Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 19

Asgjë nuk i lëkund ata që e duan Jehovain

Asgjë nuk i lëkund ata që e duan Jehovain

«Ata që e duan ligjin tënd, gëzojnë paqe të pafund e s’ka gjë që t’i pengojë.»—PSAL. 119:165.

KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë tha një shkrimtar, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

SOT miliona veta thonë se besojnë te Jezui, ama nuk veprojnë sipas asaj që mësoi ai. (2 Tim. 4:3, 4) Në fakt, një shkrimtar tha: «Po të kishim sot mes nesh një Jezu tjetër që do të na fliste njësoj si Jezui i shekullit të parë . . . , a do ta hidhnim poshtë si 2.000 vjet më parë? . . . Me veprimet dhe qëndrimin e tyre, shumica përgjigjen: ‘Po, do ta hidhnim poshtë.’»

2 Shumë veta në shekullin e parë i dëgjuan mësimet e Jezuit dhe i panë mrekullitë që bëri, por nuk treguan besim tek ai. Pse? Në artikullin e kaluar shqyrtuam katër arsye pse njerëzit e panë me mosbesim Jezuin dhe nuk e pranuan mesazhin e tij. Le të ndalemi te katër arsye të tjera. Gjithashtu do të kuptojmë pse njerëzit sot i shohin me mosbesim dishepujt e Jezuit, si edhe çfarë mund të bëjmë që të mos na lëkundet besimi. Siç u përmend në artikullin e kaluar, edhe ky artikull do të ndihmojë ata që ngurrojnë të bëhen pjesë e popullit të Jehovait.

(1) JEZUI ISHTE I PAANSHËM

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin për shkak të njerëzve me të cilët shoqërohej. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 3) *

3. Cilat zgjedhje të Jezuit bënë që disa ta hidhnin poshtë?

3 Kur ishte në tokë, Jezui shoqërohej me lloj-lloj njerëzish. Shtrohej për të ngrënë me të pasurit e të pushtetshmit, por kalonte shumë kohë edhe me të varfrit e të shtypurit. Veç kësaj, i trajtonte me dhembshuri ata që shumica i shihte si ‘mëkatarë’. Disa që e mbanin veten për të drejtë, e hodhën poshtë Jezuin për shkak të zgjedhjeve të tilla. Ata i pyetën dishepujt e tij: «Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?» Përgjigjja e Jezuit ishte: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po. Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët, që të pendohen.»—Luka 5:29-32.

4. Sipas profetit Isaia, çfarë duhej të kishin pritur judenjtë për Mesinë?

4 Çfarë thonë Shkrimet? Shumë kohë para ardhjes së Mesisë, profeti Isaia paratha se bota nuk do ta pranonte. Profecia thoshte: «Njerëzit e përbuzën dhe e mënjanuan . . . Askush nuk ia hodhi as sytë, e përbuzën, dhe ne nuk e çmuam aspak.» (Isa. 53:3) Përderisa ishte profetizuar se «njerëzit» do ta mënjanonin Mesinë, judenjtë e shekullit të parë duhej ta kishin pritur që Jezuin ta përbuznin e ta hidhnin poshtë.

5. Si i shohin shumë veta sot dishepujt e Jezuit?

5 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumë klerikë pranojnë si anëtarë të komuniteteve ose kongregacioneve të tyre njerëz të shquar, të pasur dhe që bota i mban për të mençur. I pranojnë krahëhapur edhe pse shpesh normat morale dhe stili i jetesës së këtyre anëtarëve të rinj shkelin standardet e Perëndisë. Ndërkohë, këta klerikë i shohin me përbuzje shumë shërbëtorë të Jehovait që janë të zellshëm dhe të pastër moralisht, vetëm ngaqë për botën janë të papërfillshëm. Ashtu siç tha Pavli, Perëndia zgjedh njerëz që për shumicën janë ‘të përçmuar’. (1 Kor. 1:26-29) Por në sytë e Jehovait, shërbëtorët e tij besnikë janë të gjithë të çmuar.

6. Çfarë tha Jezui te Mateu 11:25, 26, dhe si mund ta imitojmë qëndrimin e tij?

6 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? (Lexo Mateun 11:25, 26.) Mos lejo të infektohesh nga pikëpamja e botës për shërbëtorët e Perëndisë. Mbaj parasysh se Jehovai përdor vetëm njerëz të përulur që të bëjnë vullnetin e tij. (Psal. 138:6) Mendo sa shumë gjëra ka realizuar duke përdorur ata që nuk janë të mençur ose intelektualë në sytë e botës.

(2) JEZUI HODHI POSHTË IDETË E GABUARA

7. Pse Jezui i quajti farisenjtë hipokritë, dhe si reaguan ata?

7 Jezui demaskoi me guxim mënyrën si vepronin krerët fetarë hipokritë. Për shembull, ai nxori në shesh hipokrizinë e farisenjve, të cilët merakoseshin më tepër të lanin mirë e mirë duart sesa të kujdeseshin siç duhej për prindërit. (Mat. 15:1-11) Dishepujt e Jezuit mbase u çuditën nga fjalët e tij, prandaj e pyetën: «A e di që farisenjtë u skandalizuan kur dëgjuan atë që the?» Jezui iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të shkulet me rrënjë. Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. E nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.» (Mat. 15:12-14) Jezui nuk lejoi që reagimi negativ i krerëve fetarë ta frenonte të thoshte të vërtetën.

8. Si e bëri të qartë Jezui se Perëndia nuk i miraton të gjitha bindjet fetare?

8 Jezui hodhi poshtë edhe mësimet e rreme fetare. Ai nuk tha se Perëndia i miraton të gjitha bindjet fetare. Përkundrazi, tha se shumë veta do të ecnin në rrugën e gjerë që çon në shkatërrim, por vetëm pak do të ecnin në rrugën e ngushtë që çon në jetë. (Mat. 7:13, 14) Jezui e tha troç se disa do të dukej sikur i shërbenin Perëndisë, por në realitet nuk i shërbenin atij. Ai paralajmëroi: «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër të pangopur. Do t’i njihni ata nga frytet e tyre.»—Mat. 7:15-20.

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë demaskonte praktikat dhe mësimet e rreme. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 9) *

9. Cilat janë disa mësime të rreme fetare që përgënjeshtroi Jezui?

9 Çfarë thonë Shkrimet? Ishte profetizuar se Mesinë do ta përpinte zelli për shtëpinë e Jehovait. (Psal. 69:9; Gjoni 2:14-17) Zelli për adhurimin e vërtetë e shtyu Jezuin të demaskonte praktikat dhe bindjet e gabuara fetare. Për shembull, farisenjtë besonin se shpirti është i pavdekshëm. Por Jezui mësoi se të vdekurit janë si në gjumë. (Gjoni 11:11) Saducenjtë nuk besonin se njerëzit mund të ringjallen. Por Jezui e ringjalli mikun e tij, Lazarin. (Gjoni 11:43, 44; Vep. 23:8) Farisenjtë mësonin se çdo gjë është e shkruar ose e ka në dorë Perëndia. Por Jezui mësoi se njerëzit mund të zgjedhin nëse do t’i shërbejnë Perëndisë apo jo.—Mat. 11:28.

10. Pse shumë veta na shohin shtrembër për shkak të asaj që mësojmë?

10 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Shumë veta na shohin shtrembër ngaqë mësimet tona të bazuara në Bibël demaskojnë doktrinat e rreme fetare. Klerikët u mësojnë besimtarëve se Perëndia i ndëshkon të ligjtë në ferr. Këtë mësim të rremë e përdorin që t’i mbajnë njerëzit nën pushtetin e tyre. Ata që adhurojnë Jehovain, Perëndinë e dashurisë, e përgënjeshtrojnë këtë mësim të rremë. Klerikët mësojnë edhe se shpirti është i pavdekshëm. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë ringjallja do të ishte e panevojshme. Ne japim prova se doktrina e shpirtit të pavdekshëm ka origjinë pagane. E krejt ndryshe nga shumë fe që besojnë se çdo gjë është e shkruar ose në dorë të fatit, ne mësojmë se njeriu ka vullnet të lirë dhe mund të zgjedhë t’i shërbejë Perëndisë. Cili është reagimi i udhëheqësve fetarë? Shpesh vlojnë nga inati kur demaskohen këto mësime të rreme!

11. Sipas fjalëve të Jezuit të dokumentuara te Gjoni 8:45-47, çfarë kërkon Perëndia nga shërbëtorët e tij?

11 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Nëse e duam të vërtetën, duhet t’ua vëmë veshin fjalëve të Perëndisë. (Lexo Gjonin 8:45-47.) Ndryshe nga Satana Djalli, ne i qëndrojmë besnikë së vërtetës. Nuk veprojmë asnjëherë në kundërshtim me bindjet tona. (Gjoni 8:44) Perëndia kërkon që shërbëtorët e tij ‘ta urrejnë thellësisht të keqen’ dhe ‘të kapen fort pas së mirës’, ashtu siç bëri Jezui.—Rom. 12:9; Hebr. 1:9.

(3) JEZUIN E PËRNDOQËN

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë vdiq në një shtyllë. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafin 12) *

12. Pse mënyra si vdiq Jezui u bë shkak pengese për shumë judenj?

12 Cila ishte një gjë tjetër që i pengoi shumë judenj të besonin te Jezui? Pavli tha: «Ne predikojmë për Krishtin që u ekzekutua në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese.» (1 Kor. 1:23) Pse mënyra si vdiq Jezui u bë shkak pengese për shumë judenj? Jezui vdiq në një shtyllë, prandaj e panë si kriminel dhe mëkatar—jo si Mesia.—Ligj. 21:22, 23.

13. Çfarë nuk deshën të besonin ata që e hodhën poshtë Jezuin?

13 Ata judenj që e hodhën poshtë Jezuin, nuk deshën të besonin se ai ishte i pafajshëm, se akuzat kundër tij ishin të rreme dhe se e trajtuan padrejtësisht. Ata që i bënë gjyqin Jezuit, e shpërfillën drejtësinë pa pikë turpi. Gjykata e lartë judaike u mblodh me ngut dhe shkeli çdo rregull. (Luka 22:54; Gjoni 18:24) Në vend që t’i dëgjonin me paanshmëri akuzat dhe dëshmitë kundër Jezuit, vetë gjykatësit kërkuan «dëshmitarë të rremë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin». Kur nuk u eci, kryeprifti u përpoq ta shtynte Jezuin të thoshte ndonjë gjë ku të kapeshin për ta dënuar. Kjo ishte një shkelje skandaloze e ligjit. (Mat. 26:59; Mar. 14:55-64) Dhe çfarë bënë ata gjykatës të padrejtë pasi Jezui u kthye në jetë? U dhanë ushtarëve romakë që ruanin varrin «një shumë të konsiderueshme monedhash argjendi» që të përhapnin një histori të trilluar për të shpjeguar pse varri ishte bosh.—Mat. 28:11-15.

14. Çfarë parathoshin Shkrimet për vdekjen e Mesisë?

14 Çfarë thonë Shkrimet? Edhe pse shumë judenj në kohën e Jezuit nuk e pritnin që Mesia të vdiste, Shkrimet kishin profetizuar për të: «E zbrazi jetën e tij deri në vdekje dhe u llogarit si shkelës i ligjit; ai mbarti mëkatin e shumë njerëzve dhe ndërmjetësoi në favor të shkelësve.» (Isa. 53:12) Pra, ekzekutimi i Jezuit si mëkatar nuk kishte pse t’i pengonte judenjtë të besonin tek ai.

15. Cilat akuza kundër Dëshmitarëve të Jehovait kanë bërë që disa të na shohin shtrembër?

15 A vërejmë të njëjtin problem sot? Pa diskutim! Jezuin e akuzuan dhe e dënuan padrejtësisht, dhe Dëshmitarët e Jehovait kanë pësuar padrejtësi të ngjashme. Të shohim vetëm disa shembuj. Gjatë viteve 30 dhe 40, në Shtetet e Bashkuara u zhvilluan shumë gjyqe ku rrezikohej liria jonë për të adhuruar Perëndinë. Disa gjykatës i shfaqnin haptas paragjykimet ndaj nesh. Në Kuebek, Kanada, kisha dhe shteti bashkëpunuan kokë më kokë për të luftuar veprën tonë. Shumë lajmëtarë i futën në burg thjesht ngaqë u flitnin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Në Gjermaninë naziste, regjimi i lig ekzekutoi shumë vëllezër të rinj besnikë. Veç kësaj, vitet e fundit, shumë nga vëllezërit tanë në Rusi janë dënuar e burgosur, ngaqë flasin për Biblën, pasi ky quhet «aktivitet ekstremist». Madje edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ruse janë ndaluar dhe janë quajtur «material ekstremist» ngaqë përdorin emrin «Jehova».

16. Siç tregon 1 Gjonit 4:1, pse nuk duhet të mashtrohemi nga historitë e trilluara për shërbëtorët e Jehovait?

16 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Duhet të sigurohesh për faktet. Në Predikimin e tij në Mal, Jezui i paralajmëroi dëgjuesit se disa do të thoshin «lloj-lloj gënjeshtrash të liga» kundër tyre. (Mat. 5:11) Burimi i këtyre gënjeshtrave është Satanai. Ai i shtyn disa të përhapin shpifje dashakeqe për ata që e duan të vërtetën. (Zbul. 12:9, 10) Duhet t’i flakim tej gënjeshtrat që thonë kundërshtarët tanë. Të mos lejojmë kurrë që gënjeshtra të tilla të na futin frikën ose të na dobësojnë besimin.—Lexo 1 Gjonit 4:1.

(4) JEZUIN E TRADHTUAN DHE E BRAKTISËN

Shumë veta e hodhën poshtë Jezuin ngaqë e tradhtoi Juda. Si mund të bëhen shkak pengese sot gjëra të ngjashme? (Shih paragrafët 17-18) *

17. Pse ngjarjet që ndodhën para vdekjes së Jezuit mund të kenë qenë shkak pengese për disa?

17 Pak para se të vdiste, Jezuin e tradhtoi një nga 12 apostujt e tij. Një apostull tjetër e mohoi tri herë, dhe të gjithë apostujt e braktisën mbrëmjen para se të vdiste. (Mat. 26:14-16, 47, 56, 75) Kjo nuk e çuditi Jezuin. Madje ai e kishte parathënë se ato gjëra do të ndodhnin. (Gjoni 6:64; 13:21, 26, 38; 16:32) Por ato ngjarje mbase u bënë shkak pengese për disa, që ndoshta thanë me vete: «Nëse apostujt e Jezuit sillen kështu, s’dua të kem lidhje fare me këtë grup!»

18. Cilat profeci përmbushën ngjarjet që ndodhën para vdekjes së Jezuit?

18 Çfarë thonë Shkrimet? Shekuj më parë, Jehovai kishte treguar në Fjalën e tij se Mesinë do ta tradhtonin për 30 monedha argjendi. (Zak. 11:12, 13) Tradhtari do të ishte një nga shokët e afërt të Jezuit. (Psal. 41:9) Gjithashtu, profeti Zakaria shkroi: «Godite bariun dhe le të hallakatet kopeja.» (Zak. 13:7) Ata që e donin Jehovain, s’kishte pse të skandalizoheshin nga ato ngjarje. Përkundrazi, kur panë se Jezui po përmbushte profecitë, duhej t’u ishte forcuar besimi.

19. Çfarë mbajnë parasysh ata që e duan Perëndinë?

19 A vërejmë të njëjtin problem sot? Po. Në kohën tonë, disa Dëshmitarë të njohur janë larguar nga e vërteta, janë bërë apostatë dhe janë përpjekur t’u prishin mendjen edhe të tjerëve. Nëpërmjet mediave dhe Internetit, kanë përhapur fjalë të këqija, informacione të shtrembëruara dhe gënjeshtra sheshit për Dëshmitarët e Jehovait. Por ata që e duan Perëndinë nuk mashtrohen. Ata e dinë mirë se Bibla e kishte parathënë që do të ndodhnin gjëra të tilla.—Mat. 24:24; 2 Pjet. 2:18-22.

20. Çfarë do të na ndihmojë të mos mashtrohemi nga ata që e kanë lënë të vërtetën? (2 Timoteut 4:4, 5)

20 Çfarë të bësh që besimi yt të mos lëkundet? Duhet ta mbajmë besimin të fortë duke studiuar rregullisht, duke u lutur pareshtur dhe duke shërbyer me gjithë shpirt në veprën që na ka ngarkuar Jehovai. (Lexo 2 Timoteut 4:4, 5.) Nëse kemi besim, nuk do të na zërë paniku kur të dëgjojmë fjalë të këqija për Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 28:16) Dashuria për Jehovain, për Fjalën e tij dhe për vëllezërit do të na ndihmojë të mos mashtrohemi nga ata që e kanë lënë të vërtetën.

21. Ndonëse shumica sot nuk e pranon mesazhin tonë, çfarë sigurie kemi?

21 Në shekullin e parë shumë veta e hodhën poshtë Jezuin. Mirëpo kishte edhe shumë të tjerë që treguan besim tek ai. Mes tyre ishte të paktën një anëtar i Sinedrit judaik, si edhe «një numër i madh priftërinjsh». (Vep. 6:7; Mat. 27:57-60; Mar. 15:43) Edhe sot, miliona veta nuk kanë lejuar asgjë t’u lëkundë besimin e t’i pengojë që t’i shërbejnë Jehovait. Çfarë i ka ndihmuar? Njohuria dhe dashuria për të vërtetat që përmbajnë Shkrimet. Siç thotë Fjala e Perëndisë: «Ata që e duan ligjin tënd, gëzojnë paqe të pafund e s’ka gjë që t’i pengojë.»—Psal. 119:165.

KËNGA 124 Përherë besnik

^ par. 5 Në artikullin e kaluar pamë katër arsye pse njerëzit nuk treguan besim te Jezui në të kaluarën dhe pse i shohin me mosbesim dishepujt e tij sot. Në këtë artikull do të ndalemi te katër arsye të tjera. Do të shqyrtojmë edhe përse ata që e duan Jehovain, nuk lejojnë asgjë t’ua lëkundë besimin.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui është shtruar për të ngrënë me Mateun dhe taksambledhësit.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui dëbon nga tempulli tregtarët.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezuin e detyrojnë të mbajë shtyllën e torturës.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Juda e tradhton Jezuin me një puthje.