Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpiqu të dallosh çfarë ndihme praktike, mbështetjeje emocionale dhe inkurajimi nga Bibla u nevojitet vëllezërve e motrave

A mund të japësh një dorë në kongregacionin tënd?

A mund të japësh një dorë në kongregacionin tënd?

PARA se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Si ia dolën të krishterët e hershëm ta kryenin atë caktim të vështirë?

Martin Gudmani, profesor në Universitetin e Oksfordit, komenton: «Të krishterët ndiheshin sikur ishin me mision. Kjo i dallonte nga grupet e tjera fetare në perandorinë e hershme Romake, përfshirë edhe judenjtë.» Jezui kishte udhëtuar nga një vend në tjetrin për të kryer shërbimin. Tek ndiqnin shembullin e tij, të krishterët e vërtetë do ta kenë kuptuar se përhapja e ‘lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë’ do të përfshinte të gjenin njerëzit e etur për të vërtetën e Biblës. (Luka 4:43) Kjo është njëra nga arsyet pse kongregacioni i shekullit të parë kishte «apostuj», një fjalë që në kuptimin e mirëfilltë do të thotë të dërguar. (Mar. 3:14) Jezui i urdhëroi dishepujt e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»​—Mat. 28:18-20.

Vërtet, sot në tokë nuk kemi ndonjë nga 12 apostujt e Jezuit, ama shumë shërbëtorë të Jehovait shfaqin një frymë misionare. Ata i përgjigjen kështu ftesës për ta zgjeruar veprën e predikimit: «Ja ku jam! Më dërgo!» (Isa. 6:8) Disa​—mes të cilëve mijëra të diplomuar të Shkollës së Galaadit—​janë transferuar në vende të largëta. Ka edhe nga ata që janë transferuar në një zonë tjetër brenda vendit. Shumë kanë mësuar një gjuhë të huaj, që të bashkohen me kongregacione dhe grupe që kujdesen për nevojat e njerëzve të asaj gjuhe. Të gjithë këta vëllezër e motra ndoshta nuk kishin rrethana të përsosura dhe mbase s’e kishin të lehtë. U duhej një frymë vetëmohuese që të shfaqnin dashurinë për Jehovain e për të tjerët. Pasi llogaritën koston, ata ndihmuan pa u kursyer. (Luka 14:28-30) Vëllezërit dhe motrat që veprojnë kështu, plotësojnë një nevojë reale.

Megjithatë, njerëzit kanë rrethana të ndryshme, dhe jo çdo Dëshmitar ka mundësi të transferohet ku ka më tepër nevojë ose të mësojë një gjuhë të huaj. Prandaj, a mund të tregojmë një frymë misionare qoftë edhe në kongregacionin ku jemi?

JI MISIONAR NË KONGREGACIONIN TËND

Shfrytëzoji mirë rrethanat që ke për të plotësuar një nevojë reale

Ishte e dukshme se të krishterët e shekullit të parë kishin frymë misionare. Por shumica duhet të kenë qëndruar në qytetin e tyre. Sidoqoftë, si për ta, edhe për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë vlen nxitja që iu dha Timoteut: «Bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Tim. 4:5) Urdhri për të predikuar mesazhin e Mbretërisë dhe për të bërë dishepuj u drejtohet gjithë të krishterëve kudo qofshin. Veç kësaj, shumë aspekte të veprës misionare mund të zbatohen në kongregacionin ku jemi.

Për shembull, një misionar në vend të huaj duhet të përshtatet me rrethanat e reja. Në caktimin e ri shumë gjëra janë krejt ndryshe. Po në rast se ne vetë nuk mund të shkojmë ku ka më tepër nevojë? A duhet të pretendojmë se dimë gjithçka për territorin e kongregacionit tonë? Apo mund të përpiqemi të gjejmë mënyra të reja për t’u predikuar njerëzve? Për shembull, më 1940, vëllezërit u nxitën të programonin një ditë në javë për të dhënë dëshmi rrugore. A ke provuar të marrësh pjesë në këtë lloj dëshmie? Apo ç’të themi për iniciativën që të përdoren stendat e literaturës? Puna është: a ke menduar t’i provosh mënyra të tilla për të predikuar lajmin e mirë, edhe pse kjo mund të jetë diçka e re për ty?

Inkurajoji të tjerët ‘të bëjnë veprën e ungjillëzuesit’

Qëndrimi pozitiv do të na ndihmojë të kemi zell dhe entuziazëm për shërbimin. Në shumë raste, ata që tregohen të gatshëm të transferohen ku ka më tepër nevojë ose të shërbejnë në fushën e një gjuhe të huaj janë lajmëtarë goxha të kualifikuar. Ata mund të jenë një bekim për kongregacionin, si për shembull kur janë në ballë të veprës së predikimit. Veç kësaj, shpesh misionarët marrin drejtimin në kongregacion derisa të ketë vëllezër vendës të kualifikuar. Prandaj, nëse je një Dëshmitar i pagëzuar, a po «synon detyrën e mbikëqyrësit», pra a je i gatshëm t’u shërbesh bashkëbesimtarëve në kongregacionin tënd?​—1 Tim. 3:1.

BËHU «NJË NDIHMË FUQIZUESE»

Jep ndihmë praktike

Kur predikojmë me zell dhe marrim përsipër përgjegjësi në kongregacion, u japim një dorë bashkëbesimtarëve. Por ka edhe mënyra të tjera për të ndihmuar. Çdokush​—i vogël a i madh, burrë a grua—​mund të bëhet «një ndihmë fuqizuese» për bashkëbesimtarët në nevojë.​—Kolos. 4:11.

Që t’u bëhemi krah vëllezërve dhe motrave, duhet t’i njohim mirë. Bibla na nxit «të interesohemi për njëri-tjetrin» kur mblidhemi bashkë. (Hebr. 10:24) Siç tregojnë këto fjalë, ndonëse nuk i futim hundët në punët e të tjerëve, duhet të përpiqemi t’i njohim e t’i kuptojmë vëllezërit dhe çfarë nevojash kanë. Ndoshta u nevojitet ndihmë praktike, mbështetje emocionale ose inkurajim nga Bibla. Nuk është përgjegjësi vetëm e pleqve dhe e shërbëtorëve ndihmës të ndihmojnë të tjerët në kongregacion. S’diskutohet, ka raste kur është me vend t’i ndihmojë vetëm ndonjë nga këta vëllezër. (Gal. 6:1) Prapëseprapë, të gjithë mund të jemi në gjendje t’i mbështetim ata që luftojnë me probleme, qofshin motra dhe vëllezër të moshuar a familje të tëra.

Mbështeti nga ana emocionale ata që luftojnë me ankthet e jetës

Të marrim rastin e Salvatores. Për shkak të problemeve të rënda ekonomike, atij iu desh të shiste biznesin, shtëpinë dhe mjaft gjëra të familjes. Ishte në merak për njerëzit e shtëpisë. Një familje tjetër në kongregacion e vuri re se ishin në hall. U dhanë ndihmë ekonomike, si edhe i ndihmuan Salvatoren dhe të shoqen të gjenin punë. Përveç kësaj, kaluan sa e sa mbrëmje me gjithë familjen që t’i dëgjonin e t’u jepnin zemër. Kështu u lidh një miqësi që ka zgjatur vite të tëra. Edhe pse në fillim patën një periudhë plot ankth, kur hedhin vështrimin pas, të dyja familjet kanë kujtime të bukura nga kohët që kaluan bashkë.

Të krishterët e vërtetë nuk ngurrojnë të flasin me të tjerët për besimin e tyre. Siç na la shembull Jezui, duhet t’ia tregojmë kujtdo premtimet e mrekullueshme të Biblës. Pavarësisht nëse kemi apo jo mundësi të transferohemi, mund të përpiqemi me të gjitha forcat të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve. E padyshim që mund ta bëjmë këtë në kongregacionin ku po shërbejmë. (Gal. 6:10) Kështu do të provojmë gëzimin që vjen duke dhënë dhe ‘do të vazhdojmë të japim fryt në çdo vepër të mirë’.​—Kolos. 1:10; Vep. 20:35.