Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Në kohët kur u shkrua Bibla, a përdorej papirusi për të ndërtuar varka?

Kallama papirusi

ËSHTË fakt i mirënjohur se papirusi ishte materiali kryesor për të shkruar në Egjiptin e lashtë. Edhe grekët e romakët shkruanin në letër papirusi. * Por jo shumë veta e dinë se papirusi përdorej jo vetëm për të shkruar, por edhe për të ndërtuar varka.

Dy modele varkash papirusi të gjetura brenda një varri egjiptian

Mbi 2.700 vjet më parë, profeti Isaia shkroi se ata që jetonin «në rajonin e lumenjve të Etiopisë», nisnin nëpërmjet detit «të dërguarit e vet me anije papirusi». Kohë më vonë, profeti Jeremia paratha se kur medët dhe persët të pushtonin qytetin e Babilonisë, do t’u vinin zjarrin «varkave të bëra me papirus» që babilonasit të mos ia mbathnin dot.—Isa. 18:1, 2; Jer. 51:32.

Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia. Prandaj ata që e studiojnë Biblën, nuk habiten që zbulimet arkeologjike tregojnë se papirusi përdorej vërtet për të ndërtuar varka në kohët kur u shkrua Bibla. (2 Tim. 3:16) Çfarë kanë zbuluar arkeologët? Kanë gjetur dëshmi të hollësishme se në Egjipt ndërtoheshin varka papirusi.

SI NDËRTOHESHIN VARKAT PREJ PAPIRUSI?

Në varret egjiptiane janë gjetur vizatime dhe relieve ku paraqitet si mblidhej papirusi dhe si ndërtoheshin varkat. Kallamat e papirusit priteshin, lidheshin në tufa e pastaj tufat lidheshin fort me njëra-tjetrën në duaj. Kallamat e papirusit kanë formë trekëndëshi, prandaj kur lidhen bashkë, formojnë duaj të fortë e të ngjeshur mirë. Sipas një vepre (A Companion to Ancient Egypt), varkat e papirusit mund të ishin rreth 17 metra të gjata, pra në secilën anë kishte hapësirë për 10 a 12 rrema.

Reliev egjiptian që paraqet ndërtimin e një varke papirusi

PSE PËRDORNIN PAPIRUS NDËRTUESIT E VARKAVE?

Papirusi rritej gjithandej në luginën e Nilit. Veç kësaj, nuk ishte shumë e vështirë të ndërtoje varka me papirus. Edhe kur materiali kryesor për ndërtimin e anijeve u bë druri, duket se peshkatarët dhe gjuetarët vazhdonin të përdornin lundra dhe varka papirusi.

Në lashtësi, varkat e papirusit u përdorën gjerësisht për shekuj të tërë. Sipas Plutarkut, një shkrimtar grek që jetoi në shekullin e parë dhe të dytë të e.s., varkat e papirusit vazhdonin të përdoreshin edhe nga bashkëkohësit e tij.

^ par. 3 Bimët e papirusit rriten në moçalishte dhe në ujëra të ndenjura. Papirusi mund të bëhet afro 5 metra i gjatë, dhe kërcelli në rrëzë mund të ketë një diametër rreth 15 centimetra.