Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

Mos u marros nga «mençuria e kësaj bote»

Mos u marros nga «mençuria e kësaj bote»

«Mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë.» —1 KOR. 3:19.

KËNGA 98 Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë na jep Fjala e Perëndisë?

NE MUND të përballojmë çdo vështirësi—dhe arsyeja është se Jehovai është Mësuesi ynë i Madh. (Isa. 30:20, 21) Fjala e tij na jep gjithçka na duhet që të jemi ‘krejtësisht të zotë’ dhe ‘plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Tim. 3:17) Kur jetojmë sipas mësimeve të Biblës, bëhemi më të mençur se ata që përkrahin ‘mençurinë e kësaj bote’.—1 Kor. 3:19; Psal. 119:97-100.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Siç do ta shohim, mençuria e botës shpesh është tërheqëse për dëshirat e mishit. Prandaj mund ta kemi të vështirë të rezistojmë për të mos menduar a vepruar si ata që janë pjesë e botës. Jo më kot, Bibla thotë: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve.» (Kolos. 2:8) Në këtë artikull do të shqyrtojmë historinë e përhapjes së dy mashtrimeve, ose gënjeshtrave, boshe. Në secilin rast do të shohim pse mençuria e botës është marrëzi dhe në ç’mënyra mençuria e Fjalës së Perëndisë qëndron shumë më lart se çdo gjë që ofron bota.

NDRYSHIME NË PIKËPAMJEN PËR MORALIN

3-4. Si ndryshoi pikëpamja për moralin në fillimet e shekullit të 20-të?

3 Në fillimet e shekullit të 20-të, në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, ndryshoi në mënyrë drastike pikëpamja e njerëzve për moralin seksual. Më parë, shumë mendonin se marrëdhëniet seksuale ishin vetëm për të martuarit dhe se kjo nuk ishte një temë që duhej diskutuar në publik. Por ato norma morën tatëpjetën, dhe u përhapën pikëpamjet liberale.

4 Dekada e tretë e shekullit të 20-të u bë e njohur si Vitet e Ethshme Njëzet (Roaring Twenties) dhe u karakterizua nga ndryshime sociale të gjithanshme. Një studiuese thotë: «Filmat, teatrot, këngët, romanet dhe reklamat pasqyronin kërkesën e madhe për zbavitje me temë seksuale.» Gjatë asaj dekade, stilet e kërcimit u bënë më provokuese nga ana seksuale dhe stilet e veshjes më pak modeste. Siç kishte parathënë Bibla për ditët e fundit, njerëzit u bënë «kënaqësidashës» në një shkallë të paparë.—2 Tim. 3:4.

Shërbëtorët e Jehovait nuk lejojnë që normat e ulëta morale të botës t’i çojnë në rrugë të shtrembër (Shih paragrafin 5) *

5. Si ka ndryshuar pikëpamja e botës për normat morale që nga vitet 60?

5 Në vitet 60, u bënë gjithnjë e më të zakonshme bashkëjetesa mes të pamartuarve, sjellja homoseksuale dhe divorci për çfarëdo arsye. Në shumë lloj zbavitjesh paraqiteshin gjithnjë e më hapur marrëdhëniet seksuale. Dekadat e fundit, pasojat e këqija të rënies së normave morale janë ndier në shumë drejtime. Një autore shkroi se shkaku i prishjes së familjeve, i familjeve me një prind, i plagëve emocionale, i varësisë ndaj pornografisë dhe i problemeve të ngjashme, lidhet me «braktisjen e normave seksuale, çka po ndikon tmerrësisht sot te shoqëria». Përhapja e madhe e sëmundjeve të transmetuara seksualisht, si SIDA, është një provë tjetër se mençuria e botës është marrëzi.—2 Pjet. 2:19.

6. Si i shërben qëllimit të Satanait pikëpamja e botës për seksin?

6 Pikëpamja e botës për seksin i shërben qëllimit të Satanait. Pa dyshim që ai kënaqet kur sheh se njerëzit e keqpërdorin dhuratën e seksit dhe tregojnë mungesë respekti për dhuratën e martesës—që të dyja dhurata nga Perëndia. (Efes. 2:2) Imoraliteti seksual jo vetëm përbalt dhuratën e bukur të Jehovait që njerëzit të lindin fëmijë, por edhe mund t’u grabitë atyre që kryejnë imoralitet mundësinë që të trashëgojnë jetën e përhershme.—1 Kor. 6:9, 10.

PIKËPAMJA E BIBLËS PËR MORALIN SEKSUAL

7-8. Cilën pikëpamje dinjitoze dhe të shëndetshme për seksin përmban Bibla?

7 Njerëzit që përvetësojnë mençurinë e kësaj bote tallen me normat morale të Biblës, duke thënë se nuk janë realiste. Ata mund të pyesin: «Po pse do të na krijonte Zoti me dëshira seksuale, e pastaj të na thoshte të mos i plotësonim?!» Kjo pyetje bazohet tek ideja e gabuar se njerëzit duhet të plotësojnë çdo impuls a dëshirë. Por Bibla thotë ndryshe. Ajo na jep dinjitet duke na mësuar se mund të zgjedhim t’i mbajmë nën kontroll impulset e papërshtatshme. (Kolos. 3:5) Veç kësaj, Jehovai ka siguruar dhuratën e martesës, brenda së cilës mund të plotësohen në mënyrë të respektuar dëshirat e përshtatshme seksuale. (1 Kor. 7:8, 9) Në martesë, burri dhe gruaja mund t’i gëzojnë marrëdhëniet seksuale pa pishmanllëqet e pasiguritë që sjell shpesh imoraliteti.

8 Në kontrast me mençurinë e kësaj bote, Bibla nxit një pikëpamje të ekuilibruar dhe të shëndetshme për seksin. Ajo thotë se marrëdhëniet seksuale mund të jenë një burim kënaqësie. (Prov. 5:18, 19) Por Bibla thotë gjithashtu: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo e kombeve që nuk e njohin Perëndinë.»—1 Sel. 4:4, 5.

9. (a) Çfarë ndihme mori populli i Jehovait në fillimet e shekullit të 20-të që të ndiqte mençurinë superiore të Fjalës së Perëndisë? (b) Cila këshillë e mençur na jepet te 1 Gjonit 2:15, 16? (c) Sipas Romakëve 1:24-27, cilat praktika imorale duhet të bëjmë kujdes të mos ndjekim?

9 Në fillimet e shekullit të 20-të, shërbëtorët e Jehovait nuk ranë në grackën e mashtrimit bosh të atyre që s’kishin më «asnjë ndjesi morale». (Efes. 4:19) Ata u përpoqën të ndiqnin besnikërisht normat e Jehovait. Kulla e Rojës e 15 majit 1926 thoshte se «një burrë a një grua duhet të jetë i dëlirë dhe i pastër në mendime e veprime, sidomos karshi seksit tjetër». Pavarësisht nga ç’po ndodhte përreth tyre në botë, shërbëtorët e Jehovait ndoqën mençurinë superiore të Fjalës së Perëndisë. (Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.) Sa mirënjohës ndihemi për Fjalën e Perëndisë! Jemi mirënjohës edhe që Jehovai siguron ushqim në kohën e duhur për të na dhënë forcë që të mos ndjekim mençurinë e kësaj bote për moralin. *Lexo Romakëve 1:24-27.

NDRYSHIME NË PIKËPAMJEN RRETH DASHURISË PËR VETEN

10-11. Çfarë paralajmëroi Bibla se do të ndodhte gjatë ditëve të fundit?

10 Bibla paralajmëroi se gjatë ditëve të fundit, njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:1, 2) S’është çudi që bota nxit një vlerësim të ekzagjeruar për veten. Një enciklopedi thotë se gjatë viteve 70 «u shtuan vrullshëm udhëzuesit për të pasur një jetë të suksesshme». Disa libra «i nxitnin lexuesit të njihnin e të pranonin veten dhe të ndiheshin të kënaqur e krenarë për atë që ishin». Ja çfarë thotë, për shembull, një nga këta libra: «Ji i dashuruar me personin më të bukur, më entuziazmues dhe më me vlerë që ka ekzistuar—me veten tënde.» Ky libër rekomandon një «fe të vetvetes, ku individi e përcakton vetë si të sillet, duke u bazuar te ndërgjegjja e tij dhe tek ato ligje të shoqërisë që i hyjnë në punë».

11 A të tingëllon e njohur kjo ide? Satanai e nxiti Evën të bënte diçka të ngjashme. I tha se ajo mund ‘të ishte si Perëndi, dhe të njihte të mirën dhe të keqen’. (Zan. 3:5) Sot shumë njerëz kanë opinion aq të lartë për veten, sa mendojnë se askush—madje as Perëndia—nuk mund t’u thotë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Për shembull, ky qëndrim spikat sidomos te pikëpamja e njerëzve për martesën.

Një i krishterë vë në vend të parë nevojat e të tjerëve—sidomos ato të bashkëshortit (Shih paragrafin 12) *

12. Cilin qëndrim kundrejt martesës nxit bota?

12 Bibla i udhëzon burrin e gruan ta nderojnë njëri-tjetrin dhe të respektojnë betimet e tyre martesore. Ajo i nxit bashkëshortët të kenë një ndjenjë të fortë angazhimi ndaj njëri-tjetrit, duke thënë: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zan. 2:24) Në kontrast me këtë, ata që influencohen nga mençuria e botës nxitin pikëpamjen që secili nga bashkëshortët duhet të përqendrohet te nevojat e veta. Një libër për divorcin thotë: «Në disa ceremoni, betimi tradicional që të qëndrojnë të martuar ‘për sa kohë të jetojnë’ u zëvendësua me premtimin më të kufizuar që të qëndrojnë të martuar ‘për sa kohë të dashurojnë njëri-tjetrin’.» Pasojat e këtij qëndrimi moskokëçarës kundrejt martesës, kanë qenë prishja e sa e sa familjeve dhe dëme emocionale të pallogaritshme. Pa dyshim, qëndrimi pa respekt kundrejt martesës që nxit bota është një mësim i marrë.

13. Cila është një arsye pse njerëzit krenarë janë të pështirë për Jehovain?

13 Bibla thotë: «Njerëzit me zemër krenare janë të pështirë për Jehovain.» (Prov. 16:5) Pse është i pështirë për Jehovain një njeri krenar? Një arsye është se kush zhvillon dhe nxit një dashuri të ekzagjeruar për veten, imiton arrogancën e Satanait. Imagjino pak: Satanai mendonte se Jezui—ai që Perëndia e përdori për të krijuar gjithçka—duhej të përkulej para tij e ta adhuronte! (Mat. 4:8, 9; Kolos. 1:15, 16) Ata që i japin kaq shumë rëndësi vetes dhe që kujtojnë se janë të mençur, janë të marrë në sytë e Perëndisë.

PIKËPAMJA E BIBLËS RRETH VLERËSIMIT PËR VETEN

14. Si na ndihmon Romakëve 12:3 të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten?

14 Bibla na ndihmon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten. Ajo e pranon se është me vend të kemi njëfarë dashurie për veten. Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd si veten», çka tregon se duhet t’u kushtojmë vëmendje në një masë të arsyeshme nevojave tona. (Mat. 19:19) Ama Bibla nuk mëson se duhet ta vëmë veten mbi të tjerët. Përkundrazi, thotë: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’—Filip. 2:3; lexo Romakëve 12:3.

15. Çfarë të bind se këshillat e Biblës rreth vlerësimit për veten janë praktike?

15 Sot, shumë njerëz që konsiderohen të mençur, tallen me këshillat e Biblës rreth vlerësimit për veten. Ata thonë se po t’i shohësh të tjerët si më të lartë se veten, mbetesh i pambrojtur para tyre, e kështu do të përfitojnë nga ti. Por në realitet, çfarë rezultatesh kanë pasur ata që e shohin veten si qendra e universit, siç nxit bota e Satanait? Çfarë ke vërejtur ti vetë? A janë të lumtur njerëzit egoistë? A kanë familje të lumtura? A kanë miq të vërtetë? A kanë miqësi të ngushtë me Perëndinë? Nga sa ke parë, cila sjell rezultatet më të mira—ndjekja e mençurisë së kësaj bote apo e mençurisë që përmban Fjala e Perëndisë?

16-17. Për çfarë mund të jemi mirënjohës, dhe pse?

16 Njerëzit që ndjekin këshillat e atyre që bota i mban për të mençur, janë si një turist që pyet një turist tjetër nga të shkojë, ndërkohë që të dy kanë humbur rrugën. Jezui tha për «të mençurit» e kohës së tij: «Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. Nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.» (Mat. 15:14) Vërtet, mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë.

Shërbëtorët e Perëndisë i kujtojnë plot kënaqësi vitet që kanë kaluar në shërbim të Jehovait (Shih paragrafin 17) *

17 Këshillat e mençura të Biblës kanë qenë përherë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’. (2 Tim. 3:16) Sa mirënjohës jemi që Jehovai, nëpërmjet organizatës së tij, na ka mbrojtur nga mençuria e kësaj bote! (Efes. 4:14) Ushqimi i bazuar në Bibël që siguron ai, na jep forcën e nevojshme që të ndjekim besnikërisht normat e Fjalës së tij. Çfarë privilegji është të udhëhiqemi nga mençuria e pagabueshme e Biblës!

KËNGA 54 «Kjo është udha»

^ par. 5 Ky artikull do të na ndihmojë të forcojmë bindjen se Jehovai është i vetmi Burim i besueshëm udhëheqjeje. Gjithashtu, do të tregojë se ndjekja e mençurisë së botës sjell pasoja tragjike, kurse ndjekja e mençurisë së Fjalës së Perëndisë është dobiprurëse.

^ par. 9 Për shembull, shih Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1, kapitujt 24-26, dhe vëllimi 2, kapitujt 4-5.

^ par. 50 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Disa momente nga jeta e një çifti Dëshmitar në rrjedhën e kohës. Vëllai dhe motra në veprën e predikimit në fund të viteve 60.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në vitet 80, burri kujdeset për të shoqen në një periudhë që ajo është e sëmurë, dhe vajza e tyre e vogël po i sheh.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Sot çifti sjell ndër mend kujtimet e bukura nga jeta në shërbim të Jehovait. Vajza e tyre e rritur dhe familja e saj gëzojnë bashkë me ta.