ARTIKULLI I STUDIMIT 19
Dashuria dhe drejtësia mes ligësisë
«Ti nuk je një Perëndi që pëlqen ligësinë, i keqi nuk gjen vend kurrë pranë teje.»—PSAL. 5:4.
KËNGA 142 Të rrokim shpresën tonë
PËRMBLEDHJE *
1-3. (a) Sipas Psalmit 5:4-6, si ndihet Jehovai për ligësinë? (b) Pse themi se abuzimi me fëmijët është në kundërshtim me «ligjin e Krishtit»?
PERËNDIA JEHOVA urren çdo formë ligësie. (Lexo Psalmin 5:4-6.) Imagjino sa shumë e urren ai abuzimin seksual me fëmijët—një krim tepër i neveritshëm dhe i lig! Si Dëshmitarë të Jehovait, ne imitojmë Perëndinë dhe e urrejmë thellësisht abuzimin me fëmijët e nuk e tolerojmë në kongregacionin e krishterë.—Rom. 12:9; Hebr. 12:15, 16.
2 Çdo akt abuzimi me fëmijët është tërësisht kundër ‘ligjit të Krishtit’! (Gal. 6:2) Pse mund ta themi këtë? Siç mësuam në artikullin e kaluar, ligji i Krishtit—pra, gjithçka që na mësoi Jezui me fjalët e me shembullin e tij—bazohet te dashuria dhe nxit drejtësinë. Të krishterët e vërtetë udhëhiqen nga ky ligj, ndaj i trajtojnë fëmijët në një mënyrë që ata ta ndiejnë se janë të mbrojtur dhe se i duan vërtet. Kurse abuzimi me fëmijët është një veprim egoist dhe i padrejtë që e bën fëmijën të ndiejë se askush nuk e mbron dhe askush nuk e do.
3 Mjerisht, abuzimi seksual me fëmijët është një murtajë mbarëbotërore, e cila ka prekur edhe të krishterët e vërtetë. Pse? Sepse ka plot ‘njerëz të ligj dhe mashtrues’, e disa mund të përpiqen të depërtojnë në kongregacion. (2 Tim. 3:13) Veç kësaj, disa që pohonin se ishin pjesë e kongregacionit janë dhënë pas dëshirave të mbrapshta të mishit dhe kanë abuzuar seksualisht me fëmijët. Le të shohim pse abuzimi me fëmijët është një mëkat kaq i lig. Pastaj do të shqyrtojmë si veprojnë pleqtë kur dikush në kongregacion kryen një mëkat të rëndë, ku përfshihet abuzimi me fëmijët, dhe si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre. *
NJË MËKAT I RËNDË
4-5. Pse abuzimi me fëmijët është një mëkat ndaj viktimës?
4 Abuzimi me fëmijët ka pasoja të thella dhe afatgjata. Ai u hap plagë viktimave dhe njerëzve që i duan, pra pjesëtarëve të familjes dhe motrave e vëllezërve në kongregacion. Abuzimi me fëmijët është një mëkat i rëndë.
5 Mëkat ndaj viktimës. * Është mëkat t’u shkaktosh padrejtësisht dhembje dhe vuajtje të tjerëve. Siç do të shohim në artikullin vijues, ai që abuzon me fëmijët bën tamam këtë—i hap fëmijës plagë tepër të thella. Ai tradhton besimin e fëmijës dhe i grabit ose i heq fëmijës ndjenjën e sigurisë. Duhet t’i mbrojmë fëmijët nga ky veprim i lig, dhe ata që janë viktima të abuzimit kanë nevojë për ngushëllim e ndihmë.—1 Sel. 5:14.
6-7. Pse abuzimi me fëmijët është një mëkat ndaj kongregacionit dhe ndaj autoriteteve qeveritare?
6 Mëkat ndaj kongregacionit. Kur dikush që është pjesë e kongregacionit bëhet fajtor për abuzimin me fëmijët, hedh baltë mbi kongregacionin. (Mat. 5:16; 1 Pjet. 2:12) Çfarë padrejtësie ndaj miliona Dëshmitarëve besnikë që ‘luftojnë me të gjitha forcat për besimin’! (Jud. 3) Nuk tolerojmë mes nesh individë që bëjnë vepra të liga pa u penduar dhe që dëmtojnë emrin e mirë të kongregacionit.
7 Mëkat ndaj autoriteteve qeveritare. Të krishterët duhet ‘të jenë të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’. (Rom. 13:1) Këtë nënshtrim e tregojmë duke i respektuar siç duhet ligjet e vendit. Nëse dikush në kongregacion shkel një ligj të kodit penal, si për shembull duke abuzuar me një fëmijë, mëkaton ndaj autoriteteve qeveritare. (Krahaso Veprat 25:8.) Edhe pse pleqtë nuk kanë autoritet të ndëshkojnë dikë që ka shkelur ligjin, ata nuk mbrojnë askënd nga pasojat ligjore që sjell mëkati i abuzimit me fëmijët. (Rom. 13:4) Mëkatari korr atë që ka mbjellë.—Gal. 6:7.
8. Si i sheh Jehovai mëkatet që kryhen ndaj njerëzve?
8 Mbi të gjitha, mëkat ndaj Perëndisë. (Psal. 51:4) Kur një njeri mëkaton ndaj një tjetri, mëkaton edhe ndaj Jehovait. Të marrim një shembull nga Ligji që i dha Perëndia Izraelit. Sipas Ligjit, një njeri që grabiste ose mashtronte shokun, tregohej «i pabesë ndaj Jehovait». (Lev. 6:2-4) S’ka dyshim, pra, se kur një individ që është pjesë e kongregacionit abuzon me një fëmijë—duke i grabitur fëmijës ndjenjën e sigurisë—po tregohet i pabesë ndaj Perëndisë. Abuzuesi i sjell sharje të rëndë emrit të Jehovait. Prandaj, abuzimi duhet dënuar pasi është një mëkat i urryer ndaj Perëndisë.
9. Çfarë informacionesh nga Shkrimet ka siguruar ndër vite organizata e Jehovait, dhe pse?
9 Ndër vite, organizata e Jehovait ka
siguruar me bollëk informacione të bazuara në Shkrime për abuzimin me fëmijët. Për shembull, në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! kanë dalë artikuj që tregojnë si mund t’i përballojnë plagët emocionale viktimat e abuzimit seksual, si mund t’i ndihmojnë dhe inkurajojnë të tjerët, dhe si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre. Pleqtë kanë marrë udhëzime të hollësishme nga Shkrimet se si të veprojnë kur dikush kryen mëkatin e abuzimit me fëmijë. Organizata vazhdon të rishikojë mënyrën si e trajtojnë pleqtë këtë mëkat. Përse? Që të sigurohet se mënyra si e trajtojmë këtë çështje është në përputhje me ligjin e Krishtit.SI VEPROJNË PLEQTË KUR KRYHET NJË MËKAT I RËNDË
10-12. (a) Çfarë mbajnë parasysh pleqtë kur trajtojnë çështje që përfshijnë një mëkat të rëndë, dhe çfarë meraqesh kanë? (b) Sipas Jakovit 5:14, 15, çfarë përpiqen të bëjnë pleqtë?
10 Kur trajtojnë çështje ku përfshihet një mëkat i rëndë, pleqtë mbajnë parasysh se ligji i Krishtit kërkon që ta trajtojnë kopenë me dashuri dhe të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. Prandaj kur marrin vesh se është kryer një mëkat i rëndë, kanë disa meraqe. Meraku kryesor i pleqve është të mbrojnë shenjtërinë e emrit të Perëndisë. (Lev. 22:31, 32; Mat. 6:9) Një merak tjetër i madh është të ndihmojnë vëllezërit e motrat në kongregacion të ruajnë një marrëdhënie të fortë me Jehovain, si edhe të ngushëllojnë e të mbështetin këdo që ka qenë viktimë e një mëkati.
11 Veç kësaj, nëse keqbërësi është pjesë e kongregacionit, një merak i pleqve është të përpiqen që ai të ndreqë marrëdhënien me Jehovain po të jetë e mundur. (Lexo Jakovin 5:14, 15.) Një i krishterë që jepet pas një dëshire të gabuar dhe kryen mëkat të rëndë, është si një i sëmurë. Kjo do të thotë se nuk ka më një marrëdhënie të mirë me Jehovain. * Pleqtë mund të krahasohen me një mjek. Ata përpiqen ‘ta shërojnë të pamundurin’, ose në këtë rast, keqbërësin. Këshillat e tyre nga Shkrimet mund ta ndihmojnë të ndreqë marrëdhënien me Perëndinë, por kjo është e mundur vetëm nëse është vërtet i penduar.—Vep. 3:19; 2 Kor. 2:5-10.
12 Kuptohet, pleqtë kanë një përgjegjësi me peshë. Kanë merak të madh për kopenë që u ka besuar Perëndia. (1 Pjet. 5:1-3) Duan që vëllezërit e motrat të ndihen të mbrojtur në kongregacion. Për këtë arsye, veprojnë në çast kur vihen në dijeni të një mëkati të rëndë, ku përfshihet abuzimi me fëmijë. Çfarë bëjnë? Të shqyrtojmë pyetjet në krye të paragrafëve 13, 15 dhe 17.
13-14. A u binden pleqtë ligjeve të vendit për raportimin e një akuze për abuzim me fëmijë? Shpjegoni.
13 A u binden pleqtë ligjeve të vendit për t’u raportuar autoriteteve qeveritare një akuzë për abuzim me fëmijë? Po. Në vendet ku ekzistojnë ligje të tilla, pleqtë përpiqen t’u binden ligjeve për raportimin e akuzave për abuzim. (Rom. 13:1) Këto ligje nuk bien ndesh me ligjin e Perëndisë. (Vep. 5:28, 29) Ndaj kur marrin vesh për një akuzë, pleqtë kërkojnë menjëherë drejtim për të kuptuar si mund t’u binden ligjeve për raportimin e saj.
14 Pleqtë i sigurojnë viktimat, prindërit e
tyre dhe të tjerë që janë në dijeni të asaj që ka ndodhur, se janë të lirë t’ua raportojnë autoriteteve qeveritare akuzën për abuzim. Po nëse raportimi është për dikë që bën pjesë në kongregacion dhe pastaj çështja merret vesh në komunitet? A duhet të mendojë i krishteri që ka raportuar se ka njollosur emrin e Perëndisë? Jo. Ai që e njollos emrin e Perëndisë është abuzuesi.15-16. (a) Sipas 1 Timoteut 5:19, pse kërkohen të paktën dy dëshmitarë para se pleqtë të ndërmarrin një veprim gjyqësor? (b) Si veprojnë pleqtë kur marrin vesh se dikush në kongregacion akuzohet për abuzim me fëmijë?
15 Në kongregacion, pse kërkohen të paktën dy dëshmitarë para se pleqtë të ndërmarrin një veprim gjyqësor? Kjo kërkesë është pjesë e standardit të lartë të Biblës për drejtësinë. Kur i akuzuari nuk e pranon keqbërjen, duhen dy dëshmitarë që të provojnë akuzën, e kështu pleqtë mund të formojnë një komitet gjyqësor. (Ligj. 19:15; Mat. 18:16; lexo 1 Timoteut 5:19.) A do të thotë kjo se kërkohen dy dëshmitarë para se t’u raportohet autoriteteve akuza për një abuzim me fëmijë? Jo. Nuk kërkohen dy dëshmitarë që pleqtë a të tjerë t’u raportojnë autoriteteve akuzat për një krim.
16 Kur marrin vesh se dikush në kongregacion akuzohet se ka abuzuar me fëmijë, pleqtë përpiqen të zbatojnë çdo ligj të shtetit për raportimin e çështjes, dhe pastaj e hetojnë çështjen në përputhje me Shkrimet. Nëse individi e mohon akuzën, pleqtë shqyrtojnë dëshminë e dëshmitarëve. Nëse të paktën dy veta—ai që bën akuzën dhe dikush tjetër që mund ta verifikojë këtë rast ose raste të tjera abuzimi me fëmijë nga ana e të akuzuarit—e provojnë akuzën, formohet një komitet gjyqësor. * Mungesa e një dëshmitari të dytë nuk do të thotë se ai që bën akuzën nuk po thotë të vërtetën. Edhe nëse një akuzë nuk provohet nga dy dëshmitarë, pleqtë e kuptojnë se mund të jetë kryer një mëkat i rëndë, një mëkat që i ka lënduar thellë të tjerët. Pleqtë vazhdojnë të mbështetin e të ngushëllojnë këdo që mund të jetë lënduar. Veç kësaj, pleqtë qëndrojnë syçelë që të mbrojnë kongregacionin nga çdo dëm që mund të shkaktojë i akuzuari për abuzim.—Vep. 20:28.
17-18. Shpjegoni çfarë roli ka një komitet gjyqësor.
17 Çfarë roli ka komiteti gjyqësor? Termi «gjyqësor» nuk do të thotë se pleqtë gjykojnë, ose vendosin, nëse abuzuesi duhet ndëshkuar nga autoritetet ngaqë ka shkelur ligjin. Pleqtë nuk ndërhyjnë në zbatimin e ligjit; trajtimin e çështjeve penale ua lënë autoriteteve qeveritare. (Rom. 13:2-4; Titit 3:1) Në vend të kësaj, pleqtë gjykojnë, ose vendosin, nëse individi mund të qëndrojë apo jo në kongregacion.
18 Roli i pleqve në një komitet gjyqësor, është të merren me aspektet fetare të çështjes, pra me ato që përfshijnë marrëdhënien e personit me Jehovain. Ata udhëhiqen nga Shkrimet për të gjykuar nëse abuzuesi është penduar apo jo. Nëse nuk është penduar, ai përjashtohet dhe kongregacioni njoftohet për këtë. (1 Kor. 5:11-13) Nëse është penduar, mund të qëndrojë në kongregacion. Megjithatë, pleqtë e njoftojnë se ai mund të mos kualifikohet kurrë për të marrë privilegje në kongregacion ose për të shërbyer në ndonjë pozitë me përgjegjësi në kongregacion. Nga meraku për mirëqenien e fëmijëve, pleqtë mund të paralajmërojnë privatisht prindërit e të miturve në kongregacion që të vëzhgojnë me kujdes sjelljen e atij personi në afërsi të fëmijëve të tyre. Kur marrin masa të tilla, pleqtë bëjnë kujdes të mos cenojnë privatësinë e atyre që janë lënduar nga mëkati.
SI T’I MBROSH FËMIJËT E TU
19-22. Çfarë mund të bëjnë prindërit për të mbrojtur fëmijët e tyre? (Shih figurën e kopertinës.)
19 Cilët kanë përgjegjësinë kryesore t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet? Prindërit. * Fëmijët janë një dhuratë nga Perëndia, një «trashëgimi nga Jehovai». (Psal. 127:3) Është përgjegjësia juaj si prindër ta mbroni këtë dhuratë që jua ka besuar ai. Ç’mund të bëni që t’i mbroni fëmijët nga abuzimi?
20 Së pari, mëso ti vetë për abuzimin. Mëso se ç’lloj njerëzish abuzojnë me fëmijët dhe taktikat që përdorin për t’i mashtruar. Bëji sytë katër ndaj rreziqeve të mundshme. (Prov. 22:3; 24:3) Mos harro se në shumicën e rasteve, abuzuesi është dikush që fëmija tashmë e njeh dhe i beson.
21 Së dyti, fol hapur me fëmijët dhe ndihmoji të flasin hapur me ty. (Ligj. 6:6, 7) Kjo përfshin të jesh dëgjues i mirë. (Jak. 1:19) Mos harro se shpesh fëmijët ngurrojnë të tregojnë për abuzimin. Mbase kanë frikë se nuk do t’i besojë kush. Ose ndoshta abuzuesi mund t’i ketë kërcënuar se do t’u bëjë ndonjë të keqe po t’i tregojnë dikujt. Nëse të duket se diçka nuk shkon, ndihmoji fëmijët me dashamirësi që të hapen duke u bërë pyetje dhe pastaj dëgjoji me durim.
22 Së treti, mëso fëmijët e tu. Mësoji duke u dhënë informacione për seksin në varësi të moshës. Stërviti çfarë të thonë e çfarë të bëjnë nëse dikush përpiqet t’i prekë në mënyrë të papërshtatshme. Përdor informacionin që ka siguruar organizata e Perëndisë për t’i mbrojtur fëmijët.—Shih kutinë « Mëso veten dhe fëmijët».
23. Si e konsiderojmë ne abuzimin seksual me fëmijët, dhe cila pyetje do të marrë përgjigje në artikullin tjetër?
23 Si Dëshmitarë të Jehovait e konsiderojmë një mëkat të urryer dhe një veprim të lig abuzimin seksual me fëmijët. Ngaqë udhëhiqen nga ligji i Krishtit, kongregacionet tona nuk mbrojnë askënd që abuzon me fëmijët nga pasojat e mëkatit të tij. Por ndërkohë, si mund t’i ndihmojmë ata që kanë qenë viktima të abuzimit? Artikulli tjetër do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
KËNGA 103 Barinjtë, dhurata në njerëz
^ par. 5 Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund t’i mbrojmë fëmijët nga abuzimi seksual. Do të mësojmë çfarë bëjnë pleqtë për ta mbrojtur kongregacionin dhe si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre.
^ par. 3 SHPJEGIMI I FJALËVE: Abuzimi seksual me një fëmijë ndodh kur një i rritur e shfrytëzon një fëmijë për të plotësuar dëshirat e veta seksuale. Mund të përfshijë marrëdhëniet seksuale; seksin oral ose anal; përkëdheljen e organeve gjenitale, të gjoksit a vitheve ose veprime të tjera imorale. Ndonëse shumica e viktimave janë vajza, ka shumë raste që është abuzuar edhe me djem. Edhe pse shumica e abuzuesve janë burra, ka edhe gra që abuzojnë me fëmijët.
^ par. 5 SHPJEGIMI I FJALËS: Në këtë artikull dhe në atë vijues, fjala «viktimë» i referohet dikujt me të cilin kanë abuzuar seksualisht në fëmijëri. Ky term përdoret për ta bërë të qartë se fëmija është lënduar e shfrytëzuar dhe se është i pafajshëm.
^ par. 11 Fakti që dikush ka marrëdhënie të dobët me Jehovain nuk është justifikim që të kryejë një mëkat të urryer. Mëkatari mban plotësisht përgjegjësi për zgjedhjet e veprimet e tij të gabuara dhe do t’i japë llogari Jehovait.—Rom. 14:12.
^ par. 16 Pleqtë nuk do t’i kërkojnë kurrë një fëmije të ballafaqohet me të akuzuarin për abuzim. Një prind ose një i rritur tjetër të cilit fëmija i beson e me të cilin është i gatshëm të hapet, mund t’u tregojë pleqve se çfarë ka ndodhur sipas fëmijës. Kështu fëmija nuk do të duhet të vuajë më tepër emocionalisht.
^ par. 19 Ajo që thuhet për prindërit vlen edhe për kujdestarët ligjorë ose për të tjerë që kanë përgjegjësi prindërore për një të mitur.