Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur kanë të bëjnë me nëpunësit shtetërorë, të krishterët duhet të vënë në punë ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë mund t’i ndihmojë të krishterët të përcaktojnë nëse është me vend t’u japin dhurata ose pará nëpunësve shtetërorë?

Duhen mbajtur në mend disa faktorë. Të krishterët duhet të jenë të ndershëm. Ata kanë përgjegjësinë t’i binden ligjit të vendit kur ai nuk bie ndesh me ligjin e Jehovait. (Mat. 22:21; Rom. 13:1, 2; Hebr. 13:18) Veç kësaj, bëjnë çmos të respektojnë zakonet dhe ndjenjat e njerëzve në zonën e tyre, si edhe ‘ta duan të afërmin si veten’. (Mat. 22:39; Rom. 12:17, 18; 1 Sel. 4:11, 12) Patjetër që zbatimi i parimeve të tilla do të ndikojë te pikëpamja që kanë të krishterët në vende të ndryshme për dhënien e dhuratave e të parave.

Në shumë vende, një pjesëtar i komunitetit nuk ka pse t’u japë ndonjë gjë nëpunësve për të marrë çka i takon me të drejtë. Nëpunësit kryejnë shërbime për të cilat i paguan shteti dhe as kërkojnë, as presin diçka tjetër përveç rrogës së zakonshme. Në mjaft vende është e paligjshme që nëpunësit e shtetit të kërkojnë a të pranojnë diçka me vlerë për një veprim zyrtar, edhe atëherë kur i plotësojnë përgjegjësitë në mënyrë krejtësisht të ligjshme. Një dhuratë e tillë do të konsiderohej ryshfet, edhe nëse nuk do ta ndryshonte rezultatin e veprimit zyrtar. Në ato vende ku situata qëndron kështu, as që ngrihet fare pyetja nëse një i krishterë mund t’u japë dhurata ose para nëpunësve shtetërorë. Dhurata të tilla janë pa diskutim të papërshtatshme.

Megjithatë, në ato pjesë të botës ku s’ka ligje të tilla ose ku nuk kërkohet me rreptësi zbatimi i këtyre ligjeve, nëpunësit e shtetit nuk kanë të njëjtin qëndrim ndaj funksioneve që kryejnë. Në disa vende, ata shfrytëzojnë postin për të zhvatur para ose favore të tjera nga njerëzit të cilëve duhej t’u shërbenin. Po të mos marrin ndonjë dhuratë, nuk duan të lëvizin as gishtin. Kështu, nëpunësit që celebrojnë martesat, ata që marrin tatimet e ligjshme mbi të ardhurat, ata që nxjerrin leje ndërtimi, e kështu me radhë, kërkojnë para. E kur nuk u japin para, mund të sajojnë kastile pengesa që t’ua bëjnë qytetarëve tepër të vështirë, në mos të pamundur, të marrin atë që u takon me ligj. Në një vend madje është raportuar se zjarrfikësit që shkojnë për raste urgjente, nuk fillojnë ta shuajnë zjarrin po të mos marrin një dorë të mirë parash.

Ndonjëherë mund të jetë me vend të japim diçka të vogël në shenjë vlerësimi për një shërbim të ligjshëm që na takon

Atje ku praktikat e mësipërme janë tepër të përhapura, disa mendojnë se është e pamundur të mos japësh para. Në rrethana të tilla, një i krishterë mund ta shohë dhënien e parave si një taksë shtesë që i kërkohet për një shërbim të ligjshëm. Gjithsesi, në një ambient ku korrupsioni është sheshit, një i krishterë duhet të jetë vigjilent që të mos i mjegullohet kufiri mes asaj që është e pranueshme dhe asaj që është e papranueshme nga pikëpamja e Perëndisë. Një gjë është të japësh para për të marrë atë që të takon ligjërisht, por është krejt tjetër të kërkosh një favor të paligjshëm. Në një atmosferë korrupsioni, disa i japin para një nëpunësi për të siguruar ndonjë shërbim që nuk u takon ose i ofrojnë diçka nën dorë një polici a inspektori për të shmangur një gjobë të drejtë e të merituar. Pa dyshim që do të ishte e gabuar të përpiqeshim të korruptonim dikë me një «dhuratë», siç do të ishte e gabuar edhe të korruptoheshim duke pranuar një «dhuratë» të tillë. Secili nga këto veprime do të shtrembëronte drejtësinë.​—Dal. 23:8; Ligj. 16:19; Prov. 17:23.

Duke u bazuar te ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës, shumica e të krishterëve të pjekur nuk ndihen rehat t’u japin para nëpunësve që e pretendojnë këtë. Për ta, ky veprim do të tregonte se tolerojnë ose përkrahin korrupsionin. Prandaj nuk bëjnë asnjë lloj dhurate që mund t’u kërkohet.

Të krishterët e pjekur e kuptojnë se të japësh ndonjë dhuratë për të siguruar një favor të paligjshëm mund të jetë si të japësh ryshfet. Por ndërkohë, rrethanat dhe ndjenjat e njerëzve në një zonë të caktuar ndoshta ua lejojnë disave të ofrojnë diçka të vogël në shenjë vlerësimi, që t’u bëhet një shërbim i ligjshëm ose që të shmangin një vonesë të padrejtë. Ka edhe raste kur, pas një trajtimi mjekësor falas në një spital shtetëror, disa të krishterë u bëjnë dhurata mjekëve dhe infermiereve nga mirënjohja për trajtimin që iu bë. Ndihen rehat ta bëjnë këtë pas trajtimit, jo para tij, që të mos lihet fare vend për keqkuptim se dhurata po jepet si një ryshfet a si një kërkesë për t’i mbajtur me hatër.

Është e pamundur të analizojmë këtu çdo situatë të imagjinueshme që mund të lindë në vende të ndryshme. Por pavarësisht nga rrethanat, kur zgjedhin si do të veprojnë, të krishterët duhet të ndjekin një rrugë që i lë me ndërgjegje të pastër. (Rom. 14:1-6) Duhet të shmangin veprimet e paligjshme. (Rom. 13:1-7) Duhet të shmangin çfarëdo praktike që mund të përbaltë emrin e Jehovait ose të pengojë të tjerët. (Mat. 6:9; 1 Kor. 10:32) E vendimet që marrin duhet të pasqyrojnë dashurinë për njerëzit.​—Mar. 12:31.

Si mund ta shprehë gëzimin kongregacioni kur bëhet njoftimi se dikush është rivendosur?

Në kapitullin 15 të Lukës, gjejmë ilustrimin e fuqishëm të Jezuit për një burrë që kishte një kope me 100 dele. Kur humbi njëra nga delet, ai i la pas në shkretëtirë 99 të tjerat dhe vajti pas deles së humbur ‘derisa e gjeti’. Më tej Jezui tha: «Pasi e gjen, ai e vë mbi supe dhe gëzohet. Kur mbërrin në shtëpi, mbledh miqtë dhe fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur.’» Jezui e mbylli ilustrimin me këto fjalë: «Unë ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.»​—Luka 15:4-7.

Konteksti tregon se Jezui i tha këto fjalë për të ndrequr mënyrën si mendonin skribët dhe farisenjtë, të cilët e kritikonin ngaqë shoqërohej me taksambledhësit e me mëkatarët. (Luka 15:1-3) Jezui theksoi se në qiell ka gëzim kur pendohet një mëkatar. Pyetja është: «Përderisa ka gëzim në qiell, a nuk duhet të ketë gëzim edhe në tokë kur një mëkatar pendohet, kthen rrugë dhe bën shtigje të drejta për këmbët e tij?»​—Hebr. 12:13.

Kur rivendoset dikush në kongregacion, kemi arsye të forta të gëzojmë. Natyrisht, ai duhet të vazhdojë të mbajë integritetin ndaj Perëndisë. Ama që të rivendosej, duhej të ishte penduar, e fakti që është penduar na bën të lumtur. Prandaj, kur pleqtë bëjnë një njoftim për rivendosje, nuk është e gabuar që, po të dëshirojnë, të pranishmit të duartrokasin në mënyrë dinjitoze.

Cili mund të ketë qenë shkaku pse ‘trazohej’ uji i pellgut të Betzatës në Jerusalem?

Në ditët e Jezuit, disa banorë të Jerusalemit besonin se pellgu i Betzatës kishte fuqi shëruese kur uji i tij ‘trazohej’. (Gjoni 5:1-7) Prandaj, atje mblidheshin të sëmurët që kërkonin shërim.

Mendohet se ky ishte një nga pellgjet që janë gjetur sot, ku bëheshin larje rituale judaike. Niveli i ujit mbahej duke e ushqyer pellgun me ujërat e një rezervuari aty pranë, që ishte pjesë e së njëjtës strukturë. Nga kërkimet e bëra atje është zbuluar se dy pellgjet i ndante një digë. Në atë digë kishte një portë e cila mund të hapej, që uji të rridhte nga rezervuari përmes një kanali e të derdhej në fundin e pellgut për larjet rituale. Kur ndodhte kjo, patjetër që rryma e ujit do ta trazonte sipërfaqen e pellgut.

Vlen të përmendet se Gjoni 5:4, ku thuhej se ujin e trazonte një engjëll, nuk gjendet në dorëshkrimet e lashta greke më të respektuara, siç është Kodiku Sinaitik i shekullit të katërt. Megjithatë, në Betzatë Jezui shëroi një burrë që kishte qenë 38 vjet i sëmurë. Ai burrë u shërua në çast, madje pa hyrë fare në pellg.