Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Mungesa e dëgjimit s’më ka penguar të mësoj të tjerët

Mungesa e dëgjimit s’më ka penguar të mësoj të tjerët

U pagëzova më 1941, në moshën 12-vjeçare. Por vetëm në vitin 1946 e kuptova tamam të vërtetën e Biblës. Pse vallë? Më lejoni t’ju tregoj historinë time.

NË VITET 1910, prindërit e mi emigruan nga qyteti i Tbilisit, Gjeorgji, në Kanada dhe u vendosën në një fermë të vogël mes lëndinave pranë fshatit Peli, Saskaçevan, në pjesën perëndimore të Kanadasë. Unë linda më 1928 dhe isha më i vogli nga gjashtë fëmijët. Babai vdiq 6 muaj para se të lindja, dhe mamaja vdiq kur isha akoma foshnjë. Lusi, motra e madhe, vdiq pak më vonë, në moshën 17-vjeçare. Pas kësaj, daja im Niku na mori në shtëpi mua dhe motrat e vëllezërit e mi.

Një ditë kur isha fare i vogël, familja më pa tek i tërhiqja bishtin një kali të fermës, një hamshori. Të tmerruar se mos më shkelmonte, më ulëritën të mos e tërhiqja, por unë nuk reagova. Isha kthyer me kurriz, dhe ulërimat e tyre s’i dëgjoja dot. Fatmirësisht nuk u dëmtova, por tamam atë ditë familja zbuloi se nuk dëgjoja.

Një mik i familjes sugjeroi të shkollohesha bashkë me fëmijë të tjerë që nuk dëgjonin. Kështu, dajë Niku më regjistroi në një shkollë për ata që nuk dëgjojnë, e cila ndodhej në Saskatun të Saskaçevanit. Më çuan në një vend disa orë larg familjes, dhe rrija i frikësuar ngaqë isha vetëm 5 vjeç. Mund të shkoja për vizitë te familja vetëm gjatë festave e pushimeve të verës. Me kalimin e kohës, mësova gjuhën e shenjave dhe kënaqesha duke luajtur me fëmijët e tjerë.

MËSOJ TË VËRTETËN E BIBLËS

Më 1939, motra e dytë, Merioni, u martua me Bill Danijilçukun. Ata na morën në shtëpi mua dhe motrën time Frensis, që të kujdeseshin për ne. Merioni dhe Billi ishin të parët nga familja që kontaktuan me Dëshmitarët e Jehovait. Gjatë pushimeve verore, bënin çmos të më tregonin ato që po mësonin nga Bibla. Të them të drejtën, s’e kisha të lehtë të komunikoja me ta, ngaqë nuk e dinin gjuhën e shenjave. Por me sa duket, ata dalluan tek unë dashurinë e sinqertë për të vërtetën e Biblës. E kuptova se vepra që bënin kishte lidhje me atë që thotë Bibla, prandaj i shoqëroja kur predikonin. S’kaloi shumë dhe doja të pagëzohesha. Kështu, më 5 shtator 1941, Billi më pagëzoi në një fuçi metalike të mbushur me ujë pusi që ishte akull i ftohtë.

Bashkë me të tjerë që nuk dëgjojnë në një kongres në Klivlend, Ohajo, më 1946

Më 1946, kur u ktheva në shtëpi gjatë verës, ndoqëm një kongres në Klivlend të Ohajos, SHBA. Ditën e parë të kongresit, motrat e mia e bënin me radhë që të mbanin shënime, për të më ndihmuar të ndiqja programin. Por ditën e dytë sa s’fluturova nga gëzimi kur mora vesh se aty ishte një grup personash që nuk dëgjonin me një interpretuese të gjuhës së shenjave. Tani po që mund ta shijoja programin, dhe ishte një mrekulli që më në fund po e kuptoja qartë të vërtetën e Biblës!

UA MËSOJ TË VËRTETËN TË TJERËVE

Në atë kohë, Lufta II Botërore sapo kishte mbaruar dhe bota vlonte nga fryma e nacionalizmit. U ktheva nga kongresi i vendosur ta mbroja besimin tim në shkollë. Kështu, nuk bëja më nderimin para flamurit dhe as këndoja himnin kombëtar. Veç kësaj, nuk merrja më pjesë në festa fetare e botërore dhe në shërbesat e detyrueshme të kishës. Stafi i shkollës nuk ishte i kënaqur për këtë dhe u përpoq të më frikësonte e të përdorte gënjeshtra për të më ndryshuar mendjen. E gjithë kjo bëri goxha bujë midis shokëve të shkollës, por më dha mundësi të jepja dëshmi. Disa nxënës, si Leri Androsofi, Norman Ditriku dhe Emil Shnajderi, me kohë pranuan të vërtetën dhe po i shërbejnë besnikërisht Jehovait deri sot e kësaj dite.

Gjithmonë e kam pasur si synim që kur shkoj në qytete të tjera, t’u predikoj atyre që nuk dëgjojnë. Për shembull, në Monreal, në një klub për ata që s’dëgjojnë, i dhashë dëshmi Edi Teigërit, një të riu që ishte pjesë e atij grupi. Deri kur vdiq vitin e kaluar, ai shërbeu në kongregacionin e gjuhës së shenjave në Laval, Kuebek. Takova edhe të riun Huan Ardanez që, ashtu si bereasit, bënte plot etje kërkime për t’u siguruar se ajo që po mësonte ishte vërtet nga Bibla. (Vep. 17:10, 11) Edhe ai përqafoi të vërtetën dhe shërbeu besnikërisht si plak kongregacioni në Otavë, Ontario, derisa vdiq.

Gjatë dëshmisë rrugore në fillim të viteve 1950

Më 1950 u transferova në Vankuver. Edhe pse më pëlqen jashtë mase t’u predikoj atyre që s’dëgjojnë, nuk kam për ta harruar kurrë atë rast kur i predikova në rrugë një gruaje që dëgjonte, e cila quhej Kris Spajsër. Ajo pranoi të abonohej në revistat tona dhe donte të takoja të shoqin, Gerin. Kështu u shkova për vizitë në shtëpi dhe biseduam gjerë e gjatë duke përdorur shënime. Ai ishte i vetmi rast që u takuam, deri ca vite më vonë kur, për habinë time, ata më dalluan mes një turme në një kongres në Toronto, Ontario. Pikërisht atë ditë, Geri do të pagëzohej. Ajo ngjarje e mrekullueshme më kujtoi sa e rëndësishme është të vazhdojmë të predikojmë, sepse asnjëherë nuk i dihet se ku ose kur do të zërë rrënjë e vërteta.

Më vonë, u ktheva të jetoja në Saskatun. Atje takova një nënë që më kërkoi të studioja Biblën me vajzat e saj binjake që nuk dëgjonin, Xhini dhe Xhoana Rothenbërgër. Ato ndiqnin shkollën për ata që s’dëgjojnë, ku kisha studiuar edhe unë dikur. S’kaloi shumë dhe dy vajzat ua tregonin edhe shokëve të klasës ato që mësonin. Si përfundim, pesë vajza të klasës u bënë Dëshmitare të Jehovait. Një prej tyre ishte Eunika Kollini. Eunikën e kisha takuar për herë të parë kur isha maturant. Në atë kohë, më dha një karamele dhe më pyeti nëse mund të ishim miq. Por më vonë ajo do të bëhej një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime​—u bë gruaja ime!

Me Eunikën më 1960 dhe më 1989

Kur mamaja e Eunikës mori vesh se ajo po studionte Biblën, i kërkoi drejtorit të shkollës ta bindte që të hiqte dorë. Ai madje i konfiskoi botimet e studimit. Gjithsesi, Eunika ishte e vendosur që qendra e jetës së saj të ishte Jehovai. Kur donte të pagëzohej, prindërit i thanë: «Provo të bëhesh Dëshmitare e Jehovait dhe s’ke për të shkelur më në shtëpi!» Në fakt, kur ishte 17 vjeçe, Eunika iku nga shtëpia, dhe një familje Dëshmitarësh atje e pritën me ngrohtësi në shtëpinë e tyre. Ajo vazhdoi studimin dhe më vonë u pagëzua. Kur u martuam më 1960, prindërit e saj nuk erdhën në dasmë. Megjithatë, me kalimin e viteve krijuan respekt për ne, për shkak të bindjeve tona dhe të mënyrës si i rritnim fëmijët.

JEHOVAI ËSHTË KUJDESUR PËR MUA

Im bir Nikolasi bashkë me gruan, Deborën, shërbejnë në Bethelin e Londrës

Bashkë me Eunikën, rritëm shtatë djem që s’kanë probleme me dëgjimin. Kjo ishte një sfidë, por u siguruam të mësonin gjuhën e shenjave, që të arrinim të komunikonim mirë dhe t’u mësonim të vërtetën. Vëllezërit dhe motrat në kongregacion na ndihmuan goxha. Për shembull, një herë një prind na shkroi një pusullë për të na treguar se njëri nga djemtë po thoshte fjalë të pista në Sallën e Mbretërisë. Kështu patëm mundësi të kujdeseshim menjëherë për atë problem. Katër nga djemtë tanë​—Xhejmsi, Xherri, Nikolasi dhe Stiveni—​po i shërbejnë Jehovait besnikërisht bashkë me familjet e tyre. Të katër shërbejnë si pleq kongregacioni. Veç kësaj, Nikolasi me gruan, Deborën, ndihmojnë për përkthimin në gjuhën e shenjave në degën e Britanisë, ndërsa Stiveni dhe e shoqja, Shenëni, janë pjesë e skuadrës së përkthimit në gjuhën e shenjave në degën e Shteteve të Bashkuara.

Djemtë e mi Xhejmsi, Xherri dhe Stiveni bashkë me gratë e tyre mbështetin në mënyra të ndryshme veprën e predikimit në gjuhën e shenjave

Një muaj para përvjetorit të 40-të të martesës, Eunika e humbi betejën me kancerin. Ajo ishte shumë e guximshme gjatë gjithë asaj kohe të vështirë. Besimi te ringjallja i jepte forcë. Mezi e pres ditën kur do ta shoh përsëri!

Feji dhe Xhejmsi, Xherri dhe Evelina, Shenëni dhe Stiveni

Në shkurt 2012, u rrëzova dhe theva kockën e legenit, e u bë e qartë se do të kisha nevojë për ndihmë. Kështu shkova të banoja me një nga djemtë dhe gruan e tij. Tani jemi pjesë e kongregacionit «Kalgari Gjuha e Shenjave», ku vazhdoj të shërbej si plak. Imagjinoni pak: kjo është hera e parë që jam në një kongregacion të gjuhës së shenjave! Gjithë këto vite, që nga 1946-a, kam qenë në një kongregacion anglishtfolës. Po si ruajta një marrëdhënie të fortë me Jehovain? Ngaqë ai e mbajti premtimin që të kujdeset për jetimët. (Psal. 10:14) Jam mirënjohës për përpjekjet e përbashkëta të gjithë atyre që ishin të gatshëm të mbanin shënime, të mësonin gjuhën e shenjave dhe të interpretonin për mua sa më mirë mundeshin.

Në moshën 79-vjeçare ndjek shkollën e pionierit në gjuhën amerikane të shenjave

Të them të drejtën, kishte raste kur më lëshonte zemra dhe doja të dorëzohesha, ngaqë nuk kuptoja çfarë thuhej ose ngaqë dukej sikur s’i kuptonte njeri nevojat e atyre që nuk dëgjojnë. Gjithsesi, në ato momente mendoja për fjalët që i tha Pjetri Jezuit: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:66-68) Ashtu si shumë vëllezër e motra të brezit tim që s’dëgjojnë, kam mësuar të jem i duruar. Kam mësuar të pres Jehovain dhe organizatën e tij. Sa shumë dobi kam nxjerrë nga kjo! Tani në gjuhën time kam një bollëk me ushqim nga Bibla, dhe mund të gëzoj shoqërinë e të tjerëve në mbledhje e kongrese në gjuhën amerikane të shenjave. E them pa pikë dyshimi se kam pasur një jetë të lumtur dhe shpërblyese në shërbim të Jehovait, Perëndisë tonë të madh.