Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 18

A do të lëkundet besimi yt për shkak të Jezuit?

A do të lëkundet besimi yt për shkak të Jezuit?

«Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»​—MAT. 11:6.

KËNGA 54 «Kjo është udha»

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë mund të të ketë çuditur në fillim kur u përpoqe t’u tregoje të tjerëve atë që mëson Bibla?

A TË kujtohet momenti kur kuptove se kishe gjetur të vërtetën? Ato që mësoje nga Bibla, të dukeshin të qarta kristal. Mendoje se çdo njeri do të ishte i lumtur t’i dëgjonte gjërat që po mësoje. Ishe i bindur se mesazhi i Biblës do t’i ndihmonte të kishin një jetë domethënëse dhe një shpresë fantastike për të ardhmen. (Psal. 119:105) Prandaj u flisje plot entuziazëm gjithë miqve dhe të afërmve për të vërtetat që kishe mësuar. Por si reaguan? Për çudinë tënde, shumë prej tyre s’donin t’ia dinin për ato që u tregoje.

2-3. Si e priti shumica e njerëzve Jezuin dhe mesazhin e tij në shekullin e parë?

2 Asnjë nga ne nuk ka pse të çuditet kur të tjerët nuk e pranojnë mesazhin që predikojmë. Në kohën e Jezuit, shumica nuk besuan tek ai edhe pse bëri mrekulli që provonin se kishte mbështetjen e Perëndisë. Për shembull, Jezui ringjalli Lazarin—një mrekulli që kundërshtarët e tij nuk e mohonin dot. Prapëseprapë, krerët judenj nuk besuan se Jezui ishte Mesia. Madje donin t’i vritnin edhe Jezuin, edhe Lazarin.—Gjoni 11:47, 48, 53; 12:9-11.

3 Jezui e dinte se shumica e njerëzve nuk do ta besonin se ishte Mesia. (Gjoni 5:39-44) Ai u tha dy dishepujve të Gjon Pagëzorit: «Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!» (Mat. 11:2, 3, 6) Pse aq shumë veta dyshuan dhe e hodhën poshtë Jezuin?

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull dhe në atë që vijon, do të shqyrtojmë një varg arsyesh pse shumë veta në shekullin e parë nuk treguan besim te Jezui. Do të shohim edhe pse shumë veta sot nuk e pranojnë mesazhin tonë. Mbi të gjitha, do të shohim çfarë mund të bëjmë për të pasur besim të fortë te Jezui, në mënyrë që të mos lëkundemi.

(1) PREJARDHJA E JEZUIT

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin për shkak të prejardhjes së tij. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 5) *

5. Pse disa mund të kenë menduar se Jezui nuk mund të ishte Mesia i parathënë?

5 Shumë veta e shihnin me mosbesim Jezuin për shkak të prejardhjes së tij. Ata e pranonin se Jezui ishte një mësues i jashtëzakonshëm dhe se bënte mrekulli. Por për ta, ai ishte veçse biri i një zdrukthëtari të thjeshtë. Gjithashtu ishte nga Nazareti, një qytet që ndoshta shihej si i parëndësishëm. Madje edhe Natanaeli, që u bë dishepull i Jezuit, në fillim tha: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?» (Gjoni 1:46) Mbase Natanaelit i dukej i papërfillshëm qyteti ku jetonte atëherë Jezui. Ose ndoshta kishte në mendje profecinë te Mikea 5:2, që parathoshte se Mesia do të lindte në Betlehem, jo në Nazaret.

6. Çfarë duhej t’i kishte ndihmuar njerëzit në kohën e Jezuit që ta pranonin se ai ishte Mesia?

6 Çfarë thonë Shkrimet? Profeti Isaia paratha se armiqtë e Jezuit s’do të merreshin «me hollësitë e prejardhjes» së Mesisë. (Isa. 53:8) Shumë prej atyre hollësive përmendeshin në profeci. Sikur t’i kishin shqyrtuar mirë të gjitha faktet, njerëzit në kohën e Jezuit do ta kishin marrë vesh se ai kishte lindur në Betlehem dhe se ishte pasardhës i mbretit David. (Luka 2:4-7) Në fakt, Jezui kishte lindur në qytetin e profetizuar te Mikea 5:2. Ku qëndronte problemi, pra? Ata nxirrnin me vrap përfundime, pa i ditur të gjitha faktet. Si pasojë nuk patën besim te Jezui.

7. Pse shumë veta sot i shohin me mosbesim shërbëtorët e Jehovait?

7 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumica e shërbëtorëve të Jehovait nuk janë njerëz të pasur ose të famshëm, prandaj shumë veta i shohin si «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) Disa mendojnë se ata nuk mund t’u mësojnë Biblën të tjerëve, ngaqë nuk janë diplomuar në shkolla teologjike me emër. Kurse disa i quajnë Dëshmitarët e Jehovait «një fe amerikane», ndonëse në realitet vetëm afro 14 për qind e tyre jetojnë në Shtetet e Bashkuara. E disa të tjerë kanë dëgjuar se Dëshmitarët nuk besojnë te Jezui. Ndër vite, atyre u janë vënë etiketa, si «komunistë», «spiunë të amerikanëve» dhe «ekstremistë». Ngaqë nuk i dinë ose nuk i pranojnë faktet, ata që dëgjojnë histori të tilla, ngurrojnë të bëhen pjesë e popullit të Jehovait.

8. Sipas Veprave 17:11, çfarë duhet të bëjë dikush që të sigurohet se cilët janë shërbëtorët e Perëndisë sot?

8 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Çdo njeri ka nevojë të shqyrtojë faktet. Tamam këtë ishte i vendosur të bënte Luka, një shkrimtar i ungjijve. Ai punoi pa u lodhur që të gjurmonte «me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi». Donte që lexuesit e tij ‘të ishin plotësisht të sigurt se gjërat’ që kishin dëgjuar për Jezuin, ‘ishin të besueshme’. (Luka 1:1-4) Banorët judenj të Beresë së lashtë ishin si Luka. Kur e dëgjuan për herë të parë lajmin e mirë për Jezuin, ata shqyrtuan Shkrimet Hebraike për t’u siguruar se ajo që po dëgjonin, ishte e vërtetë. (Lexo Veprat 17:11.) Edhe sot çdo njeri duhet të shqyrtojë faktet. Duhet ta krahasojë atë që i mësojnë shërbëtorët e Jehovait me atë që thonë Shkrimet. Gjithashtu duhet të studiojë historinë e popullit të Jehovait në kohën tonë. Po të bëjë kërkimet e duhura, nuk do të lejojë ta verbojnë paragjykimet ose llafet që dëgjon lart e poshtë.

(2) JEZUI NUK PRANOI TË BËNTE SHENJA SPEKTAKOLARE

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë nuk pranoi të bënte shenja spektakolare. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafët 9-10) *

9. Çfarë ndodhi kur Jezui nuk pranoi të tregonte një shenjë nga qielli?

9 Në kohën e Jezuit, disave nuk u mjaftonin gjërat e mahnitshme që u mësonte ai. Donin diçka më tepër. Ata i kërkuan t’u tregonte «një shenjë nga qielli» për të provuar se ishte Mesia. (Mat. 16:1) Mbase kërkesa e tyre nisej nga një keqinterpretim i Danielit 7:13, 14. Gjithsesi, nuk ishte ajo koha kur Jehovai do ta përmbushte atë profeci. Gjërat që u mësonte Jezui, duhej t’u kishin mjaftuar që të bindeshin se ai ishte Mesia. Por, kur Jezui nuk pranoi t’u jepte shenjën që po kërkonin, nuk besuan tek ai.—Mat. 16:4.

10. Si e plotësoi Jezui atë që kishte shkruar Isaia për Mesinë?

10 Çfarë thonë Shkrimet? Profeti Isaia shkroi për Mesinë: «Nuk do të bërtasë dhe nuk do ta ngrejë zërin. Zëri nuk do t’i dëgjohet në rrugë.» (Isa. 42:1, 2) Jezui shërbeu këtu në tokë me modesti dhe pa bujë. Nuk ndërtoi tempuj mbresëlënës, nuk mbante veshje fetare që binin në sy e as pretendonte ta thërritnin me tituj fetarë pompozë. Kur po e gjykonin për ta dënuar me vdekje, Jezui nuk u përpoq t’i bënte përshtypje mbretit Herod duke kryer ndonjë mrekulli. (Luka 23:8-11) Vërtet Jezui bëri disa mrekulli në tokë, por boshti i jetës së tij ishte predikimi i lajmit të mirë. «Për këtë kam ardhur»,—u tha ai dishepujve të tij.—Mar. 1:38.

11. Çfarë presin disa nga shërbëtorët e Perëndisë?

11 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumë vetave u lënë mbresë katedralet hijerënda me vepra arti tepër të shtrenjta, klerikët me tituj madhështorë dhe ceremonitë me origjina e domethënie thuajse të harruara. Po çfarë mësojnë vallë për Perëndinë e për qëllimet e tij ata që ndjekin shërbesat fetare?! Kush ndjek mbledhjet tona, mëson çfarë kërkon Jehovai prej nesh dhe si të jetojë në harmoni me vullnetin e tij. Sallat tona të Mbretërisë janë të pastra dhe praktike, por jo ekstravagante. Ata që marrin drejtimin, nuk mbajnë veshje që bien në sy e as tituj pompozë. Burimi i asaj që mësojmë dhe besojmë, është Fjala e Perëndisë. E prapëseprapë, shumë veta nuk e pranojnë mesazhin tonë, ngaqë u duket tepër modeste mënyra si e adhurojmë Perëndinë. Gjithashtu, gjërat që mësojmë nuk u shkojnë për shtat.

12. Siç kuptojmë nga Hebrenjve 11:1, 6, ku duhet ta bazojmë besimin tonë?

12 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Apostulli Pavël u tha të krishterëve që jetonin në Romë: «Besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar, dhe dikush dëgjon kur shpallet fjala për Krishtin.» (Rom. 10:17) Pra, besimin e forcojmë kur studiojmë Fjalën e Perëndisë, jo kur marrim pjesë në ceremoni fetare që bien ndesh me Shkrimet, sado salltanete e zbukurime të kenë. Duhet të zhvillojmë një besim të fortë që bazohet te njohuria e saktë, sepse «pa besim është e pamundur të kesh vërtet pëlqimin e Perëndisë». (Lexo Hebrenjve 11:1, 6.) Prandaj s’kemi nevojë për ndonjë shenjë spektakolare nga qielli që të na sigurojë se kemi gjetur të vërtetën. Një shqyrtim i kujdesshëm i mësimeve besimforcuese të Biblës na mjafton që të jemi të bindur për këtë dhe të largojmë çfarëdo dyshimi.

(3) JEZUI NUK NDIQTE MJAFT TRADITA JUDAIKE

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë nuk ndiqte disa tradita. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 13) *

13. Pse shumë veta e përbuzën Jezuin dhe nuk treguan besim tek ai?

13 Në kohën e Jezuit, dishepujt e Gjon Pagëzorit u çuditën që dishepujt e Jezuit nuk agjëronin. Jezui u shpjegoi se dishepujt e tij s’kishin pse të agjëronin për sa kohë që ai ishte gjallë. (Mat. 9:14-17) Prapëseprapë, farisenjtë dhe kundërshtarë të tjerë të Jezuit flitnin keq për të, ngaqë nuk ndiqte zakonet dhe traditat e tyre. Acaroheshin tej mase kur ai shëronte në Sabat. (Mar. 3:1-6; Gjoni 9:16) Nga njëra anë thoshin gjithë devocion se e respektonin Sabatin, nga ana tjetër lejonin pa pikë turpi të bëhej tregti në tempull. Ata u tërbuan nga inati kur Jezui i dënoi për këtë. (Mat. 21:12, 13, 15) Edhe judenjtë të cilëve u predikoi në sinagogën e Nazaretit, u mbushën me zemërim kur Jezui përdori paralele nga historia e Izraelit që nxirrnin në shesh se ishin egoistë e nuk kishin besim. (Luka 4:16, 25-30) Ngaqë Jezui vepronte në një mënyrë që s’e prisnin, shumë veta e përbuzën dhe nuk treguan besim tek ai.—Mat. 11:16-19.

14. Pse i dënoi Jezui traditat njerëzore që binin ndesh me Shkrimet?

14 Çfarë thonë Shkrimet? Jehovai tha nëpërmjet profetit Isaia: «Ky popull më afrohet veçse me fjalë e më nderon veçse me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë, dhe më adhurojnë duke u bazuar veçse në urdhërime njerëzish.» (Isa. 29:13) Jezui i dënoi me të drejtë ato tradita njerëzore që binin ndesh me Shkrimet. Ata që i vinin rregullat dhe traditat e sajuara nga njerëzit mbi Shkrimet, hidhnin poshtë Jehovain dhe atë që kishte dërguar si Mesia.

15. Pse shumë veta sot i kanë zët Dëshmitarët e Jehovait?

15 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumë veta acarohen kur Dëshmitarët e Jehovait nuk ndjekin bashkë me ta tradita që bien ndesh me Shkrimet, si festimi i ditëlindjeve dhe i Krishtlindjeve. Të tjerë zemërohen kur Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në festime patriotike ose nuk ndjekin disa zakone funerali që Fjala e Perëndisë tregon se janë të gabuara. Ata që acarohen nga gjëra të tilla, mbase besojnë sinqerisht se Perëndia e pranon mënyrën si po e adhurojnë. Por është e pamundur ta kënaqin Perëndinë nëse zgjedhin traditat njerëzore në vend të mësimeve të qarta të Biblës.—Mar. 7:7-9.

16. Sipas Psalmit 119:97, 113, 163-165, çfarë duhet të bëjmë dhe nga çfarë duhet të rrimë larg?

16 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Duhet të ushqejmë dashuri të thellë për ligjet dhe parimet e Jehovait. (Lexo Psalmin 119:97, 113, 163-165.) Nëse e duam Jehovain, nuk do të ndjekim asnjë traditë që e ofendon. Nuk do të lejojmë asnjë gjë të bëhet më e rëndësishme se dashuria për Jehovain.

(4) JEZUI NUK DHA ZGJIDHJE POLITIKE TË MENJËHERSHME

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë nuk përfshihej në çështjet politike. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 17) *

17. Në kohën e Jezuit, çfarë pritnin shumë veta nga Mesia?

17 Disa në kohën e Jezuit donin një ndryshim të menjëhershëm të qeverisë. Ata pritnin që Mesia t’i çlironte nga zgjedha romake. Por, kur u përpoqën ta bënin mbret, Jezui refuzoi. (Gjoni 6:14, 15) Të tjerë—ku përfshiheshin edhe priftërinjtë—kishin frikë se mos Jezui bënte ndonjë reformë politike. Atëherë romakët do të acaroheshin dhe do t’u hiqnin krerëve fetarë pushtetin që u kishin dhënë. Nga shqetësimi i tepërt për çështjet politike, shumë judenj nuk treguan besim te Jezui.

18. Cilat profeci për Mesinë shpërfillnin shumë veta?

18 Çfarë thonë Shkrimet? Ndonëse shumë profeci parathoshin se në fund Mesia do të ishte një Luftëtar triumfues, profeci të tjera tregonin se në fillim ai duhej të vdiste për mëkatet tona. (Isa. 53:9, 12) Atëherë pse shumë judenj pritnin gjëra të paqena nga Jezui? Sepse shpërfillnin çdo profeci që nuk premtonte zgjidhje të menjëhershme për problemet e tyre.—Gjoni 6:26, 27.

19. Pse shumë veta nuk e pranojnë mesazhin tonë?

19 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumë veta sot na shohin me mosbesim e përçmim për shkak të qëndrimit tonë asnjanës në politikë. Ata presin që të votojmë në zgjedhje. Por po të zgjedhim të na qeverisë një udhëheqës njerëzor, atëherë po hedhim poshtë Jehovain. (1 Sam. 8:4-7) Shumë veta ndoshta presin nga ne të ndërtojmë shkolla e spitale ose të bëjmë vepra të tjera bamirëse. Ngaqë i përqendrojmë përpjekjet te vepra e predikimit, jo te zgjidhja e menjëhershme e problemeve të botës, ata nuk e pranojnë mesazhin tonë.

20. Siç e theksoi Jezui te Mateu 7:21-23, çfarë duhet të kemi në qendër të jetës?

20 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? (Lexo Mateun 7:21-23.) Gjëja kryesore në jetën tonë duhet të jetë të bëjmë veprën që na ka caktuar Jezui. (Mat. 28:19, 20) Kurrë nuk duhet të lejojmë të na shpërqendrojnë çështjet politike dhe sociale të kësaj bote. I duam njerëzit dhe shqetësohemi për problemet e tyre, por e dimë se mënyra më e mirë për t’i ndihmuar është t’i mësojmë për Mbretërinë e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë të bëhen miq të Jehovait.

21. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

21 Në këtë artikull kemi shqyrtuar katër gjëra që i penguan shumë veta në shekullin e parë të mos besonin te Jezui. Të njëjtat gjëra mund t’i shtyjnë disa sot t’i shohin me mosbesim dishepujt e Jezuit. Por a janë këto të vetmet pengesa që duhen shmangur? Jo. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë katër pengesa të tjera. Qofshim të vendosur ta mbajmë të fortë besimin e të mos lëkundemi kurrë!

KËNGA 56 E jetoj çdo ditë të vërtetën

^ par. 5 Edhe pse Jezui ishte Mësuesi më i madh në historinë njerëzore, shumica në kohën e tij nuk besuan tek ai. Pse? Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër arsye. Gjithashtu do të shohim pse shumë veta sot i pengon ajo që bëjnë dishepujt e vërtetë të Jezuit dhe nuk e pranojnë mesazhin e tyre. Mbi të gjitha, do të shohim çfarë mund të bëjmë ne për të pasur besim të fortë te Jezui që të mos lëkundemi. Ky artikull dhe tjetri do të ndihmojnë në veçanti ata që shoqërohen me Dëshmitarët, por ngurrojnë të bëhen pjesë e popullit të Jehovait.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Filipi inkurajon Natanaelin të takojë Jezuin.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui predikon lajmin e mirë.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui shëron një burrë me dorë të paralizuar ndërsa kundërshtarët e tij po e shohin.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui ngjitet në një mal që të rrijë vetëm.