Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

Jehovai do të të japë forcë

Jehovai do të të japë forcë

«Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2 KOR. 12:10.

KËNGA 73 Jehova, na jep guxim!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Cilat vështirësi hasin shumë Dëshmitarë?

APOSTULLI Pavël e inkurajoi Timoteun, dhe ne të gjithë, që ta kryejmë shërbimin plotësisht, pa u kursyer. (2 Tim. 4:5) Ne bëjmë çmos ta zbatojmë këshillën e Pavlit. Por ndërkohë hasim vështirësi. Shumë vëllezërve e motrave u duhet goxha forcë e guxim që të marrin pjesë në veprën e predikimit. (2 Tim. 4:2) Për shembull, të mendojmë për vëllezërit tanë në vende ku vepra është e kufizuar ose e ndaluar. Ata dalin në shërbim edhe pse rrezikojnë t’i futin në burg.

2 Shërbëtorët e Jehovait përplasen me lloj-lloj problemesh që mund t’i shkurajojnë. Për shembull, shumë sfiliten tërë ditën në punë thjesht për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme. Zemra ua do që të bëjnë më shumë në shërbim, por në fund të javës thuajse u kanë shterur fuqitë. Të tjerë i kufizon goxha në shërbim ndonjë sëmundje kronike ose mosha e shkuar, e ndoshta as mund të dalin nga shtëpia. E disa të tjerë i torturojnë pareshtur ndjenjat e pavlefshmërisë. Meri, * një motër që jeton në Lindjen e Mesme, thotë: «Lufta kundër ndjenjave negative më lodh aq shumë, saqë ndihem e sfilitur nga ana emocionale. E pastaj ndihem në faj se ajo më rrëmben kohën dhe energjitë që do t’ia jepja shërbimit.»

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Por, çfarëdo vështirësish të kemi, Jehovai mund të na japë fuqi t’i përballojmë dhe të bëjmë më të mirën sipas rrethanave tona. Para se të shqyrtojmë si mund të na ndihmojë Jehovai, le të shohim si u dha forcë ai Pavlit dhe Timoteut që të vazhdonin t’i shërbenin edhe përballë vështirësive.

FORCË PËR TË MOS U DORËZUAR NË SHËRBIM

4. Cilat vështirësi kaloi Pavli?

4 Pavli kaloi shumë vështirësi. Kishte nevojë për forcë sidomos kur e rrahën, e qëlluan me gurë dhe e burgosën. (2 Kor. 11:23-25) Pavli nuk kishte turp ta pranonte se hera-herës luftonte me ndjenjat negative. (Rom. 7:18, 19, 24) Ai vuante edhe nga një problem shëndetësor, që ishte si «një gjemb në trup» e për të cilin iu përgjërua Perëndisë t’ia hiqte.—2 Kor. 12:7, 8.

Çfarë e ndihmoi Pavlin të vazhdonte t’i shërbente Jehovait me gjithë vështirësitë? (Shih paragrafët 5-6) *

5. Çfarë arriti të bënte Pavli me gjithë vështirësitë që kaloi?

5 Jehovai i dha fuqi Pavlit të vazhdonte t’i shërbente me gjithë vështirësitë që kalonte. Të mendojmë pak çfarë arriti të bënte Pavli. Për shembull, ndërsa ishte në arrest shtëpie në Romë, ai e mbrojti plot zell lajmin e mirë para udhëheqësve judenj e ndoshta edhe para zyrtarëve të lartë. (Vep. 28:17; Filip. 4:21,22) U predikoi edhe shumë ushtarëve në Gardën Pretoriane dhe u jepte dëshmi të gjithë atyre që i shkonin në shtëpi. (Vep. 28:30, 31; Filip. 1:13) Gjatë së njëjtës periudhë, Pavli shkroi disa letra të frymëzuara, që u sjellin dobi edhe sot e kësaj dite të krishterëve të vërtetë. E shembulli i Pavlit i dha aq shumë forcë kongregacionit në Romë, sa vëllezërit atje treguan «edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë». (Filip. 1:14) Ndonëse hera-herës luftonte me vështirësi që e kufizonin në shërbim, Pavli bënte më të mirën, dhe ato që i ndodhën, «në të vërtetë dolën për përparimin e lajmit të mirë».—Filip. 1:12.

6. Sipas 2 Korintasve 12:9, 10, çfarë e ndihmoi Pavlin ta kryente plotësisht shërbimin e tij?

6 Pavli e dinte se gjithçka në shërbim të Jehovait e arrinte me forcën e Perëndisë, jo me forcat e veta. Ai e pranoi se fuqia e Perëndisë ‘përsosej në dobësi’. (Lexo 2 Korintasve 12:9, 10.) Me anë të frymës së Tij të shenjtë, Jehovai i dha fuqi Pavlit që ta kryente plotësisht shërbimin—edhe mes përndjekjeve, burgosjeve ose sprovave të tjera.

Çfarë e ndihmoi Timoteun të vazhdonte t’i shërbente Jehovait me gjithë vështirësitë? (Shih paragrafin 7) *

7. Cilat probleme mund t’ia kenë bërë të vështirë Timoteut të përmbushte caktimin?

7 Edhe Timoteu i ri, që Pavli e kishte shok shërbimi, duhej të mbështetej te fuqia e Perëndisë që të përmbushte caktimin e tij. Timoteu e shoqëroi Pavlin në udhëtime të gjata misionare. Veç kësaj, Pavli e nisi edhe në udhëtime të tjera që të vizitonte dhe t’u jepte zemër kongregacioneve. (1 Kor. 4:17) Timoteu mund të jetë ndier i paaftë. Ndoshta prandaj Pavli e nxiti: «Mos lejo askënd ta përbuzë rininë tënde.» (1 Tim. 4:12) E gjatë asaj kohe, edhe Timoteu vuante nga një gjemb në trup—nga ‘sëmundje të shpeshta’. (1 Tim. 5:23) Por ai e dinte se fryma e fuqishme e Jehovait do t’i jepte forcën e nevojshme për të predikuar lajmin e mirë dhe për t’u shërbyer vëllezërve.—2 Tim. 1:7.

FORCË PËR TË QËNDRUAR BESNIKË MES VËSHTIRËSIVE

8. Si u jep forcë Jehovai shërbëtorëve të tij sot?

8 Sot, Jehovai u jep shërbëtorëve të tij ‘fuqi përtej asaj që është normale’, që të vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri. (2 Kor. 4:7) Le të shohim katër dhurata nëpërmjet të cilave Jehovai na jep forcë dhe na ndihmon t’i qëndrojmë besnikë: lutja, Bibla, shoqëria me vëllezërit e motrat dhe shërbimi.

Jehovai na jep forcë nëpërmjet lutjeve (Shih paragrafin 9)

9. Si mund të na ndihmojnë lutjet?

9 Na japin forcë lutjet. Tek Efesianëve 6:18, Pavli na nxit t’i lutemi Perëndisë «në çdo rast». Si rezultat, Perëndia do të na japë forcë. Xhoni, që jeton në Bolivi, e provoi mbështetjen e Jehovait kur i ranë disa halle njëri pas tjetrit. Gruaja dhe dy prindërit e tij u sëmurën rëndë në të njëjtën kohë. Xhoni rropatej që të kujdesej për të tre. E ëma vdiq, dhe gruas e babait të tij iu desh goxha kohë që ta merrnin veten. Ndërsa kujton atë periudhë të vështirë, Xhoni thotë: «Kur më mbyste ankthi, ajo që më ndihmonte çdo herë, ishin lutjet specifike.» Jehovai i dha Xhonit forcën e nevojshme për t’u bërë ballë sprovave. Ronaldi, një plak në Bolivi, mori vesh se mamaja e tij kishte kancer. Pas një muaji, ajo vdiq. Çfarë e ndihmoi Ronaldin ta përballonte dhimbjen? Ai thotë: «Lutjet më japin mundësi t’i hap zemrën Jehovait dhe t’i zbraz gjithë ato që ndiej përbrenda. E di se ai më kupton më mirë se kushdo, madje më mirë nga sa e kuptoj unë veten.» Ndonjëherë mund të ndihemi sikur s’mbajmë dot më dhe mund të mos dimë për çfarë të lutemi. Megjithatë, Jehovai na fton t’i lutemi edhe kur nuk i gjejmë dot fjalët për ta shprehur atë që mendojmë e që ndiejmë.—Rom. 8:26, 27.

Jehovai na jep forcë nëpërmjet Biblës (Shih paragrafin 10)

10. Siç tregon Hebrenjve 4:12, pse është shumë e rëndësishme t’i lexojmë Shkrimet e të meditojmë për to?

10 Na jep forcë Bibla. Ashtu si Pavli, edhe ne mund të marrim forcë dhe ngushëllim nga Shkrimet. (Rom. 15:4) Ndërsa lexojmë Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë për të, Jehovai përdor frymën e tij që të kuptojmë më mirë si mund të na ndihmojnë Shkrimet në situatën tonë. (Lexo Hebrenjve 4:12.) Ronaldi, që u përmend më sipër, thotë: «Sa mirë që e bëra zakon të lexoja çdo mbrëmje Biblën! Meditoj gjatë për cilësitë e Jehovait dhe me sa dashuri i trajton shërbëtorët e tij. Kjo më përtërin e më mbush me forcë.»

11. Si mori forcë nga leximi i Biblës një motër e pikëlluar?

11 Kur meditojmë për Fjalën e Perëndisë, kjo na ndihmon ta shohim me sy tjetër situatën e vështirë ku ndodhemi. Të mendojmë si nxori dobi nga leximi i Biblës një vejushë e pikëlluar. Një plak i sugjeroi se mund të nxirrte mësime me vlerë nga leximi i librit të Jobit. Kur filloi leximin, reagimi i parë ishte ta kritikonte Jobin për qëndrimin e gabuar. I thoshte me vete: «Po mos ji kaq negativ, o Job!» Por pastaj kuptoi se qëndrimi i saj kishte qenë shumë i ngjashëm me atë të Jobit. Kjo e ndihmoi të ndryshonte pikëpamje e të mos fiksohej te halli i vet. Kështu mori forcë që të përballonte dhimbjen e humbjes së të shoqit.

Jehovai na jep forcë nëpërmjet shoqërisë me vëllezërit e motrat (Shih paragrafin 12)

12. Si na jep forcë Jehovai me anë të vëllezërve e motrave?

12 Na jep forcë shoqëria me vëllezërit e motrat. Jehovai përdor edhe bashkëbesimtarët për të na dhënë forcë. Pavli shkroi se kishte shumë dëshirë t’i takonte vëllezërit e motrat që ‘të inkurajoheshin nga besimi i njëri-tjetrit’. (Rom. 1:11, 12) Meri, që u përmend më sipër, e çmon shumë shoqërinë me bashkadhuruesit. Ajo thotë: «Jehovai përdor vëllezër e motra që as e kanë idenë se sa po vuaj. Ata më thonë dy fjalë inkurajuese ose më dërgojnë ndonjë kartolinë, dhe kjo është fiks çka më nevojitet. Një gjë tjetër që më ndihmon, është të hapem me motra që kanë pasur probleme të ngjashme dhe të mësoj nga përvoja e tyre. Gjithashtu, pleqtë më ndihmojnë të ndiej se jam e çmuar në kongregacion.»

13. Si mund t’i japim forcë njëri-tjetrit në mbledhje?

13 Një nga rastet më të mira për të inkurajuar njëri-tjetrin janë mbledhjet e kongregacionit. Kur ndjek mbledhjet, pse të mos marrësh iniciativën t’u japësh forcë të tjerëve me shprehje çmueshmërie dhe fjalë të ngrohta nga zemra? Për shembull, para një mbledhjeje, një plak që quhet Piter i tha një motre që nuk e ka burrin në të vërtetën: «S’e ke idenë sa inkurajohemi kur të shohim këtu. E të gjashtë fëmijët i ke gjithmonë të rregullt e të përgatitur për të komentuar.» Me lot mirënjohjeje në sy, ajo i tha: «Nuk e merr me mend sa nevojë kisha ta dëgjoja këtë sot.»

Jehovai na jep forcë nëpërmjet shërbimit (Shih paragrafin 14)

14. Si ndikon te ne pjesëmarrja në shërbim?

14 Na jep forcë shërbimi. Kur u flasim të tjerëve për të vërtetat e Biblës, çelemi e na përtërihen forcat, pavarësisht nëse na dëgjojnë apo jo. (Prov. 11:25) Një motër që quhet Stejsi e provoi se shërbimi mund të jetë burim force. Kur një pjesëtar i familjes u përjashtua, ajo ndihej përtokë dhe i rrihte si çekan në kokë pyetja: «A mund të kisha bërë diçka më tepër për ta ndihmuar?» Nuk arrinte të mendonte thuajse për asgjë tjetër. Çfarë e ndihmoi ta përballonte atë situatë stresuese? Shërbimi! Kur ishte në shërbim, ajo përqendrohej te njerëzit në territor që kishin nevojë për ndihmën e saj. Stejsi thotë: «Gjatë asaj kohe, pata një studente që bëri përparim të shpejtë. Kjo dhuratë nga Jehovai më inkurajoi jashtëzakonisht shumë. Ajo që më ka dhënë më tepër stabilitet në jetë është pjesëmarrja në shërbim.»

15. Çfarë mëson nga ajo që thotë Meri?

15 Për shkak të rrethanave, disave u duket se nuk po bëjnë kushedi çfarë në shërbim. Nëse ndihesh kështu, mos harro se Jehovai kënaqet ndërsa i jep më të mirën. T’i kthehemi edhe një herë shembullit të Merit. Kur u transferua në një territor ku flitej një gjuhë tjetër, nuk ndihej shumë e dobishme. Ajo thotë: «Për njëfarë kohe, gjithë sa mund të bëja ishte një koment i thjeshtë, leximi i një vargu nga Bibla ose të jepja një fletushkë në shërbim.» Si pasojë, ndihej kot fare në krahasim me ata që e flisnin rrjedhshëm gjuhën. Por pastaj nisi t’i shihte gjërat me sy tjetër. Filloi të kuptonte se Jehovai mund ta përdorte edhe pse nuk e fliste mirë atë gjuhë. Ajo thotë: «Të vërtetat që shpëtojnë jetë kanë një thjeshtësi të mahnitshme, dhe janë këto të vërteta që u ndryshojnë jetën njerëzve.»

16. Çfarë mund t’u japë forcë atyre që nuk dalin dot nga shtëpia por kanë dëshirë të dëshmojnë?

16 Jehovai e sheh dhe e çmon dëshirën tonë që të predikojmë edhe kur nuk dalim dot nga shtëpia për shkak të sëmundjes ose të moshës. Ai mund të na krijojë mundësi t’u dëshmojmë atyre që kujdesen për ne ose personelit mjekësor. Nëse e krahasojmë atë që bëjmë sot me atë që arrinim të bënim në të kaluarën, mund të na lëshojë zemra. Por nëse dallojmë si po na ndihmon Jehovai sot, do të kemi forcën e nevojshme që ta përballojmë me gëzim çdo sprovë.

17. Sipas Eklisiastiut 11:6, pse duhet të ngulmojmë në shërbim ndonëse nuk shohim menjëherë rezultate?

17 Ndërsa mbjellim farat e së vërtetës, nuk e dimë cilat mund të hedhin rrënjë e të rriten. (Lexo Eklisiastiun 11:6.) Për shembull, Barbara, një motër në të 80-at, jep dëshmi rregullisht me telefon dhe me letra. Në një nga letrat, ajo futi numrin e 1 marsit 2014 të Kullës së Rojës, ku ishte edhe artikulli «Çfarë ka bërë Zoti për ty?» Pa e ditur, ia kishte dërguar letrën një çifti të martuar që nuk ishin më Dëshmitarë të Jehovait. Ata e lexuan dhe e stërlexuan revistën, e burri u ndie sikur Jehovai po i fliste personalisht. Çifti filloi të ndiqte mbledhjet dhe me kohë u bënë sërish Dëshmitarë aktivë—pas më shumë se 27 vjetësh. Imagjino sa forcë e zemër mori Barbara kur pa fryte aq të bukura nga një letër e vetme!

Jehovai na jep forcë nëpërmjet (1) lutjeve, (2) Biblës, (3) shoqërisë me vëllezërit e motrat dhe (4) shërbimit (Shih paragrafët 9, 10, 12, 14)

18. Çfarë mund të bëjmë që të marrim forcë nga Perëndia?

18 Jehovai na jep mundësi pa fund që të marrim nga fuqia e tij e pashtershme. Ai na ka bërë shumë dhurata që na japin forcë, siç janë lutja, Bibla, shoqëria me vëllezërit e motrat dhe shërbimi. Kur i përdorim këto dhurata, tregojmë që kemi besim se Jehovai mund të na ndihmojë dhe dëshiron ta bëjë këtë. Le të mbështetemi gjithnjë tek Ati ynë qiellor, i cili mezi pret «të tregojë forcën e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër».—2 Kron. 16:9.

KËNGA 61 Dëshmitarë, marshoni!

^ par. 5 Po jetojmë në kohë të vështira, por Jehovai na jep ndihmën e nevojshme që t’i përballojmë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i ndihmoi Jehovai apostullin Pavël dhe Timoteun që të vazhdonin t’i shërbenin edhe përballë problemeve. Më tej do të flasim për katër dhurata nga Jehovai që na japin forcë sot.

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa është në arrest shtëpie në Romë, Pavli u shkruan letra disa kongregacioneve dhe u predikon lajmin e mirë atyre që i shkojnë në shtëpi.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Timoteu inkurajon vëllezërit ndërsa viziton kongregacionet.