Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si i merr vendimet personale?

Si i merr vendimet personale?

«Vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.»​—EFES. 5:17.

KËNGËT: 69, 57

1. Cilat janë disa ligje që jep Bibla, dhe si nxjerrim dobi kur u bindemi?

NËPËRMJET Fjalës së tij të shkruar, Jehovai na ka dhënë një sërë urdhrash specifikë. Për shembull, ai ndalon imoralitetin seksual, idhujtarinë, vjedhjen dhe dehjen. (1 Kor. 6:9, 10) Veç kësaj, Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, i urdhëroi dishepujt e tij të kryenin këtë detyrë kolosale, por emocionuese: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:19, 20) Çfarë mbrojtje kanë qenë për ne ligjet dhe urdhrat e Perëndisë! Bindja ndaj tyre na ka rritur respektin për veten, ka ndikuar për mirë te shëndeti dhe na ka shtuar lumturinë në familje. Ç’është më e rëndësishmja, ndërsa ndjekim besnikërisht urdhrat e Jehovait, ku përfshihet urdhri për të marrë pjesë në veprën e predikimit, gëzojmë miratimin dhe bekimet e tij.

2, 3. (a) Pse s’na jep rregulla Bibla për çdo situatë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih figurën hapëse.)

2 Sidoqoftë, ka plot situata për të cilat nuk gjejmë ndonjë urdhër specifik në Bibël. Për shembull, Shkrimet nuk japin rregulla të hollësishme se ç’lloj rrobash i kanë hije një të krishteri. Si e pasqyron kjo mençurinë e Jehovait? Stilet dhe zakonet ndryshojnë jo vetëm në pjesë të ndryshme të botës, por edhe nga një dekadë në tjetrën. Sikur Bibla të kishte dhënë një listë me stilet e pranueshme për veshjen dhe mënyrën si të mbahemi, sot do të ishte e dalë mode në këtë pikë. Për arsye të ngjashme, Fjala e frymëzuar e Perëndisë nuk jep një mal me rregulla për të kontrolluar çfarë pune, kujdesi shëndetësor dhe zbavitje duhet të zgjedhë një i krishterë. Kështu, individët dhe kryefamiljarët janë të lirë të marrin vendime për këto çështje.

3 Kur gjendemi para vendimeve të rëndësishme, disa prej të cilave mund të ndikojnë jashtëzakonisht në jetën tonë, duhet të pyesim veten: a ka rëndësi për Jehovain se çfarë zgjedhim të bëjmë? A do ta miratojë Ati ynë qiellor çfarëdo vendimi të marrim për sa kohë që nuk thyen ndonjë ligj të Biblës? Kur nuk ka ligje specifike, si mund ta dimë cilat zgjedhje do t’i pëlqejnë Jehovait?

A KANË RËNDËSI VENDIMET PERSONALE?

4, 5. Si mund të ndikojnë vendimet tona te ne vetë dhe te të tjerët?

4 Disa ndoshta mendojnë se nuk ka rëndësi çfarë zgjedhim të bëjmë. Megjithatë, për të marrë vendime të mençura që i pëlqejnë Jehovait, duhet të mbajmë parasysh ligjet dhe parimet që gjenden në Fjalën e tij të shkruar e t’i respektojmë. Për shembull, që të kemi miratimin e Perëndisë, duhet të veprojmë sipas ligjit të tij për gjakun. (Zan. 9:4; Vep. 15:28, 29) Lutjet do të na ndihmojnë të marrim vendime që janë në harmoni me parimet dhe ligjet biblike.

5 Vendimet personale me peshë mund të ndikojnë goxha te marrëdhënia jonë me Jehovain. Ka shumë të ngjarë që çdo zgjedhje që bëjmë të ndikojë te kjo marrëdhënie, qoftë për mirë, qoftë për keq. Një vendim i mirë do të na e forcojë miqësinë me Perëndinë, kurse një vendim i keq mund ta dëmtojë. Veç kësaj, një vendim i dobët mund t’i dëmtojë të tjerët, se mund t’i shqetësojë a madje t’i pengojë ose të prishë unitetin në kongregacion. E pra, vendimet personale kanë vërtet rëndësi.​—Lexo Romakëve 14:19; Galatasve 6:7.

6. Çfarë duhet të na udhëheqë në vendimet që marrim?

6 Ç’duhet të bëjmë në situatat ku Bibla nuk jep ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë? Në rrethana të tilla, është përgjegjësia jonë të shqyrtojmë hollësitë dhe të marrim një vendim që nuk udhëhiqet thjesht nga preferencat personale, por nga ajo që miraton dhe bekon Jehovai.​—Lexo Psalmin 37:5.

DALLO VULLNETIN E JEHOVAIT

7. Si ta zbulojmë ç’do të donte Jehovai të bënim në një situatë të caktuar, kur nuk ka ndonjë ligj në Bibël?

7 Ndoshta vret mendjen: «Nga ta dimë çfarë miraton Jehovai nëse Fjala e tij nuk jep ndonjë urdhër specifik për një çështje?» Tek Efesianëve 5:17 thuhet: «Vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.» Si mund ta dallojmë cili është vullneti i Perëndisë kur nuk ka një ligj të drejtpërdrejtë në Bibël? Duke iu lutur atij dhe duke pranuar drejtimin që na jep nëpërmjet frymës së shenjtë.

8. Si e dalloi Jezui se çfarë donte Jehovai prej tij? Jepni një shembull.

8 Të shohim si e dalloi Jezui se çfarë donte Ati i tij që të bënte. Në dy raste konkrete, Jezui në fillim u lut dhe pastaj u siguroi ushqim turmave me anë të mrekullive. (Mat. 14:17-20; 15:34-37) Ama, kur e mori uria dhe e tundoi Djalli në shkretëtirë, nuk pranoi t’i kthente gurët në bukë. (Lexo Mateun 4:2-4.) Jezui e dinte mirë si mendonte Ati i tij, prandaj e kishte të qartë se nuk duhej t’i kthente gurët në bukë. Po, Jezui e kuptonte se nuk ishte vullneti i Perëndisë që ta përdorte një fuqi të tillë për të përfituar vetë. Duke mos pranuar ta bënte këtë, tregoi se mbështetej te Jehovai, i sigurt se ai do t’i jepte drejtim dhe ushqim.

9, 10. Ç’do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura? Ilustrojeni.

9 Për të marrë vendime të mençura ashtu si Jezui, duhet të mbështetemi te Jehovai për drejtim. Duhet të veprojmë sipas këtyre fjalëve të mençura: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua. Të mos të duket vetja i mençur. Ki frikë Jehovain dhe largohu nga e keqja.» (Prov. 3:5-7) Ndërsa njohim mënyrën si mendon Jehovai nëpërmjet studimit të Biblës, kjo mund të na ndihmojë të dallojmë se ç’do të donte ai të bënim në një situatë të caktuar. Sa më shumë të familjarizohemi me mendimet e Jehovait, aq më e ndjeshme do të bëhet zemra jonë ndaj drejtimit që na jep.​—Ezek. 11:19, shën., NWT, botimi 2013.

10 Ta ilustrojmë: imagjino sikur një grua e martuar ka dalë në pazar. I zë syri një palë këpucë që i pëlqejnë, por kushtojnë goxha. Prandaj pyet veten: «Si do të ndihej im shoq po të harxhoja tërë këto para?» Ka shumë të ngjarë që tashmë ta dijë përgjigjen, edhe pse i shoqi nuk është me të. Po pse e di? Sepse gjatë kohës që kanë qenë të martuar, e ka kuptuar mirë si mendon ai për buxhetin e tyre të kufizuar. Si rrjedhojë, e dallon se ç’do të mendonte i shoqi për një blerje të tillë. Në mënyrë të ngjashme, dora-dorës që i njohim më mirë mendimet dhe udhët e Jehovait, bëhemi më të aftë të dallojmë se ç’do të donte Ati ynë qiellor të bënim në rrethana të ndryshme.

SI MUND TA ZBULOJMË ÇFARË MENDON JEHOVAI?

11. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes kur lexojmë ose studiojmë Biblën? (Shih kutinë « Kur studion Fjalën e Perëndisë, pyet veten».)

11 Për të kuptuar mënyrën si mendon Jehovai, duhet t’i japim përparësi studimit personal. Kur lexojmë a studiojmë Fjalën e Perëndisë, mund të pyesim veten: «Çfarë më tregon ky material për Jehovain, për udhët e tij të drejta dhe për mënyrën si mendon?» Duhet të kemi të njëjtin qëndrim si psalmisti David, që këndoi: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua. Më bëj të eci në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim. Te ti unë shpresoj gjithë ditën.» (Psal. 25:4, 5) Teksa mediton për një fragment nga Bibla, mund të bluash në mend pyetje të tilla: «Si mund ta zbatoj këtë informacion në jetën time? Ku mund ta zbatoj? Në shtëpi? Në punë? Në shkollë? Në shërbim?» Pasi kemi përcaktuar ku mund të zbatohet materiali, ndoshta e kemi më të lehtë të dallojmë si ta vëmë në praktikë.

12. Si mund të na ndihmojnë botimet dhe mbledhjet që të kuptojmë më mirë çfarë mendon Jehovai për çështje të ndryshme?

12 Një mënyrë tjetër si të familjarizohemi më tepër me mendimet e Jehovait është t’i kushtojmë shumë vëmendje drejtimit të bazuar në Bibël që jep organizata e tij. Për shembull, Treguesi i Botimeve Watch Tower dhe Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë botuar për të na ndihmuar të mësojmë si mendon Jehovai në mjaft situata ku kërkohet të marrim vendime personale. Veç kësaj, nxjerrim goxha dobi kur dëgjojmë me vëmendje në mbledhje dhe marrim pjesë në to. Meditimi për atë që mësojmë do të na ndihmojë të dallojmë më qartë si mendon Jehovai dhe të përvetësojmë mendimet e tij. Teksa bëjmë çmos të përfitojmë nga botimet dhe mbledhjet që siguron organizata e Jehovait, do t’i njohim gjithnjë e më mirë udhët e tij. Si rrjedhojë, do të jemi më të aftë të marrim vendime personale që Perëndia ynë i dashur do t’i bekojë.

LEJO QË VENDIMET E TUA TË DREJTOHEN NGA PIKËPAMJA E JEHOVAIT

13. Jepni një shembull që tregon si mund të marrim një vendim të mençur kur shqyrtojmë çfarë mendon Jehovai.

13 Të shohim një shembull që tregon si mund të na ndihmojë njohuria për mënyrën si mendon Jehovai që të marrim vendime të mençura. Si lajmëtarë të Mbretërisë, mbase duam të nisim shërbimin e plotkohor si pionierë të rregullt. Për ta arritur këtë, fillojmë të bëjmë hapa për të thjeshtuar jetën. Njëherazi ndoshta na bren meraku nëse mund të jemi vërtet të lumtur me më pak gjëra materiale. Sigurisht, në Bibël s’ka ndonjë urdhër që të shërbejmë si pionierë; mund të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait si lajmëtarë besnikë. Megjithatë, Jezui na siguron se atyre që bëjnë sakrifica për Mbretërinë, do t’u derdhen bekimet lumë. (Lexo Lukën 18:29, 30.) Për më tepër, Shkrimet tregojnë se Jehovai kënaqet kur bëjmë ‘blatime vullnetare’ për ta lëvduar dhe japim me gëzim gjithë sa mundemi për të çuar para adhurimin e vërtetë. (Psal. 119:108; 2 Kor. 9:7) A nuk na ndihmojnë këto pika nga Shkrimet, bashkë me lutjet për drejtim, që të dallojmë si mendon Jehovai? Kur i rrahim në mend këto pika, mund të marrim një vendim që do të jetë praktik për ne dhe do të ketë bekimin e Atit tonë qiellor.

14. Si mund ta përcaktosh nëse Jehovait i pëlqen një stil veshjeje?

14 Të shohim një shembull tjetër: ta zëmë se ke qejf një stil veshjeje që ka të ngjarë të shqetësojë dikë në kongregacion. Mirëpo, me sa di ti, në Bibël nuk ka ndonjë ligj specifik që e ndalon këtë stil. Si mendon Jehovai për këtë çështje? Apostulli Pavël dha këtë këshillë të frymëzuar: «Gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë, domethënë me anë të veprave të mira.» (1 Tim. 2:9, 10) Në thelb, kjo këshillë vlen po njësoj për burrat e krishterë. Si shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, nuk merakosemi vetëm për preferencat tona, por edhe si mund të ndikojë te të tjerët mënyra si vishemi e si mbahemi. Modestia dhe dashuria na nxitin t’i marrim parasysh opinionet e bashkëbesimtarëve, që të mos i shpërqendrojmë a madje të mos i ofendojmë. (1 Kor. 10:23, 24; Filip. 3:17) Kur mbajmë në mendje se çfarë thonë Shkrimet, mund të dallojmë mënyrën si mendon Jehovai për këtë çështje dhe kjo mund të na drejtojë të marrim vendime që i pëlqejnë atij.

15, 16. (a) Si ndihet Jehovai nëse bluajmë në mendje gjëra seksuale imorale? (b) Kur zgjedhim zbavitjet, si ta dimë se çfarë i pëlqen Jehovait? (c) Si duhet t’i marrim vendimet me peshë?

15 Bibla tregon se Jehovai trishtohet kur njerëzit ndjekin një rrugë të mbrapshtë dhe ‘prirja e mendimeve të tyre është e keqe gjithë kohën’. (Lexo Zanafillën 6:5, 6.) Nga kjo mund të dallojmë se është e gabuar të fantazojmë për gjëra seksuale, pasi kështu mund të përfundojmë në ndonjë mëkat të rëndë që ndalohet në Shkrime. Gjithashtu, kjo bie ndesh me mënyrën si mendon Jehovai. Dishepulli Jakov shkroi: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite.» (Jak. 3:17) Kur mbajmë parasysh gjithë këtë, do të nxitemi t’i hedhim poshtë zbavitjet që ushqejnë mendime dhe prirje të papastra. Një i krishterë me aftësi dalluese nuk ka nevojë të pyesë nëse është e pranueshme të zbavitet me një libër, film a lojë që vërtitet rreth diçkaje të urryer për Jehovain. Mënyra si mendon Ai për çështje të tilla tregohet qartë në Fjalën e tij.

16 Ka shumë situata ku mund të vendoset në një mënyrë a në një tjetër, dhe Jehovai do të ishte i kënaqur me secilin vendim. Gjithsesi, kur duhen marrë vendime me peshë, nganjëherë është e mençur të kërkojmë këshilla nga pleqtë ose nga të krishterë të tjerë me përvojë. (Titit 2:3-5; Jak. 5:13-15) Natyrisht që do të ishte e pavend t’u kërkonim të tjerëve të merrnin një vendim për ne. Të krishterët duhet të stërvitin dhe të vënë në punë aftësinë e vet dalluese. (Hebr. 5:14) Të gjithë ne duhet të veprojmë sipas fjalëve të frymëzuara të Pavlit, i cili tha se «secili do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë.​—Gal. 6:5.

17. Çfarë dobish nxjerrim kur marrim vendime që i pëlqejnë Jehovait?

17 Kur i bazojmë vendimet te mënyra si mendon Jehovai, afrohemi më shumë me të. (Jak. 4:8) Gëzojmë miratimin dhe bekimet e tij. Kjo pastaj na e forcon besimin tek Ati ynë qiellor. Ndaj, le të drejtohemi nga ligjet dhe parimet e Biblës, sepse ato nxjerrin në pah si mendon Perëndia për çështje të ndryshme. Pa diskutim, gjithmonë do të mësojmë diçka të re për Jehovain. (Jobi 26:14) Sidoqoftë, po të përpiqemi me zell, mund të fitojmë qysh tani mençurinë, njohurinë dhe aftësinë dalluese që duhen për të marrë vendime të mençura. (Prov. 2:1-5) Idetë dhe planet e njerëzve të papërsosur vijnë e shkojnë por, siç na kujton me të drejtë psalmisti, «qëllimi i Jehovait do të mbetet përgjithmonë, mendimet e zemrës së tij qëndrojnë brez pas brezi». (Psal. 33:11) Pra, është e qartë se vendimet më të mira i marrim kur mendimet dhe veprimet tona janë në harmoni me mënyrën si mendon Jehovai, Perëndia ynë që ka mençuri të pafundme.