’i shpallin botës ardhjen e Epokës së artë. Kjo është pjesë e caktimit që u ka dhënë Perëndia.»

Me Epokën e artë​—«një revistë e mbështetur në fakte, shpresë dhe bindje», siç thuhej në kopertinën e saj—​do të zinte fill një metodë e re për të përhapur të vërtetën: fushata e pajtimeve shtëpi më shtëpi. Kur u bë pyetja se sa veta dëshironin ta fillonin këtë vepër, gjithë auditori brofi në këmbë. Pastaj, «me një gjallëri e zell që e njeh vetëm kush ecën në gjurmët e Jezuit», kënduan vargjet «dërgo dritën dhe të vërtetën tënde, o Zot». Vëllai Xh. M. Noris kujtonte: «Kurrë nuk do ta harroj se edhe pemët gati dridheshin.»

Pas sesionit, delegatët ndenjën në radhë për orë të tëra, që të ishin ndër abonentët e parë të revistës. Shumë veta ndiheshin si Mejbëll Filbriku, që tha: «Sa emocionuese ishte që tani kishim prapë një vepër për të bërë!»

«KUJT I ËSHTË BESUAR VEPRA»

Rreth 7.000 Studentë të Biblës u përgatitën që t’i përvishnin krahët punës. Në udhëzuesin Metoda organizative dhe në broshurën Kujt i është besuar vepra parashtroheshin hollësitë: veprën do ta drejtonte një Repart i ri Shërbimi në selinë botërore. Në kongregacione duhej të formohej një Komitet Shërbimi dhe të emërohej një drejtues për të transmetuar udhëzimet. Territoret duheshin ndarë në pjesë me 150 deri në 200 shtëpi. Të enjteve në mbrëmje do të mbahej një Mbledhje Shërbimi, që vëllezërit të shkëmbenin përvoja dhe të dorëzonin raportet e shërbimit.

Herman Filbriku tregonte: «Pasi u kthyem në shtëpitë tona, u zhytëm të gjithë në fushatën e pajtimeve.» Kudo gjenin njerëz që kishin qejf të dëgjonin. «Dukej se pas luftës dhe gjithë atij pikëllimi, çdokush e priste krahëhapur qoftë edhe idenë e një epoke të artë»,​—tha motra Bjula Kovi. Artur Klausi shkruante: «Tërë kongregacioni u habit pa masë nga numri i madh i pajtimeve që u bënë.» Brenda dy muajsh pasi doli numri i parë i Epokës së artë, ishin shpërndarë gati gjysmë milion kopje dhe revista kishte 50.000 abonentë.

Artikulli «Ungjilli i Mbretërisë» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 1920 ishte, siç e quajti më vonë A. H. Mekmillëni, «shprehja e parë zyrtare për veprën mbarëbotërore të predikimit siç kryhet realisht sot». Ai artikull i nxiste gjithë të krishterët e mirosur ‘t’i jepnin dëshmi botës se mbretëria e qiellit është në prag’. Sot me vëllezërit e Krishtit të cilëve ‘u është besuar vepra’, janë bashkuar miliona të tjerë që e predikojnë me zell fjalën ndërsa presin epokën e artë mesianike.

^ par. 5 Shih Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, kap. 6, «Kohë sprovash (1914-1918)», anglisht.

^ par. 9 Më 1937, Epoka e artë mori emrin Ngushëllim dhe në 1946-n u quajt Zgjohuni!