Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i prin popullit të vet në udhën e jetës

Jehovai i prin popullit të vet në udhën e jetës

«Kjo është udha. Ecni në të!»​—ISA. 30:21.

KËNGËT: 65, 48

1, 2. (a) Cili paralajmërim u ka shpëtuar jetën shumë njerëzve? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë drejtimi jetëshpëtues i jepet popullit të Perëndisë?

«NDALU, SHIKO, DËGJO!» Këto fjalë u kanë shpëtuar jetën kushedi sa njerëzve. Më shumë se 100 vjet më parë, në Amerikën e Veriut u vunë tabela të mëdha me këto fjalë në kryqëzimet e rrugëve me hekurudhat. Pse? Që automjetet të mos i kalonin shinat në momentin e gabuar dhe t’i godiste treni që vinte me shpejtësi. Vërtet, ai paralajmërim u shpëtonte jetën atyre që ia vinin veshin.

2 Jehovai bën diçka më të mirë sesa të vërë tabela paralajmëruese. Ai, si të thuash, është në ballë të popullit të vet dhe i tregon si të shkojë drejt jetës së përhershme e si të rrijë larg rreziqeve. Jo vetëm kaq, por sillet si bari i dashur me kopenë e tij, duke u dhënë deleve drejtimin dhe paralajmërimet e duhura që të shmangin shtigjet e rrezikshme.​—Lexo Isainë 30:20, 21.

JEHOVAI I KA PRIRË PREJ KOHËSH POPULLIT TË TIJ

3. Si u fut familja njerëzore në udhën drejt vdekjes?

3 Gjatë gjithë historisë, Jehovai ka dhënë udhëzime ose drejtim specifik. Për shembull, në kopshtin e Edenit, Jehovai dha udhëzime të qarta për t’i prirë familjes njerëzore drejt lumturisë dhe jetës së përhershme. (Zan. 2:15-17) Sikur Adami dhe Eva t’i ishin bindur drejtimit të tij, do të kishin shpëtuar nga pasojat tragjike​—nga një jetë plot dhimbje që mori fund me vdekjen pa kurrfarë shprese. Por në vend që të bindej, Eva dëgjoi këshillën që dukej se vinte thjesht nga një kafshë. Adami, nga ana e tij, dëgjoi zërin e gruas, zërin e një njeriu vdekatar. Që të dy e hodhën poshtë drejtimin e Atit të tyre të dashur. Si pasojë, familja njerëzore në përgjithësi u fut në udhën drejt vdekjes.

4. (a) Pse nevojiteshin udhëzime të mëtejshme pas Përmbytjes? (b) Si e nxorën në pah rrethanat e reja mënyrën si mendon Perëndia?

4 Gjatë jetës së Noesë, Perëndia dha udhëzime falë së cilave mbetën gjallë njerëz e kafshë. Pas Përmbytjes, Jehovai nxori një urdhër specifik që ndalonte keqpërdorimin e gjakut. Pse vallë? Se rrethanat kishin ndryshuar. Jehovai do të lejonte që njerëzit të përdornin si ushqim mishin e kafshëve. Prandaj, lindi nevoja për udhëzime të reja, si ky: «Vetëm mos e hani mishin me shpirtin e tij, domethënë me gjakun e tij.» (Zan. 9:1-4) Ndryshimi i rrethanave e tregoi qartë si mendon Perëndia për atë që i përket atij, pra për jetën. Si Krijuesi dhe Jetëdhënësi, ai ka të drejtën të vendosë rregulla për jetën. Për shembull, ai urdhëroi që asnjë njeri të mos i merrte jetën një tjetri. Për Perëndinë, jeta dhe gjaku janë të shenjtë, dhe ai do t’i kërkojë llogari kujtdo që shkel ligjet e tij për to.​—Zan. 9:5, 6.

5. Ç’do të shqyrtojmë tani, dhe pse?

5 Le të shohim ca shembuj se si vazhdoi të jepte drejtim Perëndia në rrjedhën e shekujve. Kjo do të na forcojë vendosmërinë që të ndjekim udhëheqjen e Jehovait drejt botës së re.

KOMB I RI, UDHËZIME TË REJA

6. Pse ishte e nevojshme që Perëndia t’u jepte ligje izraelitëve, dhe ç’qëndrim duhej të kishin ata?

6 Në ditët e Moisiut nevojiteshin udhëzime të qarta për adhurimin dhe sjelljen e duhur. Pse? Prapë, ngaqë rrethanat kishin ndryshuar. Për më se dy shekuj, pasardhësit e Jakobit jetuan nën sundimin e Egjiptit, në një vend të zhytur kokë e këmbë në adhurimin e të vdekurve, në idhujtari dhe në bindje e praktika të tjera që çnderonin Perëndinë. Kur populli i Perëndisë shpëtoi nga tirania e Egjiptit, lindi nevoja për udhëzime të reja. Ata nuk do të jetonin më si një grup robërish, por si një komb i lirë që ndiqte vetëm Ligjin e Jehovait. Disa vepra referimi thonë se fjala hebraike e përkthyer «ligj» lidhet me një fjalë që do të thotë «udhëzoj, prij, mësoj». Ligji i Moisiut shërbente si mur mbrojtës përballë moralit dhe praktikave fetare të degjeneruara të kombeve të tjera. Kur kombi i Izraelit e dëgjonte Perëndinë, merrte bekime prej tij. Kur e shpërfillte, vuante pasoja të tmerrshme.​—Lexo Ligjin e përtërirë 28:1, 2, 15.

7. (a) Cila ishte një arsye tjetër pse Jehovai i dha udhëzime popullit të tij? (b) Në ç’mënyrë Ligji shërbeu si kujdestar për Izraelin?

7 Kishte edhe një arsye tjetër pse nevojiteshin udhëzime. Ligji e drejtonte vëmendjen te një ngjarje e rëndësishme që lidhej me vullnetin e Jehovait. Ishte ardhja e Mesisë, Jezu Krishtit. Ligji e bëri më të qartë se kurrë që izraelitët ishin të papërsosur. Gjithashtu u nguliti në mendje se kishin nevojë për një shpërblesë, për një flijim të përsosur që do të mbulonte plotësisht mëkatet. (Gal. 3:19; Hebr. 10:1-10) Veç kësaj, Ligji ndihmoi të ruhej linja gjenealogjike e Mesisë dhe që të identifikohej ai kur të vinte. Pra, Ligji shërbeu si ‘edukator’ ose kujdestar i përkohshëm që çoi te Krishti.​—Gal. 3:23, 24.

8. Pse duhet të udhëhiqemi nga parimet e Ligjit të Moisiut?

8 Edhe ne si të krishterë mund të nxjerrim dobi nga udhëzimet që i jepeshin kombit të Izraelit në Ligj. Në ç’mënyrë? Mund të ndalemi e të shohim parimet që janë në themel të Ligjit. Ndonëse nuk jemi nën këto ligje, i shohim shumë prej tyre si udhërrëfyese të besueshme në jetën e përditshme dhe në adhurimin që i bëjmë Perëndisë tonë të shenjtë, Jehovait. Ai i dokumentoi në Bibël këto ligje që të mësojmë prej tyre, të udhëhiqemi nga parime dhe të çmojmë normat më të larta morale që ndjekim si të krishterë. T’ia vëmë veshin asaj që tha Jezui: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» Pra, duhet të shmangim jo vetëm aktin e kurorëshkeljes, por edhe dëshirën epshore për të kryer imoralitet seksual.​—Mat. 5:27, 28.

9. Cilat rrethana të reja e bënë të nevojshëm drejtimin e ri nga Perëndia?

9 Me ardhjen e Jezuit si Mesia lindi nevoja për drejtim të ri nga Perëndia dhe për t’u zbuluar më tej qëllimi i Jehovait. Edhe njëherë, arsyeja ishin rrethanat e reja. Më 33 të e.s. Jehovai tregoi se nuk miratonte më kongregacionin e Izraelit natyror, por kongregacionin e krishterë.

DREJTIM PËR NJË KOMB TË RI TË LINDUR NGA FRYMA

10. Pse kongregacionit të krishterë iu dhanë ligje të reja? Si ndryshonin këto ligje nga ato që iu dhanë izraelitëve?

10 Gjatë shekullit të parë, besimtarët që bëheshin pjesë e kongregacionit të krishterë merrnin udhëzime të reja ose të zgjeruara për adhurimin e për sjelljen. Ata shërbëtorë të kushtuar të Perëndisë ishin pjesëtarë të një besëlidhjeje të re. Ligji i Moisiut iu dha vetëm një kombi​—Izraelit natyror. Në kontrast me këtë, Izraeli i lindur nga fryma do të kishte në gjirin e vet njerëz nga shumë kombe e prejardhje. Është e qartë se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai». (Vep. 10:34, 35) Ligji i Moisiut e drejtoi kombin e Izraelit në Tokën e Premtuar me ligje të skalitura në gur. Kurse Izraeli i lindur nga fryma do të udhëhiqej nga ‘ligji i Krishtit’ që bazohej kryesisht në parime të gdhendura në zemër. «Ligjin e Krishtit» do ta zbatonin të krishterët kudo që jetonin dhe do të nxirrnin dobi prej tij.​—Gal. 6:2.

11. Cilat janë dy aspekte të jetës së krishterë ku do të ndikonte ‘ligji i Krishtit’?

11 Izraeli i lindur nga fryma do të nxirrte shumë dobi nga drejtimi që jepte Perëndia nëpërmjet Birit të tij. Pak para se të themelohej besëlidhja e re, Jezui dha dy urdhërime domethënëse. Njëri lidhej me veprën e predikimit. Tjetri përqendrohej te sjellja e dishepujve të Jezuit dhe tregonte si duhej ta trajtonin njëri-tjetrin. Këto udhëzime ishin për gjithë të krishterët, prandaj vlejnë edhe për gjithë adhuruesit e vërtetë sot, pavarësisht nëse kanë shpresë qiellore a tokësore.

12. Ç’gjë të re kishte vepra e predikimit?

12 Të mendojmë për veprën e predikimit të lajmit të mirë që u caktoi Jezui dishepujve të tij. Metoda dhe shtrirja e predikimit ishin diçka e re. Gjatë shekujve të kaluar, njerëzit nga kombet mikpriteshin kur ata venin në Izrael që t’i shërbenin Jehovait. (1 Mbret. 8:41-43) Kështu ndodhte para se Jezui të jepte urdhrin që gjejmë te Mateu 28:19, 20. (Lexoje.) Dishepujt e Jezuit u urdhëruan ‘të shkonin’ te të gjithë njerëzit. Më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Jehovai tregoi se tani po ndryshonte metodë​—vepra e ungjillëzimit do të merrte përmasa botërore. Falë frymës së tij të shenjtë, rreth 120 pjesëtarë të kongregacionit të ri u folën në gjuhë të ndryshme me anë të një mrekullie judenjve dhe prozelitëve. (Vep. 2:4-11) Më tej territori u zgjerua dhe përfshiu samaritanët. Pastaj, në vitin 36 të e.s., u shtri akoma më tepër që të përfshinte gjithë jojudenjtë e parrethprerë. Mund të themi se fusha e predikimit u zgjerua nga «pellgu» i judenjve tek «oqeani» i njerëzimit.

13, 14. (a) Çfarë përfshin ‘urdhërimi i ri’ i Jezuit? (b) Ç’mësojmë nga shembulli që la Jezui?

13 Tani le të kalojmë te mënyra si i trajtojmë bashkëbesimtarët. Jezui dha «një urdhërim të ri». (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Ai urdhërim përfshin një nxitje që jo vetëm ta duam njëri-tjetrin në jetën e përditshme, por të jemi të gatshëm të japim madje edhe jetën për një vëlla a motër. Kjo nuk ishte kërkesë e Ligjit të Moisiut.​—Mat. 22:39; 1 Gjon. 3:16.

14 Jezui la shembullin më të shkëlqyer në këtë drejtim. Ai i donte dishepujt e tij me vetëmohim, e kjo lloj dashurie nënkuptonte se duhej të vdiste për ta. Jezui u tregua i gatshëm ta bënte këtë. Dhe ai priste që dishepujt e tij të bënin njësoj, përfshirë edhe ne sot. Për hir të bashkëbesimtarëve, duhet të jemi të gatshëm të përjetojmë vuajtje a madje edhe vdekjen.​—1 Sel. 2:8.

UDHËZIME PËR KOHËN TONË E MË TEJ

15, 16. Çfarë rrethanash të reja kemi sot, dhe si na prin Perëndia?

15 Jezui u ka siguruar ushqim në kohën e duhur shërbëtorëve të tij, sidomos që nga emërimi i ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Ky ushqim ka përfshirë udhëzime jetësore që u përgjigjeshin rrethanave të reja.

16 Sot jetojmë në kohën që Bibla e quan «ditët e fundit» dhe mu përpara kemi një shtrëngim që nuk krahasohet me asgjë që ka ndodhur më parë. (2 Tim. 3:1; Mar. 13:19) Veç kësaj, Satanai dhe demonët e tij janë flakur nga qielli dhe janë kufizuar në afërsi të tokës, e kjo ka sjellë mjerime të tmerrshme për banorët e saj. (Zbul. 12:9, 12) Gjithashtu neve na është ngarkuar një fushatë predikimi historike dhe e pashoqe që po shtrihet në aq shumë popuj e grupe gjuhësore, sa kurrë më parë.

17, 18. Si duhet të reagojmë ndaj drejtimit që na jepet?

17 Organizata e Perëndisë na siguron mjetet për të predikuar. A ke dëshirë t’i përdorësh? A ia vë veshin drejtimit që jepet në mbledhje se si t’i përdorim sa më mirë? A i sheh këto udhëzime si drejtim që vjen nga Perëndia?

18 Që të vazhdojmë të shijojmë bekimet e Perëndisë, duhet t’ia vëmë veshin çdo drejtimi që jepet nëpërmjet kongregacionit. Po të kemi një frymë të bindur sot, do ta kemi më lehtë të ndjekim udhëzimet gjatë ‘shtrëngimit të madh’, kur të asgjësohet sistemi i lig i Satanait. (Mat. 24:21) Pas kësaj, do të na duhen udhëzime të reja për jetën në botën e re, në një tokë pa asnjë ndikim satanik.

Në tokën parajsore do të hapen rrotulla që të na japin udhëzime për jetën në botën e re (Shih paragrafët 19, 20.)

19, 20. Cilat rrotulla do të hapen, dhe cili do të jetë rezultati?

19 Kombi i Izraelit nën udhëheqjen e Moisiut, e më pas edhe kongregacioni i krishterë nën «ligjin e Krishtit» patën nevojë për udhëzime të reja. Po njësoj, Bibla tregon se do të hapen rrotulla që të na japin udhëzime për jetën në botën e re. (Lexo Zbulesën 20:12.) Ka shumë të ngjarë që në këto rrotulla të paraqiten kërkesat e Jehovait për njerëzimin në atë kohë. Teksa i studiojnë, të gjithë njerëzit, përfshirë edhe të ringjallurit, do të mësojnë cili është vullneti i Perëndisë për ta. Patjetër që falë atyre rrotullave do të kuptojmë akoma më mirë si mendon Jehovai. Banorët e tokës parajsore do të udhëhiqen nga një kuptueshmëri gjithnjë e më e thellë për Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, si edhe për atë që do të zbulohet në rrotullat e reja. Si rrjedhojë do ta trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri, respekt dhe dinjitet. (Isa. 26:9) Imagjino çfarë programi arsimor do të zhvillohet nën drejtimin e Mbretit, Jezu Krishtit!

20 Ata që reagojnë siç duhet ndaj «gjërave të shkruara në rrotulla» i pret jeta e përhershme. Kush mban integritetin ndaj Jehovait gjatë sprovës së fundit, Ai do t’ia shkruajë emrin njëherë e mirë në ‘rrotullën e jetës’. Qoftë kjo e ardhmja jonë! Le TË NDALEMI të shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë, TË SHOHIM për të kuptuar ç’domethënie ka për ne dhe TË DËGJOJMË duke iu bindur drejtimit të Perëndisë. Atëherë mund të kemi shpresën të mbijetojmë në shtrëngimin e madh dhe të mësojmë gjithë përjetësinë për Perëndinë tonë tejet të mençur e të dashur, Jehovain.​—Ekl. 3:11; Rom. 11:33.