Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 19

«Mbreti i veriut» në kohën e fundit

«Mbreti i veriut» në kohën e fundit

«Në kohën e fundit, mbreti i jugut dhe mbreti i veriut do të shtyjnë njëri-tjetrin.»—DAN. 11:40.

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë na zbulojnë profecitë e Biblës?

ÇFARË do të ndodhë në të ardhmen e afërt me popullin e Jehovait? S’ka pse të hamendemi. Profecitë e Biblës na hapin një dritare nga e cila mund të shohim ngjarje të rëndësishme që do të ndikojnë te të gjithë ne. Një profeci në veçanti na jep mundësi të kuptojmë ç’do të bëjnë disa nga qeveritë më të fuqishme. Ajo gjendet në kapitullin 11 të librit të Danielit, ku flitet për dy forca armike: mbretin e veriut dhe mbretin e jugut. Pjesa më e madhe e kësaj profecie është plotësuar, prandaj mund të jemi të sigurt se edhe pjesa tjetër do të bëhet realitet.

2. Siç tregon Zanafilla 3:15 dhe Zbulesa 11:7 e 12:17, cilat pika të rëndësishme duhet të mbajmë në mendje kur studiojmë profecinë e Danielit?

2 Për ta kuptuar profecinë e kapitullit 11 të Danielit, duhet të mbajmë në mendje se ajo flet vetëm për sundimtarë dhe qeveri që kanë ndikuar drejtpërdrejt te populli i Perëndisë—pra kanë qeverisur mbi vende ku jetonin shumë shërbëtorë të Perëndisë ose kanë sulmuar popullin e Tij. Dhe ndonëse shërbëtorët e Perëndisë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së botës, ata kanë qenë shënjestra e këtyre qeverive. Pse? Sepse Satanai dhe tërë sistemi i tij kanë një synim kryesor—të mposhtin ata që i shërbejnë Jehovait dhe Jezuit. (Lexo Zanafillën 3:15; Zbulesën 11:7; 12:17.) Veç kësaj, profecia që shkroi Danieli duhet të jetë në harmoni me profecitë e tjera të Fjalës së Perëndisë. Në fakt, profecinë e Danielit mund ta kuptojmë saktë vetëm nëse e krahasojmë me pjesë të tjera të Shkrimeve.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këta dy artikuj?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë Danielin 11:25-39 duke mbajtur parasysh pikat e mësipërme. Do të shohim cilët ishin mbreti i veriut dhe mbreti i jugut nga viti 1870 deri më 1991. Gjithashtu do të shohim pse kemi arsye të forta ta ndryshojmë mënyrën si e kuptojmë një pjesë të kësaj profecie. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë Danielin 11:40–12:1 dhe do të qartësojmë çfarë zbulon kjo pjesë e profecisë për periudhën nga viti 1991 deri në luftën e Armagedonit. Ndërsa studion këta dy artikuj, do të të ndihmojë tabela «Mbretërit rivalë në kohën e fundit». Por së pari do të shohim si t’i identifikojmë dy mbretërit e kësaj profecie.

SI MUND T’I IDENTIFIKOJMË MBRETIN E VERIUT DHE MBRETIN E JUGUT

4. Cilat janë tri gjëra që na ndihmojnë të identifikojmë mbretin e veriut dhe mbretin e jugut?

4 Titujt «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» në fillim u përdorën për fuqitë politike që ndodheshin në veri dhe në jug të Izraelit. Pse e themi këtë? Sepse engjëlli që i çoi mesazhin Danielit, tha: «Kam ardhur që të të ndihmoj të kuptosh ç’do të ndodhë me popullin tënd.» (Dan. 10:14) Deri në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kombi i Izraelit ishte populli i Perëndisë. Mirëpo pas kësaj, Jehovai e bëri të qartë se populli i tij ishin dishepujt besnikë të Jezuit. Prandaj pjesa më e madhe e profecisë në kapitullin 11 të Danielit ka të bëjë me dishepujt e Krishtit, jo me kombin e Izraelit. (Vep. 2:1-4; Rom. 9:6-8; Gal. 6:15, 16) Veç kësaj, identiteti i mbretit të veriut dhe i mbretit të jugut ndryshoi në rrjedhën e shekujve. Gjithsesi, disa gjëra nuk ndryshuan. Së pari, këta mbretër ndikuan në mënyrë të rëndësishme te populli i Perëndisë. Së dyti, me mënyrën si e trajtuan popullin e Perëndisë, treguan se urrenin Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Dhe së treti, dy mbretërit luftuan kundër njëri-tjetrit për pushtet.

5. A kishte një mbret të veriut dhe një mbret të jugut prej shekullit të 2-të të e.s. deri nga fundi i shekullit të 19-të? Shpjegoni.

5 Gjatë shekullit të dytë të e.s., në kongregacionin e të krishterëve të vërtetë nisën të depërtonin gjithnjë e më shumë të krishterë të rremë. Ata kishin përvetësuar mësime pagane dhe i fshihnin të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Që nga ajo kohë deri nga fundi i shekullit të 19-të, në tokë nuk kishte asnjë grup të organizuar të shërbëtorëve të Perëndisë. Egjrat, të krishterët e rremë, lulëzuan dhe u bë shumë e vështirë të dalloheshin të krishterët e vërtetë. (Mat. 13:36-43) Pse është domethënës ky fakt? Sepse tregon se ajo që lexojmë për mbretin e veriut dhe mbretin e jugut nuk mund të zbatohej për qeveritarët ose mbretëritë që kishin pushtet nga shekulli i 2-të deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Nuk ekzistonte asnjë grup i organizuar i shërbëtorëve të Perëndisë që këta mbretër ta sulmonin. * Megjithatë është logjike që mbreti i veriut dhe mbreti i jugut të rishfaqeshin nga fundi i shekullit të 19-të. Pse themi kështu?

6. Kur u shfaq sërish një grup i organizuar që ishin populli i Perëndisë? Shpjegoni.

6 Duke nisur nga viti 1870, shërbëtorët e Perëndisë filluan të organizoheshin si grup. Në atë vit, Çarls Rasëlli dhe shokët e tij formuan një grup për të studiuar Biblën. Vëlla Rasëlli dhe shokët e tij ishin ‘lajmëtari’ i parathënë që ‘përgatiti një udhë’ para se të fillonte të qeveriste Mbretëria mesianike. (Mal. 3:1) Tani ekzistonte sërish një grup i organizuar që ishin populli i Perëndisë! A kishte në atë kohë ndonjë fuqi botërore që do të ndikonte shumë te shërbëtorët e Perëndisë? Le të shqyrtojmë faktet më poshtë.

KUSH ËSHTË MBRETI I JUGUT?

7. Kush ishte mbreti i jugut deri në vitin 1917?

7 Në vitin 1870, Britania ishte bërë perandoria më e madhe në botë dhe kishte ushtrinë më të fuqishme. Në profeci, ajo perandori paraqitej si një bri i vogël që mposhti tre brirë të tjerë—Francën, Spanjën dhe Holandën. (Dan. 7:7, 8) Britania luajti rolin e mbretit të jugut deri në vitin 1917. Në të njëjtën periudhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin bërë vendi më i pasur në botë dhe filluan të bashkëpunonin ngushtë me Britaninë.

8. Kush ka qenë mbreti i jugut gjatë ditëve të fundit?

8 Gjatë Luftës I Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Britania formuan një aleancë të fuqishme ushtarake. Kështu, në atë kohë Britania dhe ish-kolonia e saj u bënë fuqia botërore anglo-amerikane. Siç paratha Danieli, ky mbret kishte «një ushtri tejet të madhe e të fuqishme». (Dan. 11:25) Që nga ajo kohë e gjatë gjithë ditëve të fundit, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, pra aleanca anglo-amerikane, kanë qenë mbreti i jugut. * Po rolin e mbretit të veriut kush e luajti?

RISHFAQET MBRETI I VERIUT

9. Kur u rishfaq mbreti i veriut, dhe si u plotësua Danieli 11:25?

9 Më 1871, viti pasi Rasëlli dhe shokët e tij formuan grupin për studimin e Biblës, u rishfaq mbreti i veriut. Atë vit, Oto fon Bismarku luajti rol kyç në formimin e Perandorisë Gjermane. Perandori i parë i saj u bë Vilhelmi I, mbreti i Prusisë, i cili e emëroi Bismarkun kancelar. * Gjatë dekadave pasuese, Gjermania u bë fuqi kolonizuese dhe vuri nën sundimin e saj vende në Afrikë dhe në Oqeanin Paqësor. Ajo filloi të konkurronte me Britaninë për pushtet. (Lexo Danielin 11:25.) Perandoria Gjermane formoi një ushtri të fuqishme dhe flotën e dytë më të madhe në botë, të cilat i përdori kundër armiqve të saj në Luftën I Botërore.

10. Si u plotësua Danieli 11:25b, 26?

10 Më tej Danieli paratha çfarë do t’i ndodhte Perandorisë Gjermane dhe ushtrisë që kishte mobilizuar. Profecia thoshte se mbreti i veriut «nuk do të qëndrojë». Pse? «Sepse kundër tij do të thurin intriga. Rrënimi do t’i vijë nga duart e atyre që hanë ushqimet e tij të zgjedhura.» (Dan. 11:25b, 26a) Në kohën e Danielit, ndër ata që hanin nga ‘ushqimet e zgjedhura të mbretit’, ishin funksionarët e lartë «në shërbim të mbretit». (Dan. 1:5) Për cilët e ka fjalën kjo profeci? Për funksionarët e lartë të Perandorisë Gjermane—ku përfshiheshin gjeneralët dhe këshilltarët ushtarakë të perandorit—që si përfundim çuan në rënien e monarkisë. * Profecia jo vetëm parathoshte rënien e perandorisë, por edhe tregonte si do të përfundonte lufta me mbretin e jugut. Ajo thoshte për mbretin e veriut: «Ushtria e tij do të zhduket dhe shumë veta do të bien të vrarë.» (Dan. 11:26b) Tamam siç ishte parathënë, në Luftën I Botërore, ushtria gjermane ‘u zhduk’ dhe shumë ‘ranë të vrarë’. Ajo ishte lufta më e përgjakshme në historinë botërore deri atëherë.

11. Çfarë bënë mbreti i veriut dhe mbreti i jugut?

11 Duke folur për kohën para Luftës I Botërore, Danieli 11:27, 28 tregonte se mbreti i veriut dhe mbreti i jugut ‘do të uleshin në të njëjtën tryezë e do të thoshin gënjeshtra’. Gjithashtu parathoshte se mbreti i veriut do të grumbullonte «një sasi të madhe të mirash materiale». E ndodhi fiks kështu. Gjermania dhe Britania i thanë njëra-tjetrës se donin paqe por, kur shpërtheu lufta më 1914, doli se ato deklarata ishin gënjeshtra. Veç kësaj, në dekadat para vitit 1914, Gjermania u pasurua dhe u bë vendi i dytë më i pasur në botë. Pastaj, në përmbushje të Danielit 11:29 dhe pjesës së parë të vargut 30, Gjermania luftoi me mbretin e jugut, por u mund.

MBRETËRIT LUFTOJNË KUNDËR POPULLIT TË PERËNDISË

12. Çfarë bënë mbreti i veriut dhe mbreti i jugut në Luftën I Botërore?

12 Që nga viti 1914, dy mbretërit e kanë ashpërsuar luftën kundër njëri-tjetrit dhe kundër popullit të Perëndisë. Për shembull, në Luftën I Botërore, edhe qeveria e Gjermanisë edhe qeveria e Britanisë përndoqën ata shërbëtorë të Perëndisë që nuk pranonin të merrnin armët. Përveç kësaj, në përmbushje të profecisë së Zbulesës 11:7-10, qeveria e SHBA-së hodhi në burg ata që merrnin drejtimin në veprën e predikimit.

13. Çfarë bëri mbreti i veriut në vitet 30 dhe gjatë Luftës II Botërore?

13 Më pas, në vitet 30 dhe sidomos gjatë Luftës II Botërore, mbreti i veriut sulmoi egërsisht popullin e Perëndisë. Kur në Gjermani mori pushtetin partia naziste, Hitleri dhe pasuesit e tij e ndaluan veprën e popullit të Perëndisë. Kundërshtarët vranë qindra shërbëtorë të Jehovait dhe mijëra të tjerë i futën në kampe përqendrimi. Këto ngjarje ishin parathënë nga Danieli. Mbreti i veriut e kufizoi në masë ekstreme lirinë e shërbëtorëve të Perëndisë për të lëvduar publikisht emrin e Jehovait, e kështu ‘përdhosi shenjtëroren’ dhe ‘hoqi flijimin e vazhdueshëm’. (Dan. 11:30b, 31a) Madje udhëheqësi i Gjermanisë naziste, Hitleri, u betua se do ta shfaroste popullin e Perëndisë në Gjermani.

DEL NJË MBRET TJETËR I VERIUT

14. Kush u bë mbreti i veriut pas Luftës II Botërore? Shpjegoni.

14 Pas Luftës II Botërore, qeveria komuniste e Bashkimit Sovjetik filloi të ushtronte pushtet mbi territoret e paana që i kishte marrë Gjermanisë. Ashtu si regjimi totalitar nazist, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij treguan armiqësi të madhe ndaj kujtdo që vinte adhurimin e Perëndisë së vërtetë para bindjes absolute ndaj shtetit, e kështu u bënë mbreti i veriut.

15. Çfarë bëri mbreti i veriut pasi mbaroi Lufta II Botërore?

15 Pak pasi mbaroi Lufta II Botërore, mbreti i ri i veriut, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij, nisi sulmin kundër popullit të Perëndisë. Në harmoni me profecinë e Zbulesës 12:15-17, ky mbret ndaloi veprën tonë të predikimit dhe internoi në Siberi mijëra shërbëtorë të Jehovait. Në fakt, gjatë gjithë ditëve të fundit, nëpërmjet mbretit të veriut, Satanai ka vjellë «një lumë» përndjekjesh duke u orvatur më kot të ndalë veprën e popullit të Perëndisë. *

16. Si e plotësoi Bashkimi Sovjetik profecinë e Danielit 11:37-39?

16 Lexo Danielin 11:37-39. Në përmbushje të profecisë, mbreti i veriut nuk tregoi aspak «respekt për Perëndinë e etërve të tij». Në ç’mënyrë? Me synimin për të eliminuar fetë, Bashkimi Sovjetik u përpoq të minonte pushtetin e feve kryesore. Si? Për shembull, në vitin 1918, shteti sovjetik kishte nxjerrë një urdhër në lidhje me shkollat dhe fenë. Si pasojë e tij, më vonë në shkolla filloi të mësohej ateizmi. Si i dha «lavdi perëndisë së fortesave» ky mbret i veriut? Bashkimi Sovjetik harxhoi një shumë marramendëse parash për ushtrinë dhe për të prodhuar mijëra armë bërthamore që të forconte pushtetin e vet. Me kalimin e kohës, mbreti i veriut dhe mbreti i jugut mblodhën aq shumë armë të fuqishme, sa të vritnin miliarda njerëz!

NJË BASHKËPUNIM I RRALLË

17. Çfarë është ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’?

17 Me gjithë konfliktin mes tyre, mbreti i veriut e mbështeti mbretin e jugut në një iniciativë të rëndësishme—ata ‘vunë në vend gjënë e neveritshme që shkakton shkretim’. (Dan. 11:31) Kjo ‘gjë e neveritshme’ është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

18. Pse Kombet e Bashkuara përshkruhen si një ‘gjë e neveritshme që shkakton shkretim’?

18 Kombet e Bashkuara përshkruhen si një ‘gjë e neveritshme’ sepse deklarojnë që janë në gjendje të bëjnë diçka që mund ta bëjë vetëm Mbretëria e Perëndisë—të sjellin paqen në botë. Gjithashtu, profecia thotë se gjëja e neveritshme «shkakton shkretim» sepse Kombet e Bashkuara do të luajnë një rol thelbësor në shkatërrimin e gjithë feve të rreme.—Shih tabelën «Mbretërit rivalë në kohën e fundit».

PSE KEMI NEVOJË TA DIMË KËTË HISTORI?

19-20. (a) Pse kemi nevojë ta dimë këtë histori? (b) Cila pyetje do të marrë përgjigje në artikullin tjetër?

19 Kemi nevojë ta dimë këtë histori, sepse ajo provon se nga viti 1870 deri në vitin 1991 është përmbushur profecia e Danielit për mbretin e veriut dhe mbretin e jugut. Prandaj mund të kemi besim se edhe pjesa tjetër e kësaj profecie do të bëhet realitet.

20 Në vitin 1991, Bashkimi Sovjetik ra. Atëherë, kush e luan sot rolin e mbretit të veriut? Përgjigjen e gjejmë në artikullin tjetër.

KËNGA 128 Qëndro deri në fund

^ par. 5 Sot shohim dëshmi se profecia e Danielit për «mbretin e veriut» dhe «mbretin e jugut» vazhdon të plotësohet. Pse jemi kaq të sigurt? Dhe pse kemi nevojë ta kuptojmë me hollësi këtë profeci?

^ par. 5 Për arsyen që përmendet këtu, nuk është më me vend që perandori romak Aureliani (270-275 i e.s.) të jetë një «mbret i veriut» ose që mbretëresha Zenobia (267-272 i e.s.) të jetë një «mbret i jugut». Kjo përditëson atë që është botuar në kapitujt 13 dhe 14 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!

^ par. 9 Në vitin 1890, kajzeri Vilhelm II e detyroi Bismarkun të jepte dorëheqjen.

^ par. 10 Ata e përshpejtuan rënien e perandorisë në shumë mënyra. Për shembull, nuk e mbështetën më kajzerin, zbuluan informacione sekrete për humbjet në luftë dhe e detyruan kajzerin të jepte dorëheqjen.

^ par. 15 Siç tregon Danieli 11:34, përndjekja kundër Dëshmitarëve që jetonin nën mbretin e veriut, u ndal për pak kohë. Kjo ndodhi, për shembull, kur ra Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.